23/12/2024

Fotografi fisnike e përuljes së Ibrahim Rugovës para Kryezotit tonë

0
u6_Rugova-Kastrioti

Nga Ndue Ukaj

Kjo fotografi fisnike e përuljes së Ibrahim Rugovës para Kryezotit tonë, përçon një mesazh të fortë historik dhe tregon forcën e madhe – dashurinë e përvëluese – që ai kishte për kombin, kulturën dhe historinë e tij, gjë të cilën e ka dëshmuar sa qe gjallë, me libra të shumtë dhe përmes angazhimit aktiv në politikë.

Rugova, duke bërë një përulje të tillë respekti, ka treguar edhe njëherë sa të rëndësishme janë lidhjet me historinë dhe se një kombi që nuk respekton historinë e vet, rrezikon shuarjen.

Prandaj, ky gjest fisnik është njëherësh shumë domethënës dhe duhet lexuar mirë nga bashkëkombësit e tij kudo ku ata jetojnë, sidomos nga ata që merren me politikë.

Prandaj, jo vetëm sot, në ditëlindjen e tij, por çdo herë, e kemi për detyrë ndërgjegje e qytetarie ta kujtojmë figurën më të ndritshme të politikës shqiptare, sepse kështu përfitojmë forcë e dije për t’i tejkaluar këto kohë të liga e të turbullta. Sepse, vepra e tij e begatë kulturore dhe politike është një shkollë kulturore dhe politike dhe testament i përhershëm për shqiptarët. Sepse ajo ka fuqi dritëdhënëse dhe shqiptarët mund t’i largojë nga errësira politike ku janë zhytur, t’i mëkojë me dashuri dhe t’iu shërojë veset e liga.

Ibrahim Rugova sa qe gjallë, me jetën dhe veprën e tij të madhe kulturore e politike, ka treguar se veprat e mëdha janë vepra dashurie dhe jo urrejtje e dhune. Ndaj, ai asnjëherë nuk pranoi t’i drejtonte shigjetat e helmatisura kundër kundërshtarëve të shumtë, madje as kur ata tentonin ta zhbënin.

Sepse, ai besonte te vlerat e lirisë dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i kthente në vlera etike të shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje.

Ai hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë u vlerësua kudo në botë ku respektohen vlerat e njëmenda të lirisë.

Rugova ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të lartë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.

Rugova nuk ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin përçartë për tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë.

Edhe tani, kur politika shqiptare ka mbetë pa busullën e orientimit, vepra e tij mbetet udhërrëfyese dhe mund të fisnikërojë kombin tonë të ligështuar moralisht.

Intelektuali dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai u bë politikani më virtuoz që ka dalë nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh europian.

Rugova ishte intelektual i madh dhe kjo e bëri politikan të madh. Ai hyri në politikë me bindje të formuara kulturore dhe ato i kthej në bindje politike.

Ai refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë.

Dhe në saje të këtyre vlerave, simbolikisht mund të thuhet se Rugova është Skënderbeu i dytë i shqiptarëve, që arriti t’i ripërtërinte, siç thoshte vetë, aleancat natyrale me aleatët e Kastriotit, dhe pas shumë shekujve shqiptarët arriti t’i bënte pjesë të hartës politike perëndimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok