21/12/2024

Franc Kafka i shkruan të dashurës, Felice Bauer, 27 maj 1913

0
Kafka-Felice-Bauer

LETER DASHURIE

Jemi kështu drejt fundit, Felice, me këtë heshtje më largon dhe e thyen shpresën time për të vetmen lumturi që më është e mundur mbi dhe. Por përse kjo heshtje e tmerrshme, përse asnjë fjalë e dëlirë, përse e torturon veten për javë të tëra për mua, dukshëm, në mënyrë kaq të hapur? Kjo nuk është më dhembshuri nga ana jote, sepse nëse do të isha për ty edhe burri më pak i njohur dhe i afërt, në një farë mënyre gjithsesi do e kishe kuptuar se sa vuaj për shkak të kësaj paqartësie, vuaj deri në atë pikë sa e humbas dritën e arsyes, dhe nuk mund të jetë dhembshuri gjithçka që përfundon me të tillë heshtje. Natyra vazhdon rrugën e vet, nuk ka më kthim, sa më shumë të njihja, aq më shumë të doja, sa më shumë ti më njihje mua aq më shumë të jam bërë i padurueshëm. Sikur ta kisha kuptuar të paktën, sikur të kisha folur hapur, nuk do të kisha pritur kaq shumë derisa të të gjeja në pamundësinë për ta bërë, deri kur të mos mundesh të gjej më mundësinë për të shkruar një fjalë të vetme nga një udhëtim prej pesë ditësh, apo deri kur t‘u përgjigjesh me një rresht letrave në të cilat të kërkoj një vendim, për t‘u ngushëlluar të paktën në këtë mënyrë me faktin që për një kohë të gjatë nuk ka marrë vesh asgjë për ty në kaq kohë. Edhe dje, kur të telefonova, kuptoja shumë pak, sepse nga gëzimi që po dëgjoja zërin tënd më gumëzhinin veshët. Më the se më kishe shkruar të dielën në mbrëmje dhe se të martën, do të mbërrinte letra në shtëpinë time. Jo, nuk ka asgjë, ti nuk ke shkruar të dielën e madje as të hënën pas telefonatës, nuk mund të shkruash, por nuk mundesh as të thuash se nuk mund të shkruash. Tani mendoj se e vetmja gjë e jotja; autonome, personale që kishe për të më thënë dje ishte: truri im po shpërbëhet, kështu nuk mund të jetoj më. Ndoshta nuk duhet të të detyroj ta bësh, por pavarësisht kësaj të lutem shprehimisht, mos më shkruaj më, as një fjalë, bëj si të thotë zemra. Edhe unë nuk do të shkruaj, nuk do të dëgjosh më qortime, nuk do të shqetësohesh më, të lutem vetëm të kujtosh, për aq sa do të zgjatë heshtja jote, se unë të përkas, sot dhe gjithmonë.

Franz

Përgatiti: Albert Vataj

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok