24/12/2024

Fyejt magjik të Pilurit

0
Fyejt-magjik-Pilur1

Nga Timo Mërkuri

I-Jehona e këngës iso-polifonike të grupit të Pilurit, qysh nga ajo ditë tetori e vitit 1973 në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës e më pas, koncert pas koncerti e Festival pas Festivali, u përhap mbi gjithë hapësirën e vendit  dhe: si valë të një shpërthimi atomik, kapërceu hapësirën ballkanike dhe eci nëpër Europë duke mbuluar me melodinë e saj gjithë botën e artit. Emrat e këngëtarëve“marrës” i dinin dhe i shqiptonin me adhurim të gjithë dëgjuesit, emrin e poetit-organizator e mësuan shumë shpejt nga valët e radiove. Mësuan kush e “kthente” këngëne kush e “hidhte”, kush mbante iso e kush mbante sharkun e zi. Me këtë rast mësuan dhe vendndodhjen e fshatit, jetën e zakonet e banorëve. U mësuan shumë gjëra nga këngët e bukura pilurjote, por çuditërisht askush nuk përmëndi ata që hapën rrugën e suksesit.I nënvlerësuan, i shmangën  apo nuk i kuptuan, kjo është tjetër gjë. Ata vijonin të dilnin në skenë,  ku binin menjëherë në sy nga fyejt dhe cula dyjare që i mbanin ngjeshur nën peshllin e mesit si “trimi armët e brezit” dhe i nxirnin para mikrofonit me gjestin e nxjerjes së kobures për t’a zbrazur. Nuk i mbanin më të fshehta nëpër  mëngore, si atëherë te ai koncerti qeveritar në Tiranë. Tani ato feksnin për së largu, jo nga vezullimi i sërmit apoarit si koburet e trimave, por pikërisht për magjinë që mbanin “brenda” dhe “bëma” e asaj dite tetori që thamë. Sepse ato ishin thjeshtë:  një dyjare prej dru panje dhe dy fyej të metaltë.

Duhet të dimë që rrugën e suksesit këngës pilurjote ja hapi melodia e fyellit dhe culës dyjare.Ajo niste para këngës, sillte me melodi një pranverë mbushur me lule-tinguj, nëpër të cilat rendte lozonjare bejka e bardhë apo kuaca e kuqe, vinte djali me shark të zi që “rrëmbente” bejkën kur mbi to ndrinte hëna, sepse shkonte kuaca dhe e linte hënën ta zbukuronte vendin. Mbi këtë pranverë melodike tundte vendin kënga e grupit të Piluri,t sa që i bënte dhe dëgjuesit nëpër sheshe të nisnin vallen aty ku ishin. Kjo pranverë melodike nuk ikte me të mbaruar kënga, por e përcillte këngën deri në kufijtë e skenës, siç përcillet miku në Pilur deri në kufijtë e fundit të fshatit. Në të gjithë trevën, kënga iso-polifonike  këndohet pa vegla muzikore, qofshin ato dhe të traditës, por në Pilur, Margarit Kongjini me culën dyjare, Milto Gjiçali me fyellin “marrës” dhe Arqile Lapa me fyell “mbushës”“hapën” rrugëne re melodike ku eci “Bejka e bardhë” apo “Kuaca e kuqe” duke u tundur,drejt suksesit dhe lavdisë.

II- Piluriotët e kanë patur fyellin[1] pjesë të inventarit personal krahas pushkës dhe thikës.

Dikush më tha që e kanë trashëguar nga Pani i Madh, që njihet si ati i tyre[2], por unë vetë mendoj se fyelltarët pilurjotëja kanë dhuruar fyellin hyut politeist të blegtorisë. Më tejë, pleqtë e Pilurit thonë se edhe “Fyelli i Tanës” ështëkënduar sëpari  në Katund[3] dhe prej andej u përhap në gjithë viset shqiptare. Si dëshmi e hershmërisë së përdorimit të fyellit nga pilurjotët,është e gjallë edhe sot legjenda e Nikoll Kaçit, fyelltarit të famshëm, i cili me melodinë e ëmbël që krijonte, trazonte ëndrat e vajzave dhe nuseve të reja. Duke qënë se ishte djalësimpatik, me sy të mëdhenj e të bukur, vajzat qëndisnin në jastëkun e pajës një sy të madh e të bukur që t’i “shihte”dashuria në jetë dhe këtë e quanin “syri i Nikoll Kaçit”.

Pilurjotët rriten me melodinë e fyellit[4].

Milto Gjiçali në Pilur e mësoi fyellin qysh në moshën 12 vjeçare nga vëllai i tij Kiço Gjiçali, një nga themeluesit e grupit të Pilurit dhe “marrës” i këngës në grupin e burave.Kiçua vetë e mësoi nga Lefter Mërkuri, të cilin e kishte fqinj.Milto Gjiçali, si fëmijë kureshtar, rrinte e dëgjonte melodinëqë krijonte vëllai me fyell, e prekte fyellin me droje sikur të ishte diçka e magjishmedhe vetvetiu melodiau bë pjesë e botës shpirtërore të tij. E përsosi aftësinë e rënies së fyellit në shkollën e Himarës, ku pati ndihmën e Haxhi Dalipit dhe në vitin 1968 aktivizohet nga Lefter Çipa në Grupin e Pilurit.Këtu istrumenti u “bë i tij”, komandohej prej tij dhe nxirte melodi nga më të ndryshmet, që i krijonte së pari fantasia e tij.

Ndërsa cula dyjare, edhe kjovegël aerofone,punohet me dru[5] panje ose piksi dhepërbëhet ngady cula (bilbila) në një bllok druri të vetëm. Është një instrument isopolifonik i konceptuar si i tillë[6], madje edhe dy birat e para quhen “marrësi” dhe “kthyesi” dhe të tjerat quhen “mbushësa” që nënkupton “iso-n”. Ka katër bira nga e djathta, tre nga e majta dhe  te ana me katër bira, nga mbrapa ka një birë që shërben për të kontrolluar melodinë.

Njësoj si fyelli, edhe cula dyjare përdoret siistrument i “vetmuar”, por në  rastin e Grupit të Pilurit ajo është futur si vegël solistike në një formacion iso-polifonik. Në këtë formacion, fyelli i parë u fut si vegël solistike dhe fyelli i dytë si vegël mbushëse (si mbajtës iso).Quhet “fyell solo” kur është istrumenti i vetëm që shoqëron këngën në grupin iso-polifonik,ndërkohë qëfyelli i dytëështë mbushës. Po ashtu në orkestrinë, kur dyarja del më vete dhe fyejt mbushin,  dyjarja  quhet solo.

Cula dyjare në Pilur vlerësohet si instrument “privat”i fisit Kongjini. Margarit Kongjini që interpretoi“Bejka e bardhë” e ka mësuar qysh në fëmini culën dyjare nga vëllai i tij më i madh, Labo Kongjini, dhe kye ka mësuar nga xhaxhai i tyre,Koço Kongjini. Duhet të ecim shumë në histori që të gjejmë të parin e Kongjinajve që ka nisur të përdorë culën dyjare, ndërkohë  që Margarit Kongjini ja  ka mësuar  instrumentin të birit, Leonard Kongjini, i cili në Greqi, ku ka emigruar krijon melodi të përmallëshme për vendlindjen.

III- Në vitet 70 në Pilur filloi të çfaqej një risi që nuk ishte parë e dëgjuar nëhistorinë e ekzistencës së instrumentave popullore tradicionalë fyell e dyjare. Përkundër natyrës së këtyre istrumentave si istrumenta vetmitarë, në Pilur filloi të organizohej orkestrina e parë me dy fyej (njeri marrës dhe tjetri mbushës) e një dyjare dhe në sfond, një duzinë zile e këmborë që i bashkë -shoqëronin këto instrumenta. Në fakt ky kompozim ishtenjë imitim i natyrës baritore, ashtu siç ndodhte shpesh në stan dhe nëpër  brinja ku kullosnin bagëtitë. U pa që bashkërendimi i këtyre dy istrumentave krijonte një melodi të vetën, të bukur dhe të re.Në vitin 1984 organizohet një orkestrinë me istrumenta tradicionalë ku bënte  pjesë Margarit Kongjini me culën dyjare,Vendim Kapaj me fyell, një fyelltar nga Kërkova dhe dy djem të rinj që imitonin cicërimat e bilbilit.Ishte një paraqitje e bukur dhe mbresëlënëse  dhe pikërisht për këtë arsye kjo orkestrinë u paraqit  në Festivalin e Gjirokastrës në 1984 dhe në vitin 1988 ndërsa në vitin 1989, në përbërje të grupit Labëria, bashkë me Vendim Kapaj, Margarit Kongjini e dhe katër të tjerë nga Piluri japin koncert të suksesshëm në Kanë të Francës.

Le të rikthehemi te fillimi i orkestrinës magjike të fyejve e dyjares.Suksesi i saj dhe sidomos ambienti melodik që krijonte, shumë shpejt do sugjeronte që të kalontë në një fazë më të avancuar, cilësore,harmonike dhe “tronditëse”  njëkohesisht. Orkestrina me dy fyej dhe një dyjare rezultoi që ishte mjaftë  funksionale dhe cilësisht organikepikërisht në shoqërimin e këngës lirike baritore. Si këngë e parë “eksperimentale” me këtë “orkestrinë” ishte kënga “Luleverdhe e bari i njomë”në vitin 1972 dhe  problemet e lindura gjatë këtij interpretimi,shërbyen si “tregues difekti” që duheshin korigjuar për të aritur përsosmërinë te këngët e mëpasme.Kështu u akorduan tonalitetet e të kënduarit si dhe tonalitetet e istrumentave, madje duke u pregatitur enkas istrumenta të reja.

Në prodhim të dyjares, çdo krahinë ka stilin e saj të prodhimit, por Margarit Kongjini e

prodhoi dyjaren e re me dru panje duke e çpuar me tyrjelë 16 mm[7]. Ndërkohëdhe cula e Milto

Gjiçalit u punua16 mm dhe, pas provave të shumta, u arit qëtingulli  i saj të koresopondojë me tingullin e dyjares të Margaritit.

IV-Kënga “Bejka e bardhë” ishte niveli më i lartë i përsosmërisë melodike dhe interpretimi, por njëkohësisht edhe më i vështiri për t’u interpretuar me fyell. Le të sqarojmëse  ka dy mënyra të rënit fyellit, me buzë dhe me “dhëmballë”. Milto Gjiçali i bie fyellit me buzë, ndërkohë që Vendim Kapaj psh, i bie me dhëmballë si dhe e ka fyellin më të gjërë.Këngën “Bejka e bardhë” nuk e marin dot fyelltarët që i bien me “dhëmballë” fyellitpër vetë faktin se ata krijojnë një melodi të “fortë” ndërkohe që “Bejka e bardhë” ka melodi të “butë”. Fyelli ka edhe një sekret tjetër për krijimin e melodisë së “butë”, si vegël është me nëntë bira, nga të cilat shtatë janë kryesoret, një është për ajrim dhe një për kthyesin.Nga këto shtatë bira, Milto Gjiçali e bllokon një birë dhe i bie fyellit me gjashtë. Këto gjashtë bira prodhojnë një melodi të “hollë”, të “butë” e tëëmbël, qënuk krijohet po t’i biesh fyellit me shtatë  bira. Po të dëgjosh mbylljen melodike të fyellit te “Bejka e bardhë”,atë melodi nuk e bën dot as me violinë e jo më me fyell që i bie me dhëmballë.Këtu ndikon edhe fakti se gjashtë gishta lozim më shpejt mbi fyell se sa shtatë gishta.

.Me qënë se për suksesin e këngës “Bejka e bardhë” kemi folur dhe në shkrime të tjera, le të themi se në përfundim të Koncertit Qeveritar në Tiranë, Milto Gjiçalit i “vjedhin” fyellin[8]. Situata e mungesës së fyellit u vlerësua “alarmante”dhe kjo bëri qëbrenda njëdite nga Uzina

Dinamo t’u vinin“dhuratë”katër fyej. E mirë ishte “dhurata” me katër fyej, por mqse birat nuk

kishin distancën e duhur dhe diametri kishte“luhatje”, tingulli nuk dilte ai që duhej. Po të dëgjosh tingullin e fyellit te kënga “Shko moj shko kuacë e kuqe” (sigurisht po të kesh vesh të hollë muzike) dhe ta krahasosh me tingullin e fyellitte kënga “Bejka e bardhë” e ndjen ndryshimin. Megjithatë, falë vullnetit dhe talentit të Milto Gjiçalit, bashkërendimit në melodi të tingullit të fyellit të tijme tingullin e culës dyjare të Margarit Kongjinit dhe tingullin “mbushës” të fyellit të Arqile Lapës, istrumentat dhanë një melodi të përsosur te kënga “Sorkadhe me remba shkruar”apo te  këngët liriko erotike“Në të marça manushaqe”, “Nëpër fshat një zë i hollë”, “O moj culë e labërisë”, “Kur nga vesa lahet bari”, “Në gërxh të kalasë“etj. Pas këtyre sukseseve, fyejt dhe culën dyjare nisën t’i shohin si istrumenta “magjikë” dhe tre mjeshtrat e tyre t’i  adhuronin si “magjistarë të mirë” që krijuan parajsën me fyell e dyjare.

Në vitin 2019 një grup kineastësh nga TV ARTE i Francës që po xhironte një dokumentar “Nëpër udhëtimet e Odiseut”  zbriti nga anija në Himarë dhe u ngjit në Pilur, ku në një bregore pranë shtëpisë së tij, gjetën Milto Gjiçalin me tufën e bagëtive. Të mahnitur nga melodia, e filmuan duke i rënë fyellit, inçizuan melodinë dhe e bënë pjesë të dokumentarit. Sigurisht që miqtëu ftuan të darkonin në shtëpinë pilurjote, ku nderi i mikpritësit i takoi  Kristo Çipës. Sigurisht që këtu ndikoi dhe fakti që në shtëpinë e tij “kishte zbarkuar” dhe grupi i Pilurit dhe kështu, në mes tëkëngëve pilurjote, miqtë panë e filmuan “pjekjen e dashit”, hëngrën e pinëgjer pas mesnate dhe sigurisht që kënduan, por Milto Gjiçalit nuk ju ndanë duke e lutur t’i binte fyellit “si në kohën e Odisesë”. Aty për aty grupi interpetoi një këngë iso-polifonike për udhëtimin e Odisesë dhe Penelopën që e priste, e cila e shoqëruar dhe nga melodia e fyellit u bë pjesë e skenarit dhe  muzikës së filmit francez.

V-Fyelli dhe cula dyjare, si vegla muzikore të barinjve janë kryesisht istrumenta vetmitarë, natyra e tyre është  të krijojnë dhe interpretojnë muzikë vetëm. Milto Gjicali jo vetëm luanpjesët e njohura në fyell si: mërzimi i bagëtisë, çuarja e tyre për ujë, hedhja e kripës etj., por ai krijon me fantazinë e tij melodi të reja vajtimesh dhe lirizma të padëgjuara më parë. Margarit Kongjini me dyareishte i përkryer në tingëllimin e saj dhe në daljen si solist në orkestrinë për “avazet e reja”.Arqile Lapa, duke patur mushkëri të forta në fyell, ishte një “mbushës” i pashëmbullt dhe të tre bashkë krijuan orkestrinën baritore të Pilurit.Nuk ishte punë e lehtë krijimi i kësaj orkestrine. Lefter Çipa e di se ç’punë kolosale i është dashur të bëjë për t’i harmonizuar të tre bashkë, jo vetëm për t’i disiplinuar së bashku, por edhe për të gjetur instrumenta me tonalitet të njëjtë  harmonik. Me dhjetra dyjare dhe fyej janëpunuar  nga fyelltarët dhe Margarit Kongjini, janë provuar dhe eksperimentuar deri sa u arit harmonizimi i plotë i tyre.Me sigurimin e istrumentave të duhur, filloi puna e madhe për shoqërimin e këngës, kohëzgjatja e introduksionit (midis strofave), melodia hapëse dhe ajo mbyllëse etj.Por nuk mbaron me kaq biografia artistike e kësaj orkestrine,kjo ka shoqeruar edhe valle burrash, si  “vallja e çobanit” dhe valle grash si“vallja e thëllëzave”. Jane shoqëruar “vaje”,“ninulla” dhe“logatje”, pjesë e repertorit të grupit të Pilurit. Mjeshtëria e  melodisë së dyjaresdhe shkathtësia e Margarit Kongjinit duket më së miri në bashkëpunimin e tij me fyelltarin e Labërisë Vendim Kapaj. Vendim Kapaj është një Zot me fyell në dorë, e komandon tingullin sipas fantazisë dhe bën edhe pemët të lotojnë nga melodia e tij.Ai është vërtet një Zot, por “fatkeqësisht”është një Zot i “vetmuar”. Asnjë fyelltar nuk i bën dot “shoqëri” melodike. Atë që nuk e bëjnë dot fyelltarët e bën Margarit Kongjini[9] me culën e tij dyjare. T’i shohësh tëdy kokë më kokë, njeri me fyell e tjetri me dyjare, të duken si dy male sup më sup që: herë lëshojnë orteqe e herë nisin pranverën e përlotur. Duhet ta quash fatlum atë

moment që i dëgjon të dy bashkë, se është momenti qëdo përjetosh parajsën e s’do ta harosh kurrë. Sepse unë ju them që Margarit Kongjini, Milto Gjiçali dhe Arqile Lapa zotërojnë magjinë e tingujve parajsorë dhe hapin “portën” e tyre për te ne, nëpërmjet fyejve dhe dyjares. Kanë diça të perëndishme këta artistë të mëdhenj të fshatit tim të origjinës, diçka si Hermesi i mitologjisë që na shtang e na mrekullon kur i dëgjojmë.

VI-Koha nxjerr në skenën e saj  djem të rinj si Polikron Mërkuri me fyell dhe Leonard Kongjini me dyare, si dhe me një instrument tjetër midis bilbilit dhe klarinetës, si talente të rinj që, pavarësisht se në emigracion, po krijojnë melodi “vetmitare” malli e dashurie për vendlindjen dhe punojnë për krijimin e një mikro orekestrine për të shoqëruar këngët iso-polifonike, logatjet, ninullat etj. Një gjë e kanë të qartë këta djem të rinj, satë rrojë kënga pilurjote, ajo doshoqërohet me istrumenta nga djemtë e talentuar pilurjotë.Prandaj punojnë dhe bëjnë gjithçka që të mos digjen heshturazi në emigracion.

Sarandë, më 01.02.2021

[1]Fyelli. Vegël muzikore si gyp i hollë e i gjatë, prej druri a prej metali e me disa vrima, së cilës i bien duke i fryrë me gojë. (Fjalori  Shqip).Thuhet se prejardhja e fyellit është nga Arabia dhe në Shqipëri e kanë prurë tregëtarët.Kemi raste kur fyelli është ndërtuar edhe me kocka shpendësh (shqiponja).Sipas R. Sokolit fyelli lidhej me kultin falik.Dëshmi e përdorimit të fyellit nga ilirët e gjejmë te Straboni. Më pas e gjejmë te cikli i kreshnikëve. Te epi “Omeri i ri”ku vajza vishet si djalë, ajo vihet në provë kur duhet të luajë në fyell apo lahutë. Në vitin 1744 Kostandin Shpataraku pikturon në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë një bari të vogël duke i  rënë fyellit.Fyelli është vegla më e përhapur në hapësirën etnokulturore shqiptare dhe egziston në dhjetra tipe të ndryshme.          (Arkivi i iso-polifonisë shqiptare. http://isopoli1.ë03.ëh-)

[2] Pilurjotët thirren edhe :bij të këmbëcjapit. Këmbëcjapi është Pani i Madh.

[3] Vendbanimi i hershëm i Pilurit, i djegur nga masakrat turke në vitet 1650

[4] Fyelli si vegël aerofone prodhohet  prej metali ose guri, sepse i punuar me dru nuk lëshon tingullin e duhur. Ka shtatë bira nga ana e përparme dhe një nga mbrapa. Fyelli prej guri është më i vështirë për t’u punuar prandaj ka përhapje të pakët , përkundër fyellit  tub-metali që është i përhapur në gjithë zonat  e vendit.

[5] Në Festivalin Folklorik  Gjirokastër 2000 muziktari popullor Arap Çeloleskaj interpretoi me një culë dyjare prej guri  (Nga Arkivi i iso-polifonisë shqiptare  sopoli1.ë03.ëh-2.com/ShoëInstrument.aspx?id=15)

[6] Edhe cula dyjare e ndërtuar nga Leonardo Da Vinçi[6]është tipike si bashkim i dy culave (bilbilave) ndonëse ka nga tetë bira në secilin “bilbil”. Ndodhet në Muzeun Etnografik në Romë.Cula dyjare përdoret sot në Sardenjë, Labëri dhe Himarë.

[7]Thekson Margarit Kongjini se: me 14 mm  tingulli është më i hollë. Edhe gjatësia e istrumentit, dhe diametri i birave si dhe distanca midis tyre janë element që ndikojnë te tingulli që prodhon,  prandaj për unisonin e tingujve kemi bërë prova të shumta nën drejtimin e Lefter Çipës.

[8] Në fakt duhet të përdorim shprehjen “imerr” fyellin (si trofe, siç u marin tifozët futbollistëve topin e lojës ose fanellat)një  pjestar i një grupi tjetër. Fyellin ja gjeti dhe ja pruri pas disa vjetësh Haxhi Dalipi. Ndërsa cula dyjare e Margarit Kongjinit  pasi u vlerësua si “asset kulturor” dhe “historik” u ekspozua në Muzeun e Pilurit, prej nga u rrëmbye në vitet 90, kur u prish muzeu. Me gjithë kërkimet dhe ofertat e Margaritit ajo nuk ju kthye të zotit.

[9] Po të jemi bashkë, të kemi kohëdhe  të bëjmë prova me Margarit Kongjinin, edhe “Kabanë me klarinetë të Laver Bariut” e realizojmë. Por jemi larg, se Margariti është në Greqi dhe i sëmurë- thotë me dhimbje Milto Gjiçali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok