23/11/2024

GABOVE, LUMIR DJALI, LUMIR KRYETARI!

0

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Vlerësoj maturinë Tënde në bisedën me kreun e SBASHK-ut, përkatësisht, argatin e SHIK-ut, Rrahman Jasharaj, sepse dallonte shumë me atë të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ftonte grevistët, për ta vazhduar dhe përshkallëzuar grevën, për rrëzimin nga pushteti të “diktatorit” Albin Kurti!

Megjithatë, gabove, kryetar Lumiri. Thjeshtë, ngatërrove adresë! Duhej ta takoje shefin e Rrahman grevës, Elmi Reçicën,  zëvendësdrejtorin e organizatës ilegale dhe kriminale, SHIK. Sepse fakte të bollshme dëshmojnë se krerët e SBASHK-ut, janë anëtarë të partive-banda të PAN-it, me shumicë në PDK-e, militantë në fushatat zgjedhore PAN-iste. Digjitalizimi po favorizon pamjet vizive të këtyre krerëve, si Rrahman Jasharaj, Imer Imeri, Reshit Kushaj, me shokë, të cilët, veç posteve të tjera në Sindikatë, kanë në zotërim edhe arkën e Sindikatës.

Është për keqardhje, kur disa bashkëpunëtorë Tuaj partiakë, në vend që të bëjnë thirrje për ndërprerjen e grevës pa kushte, përkundër, qortojnë dhe fajësojnë Qeverinë, se “duhet dialoguar me faktorët socialë”, edhe pas dialogut shterrues të bërë, përgjatë tej dy javëve, nga Qeveria Kurti. Shtrohet pyetja, çfarë “faktori social” është SHIK-u, organizator dhe mbështetës i drejtëpërdrejtë i kësaj greve, sa monstrume, aq edhe skajmërisht të dëmshme dhe kriminale, me lënien e 318 nxënësve jashtë klasëve të mësimit, duke na sjellë në kujtesë kohën zezonë të pushtimit të egër serbol-sllavë të viteve `90-a.

Ndonjë tjetër flet për “ndërshmërinë” e Rrahman grevës nga jeta shkollore. Por, që atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra. Dhe, në këtë rrjedhë kohore, edhe njerëzit kanë ndryshuar, madje, disa syrësh, deri në shpërfytyrim. Me shërbimin e tij ndaj SHIK-ut, i tillë shfaqet edhe Rrahman greva.

Të bëhesh militant i partive-banda të PAN-it, siç janë krerët e SBASHK-ut, edhe pas përgjakjes të Kosovës, duke ekzekutuar ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët atdhetarë të devotshëm, në paqe dhe në luftë të LDK-së; gazetarët luftarakë dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, është marrëzi dhe krim i rëndë. Prandaj, nuk mund të bëhet fjalë as për ndershmëri dhe as për mirësi. Këta krerë të SBASHK-ut duhet të grevonin, me kërkesën e ligjshme, për nxjerrjen jashtë ligjit të partive-banda të PAN-it, të cilat vazhduan përgjakjen e atdhetarëve, edhe pas dëbimit të soldateskës kriminale të Millosheviqit!

Opozita PAN-iste mbronë, paturpësisht, “komandantët” e saj të inkriminuar, gjatë dhe pas luftës. Ndonëse i shpëtuan dhënies të llogarisë, për krimet faktike vrastare e hajnore, përsëritën krimin, duke falsifikuar “dëshmitë e veteranit”, duke i shumëzuar nga afro 13 mijë veteranë të mirëfilltë, për t`i shtuar edhe 52.000 “veteranë” të rremë. Komandantët e “mëdhenj”, në koordinim me komandantët e “vegjël”, shitën e përshitën “dëshmitë e veteranit”, duke llogaritur dy përfitime njherësh:

1) Përfitime me para kesh, të gatshme;

2) Krijimin e klientelës elektorale partiake.

Për çdo muaj rrjedhin, abuzueshëm e hajnisht, miliona euro, që shkojnë në xhepat e “veteranëve” të rrejshëm, në shumicën e tyre matrapazë e kriminelë, pjesëtarë aktivë të bandave, të përballur me akuza penalizuese e gjyqe, për të bëmat e tyre, që kanë lënë gjurmë makabre, në mendjet dhe zemrat e popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve, si komb. Dhe, heshtet, turpshëm e kriminalisht, për këtë vjedhje unike zyrtare!

Të thuhet se “jemi pajtuar me kërkesat e grevistëve”, siç tha një deputete e LDK-së, edhe pas nxjerrjes të projekt-ligjit, për pagat e mësimdhënësve dhe shërbyesëve civilë, rrjedhimisht je bërë palë me PDK-në dhe SHIK-un e saj! Përkundër, duhej thënë zëshëm se ofërta e Qeverisë është e pranueshme, për kushtet buxhetore të Kosovës. Dhe, mos u bëni argat të djallit, argat të SHIK-ut kriminal.

Është skandaloze që udhëheqja aktuale e LDK-së të pajtohet me një palo rezolutë të partisë-bandë, PDK-së! Elektorati i LDK-së, ndëshkoi klanin rrënues brenda Kryesisë të partisë, me votën e 14 shkurtit 2021. Në zgjedhjet lokale të tetorit të vjemë, anëtarësia i besoi Kryesisë së re, të dalë nga Kuvendi i 10-të i jashtëzakonshëm i partisë. Premtoi për reforma të thella. Në mesin e tyre edhe “kurrë më me PDK-në, PAN-in”. Por, disa kokëtime, flirte e pajtime, me bandën e PDK-së, gjithnjë e më shumë, po ngjallin dyshime, për realizimin e reformave, fort të nevojshme në parti.

Reformat e LVV, të nismuara në sistemin e drejtësisë, kanë trazuar PAN-in, të zhytur në krime dhe hajni. Për t`i penguar reformat, është gadi të bëjë çdo të zezë, në kurriz të Kosovës, ashtu siç bëri shefi i tyre, Hashim dallaverja. Andaj, kërkojnë trazira, rrëmujë. E filluan me “Trustin” dhe dështuan. Organizuan protestën e organizatës OVL të UÇK-së, me kërkesë sa të poshtër, aq edhe kriminale, për të paguar dhjetra-mijëra “veteranë” të rrejshëm. Përsëri dështuan me turp, sepse e denoncuan SHIK-un, si organizator. Një veteran i hershëm tha se “në të gjithë këtë turmë, veteranët e vërtetë, mund t`i numëroj me gishtërinj!” Megjithatë, SHIK-u nuk dorëzohet. Antarësia numerike e tij, është e shpërndarë kudo, “si zogjtë e qyqës”. Dhe, tani provon të shantazhojë e kërcënojë Qeverinë me sindikatat, me kërkesa iracionale. Sërishmi, do të dështojë.

SHIK-u nuk duron opozitarizmin. Ai erdhi në pushtet, duke shkelur mbi kufoma. Me ndihmën e një klani, brenda Kryesisë të LDK-së, sundoi gjatë në pushtet, bëri pazarllëqe të pista me Serbinë. Për rrjedhojë, marrëveshjet fatale për Kosovën, të nënshkruara dhe të ratifikuara në Parlament, janë bërë pengesë betonuese për Qeverinë Kurti dhe vet Kosovën. Është gadi ta fillojë nga e para gjakderdhjen ndërshqiptare.

Deshtaku aventurier, Dardan Molliqaj, i vënë në shërbim të PAN-it dhe SHIK-ut të tyre, krejt i papërgjegjshëm, fton veteranët dhe popullin, për të protestuar kundër Gjykatës Speciale, sepse, sipas tij po i dënon “çlirimtarët”, edhe pse ata akuzohen për vrasjen e kundërshtarëve politikë, atdhetarë të devotshëm shqiptarë, të cilët bënë paqen dhe luftën. Kjo Gjykatë është aprovuar dhe aktualizuar nga Amerika, me kryeprokuror të saj. Këtë e dinë PAN-istët, andaj fshihen prapa një partie inekzistente, kinse, me kryetar huliganin Molliqaj.

Qëllimi i grevës: Rrëzimi i Qeverisë Kurti!

Për SHIK-un -rrafsh Kosova-. Këte e ka dëshmuar me nismen e krimeve serike në Tiranë, në koordinim me Sigurimin enverist të Tiranës social-komunste; në aleancë konspirative me Shërbimin sekret DGSE francez dhe Serbinë, me qëllim të sabotimit të luftës për çlirim. Thirrja e PAN-it, për vazhdimin e grevës aktuale, është vijimësi konspirative supërkriminale! Tashmë, pas ligjit të pagave, të shpallur në diskutim publik, motivi është zëro dhe SHIK-ut i faturohet çfarëdo ngulmimi i mëtejmë për të grevuar.

Por, denoncohet dhe faktohet një motiv tjetër fillestar dhe parësor, i organizuar nga opozita, tjetërsuese e pasurive të brezave shqiptarë: Rrëzimi i Qeverisë Kurti nga pushteti. Për këtë kumonën agjituese ia kanë varur në qafë Ramush Haradinaj, njërit nga tre kryeministrat e Republikës të Kosovës, mbi të cilët rëndon fajësia faktike, deri në tradhti kombëtare: Tjetërësim të territorit tokësor të Kosovës, me nënshkrimin e marrëveshjeve dhe detyrimin e deputetëve, për t`i ratifikuar në Parlament, si rrjedhojë e shantazhimit nga Serbia, dy prej tyre dhe i treti nga SHIK-u.

Deputeti aktual, i burgosuri politik i dikurshëm, Hydajet Hyseni, në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, në debat me të majtën ekstreme të kohës, thoshte: “Nëse nuk kemi dhënë -golë-, të paktën, nuk kemi bërë -autogolë-. Kjo vlen edhe për Albinin, i cili në përballjen dialoguese me Serbinë, shqiptarët janë më të qetë, sepse nuk do të jetë kryeministri i katërtë, në dëmtimin fatal të Kosovës, ngaqë nuk është i shantazhueshëm. Është kryeministër plebishitar, me ndergjegje të dlirë dhe duar të pastra, të paktën, deri më tani.

Përsa i përket akuzës për “tux”, të përsëritur nga Memli, Albini ka dhënë provën e kundërt, duke provuar edhe burgun kalvar të Serbisë fashizoide. Ndërsa Memli, i “ritmit të rrugëve”, deri më tani, nuk ka dhënë asnjë provë trimërie dhe as burrërie, përveç zvarritjes pas karrikës. Kryetari nuk duhet ta lëshojë fjalën, si, me nder… Aq më parë, kur është fjala për Memlin, si familje artistësh dhe akademikësh.

Tashmë, gabimi fillestar është bërë, me mbështetjen paushalle të një greve të stisur, me porosi dhe organizim të SHIK-ut, me amën e tij PDK-në. Por, mirë është të reflektohet dhe të shpëtohet atë që mund të shpëtohet. Në rastin konkret, të shfrytëzohet pozita, autoriteti i kryetarit të LDK-së, duke sugjëruar fillimin e mësimit, në komunat ku pushtetin e ka LDK-ja, nxitje e thirrje edhe për komunat tjera të Kosovës, të heqin dorë nga një grevim i pa motiv dhe hiç logjik.

Publikimi nga Qeveria Kurti, i projekt-ligjit për pagat, është një mundësi reale, për ta vënë drejtësinë në vend, përdorimi i peshorës, për të paguar në raport me punën e bërë, të çdo qytetari të këtij vendi. Ajo që vret syrin dhe mendjen, njëherësh, është paga enorme e deputetëve dhe pak pozitave të larta. Ndërkohë që paga më e lartë, nuk  guxon të jetë më shumë se trefishi i pagës mesatare. Sepse, shtetasit kanë të gjithë: Një familje, një gojë dhe një prapanicë!

Është sa e turpshme, aq edhe anakronike e kriminale, të vazhdohet t`u bëhet lëshime e nënshtrime, ndaj partive-banda të PAN-it, me SHIK-un e tyre, që ka hapur varre e ka shkaktuar shumë gjëmë në Kosovën tonë. Kujdes, gabimi, më saktë, faji në politikë, kushton dhe lënë gjurmë në histori.

Andaj, gabove, kryetar Lumiri, për mbështetjen e një palo rezolute ultimative, të bërë nga PAN-i dhe SHIK-u i tij! Kujdes, po lëndoni familjarët e shumë qindra viktimave, të shkaktuara nga PAN-i, me skuadrat ekzekutuese të SHIK-ut të tij! Larg bashkëpunimit me PAN-in, sepse këtë e kërkon anëtarësia e LDK-së dhe shqiptarët njerëzorë të përbotshëm!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok