30/12/2024

FUSHATA ELEKTORALE – KACAGJELIMI POLITIK I RADHËS

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Fushata elektorale thuajse nuk ka asnjë risi tash tridhjetë vjet. Dy palë kundërshtare që rendin katund më katund e lagje më lagje nëpër qytete, duke u “kacafytur” mes tyre apo kacagjeluar, siç do të thoshte Fishta. Ata që kanë kryer një mandat si kryebashkiak, duan me doemos të dytin, ata që kanë kaluar dy mandate në këtë detyrë, duan patjetër të tretin, të katërtin, të pestin. Nuk ka limit në këtë gjë, pasi nuk ka moral politik, rregulla dhe standarde demokracie. Asnjë ndryshim nga zgjedhjet e përgjithshme. Politika në kulm edhe në këto vendoret! Duket se pa politikë askush dhe asgjë nuk merr frymë. Na rroftë neve që jemi jashtë saj!

Dëgjon individë që ankohen për liderët qendrorë, që kanë nga 25 – 30 vite në pushtet dhe harrojnë se në nivel vendor apo rajonal, janë ata vetë të njëjtat fytyra po kaq gjatë përballë elektoratit, i cili duhet të “prodhojë” rregullisht vota për ta, por jo dhe të rinj në krye të politikës dhe të bashkive, paçka se aty – këtu, përplasjet e brendshme politike, si majtas, si djathtas, kanë përfshirë në forumet partiake dhe në garën elektorale disa të rinj.

Më e keqja, edhe në këtë fushatë, njerëzit shohin të përdoret shteti, për të kapur pushtetin.

Ministrat rrisin rrogat nga ekrani

Të enjtën në mesditë ministrat, njëri pas tjetrit, dolën në ekran dhe deklaruan pagat e rritura bruto, ministrja e Arsimit për arsimtarët e arsimit 9-vjeçar e të mesëm, ministrja e Shëndetësisë për mjekët e infermierët, ministri i Brendshëm për policët e gardistët, ministri i Drejtësisë për zjarrfikësit e kështu me radhë. Kurse ministrja e Financave na garantoi se fondet do të mblidhen nga rritja e të ardhurave dhe rialokimi i brendshëm. Secili bënte kujdes të thoshte sa më mirë “detyrën e klasës” dhënë atë paradite nga kreu i qeverisë. Nuk do mend që kjo është një rritje pagash elektorale; nëse nuk është kështu, pse ky deklarim nuk u la që të bëhej në lajmet e orës 20 të datës 14 maj, kur votimi kishte përfunduar? A mund të ndodhë diçka e tillë në Gjermani, Angli, Itali etj. në situatë zgjedhore? Së fundi, a ka një “arbitrazh” të brendshëm apo ndërkombëtar votimesh, që t’i gjobisë subjeketet elektorale që përdorin pushtetin për të fituar vota? Ç’emër tjetër mund të ketë, kur kryeministri iu drejtohet votuesve, se nëse nuk votoni kanditanin e mazhorancës, nuk keni fonde nga qeveria?!…

Siç shihet, ka një mijë pyetje për qeverisjen, që mazhoranca përpiqet t’i kalojë përmes aksionit të saj pranveror të mbjelljes së pemëve, edhe pse muaj i pyjeve është dhjetori dhe jo prilli!

Inceneratorët, ose “plehërimi” i politikës

Incenerator, një fjalë e “tmerrshme”, që të kall frikën. Nuk e kanë fjalorët tanë të shqipes, e megjithatë ajo është kryefjala e ditës në Shqipëri, që përcakton dhe fatin e politikës. Duket sikur ka diçka “atomike”, shpërthyese kjo fjalë, që fundja nuk shënon asgjë luftarake, por thjeshtë disa impiante që përpunojnë plehrat. Ky emër na ka bërë t’i marrim inat plehrat, që dikur ato organike të vathit i çonim me kosh në arë, kurse ato azotike i prodhonim në fabrika e kombinate moderne për pjellorinë e bimëve. Plehrat e qyteteve na kishin zënë frymën dhe kur menduam se shpëtuam prej tyre, pamë se ato kishin zënë poshtë tyre politikën, qeverisjen, për ta bërë atë më “pjellore”, e ku, në kryeqytet dhe në disa nga qytetet kryesore, si Fieri, Elbasani…

Inceneratorët janë në gjyq, me ministra e zyrtarë të tjerë të akuzuar, kurse gjyqin politik e bën elektorati…

Alibeaj: mos votoni Berishën! Po kë, Ramën?…

Nuk e merr vesh qeni të zotin, është një fjalë e urtë popullore. Edhe ne e kemi të vështirë t’i kuptojmë politikanët tanë. Alibeaj, kreu PD-së zyrtare, siç e cilësojnë disa nga mediat, po thoshte para një grushti njerëzish, mos e votoni Berishën! Pyetja është e thjeshtë, po kë të votojnë zgjedhësit? Vetë atë Alibeajn, që nuk ka me vete as deputetet e grupimit të tij, le pastaj anëtarët e Partisë Demokratike? Ta mbushë dhe ai plot e përplot stadiumin “Air Albania” dhe pastaj hajde e flasim! Pse jo? Oferta e tij për ta votuar do të kishte kuptim. Por nëse ai këtë e di, që vetë nuk ka votues, për kë i fton që të votojnë njerëzit? I bie që për… Ramën! Tjetërkush nuk është në skenë. Atëherë, a thua ka vend për një tjetër fjalë të urtë: Për inat të sime vjehrre…. (lexuesi e plotëson vetë pjesën tjetër të fjalisë.)

Ne të Rithemelimit, “ndjenja antiamerikane”, aspak!…

Ishte një burrë mbi të 60 – at, demokrat i orëve të para, fort i zemëruar me politikën e të vetëve. Kujt i thonë këta se ne qenkemi me ndjenja antiamerikane? Se jemi të Partisë Demokratike, me kryetar Berishën e jo të partisë së “vogël” të vulës? Jo, mor zotni, shko e thuaja tjetërkujt ato fjalë! Nëse është dikush që ka bërë për demokracinë në Shqipëri, është Amerika dhe pikë! Këtë e dinë të gjithë. E jo vetëm sot, por tash njëqind vjet! Ne jemi demokratë që në 91-in! Me këtë parti, bashkë me Amerikën, përmbysem diktaturën!…

“Amerika është zoti në tokë”! – na u drejtua njëri nga ata të vulës, për të na zënë të ngushtën. Jo, lum zotnia, mos bëni foklorizma, – ia kthyem. Nuk ka nevojë Amerika për këso servilizmash. Amerikanët mburrën me të drejtë me shtetin e tyre demokratik, por nuk e quajnë perëndi veten!… Më kupton? Kurse këndej nga ne, ca provincialë mendojnë se fitojnë pikë, duke quajtur veten proamerikanë, kurse ne demek iu “kundërvikemi” Amerikës!? Marrina. E keni kot, krejt shqiptarët e duan Amerikën! Nuk njoh asnjë shqiptar antiamerikan…

Kur këshilltar bashkiak të bën “fisi” dhe jo politika

Është një betejë sa e nëndheshnme, aq e mbidheshme kjo për të dalë këshilltar bashkiak. Vini re, jo për t’u zgjedhur, se nuk ka zgjedhje në këtë rast, por mobilizim të “fisit” apo të ndonjë klani tjetër, partiak ose jo për të qenë ti këshilltar, me moton kap ç’të kapësh, nëse asgjë tjetër, të paktën njëqind mijë lekë mbi rrogën a pensionin. Kështu janë katandisur të ashtuquajturat parlamente lokale. Ku tjetër është parë kjo lloj maskarade, që këshilltar bashkiak të bëhet jo dikush që i jep vlerë atij organi pushteti, por disa që kanë “tribú-në” elektorale më të madhe dhe kanë mundësi ta blejnë mandatin në një mënyrë apo në një tjetër!? Ku venë e mbytën premtimet elektorale për mënaxhim bashkëkohor të qytetit, kur në këshillat bashkiake mungojnë ekspertët e drejtësisë, ekonomisë, arsimit, turizmit etj. Këshilltarët e dalë në këtë mënyrë janë thjeshtë numra dhe numërorë të tjetërkujt dhe asesi përfaqësues të zgjedhësve. Nëse në fillim të viteve ’90 forcat polititike përfaqësoheshin me elitën e tyre dhe intelektualë të pavaraur me integritet, tashmë këshilltar mund të jetë cilido anonim që arrinë të sigurojë numrin e caktuar të votave, pavarësisht sa klasë shkollë ka, e njeh apo nuk e njeh lagjia e tij etj.

Por nuk është faji i tyre për këtë, kështu ndodh kur politika “noton” në llucën e tranzicionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok