Fran Gjoka: Njeriu i rrallë dhe gazetari i palodhur
Nga Llesh Ndoj – Poet dhe shkrimtar, Lezhë
Të shkruash e të arrish të thuash diçka të qenësishme për Fran Gjokën-gazetar i njohur, për më tepër nga unë, një njeri që “konsumoj” krijmtarinë letrare dhe publicistikën më së shumti, është një mision i vështirë. Ai ka shkruar në jetën e tij me qindra artikuj gazetash, studime dhe opinione, ka skalitur qindra portrete mësuesish, intelektualësh e njerëzish të shquar, por edhe njerëzish të zakonshëm që shpesh i “harrojmë” në përditshmërinë e tyre, ka bërë sa e sa recensa dhe redaktime librash, të cilat spikatin për analizën e hollë e kritikën koncize, pra të shkruash për portretin e Fran Gjokës, gazetar e studiues, është realisht një mision jo i lehtë.
Të shkruash për Fran Gjokën – Njeri që e përballë jetën me kurajë e optimizëm, ku vitet e jetës nuk “tregojnë realitetin”, duhet që të paktën për pak çaste “të veshësh” lëkurën e Tij, prej nga mundet me e pa më realisht “botën” e tij të brendshme, punë që, pa pretenduar ta bëj në prefeksion, mendoj se mundem ta përballoj nga që kam vite e vite njohje të afërt me të.
Këto dy dimensione pra, ai i Franit – Gazetar dhe ai i Franit –Njeri, të pandara nga personaliteti i mësuesit e gazetarit, tashmë në pension Fran Gjokës, më shtyjnë të shkruaj e të shprehë diçka, ndoshta më shumë si impresion personal se sa një analizë faktesh e argumentesh, me shpresën që libri monografik kushtuar Tij t`i ngjasojë sadopak “librit” të jetës, shkruar nga Ai me punën e jetën e vet.
Frani dhe gazeta binome të pandarë
Pothuajse çdo ditë, këtu e më shumë se dhjetë vite, gati në të njëjtin orar, Franin do ta takoj tek kioska që shet gazeta në Lezhë, ose me dy a tri të tilla në duar tek puna ime a në kafe, nga ku nis diskutimi me të për titujt e gazetave e problematikën e tyre e, në më të shumtën e rasteve, rreth artikujve të botuar prej tij. Janë të rralla ditët kur emri i gazetarit Fran Gjoka të mos shfaqet në një nga gazetat e përditshme apo periodike që, fatmirësisht, akoma i mbijetojnë tregut. Nuk më bën përshtypje vetëm fakti se Frani sfidon moshën, sfidon kohën e hallet e përditshmërisë për të shkruar në shtyp pothuajse çdo ditë, por më tepër se kaq më jep pozitivitet e më ngjallë dashuri pasqyrimi i realitetit në ato që ai shkruan. Frani, nuk mungon ta thotë të vërtetën ashtu siç ajo paraqitet, ta analizojë atë në të gjitha dimensionet e saj dhe të jap mendimin e opinionin e vet se si duhet të jetë e çfarë duhet bërë për përmirësime të mëtejshme.
Fusha e mësuesisë, pedagogjisë, problemet social-psikologjike të shkollës e procesit të të nxënit, sidomos në ditët tona, e të cilat ai i ka më për zemër, përbëjnë edhe boshtin e artikujve të tij. E s’ka si të jetë ndryshe! Ai e ka lidhur jetën e vet me arsimin dhe ka kontribuar për të qëkur ishte akoma adoleshent. Mësimdhënia e gazetaria e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij dhe vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot, kur ka pak vite në pension. Më ka bërë përshtypje trajtimi i thellë shkencor i problemeve të arsimit, i vështirësive që has shkolla sot me nxënësit, i domosdoshmërisë së raporteve të ngushta mësues-nxënës-prind, i rolit të tekstit e të mësuesit, i nevojës për përsosjen e vazhdueshme të këtyre raporteve në përputhje me zhvillimet bashkëkohore e vlerësimin e komponentit edukativ në procesin e shkollimit, sidomos në arsimin parauniversitar. Dhe po me aq interes më janë dukur vazhdimisht edhe rrugëzgjidhjet që jep Frani, të cilat janë sa origjinale e bashkëkohore, aq edhe të thjeshta për t`u kuptuar, teksa lexuesi me mendje apo me zë thotë: “Po, kështu është, ky gazetar di çfarë thotë, rrugëzgjidhje të tij janë të mbështetura, të arsyeshme dhe me siguri të përparuara”. Kështu thonë lexuesit, kështu them edhe unë, por kam venë re se kështu, këtë miratim japin për Franin edhe kolegë të tij, njerëz të thjeshtë dhe personalitete të arimit, institucione arsimore e shkencore. Qindra artikujt dhe studime të tij e tregojnë më së miri këtë që po shkruaj, e mbi të gjitha e tregon vetë jeta në arsim, shkolla, nxënësit, mësuesit, drejtimi i saj, programet e përparuara shkollore.
Kam bindjen që, nëse këto shkrime do të përmblidheshin në një apo disa vëllime, në përputhje me tematikën që trajtojnë, nuk kam asnjë dyshim se ato do të përbënin një material të pasur e shumë të vlefshëm për mësuesit aktualë dhe të gjithë procesin mësimorë në ditët tona e në vijimësi.
Te shkolla i kishin sytë dhe vëmendjen prindërit tanë për ne. Te shkolla i kemi sytë dhe vëmendjen edhe ne për fëmijët tanë. Kështu do të vazhdoj ky zinxhir i artë, i natyrshëm, sepse është më i vyeri, më i ndritshmi dhe i duhuri. Ndaj, nga zemra na vjen falënderimi ynë për ty Fran Gjoka: Të falënderojmë dhe të shprehim mirënjohjen tonë për këto kontribute tepër të rëndësishme në fushën e dijes dhe të shkollës, e cila do të jetë gjithnjë “drita jeshile” për të ecur gjithkush në rrugën e duhur të jetës e sidomos fëmijët, të rejat dhe të rinjtë, bijat dhe bijët tanë të shtrenjtë.
Gjuha shqipe është një organizëm i gjallë
Frani është kategorik kur vjen fjala për gjuhën shqipe e drejtshkrimin e saj. Atë shpesh e bëjnë “nervoz” edhe devijimet më të vogla ndaj standardit, qoftë edhe në një artikull të thjeshtë gazete. Shkrimet e tij, edhe në këtë drejtim, janë për tu marrë shembull. Jo vetëm kaq, por Frani, nisur nga njohuritë dhe përvoja e tij e vyer, këshillon natyrshëm mësuesit, sidomos ata më rinj, që në të gjithë procesin mësimorë, e në të gjitha lëndët (jo vetëm në lëndën e gjuhës shqipe), tu mësojnë fëmijëve gjuhën e pastër shqipe e drejtshkrimin e saj. Dhe, këtë ai i bënë me natyrshmëri, sepse ai është një mësues i vërtetë dhe i kualifikuar. Kështu ka qenë në klasë kur jepte mësim, por kështu është Frani edhe në jetë. Ai nuk mban leksion kur flet, por zhvillon me shokun, mikun, kolegun një bashkëbisedë të thjeshtë dhe të mençur, të qetë, duke u sjell me edukatë të lartë dhe kulturë, duke përdorur fjalën e duhur dhe duke ruajtur gjithnjë masën në të folur, me një fjalor shqip për t`u patur zili, ku çdo fjalë është në vendin e duhur, asnjë fjalë nuk është e tepërt.Gjuha shqipe është një organizëm i gjallë,si edhe ne.
“Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”
Drejtimi në shkolla e në të gjitha nivelet e arsimit përbën pjesë të rëndësishme të shkrimeve e shqetësimeve që Frani ngre në shtyp. Këtu, ai është i vendosur kundër mediokritetit në drejtimin e arsimit, kundër militantizmit e drejtimit autoritar. Nuk nguron “ta vër gishtin në plagë” sa herë bie fjala për probleme të tilla. E këtë e ka bërë gjithnjë, jo vetëm sot kur nuk është më pjesë e përditshmërisë në mësimdhënie. Nga bisedat të mëson se ai është i vëmendshëm ndaj shjkollës dhe drejtimit të saj. Ai studion dhe përfiton nga më të mirët në arsim, nga drejtuesit me personalitet. Një fjalë e urtë thotë: “Më thuaj me kë ri, të të them se cili je”. E pra, shoku më i mirë në Lezhë për Franin ka qenë profesori dhe mësuesi i mirënjohur, i paharruari mësuesi i popullit Mark Vuji, por ka qenë edhe profesori dhe didakt i shquar Shefik Osmani; gazetarët e mirënjohur prof. Murat Gecaj, dr.Nuri Dragoi. Shokë i tij është sot prof. akademik Gjovalin Shkurtaj, njohësi i shquar i ligjeve Fadil Kepi, studiuesi dhe shkrimtari prof. Hektor Veshi, leksikografi, poeti dhe atdhetari Sadulla Zendeli –Daja dhe Sokol Demaku në Suedi, Hazir Mehmeti në Austri; sociologët Gëzim Tushi dhe prof. Qazim Dushku. Poetët dhe gazetarët: Mujë Buçpapaj, Andon Andoni, Zeqir Lushaj, Ndue Dragusha, Ilir Kanini Kadri Tarelli, Sejdo Harka, Vjollca Spaho, Delo Isufi, Dedë Rrahmani, Pashk Alia, Dhimitër Xhoga, Bashkim Saliasi…; Shkrimtarët Viron Kona, Bardhyl Xhama, Pajtim Xhelo, etj…Të gjithë këta, edhe mësues, edhe kolegë të Franit, të cilët e nderojnë dhe e respektojnë për kulturën dhe vlerat e tij edhe në fushën e shkrimeve në dobi të arsimit.
…
Vlerëso veprën, zotëri!
Më ka rastisur që, jo një por disa herë, njerëz të veçantë që më njohin mua dhe Franin, të më thonë: Sa mirë e kalon me të (!), pasi Frani është i vështirë e nevrik! I mirëkuptoj dhe mundohem tu shpjegoj se Frani-Njeri është një tip krejt i veçantë, shfaqja e të cilit nuk e jep plotësisht brendinë e tij. Të duhet të “fitosh” shumë kohë duke ndenjur e biseduar me të, që të mund të kuptosh se përtej Franit “kategorik”, Franit “nevrik”, etj., qëndron një tjetër njeri, krejt i ndryshëm nga ky! Ai është Frani shumë miqësorë, shumë i dashur, bashkëbisedues i ngrohtë, këshillues e ndihmues për këdo që ka mundësi e i jepet rasti, Frani me zemër të gjerë që jeta e ka përplasur më dallgë e vështirësi të panumërta, me halle e vujajtje, me sëmundje e gjithfarë vështirësish, të cilat nuk kanë arritur ta përkulin, edhe pse e kanë lodhur mjaft. I rritur në një ambient familjar tipik malësor, në një familje të madhe e me prindër të mrekullueshëm, Frani ka mësuar se jeta nuk është gjithnjë bujare e ajo duhet përballur me guxim. Ndaj Frani nuk i njeh servilizmat, përkuljet boshe, fjalët e mëdha e pa bereqet, por njeh karakterin, moralin, besën e burrninë, tipare të cilat e kanë ndihmuar të përballë dallgët e jetës e të qëndrojë mbi to!
Përvoja që na shërbejnë të gjithve
Sot, të flasësh me Franin, ke mundësi të mësosh prej tij jo vetëm për mësuesinë e gazetarinë, por edhe për bujqësinë e blegtorinë e të marrësh prej tij falas “leksione” jete! Punon sikur të ishte njëzet vjeç, ndërkohë që i ka kaluar të shtatëdhjetat! Përpiqet të ndera këdo që i jepet rasti, duke qenë shumë bujar, sidomos ndaj brezit të ri. E revoltojnë padrejtësitë, edhe kur nuk kanë të bëjnë plotësisht e drejtpërdrejt me atë dhe nuk përton të debatojë për të drejtën e të vërtetën!
Bashkë me rritjen e Benedetës, më të voglës së familjes, Frani përkujdeset për ekonominë familjare, duke krijuar një mikrofermë model, gjë që krahas të mirave materiale që i sjell për familjen, bën që ai të mbetet gjithnjë në kontakt “me të gjallën”, të mendojë e veprojë në shërbim të jetës, duke zgjatur kështu edhe jetën e Tij.
Kështu, me punë e përkujdesje ndaj familjes, me shkrime e pjesëmarrje në jetën shoqërore, me shoqërinë e pastër ku dominon respekti reciprok, e me këmbëngulje e përkushtim, Frani i kuron plagët e jetës, ndonëse është e vështirë t`i shërojë plotësisht ato.
…
Në përfundim të këtyre impresioneve të mija, dua të kthehem edhe njëherë në fillim. Në fillimin e këtij libri monografik, jo të shënimeve të mija! Jam i të njëjtit mendim me atë të Prof. As. Dr. Mark Vuji që shkrimet e Franit përbëjnë një pasuri të madhe në interpretimin pedagogjik, social e shkencor, e cila duhet të mblidhet, përpunohet e botohet në disa vëllime pasi “… ato shkrime përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mendimit pedagogjik shqiptar”.