Gani Mehmetaj: Frustrimi i ushtrisë turke
Frustrimi i ushtrisë turke
Nga Gani Mehmetaj
Ushtria turke në 120 vjetët e fundit ka pësuar disfata të njëpasnjëshme si asnjë ushtri tjetër. E sulmoi dhe e mundi Greqia, e sulmoi dhe e mundi Serbia me bashibozukë rrjepacakësh e kriminelësh, e sulmoi dhe e turpëroi një grusht cubash të Malit të Zi. Po të mos e ndihmonte Evropa, Bullgaria gati e mori Kostandinopojën (Stambollin). Rusia po ashtu e rrezikoi Turqinë sikur mos e dëbonte ushtrinë ruse Britania e Madhe.
Të gjitha shtetet e reja që u krijuan në kurrizin tonë më shumë luftuan kundër shqiptarëve se sa bënë luftë kundër ushtrisë turke që tërhiqej qyqarisht dhe ua dorëzonte territoret shqiptare fqinjëve tonë. Ishte cinike kur ushtria turke u bënte rezistencë kryengritësve shqiptarë, duke pritur që të afrohej ushtria serbe, të cilës pastaj ua dorëzonte qytetet shqiptare me ceremoni e parada ushtarake, sipas marrëveshjeve të fshehta.
Ushtria turke e frustruar dhe e tërbuar nga disfatat e vazhdueshme gati na shfarosi në grahmat e veta të fundit që po i përjetonte në Gadishullin Ilirik. Ushtria turke na luftoi egërsisht duke e dobësuare faktorin shqiptarë në atë shkallë sa që nuk na mbetën forca ta mbronim Shqipërinë.
Kur u tërhoq ushtria turke nga Shqipëria e katër vilajeteve la prapa kufomat e mijëra shqiptarëve që i vrau, mori robër lufte dhe i degdisi në Anadoll e në hapsane mijëra burra shqiptarë, i gremisi në luftëra të pakuptimta mijëra të tjerë. Ekonominë shqiptare e rrafshoi për toke. Prandaj e copëtuan me aq lehtësi Shqipërinë Greqia, Serbia, e Mali i Zi. Nga 130 mijë kilometra katrorë mezi i mbeten Shqipërisë së copëtuar 29 mijë kilometra katror. Atë copë Shqipëri e kemi fal ndihmës së Austro-Hungarisë dhe shqiptarëve katolikë.
Ushtria turke është e frustruar nga këto disfata 120-vjeçare edhe sot e kësaj dite: në batakun e luftërave të pafundme kundër kurdëve, rrënoi tokat kurdë, por nuk fitoi. Është fatbardhësi që nuk e kemi në kufi, sepse do ta pësonim fatin e Kurdistanit.
Megjithatë nuk e kam të qartë ç’kërkon ushtria turke në Rrafshin e Dukagjinit, zonën ku ka bërë më së shumti krime dikur. Me irrituan kur i pashë në Istog. Trupat turke e serbe ende kujtohen për krime e përdhunime, prandaj bëjnë mirë që të jenë sa më larg vendit të krimit . Por ka shqiptar tru shpërlarë që flasin si në dëlir për “fuqinë” e këtyre dy ushtrive.