FRANÇESKO PETRARKA
Nga Xhelal Zejneli
Françesko Petrarka (Francesco Petrarca, Arezzo, 20 korrik 1304 – Arquà /Padovë, 18 korrik 1374) është humanist dhe historian italian. Shpesh e kanë quajtur “Baba të humanizmit”. Është i pari që e zhvilloi konceptin e “Periudhës së errët”. Lindi në Areco në jug të Italisë. Ishte bir i noterit të oborrit. Fëmijërinë e hershme e kaloi në fshatin Incisa afër Firences. Për shkak të murtajës që e kishte kapluar në atë kohë Italinë, babai i Petrarkës, Petrarko, në vitin 1302, bashkë me shokun e vet Dante Aligierin (1265-1321), iku nga Firencja. Pjesën më të madhe të fëmijërisë së vet, Petraka e kaloi në Avinjon (Avignon) të Francës, ku me insistimin e papës Klimenti V (Pope Clemente V), ishte vendosur krejt familja e tij. Papa kishte ardhur në këtë qytet pas skizmës (ndarjes) në papat.
Papa Klimenti V supozohet të ketë lindur në vitin 1260 apo në vitin 1264. Ka qenë papë i Romës prej 5.6.1305 deri në vdekje, më 20.4.1314. Emri i tij i lindjes është Rejmond Bertrand Got. Njihet në histori për suprimimin e rendit të kalorësisë – templari.
Me ngulmimin e të atit, Françesko Petrarka studioi drejtësinë. Në vitet 1316-1320, studioi në Montpelieu, ndërsa në vitet 1320-1326, në Bolonjë. Por, Petrarka më tepër ishte i interesuar për shkrime, për filologji dhe për të lexuar poezinë latine. Pas vdekjes së të atit u kthye në Avinjon ku punon si këshilltar oborri. Një punë si kjo i mundësonte t’i përkushtohej shkrimit. Petrarka aderoi në urdhrat e ulët, të cilët për çdo gjë, përpos për detyrimin ndaj celibatit, i dhanë liri të shkruajë dhe të mësojë. Hyri në shërbim të ipeshkvit Kolone (Colonne) dhe të vëllait të tij kardinal.
Muzë e poetit ishte Laura de Noves (Avinjon, Francë, 1310 – Avinjon, 6.4.1348). Për madonën Laura dihet fare pak. Ka studiues që thonë se ajo nuk është personazh i vërtetë i Petrarkës, por vetëm pjellë e imagjinatës së poetit. Ajo ishte dashuria mitike e jetës së tij. Dashuri platonike. Baba i saj ishte kalorësi Audibert de Noves, ndërsa e ëma, Ermessendae. Më 15 janar 1325, Laura u martua me kontin Hugues de Sade, ndaj mbiemri martesor i saj është de Sade. Petrarka e takoi për herë të parë, të Premten e Madhe të vitit 1327, në kishën Saint-Claire d’Avignon, dy vjet pas martesës së saj. Kur poeti italian e takoi këtë muzë misterioze, ajo ishte 17-vjeçare, gjashtë vjet më e re se ai. Dashuria e poetit ndaj saj zgjati 21 vjet dhe i shërbeu atij për të krijuar stilin e ri poetik – petrarkizmin. Laura paraqet motivin kryesor të “Kanconierit” të Petrarkës.
Laura lindi 11 fëmijë. Supozohet se vdiq nga murtaja që në atë kohë e kishte pllakosur Avinjonin. Ka studiues që thonë se ka vdekur nga tuberkulozi i mushkërive. Varri i saj u zbulua në vitin 1533.
Për shkak të pjesëmarrjes në jetën kishtare, Petrarka e kishte të ndaluar martesën. Pas një kohe u largua nga jeta kishtare dhe u martua me një grua të panjohur. U lindën dy fëmijë: djali Gjovani, (Giovanni) që lindi në Avinjon dhe vajza Françeska, e cila lindi në Vakluzë. Vajza u martua me fisnikun Françesko Brosano, i cili më vonë e lexoi Testamentin e parë të Petrarkës.
Në vitin 1333, i nxitur nga kërshëria intelektuale, Petrarka udhëton nëpër Evropë. Zbulimi i fjalimeve të Ciceronit në Liezh (Liègeu) dhe i letrave në Veronë, e shtyjnë Petrarkën të grumbullojë të dhëna dhe të kryejë me pasion studime filologjike për letërsinë antike dhe sipas modelit të saj, përfundimisht me vitin 1351, të konceptojë edhe jetën e vet dhe punën letrare të vet. Këto do t’i pasqyrojë në epistolën “Pasardhësve” (Posteriati) të krijuar në vitet 1361-1371, duke e ngritur epistolarin e vet në sistem.
Në vitin 1336 dhe 1341, në Kapitol (Capitol) të Romës Petrarka u kurorëzua me dafinën poetike. Me kurorën e dafinës ai u bë krijuesi i parë letrar që stoliset me një mirënjohje të këtillë. Prej vitit 1342 jetoi midis Italisë dhe Provansës në Francë.
Më 26 prill 1336 Petrarka, bashkë me vëllain dhe miqtë e vet, ngjitet në majën Mon Vantu (Mount Ventoux) në rajonin e Provansës (Provence) në jug të Francës, në lartësi mbidetare prej 1909 m. Lidhur me këtë i shkruan mikut të vet, Françesko Dionogjit. Kjo ngjitje e Petrarkës në këtë maje konsiderohet si pararendje e alpinizmit, ndërsa vetë Petrarka, si alpinisti i parë.
Në vitin 1343, Petrarka u largua nga ipeshkvi Kolon. Ëndërronte për bashkimin e Italisë. Këtë dëshirë të vet e shprehu në poezinë “Italia ime”. Në vitin 1347 e përshëndeti kryengritjen e Kola di Riencit (Nicola Gabrini ,i njohur si Cola di Rienzi, Romë, 1319 – Romë, 8.10.1354). Ky tribun italian ishte i entuzizmuar me projektin e vet për rimëkëmbjen e republikës antike, d.m.th. për restaurimin e Romës republikane si dhe me projektin e bashkimit të Italisë nën udhëheqjen e Romës. Më 1354 Di Rienci u vra nga kundërshtarët politikë.
Në vitin 1348, në kohën e epidemisë së murtajës, Petrarka mori lajmin për vdekjen e Laurës. Në vitin 1350 fillon miqësia e ngushtë e tij me tregimtarin dhe romancierin italian Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio, 1313-1375). Në vitin 1353 Petrarka u largua nga Provansa. E thirrën në Firence, por ai vajti në Milano te kundërshtarët firentinas të tiranit Viskonti (Visconti), duke ushtruar për ta detyra diplomatike në Venecie, në Gjenovë, në Pragë dhe në Paris. Tani kishte mundësinë për t’u kënaqur “si një letrar me kohë të lirë”.
Pas vdekjes së të birit Gjovanit (Giovanni), jeton herë në Padovë dhe herë në Venecie. Në vitin 1362, për të shpëtuar nga murtaja, vajza Françeska shkon në Venecie tek i ati. Pas një qëndrimi të shkurtër në Venecie, Petrarka qëndron një kohë në Padovë. Pas kësaj, tërhiqet përfundimisht nga jeta shoqërore dhe vazhdoi të merret me shkrime. Nga fundi i jetës u vendos në qytezën Arkua (Arquà) ku dhe vdiq më 1374.
* * *
Veprimtaria – Ndonëse plotësisht e pranoi doktrinën krishtere dhe dogmat fetare, pa i shqyrtuar ndonjëherë çështjet teologjike, Petrarka përqafoi kulturën klasike të cilën e përjetonte si superiore ndaj kulturës skolastike të kohës. Duke lexuar shkrimtarin romak Shën Augustinin (Aurelius Augustinus, 354-430) dhe patristikën, iu kthye poetit të madh romak Virgjilit (Publius Vergilius Maro, 70-17 para K.), historianit romak Tit Livit (Titus Livus, 59? – 17?), shkrimtarit dhe filozofit romak Boetie (Ancius Manlius Severinus Boethius, rreth 480 – 524), filozofit, tragjediografit dhe satirikut romak Senekës (Kordovë, rreth vitit 4 – Romë, 65), satirikut grek Lukianit (Lukianos, 121 – pas vitit 181), oratorit dhe prozatorit romak Ciceronit (Marcus Tullius Cicero, 106-43 para K.) dhe shkrimtarit e nëpunësit shtetëror në Perandorinë Romake, Suetonit (Gaius Suetonius Tranqillius, rreth viti 70 – rreth viti 122 apo 130), autor i veprës “Mbi jetën e Cezarit” (De Vita Caesarum).
Shënim: Patristika është të mësuarit e etërve kishtarë dhe shkenca për ta dhe për veprimtarinë e tyre në drejtim të bashkimit të filozofisë antike dhe doktrinës krishtere. Literatura patristike – krejt letërsia krishtere deri në shekullin VII, të cilën e kanë shkruar etërit kishtarë, si për shembull Augustini.
Shënim: Seneka, me të atin, retorikun Seneka, me nipin, epikun Lukan (Marcus Annaeus Lucanus, Kordovë, 39 – Romë, 65) dhe me mësuesit e retorikës, teoricienin romak të retorikës Kuintilianin (Marcus Fabius Quintilianus, Calagurris/Hispanjë, rreth 35 – rreth 95), me epigramistin romak Marcialin (Marcus Valerius Martialis, Bilbilis/Hispanjë, rreth 40 – Bilbilis/Hispanjë, rreth 104) etj., paraqesin grupin e shquar të shkrimtarëve që ia dha Hispanja në shekullin I letërsisë romake. Për ta dalluar nga i ati i cili po ashtu quhej Seneka, e që ishte retor, tradita e vonshme antike dhe ajo e mesjetës, filozofin, tragjediografin dhe satirikun Senekë, shpeshherë e ka quajtur Seneka Filozofi.
* * *
KRIJIMTARIA – Vepra e parë e Petrarkës “Afrika” ishte një lloj epi latin për prijësin ushtarak Skipio Afrikan i Vjetri (Publius Cornelius Scipio, i mbiquajtur edhe Scipio Africanus Maior, 236 – 183 para K.).
Opusi lirik i Petrarkës frymon vetëdijshëm me përvojën e përpunuar të “Jetës së re” (Vita nova, rreth 1292-1293) të Dantes, por edhe të traditës së përgjithshme poetike shekullare (laike, profane). Petrarka besonte në famën letrare të veprave të veta latine, në radhë të parë të epit “Afrika” (Africa) që e kishte filluar në vitin 1338-1339, e që e përsosi deri në fund të jetës.
Në të flitet për Luftën e Dytë Punike, sipas shembullit të “Eneidës” së Virgjilit, të botuar pas vdekjes së autorit. Lëndën historike për epin “Afrika”, Petrarka e mori nga Tit Livi.
Shënim: Ka pasur tri luftëra punike. E dyta është bërë në vitet 218 – 201 ose 202 para K. Ka qenë luftë ndërmjet Kartagjenës dhe Republikës së Romës. Është quajtur edhe “Luftë e Hanibalit”. Romakët e quanin “Luftë kundër Hanibalit”. Emërtimi punik rrjedh nga emri latin për kartagjenasit: punët ose poenët apo punikët / poenikët, nga emri i paraardhësve të tyre, fenikasve.
* * *
Siç u tha edhe më sipër, gjatë udhëtimeve nëpër Evropë, Petrarka mblidhte shkrime dhe citate latine, të cilat më vonë i përpunonte. Botoi përkthimin e parë të Homerit në gjuhën latine, si dhe letrat e oratorit, shkrimtarit, politikanit dhe konsullit romak, Ciceronit (Marcus Tullius Cicero, 106-43 para K.), për të cilat dyshohej në ekzistojnë ose jo.
Shënim: Prozës latine Ciceroni i dha forcë shprehëse të jashtëzakonshme, kështu që ciceronizmi, që nga Petraka e deri në fund të shekullit XIX, ishte nocion i gjuhës klasike latine dhe i stilit. Ciceroni mbolli në truallin romak shumë fidanë të filozofisë dhe të kulturës helene, duke i kontribuar kësisoj – si asnjë shkrimtar tjetër antik – nocionit të humanizmit evropian (humanitas), edhe si epokë e stilit, edhe si ide qytetare dhe krishtere. Rreth 800 “Letra” (Epistulae, 68 – 43 para K.) të ruajtura, sidomos letrat dërguar mikut të vet, mbështetës i letërsisë, Tit Pomponie Atik (Titus Pomponius Atticus, 110/109 – 32 para K.) janë ditar intim i Ciceronit. Ciceroni u vra në përplasjet politike, si ithtar i republikanizmit. Korrespondenca midis dy shokëve është ruajtur në 16 libra me titullin “Letra Atikut” (Epistolae Atticum) të Ciceronit, që i mblodhi dhe i botoi sekretari personal i Ciceronit, Mark Tulie Tiron.
* * *
Vepra historike më e rëndësishme e Petrarkës është “Burra të shquar” (De viris illustrubis). Autori ka përfshirë këtu njëzet e një heronj të historisë së Romës, përkatësisht të lashtësisë, që nga Romuli deri te Cezari, Aleksandri i Madh, Pirroja dhe Hanibali. Pas vdekjes së Petrakës, veprën e plotësoi nxënësi apo dishepulli i tij, humanisti nga Padova Lombardo della Seta (Padovë – Venecie, 1390), i cili shtoi edhe 12 biografi të tjera, duke e mbyllur serinë kronologjike me perandorin romak Trajanin (Markus Ulpius Nerva Traianus, 53-117) i cili ishte hispanik.
Vepër tjetër historike e Petrarkës është “Libër kujtimesh” (Rerum Memorandum). Këtu Petrarka ka përmbledhur anekdota historike, por vepra i mbeti e papërfunduar.
* * *
Petrarka, është autor i një numri të madh të veprave filozofike dhe moraliste në gjuhën latine në formë të letrave (sipas shembullit të Ciceronit), të dialogëve dhe të traktateve. Është përfaqësues më i madh i humanizmit evropian dhe një nga lirikët më të mëdhenj të botës kah i cili, kur është fjala për poezinë intime, të dashurisë, i drejtojnë sytë të gjithë poetët dhe teoricienët.
Petrarka u mor me historinë edhe në shkrimet: “Burra të shquar” (De viris illustribus) si dhe “Libër kujtimesh për gjërat me vlerë”(Rerum memorandarum libri).
Për konfliktin e brendshëm midis krenarisë për antikën pagane dhe detyrimit për meditim fetar, si dhe midis pasionit për dashurinë dhe për njohjen profane, në një anë dhe detyrës ndaj Zotit, në anën tjetër, dëshmon dialogu rrëfyes “Sekreti im” (Secretum, 1342-1343), i plotësuar në vitet 1353-1358.
Krahas epistolarit të madh, të sistemuar në disa grupe (Familiares, Sine titullo, Seniles, Variae), Petrarka ka shkruar edhe veprën “Epi baritor” (Bucolicium carmen, 1346-1348), 253 dialogë shqyrtime “Për ndihmat në rastet fatlume dhe në fatkeqësi” (De remediis utriusque fortunae, 1354-1360), shqyrtimet “Për jetën në vetmi” (De vita solitaria, 1346-1356) dhe “Për kohën e lirë të murgjve” (De otiorum religiosorum, 1347-1357), “Psalmet e pendesës” (Salmi penitentiales) dhe një varg shkrimesh polemike.
Epi alegorik në gjuhën italiane “Triumfi” Trionfi, prej viti 1356), me tercine dhe me ambicie metafizike, duke imituar “Komedinë hyjnore” (La Divina commedia, 1307-1321) të Dantes, synon të arrijë sintezën e vlerave klasike dhe të mesjetës.
Përmbledhja poetike “Kanconieri” – Madhështinë poetike Petrarka ia ka borxh përmbledhjes italiane “Kanconieri” (Canzoniere) në të cilën punoi që nga viti 1342 e deri në fund të jetës, duke e sistemuar në nëntë forma të ndryshme. Vëllimi përmban 366 poezi apo përbërës: 317 tingëllima (sonete), 29 kancone, 9 sestine, 7 balada dhe 4 madrigale. Këto janë të ndarë në dy grupe poezish, të krijuara në të gjallë të Laurës dhe pas vdekjes së saj.
Me përjashtim të disa kanconeve morale-religjioze dhe politike të metrit të lartësuar, me tonin elegjiak “Kanconieri” i kushtohet introspektimit rrëfyes të subjektit lirik, të përshkuar nga dashuria absolute ndaj Laurës, emri dhe tërheqja profane e së cilës ndërthuren në mënyrë fonike dhe semantike me dëshirën e zjarrtë për dafinë, përkatësisht për famë.
Gjatë jetës mori famë së pari si shkrimtar latinist. Por, në shekujt e mëvonshëm dhe sot, Petrarka në radhë të parë është lirik i madh intim. Vepra e tij më e rëndësishme në gjuhën italiane “Kanconieri” (Il Canzoniere) përbëhet prej 366 poezive, pjesa më e madhe e të cilave janë tingëllima (sonete), kancone, madrigale dhe forma të tjera. Vepra paraqet historinë erotike intime të poetit. Figura e Laurës dhe dashuria që ndjente ndaj saj, në të vërtetë nuk ishin veçse shkas dhe nxitje që poeti të pasqyronte historinë e shpirtit të vet të trazuar dhe qëndrimin e përgjithshëm ndaj botës dhe jetës. Për nga motivi themelor dhe tema kryesore, vepra është unike. Forma e shkurtër e poezisë, siç janë tingëllima, kancona etj., ishte tejet e përshtatshme për shprehje poetike.
Famën si poet-humanist, Petrarka e fitoi me përmbledhjet e kanconeve dhe të tingëllimave (soneteve) ku e paraqet dashurinë e vet ndaj Laurës, së cilës i këndon ndryshe nga ajo që i këndon Danteja Beatriçes së vet.
Për poezinë e dashurisë të shekujve të ardhshëm, “Kanconieri” do të bëhet model dhe shembull imitimi, të cilën teoricienët dhe studiuesit letrarë e quajtëm petrarkizëm. Në shekullin XVI petrarkizmi përhapet në letërsinë franceze, angleze dhe spanjolle. Lirika e Petrarkës sot e kësaj dite është strehë e kreativitetit intelektual.
PETRARKIZMI është drejtim apo mënyrë e të kënduarit, e thurjes së poezisë. Është një formë stili në poezinë e dashurisë në disa letërsi evropiane. Nocioni buron nga poeti i madh italian, Petrarka. “Kanconieri” i Petrarkës, me motivet, me situatat dhe me kompozicionin ndikoi me të madhe në krejt poezinë evropiane. Petrarka e këndoi në shumë variacione bukurinë Laurës. Me analiza psikologjike subtile, në formë lirike të theksuar, i këndoi edhe vetmisë së vet në qetësinë e natyrës. Sipas shëmbëlltyrës së Petrarkës së paarritshëm, do të shfaqen një sërë poetësh të cilët, me më pak apo me më shumë sukses, do t’i këndojnë dashurisë në të njëjtën mënyrë. Shumë poetë do ta imitojnë Petrarkën në shumë pikëpamje, duke bërë përpjekje që prej veprave dhe prej krijimtarisë së tij të ndërtojnë sistem të modelimit poetik.
Do të krijohet një rreth i fuqishëm i motiveve që kanë të bëjnë me femrën (veçantia e saj, bukuria, dashuria, dhimbja e shkaktuar nga dashuria, dëshira e zjarrtë në fatkeqësinë për vdekje) dhe me gjuhën pothuajse të normuar të poezisë lirike (antitezat, metaforat, poentat, qëndrimi fatkeq dhe i dhimbshëm ndaj botës dhe jetës). Përmbajtja e këtyre imitimeve me të drejtë u quajt petrarkizëm.
Shënim: Sonet (tingëllimë) do të thotë kambanë e vogël. Italisht sonare – i bie kambanës, ziles). Është poezi prej katërmbëdhjetë vargjesh, njëmbëdhjetërrokëshe. Ekziston soneti italian apo petrarkian: dy katrene dhe dy tercete; dhe soneti elizabetan apo shekspirian: tre katrene dhe një dyvargësh. Soneti u shfaq në Itali në fillim të shekullit XIII. Më vonë u kultivua në të gjitha periudhat. Shumë poetë kanë shkruar sonete. Soneti nuk është lënë pas dore as sot. Arritje më të rëndësishme në formë sonetesh janë: “Kanconieri” (përmbledhje kanconesh apo sonetesh) i Petrakës si dhe “Lulet e së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857) të lirikut, kritikut letrar dhe kritikut të artit figurativ, Sharl Bodlerit (Charles Baudelaire, 1821-1867). Soneti lidhet edhe në kurorë soneti.
Kancona (Italisht: canzone) – forma të ndryshme poezie. U përhap dhe u kultivua sidomos në Itali. Ka prejardhje provansale. Një prej formave të saj është sestina. (sestina lirica): poezi me gjashtë strofa me nga gjashtë vargje dhe me një shtesë prej tre vargjesh.
Madrigali (Italisht: mandriale – këngë baritore, motive me dele; mandra – kope apo ndoshta fjalë neolatine matricale – gjuhë amtare, popullore). Është këngë e kënduar në mënyrë burimore për barinjtë, ndërsa prej shekullit XIV, pra në kohën e Petrakës, u shndërrua në poezi të shkurtër, kryesisht dashurie, me kënaqësi të qetë dhe idile pa forma gjuhësore dhe muzikore të ngurta. Më vonë, madrigali përhapet në shqyrtimet filozofike të skenës satirike-epigramatike. Paraqitet edhe në përmbajtjet thumbuese-ironike. Si formë muzikore, u kultivua kryesisht në epokën e renesancës, por deri në shekullin XIX, është përdorur pak a shumë edhe në letërsi. Në romantizëm u ripërtëri. E kemi edhe në “Faustin” e lirikut, epikut, dramaturgut, prozatorit, përkthyesit, kritikut letrar, teoricienit letrar, kryeredaktorit të revistës Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). Në shprehje është i theksuar komponenti muzikal. Posaçërisht u kultivua në letërsinë italiane dhe spanjolle të shekullit XV dhe XVI. Kombinohej prej tetërrokëshit dhe njëmbëdhjetërrokëshit. Në fillim, madrigali ishte këngë, rëndom me përcjellje muzikore. Pa dyshim, është me prejardhje popullore, duke ardhur nga fshati në qytete. Ka pasur formë të ndryshme: fillimisht përbëhej prej dy tercinave si edhe prej një apo dy vargjeve. Si rregull, ishte i shkurtër. Kishte gjashtë deri në katërmbëdhjetë vargje.
* * *
Petrarka konsiderohet zanafillës i studimeve humaniste, intelektuali i parë i cili jetoi nga shkrimet e veta dhe paraardhës i lirikës moderne. Qysh në të gjallë të poetit, shumë krijues letrarë, përfshi edhe Xhovani Bokaçon (Giovanni Boccaccio), i imitojnë komponentët e tij tematikë dhe të stilit.