22/12/2024

Fragment nga libri ‘Bisede e perfytyruar me Havzi Nelen’

0
Shahu-Nela

Nga Rexhep Shahu

Kemi frikë nga pendesa. Nuk e krijuam dot institucionin e pendesës, nuk e mbajtëm në kembë, ndonëse nuk kemi pak shembuj madhështorë pendese e fisnikërimi. Ne duket jemi gjallë e mbijetojmë vetem mbi samarin e urrejtjes ndaj tjetrit. Kjo e gjitha nga frika.

Nuk di ta shtjelloj e nuk e marr përsipër, por më ka mbetë në mendje një fjalë e Izetit një nga këto ditë, kur më tha se kisha në Vatikan është e Shën Pjetrit, si institucioni madhështor i ndjesës e pendesës… Ndoshta  kështu  ka  qenë  jetë  e  mot,  ndoshta  mos pranimi i tjetrit ka qenë mënyrë jetese, ndoshta pranimi i  varfërisë,  pranimi  i  pamundësisë  për  ta  mundur, refuzuar, shmangur apo hequr e zhdukur varfërinë, ka qenë mënyrë jetese, mënyrë të menduari, sjellje, ndoshta pajtimi me varfërinë ka qenë arritja e paqes apo ka qenë gjë e vogël në raport me humbjen e lirisë dhe kërcënimin për humbjen e lirisë.

Pushteti i vrazhdë i varfërisë ka kondicionuar gjithë mënyrën e sjelljes e të jetesës, ka prodhuar skllevër, të bindur, ka shtesuar në thellësi të njeriut mëri e mllef të pafund, mëri e mllef që vdiste ngadalë sidomos në vitet e pushtetit të frikës në komunizëm e diktaturë. Socializmi ndërtoi në ne dikënd tjetër, atë njeriun e ri që nuk kemi dashur ta kuptojmë e ta shohin në ne, brenda nesh, në jetën tonë, në sjelljen tonë, në mënyrën tonë të jetesës, ndërtoi në ne një individ tjetër të panjohur, një individ të cilit i rridhte në vena jo gjak por urrjetje për tjetrin, mos pranim të tjetrit.

Socializmi u bë serë e mrekullueshme për gjithë veset tona, i kultivoi me dashuri veset më të shëmtuara. Dhe të keqen më të shëmtuar që rrëzon çdo kala socializmi e mbolli në familje, në fis, aty ku ka qenë dhe është synuar të mbahet nën fre. Ne duke i mbajtur fshehur veset ata janë bërë vatra të pashërueshme tumorresh që na asgjësojnë me shpejtësi nëse i prekim apo synojmë t’i shërojmë pjesërisht…

Njeriu i ri i socializmit i përfeksionoi të kqiat brenda rrethit familjar se brenda rrethit familjar njerzit ia dinë njëri – tjetrit të mirat e të ligat dhe e mbajnë peng njëri

– tjetrin për tradhëtitë, hajnitë, ligësitë, vogëlsitë që pjellin mëri deri në vrasje të njeriut të afërt.

Të gjithë, kudo, gjithë kohës, nëpër mbledhje, në kafe, në familje, në shëtitje flasim për të tjerët, për tjetrin, ankohemi për të tjerët për tjetrin, zbulojmë e nëse nuk ka, shpikim të paqena e të pathëna për tjetrin, e bëjmë pis me çdo kusht tjetrin, nuk lejojmë as pranojmë që dikush tjetër të jetë mbi ne, më i mirë se ne, më i vitytshëm se ne.

Pothuaj të gjithë, gjithë kohën, kudo në çdo dy fjalë që nxjerrim merremi me të shkuarën, vetëm me të shkuarën dhe të bëhet se ne nuk kemi të sotme dhe as do të kemi kurrë të ardhme. Ne nuk dimë të flasim për të ardhmen.

Më krijohet përshtypja shpesh se edhe të dashuruarit, të fejuarit, më shumë merren me të shkuarën e tyre se me të ardhmen, me krijimin e të ardhmes, me projektimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok