FSHATI I LASHTË MBIGURRË – MAHMUTE NË KERÇOVË
NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI
Për këtë vendbanim të dikurshëm, sot i rrafshuar me tokën thuhet se, daton nga lashtësia. Të dhënat për këtë vendbanim të lashtë mund t’i marrim nga historiani, autori i dyzetë botimeve historike Polibi, i cili përshkruan Betejën për mbrojtjen e fortesës së Uskanës gjatë vitit 229 para Krishtit. Betejë, e cila u zhvillua në mes mbretit të Uskanës SIRRA dhe mbretit të Stuberës Perseu.
Polibi shkruan, se: pasi Perseu mposhti mbretin e Penestëve Sirrën, dogji dhe shkretoi fortesën e sajë, dhe pastaj vazhdoi luftën për të mposhtur edhe vendbanimet tjera të Penestisë. Një nga këto vendbanime ka qenë edhe lokaliteti Mbigurrë, që sot gjendet në afërsi të fshatit Mafmute në lindje të Kërçovës i rrafshuar me tokë, por ende gjenden gjurmë që datojnë nga ajo kohë historike. Pasi djeg dhe shkreton këtë vendbanim të lashtë Perseu, thuhet se: robërit e luftës ia dërgon si dhuratë lufte mbretit të Shkodrës Bardhylit, me të cilin sipas Polibit duhej që të takoheshte në Shkodër por takimi u bë në Lezhë.
Sot, në këtë lokalitet nuk gjen as nam e as nishan, siç thuhet në popull. Në vendin ku ka figuruar ky vendbanim mund të gjejmë vetëm burimin e ujit Natyror, që në popull emërohet si ,,Gurra e Mafmute”, apo si ,,Bigorri i Mafmute”. Me ndihmën e disa shokëve të mi nga ky fshat prej së afërmi u njohtova për këtë lokalitet të lashtë, duke gjetur gjurmë nga jeta e këtij lokaliteti të lashtë Ilir. Pasi vizituam Gurrën, ata më treguan edhe rrugicën prej gurësh, shkallë-shkallë, që u ka shërbyer atyre banorëve për të bartur ujin nga Burimi malor, e deri te vendbanimi. Kur arritëm te vendbanimi, shokët më tregonin gjurmë shtëpiash të rrënuara deri në tokë, por ishin të pakta, sepse koha e kishte bërë të veten. Mbi këtë vendbanim kishin mbirë shkurre, e drunjë të ndryshëm, e ishte zor të shohësh mure prej guri.
Sot, mund të konstatojmë se, në këtë lokalitet të lashtë kanë jetuar Iilirët nga fisi i Penestëve. Banorët, të cilët luftuan heroikisht kundër mbretit të Stuberës Perseut, në mbrojtje të trojeve të tyre, siç e kanë edhe sot e kësaj dite trimat e Kërçovës pa dallim se ndaj kujt luftojnë.
Për këtë lokalitet të lashtë, shokët me të cilët bisedoja më rrëfenin, se: varrezat e këtij venbanimi të dikurshëm, mund të kenë qenë mbi këtë vendbanim. Tregonin, se: dikur, kur koha kishte qenë e ligë me shi dhe breshër, përroni i rrëmbyeshëm kishte bartur disa ekstremitete njeriu afër livadhit të Sali Mislimit nga fshati Mafmute. E, kjo na dëshmon se, në këtë lokalitet të lashtë dikur ka pasur jetë…
