22/11/2024

FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE NË KOSOVË

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Pas Marrëveshjes së Mukjes, (1943), ndaj Ballit Kombëtar, si forcë politike kombëtare zhvillohet një fushat komprometuese, duke e akuzuar drejtpërdrejt si bashkëpunëtore të fashizmit, dhe pas kësaj lindi nevoja që krerët e saj të mblidhen dhe me ndihmën e misionarëve diplomatik të shërbimeve informative angleze, në nëntor të vitit 1943, në Gjakovë iniciohet formimi i ONDSH-së. Dihej se Kosovës gjatë luftës iu premtua se pas përfundimit të LDB, ajo do të bashkohej me Shqipërinë, por ndodhi mashtrimi më i madh që i kishin bërë jugosllavët shqiptarëve dhe dihej se më 8-10 korrik, 1945, u mbajt Kuvendi i Prizrenit ku edhe zyrtarisht Kosova u okupua nga Serbia dhe Jugosllavia.

Pas konferencës, forcat atdhetare- nacionaliste shqiptare ngelën të pakënaqura, andaj organizuan dhe ri aktivizuan organizatat atdhetare dhe më vonë do të shohim se numri i tyre ishte i madh. Ne Kosove vepronte organizata NDSH-së, që ishte vazhdimësi e ONDSH të Ejup Binakut, Besa Kombëtare e Prof. Ymer Berishës, Organizata NR. 2, e Ajet Gergurit etj.

Një ndër këto organizata që bëri bujë pa dyshim ishte Organizata Nacional Demokratike Shqiptare ( ONDSH) në Kosovë, Maqedoni dhe në vise të tjera shqiptare në Ish- Jugosllavi. Veprimet dhe ndjenjat patriotike të shqiptarëve, dashuria për atdheun, shfaqja transparente e dëshirës dhe aspiratat shekullore për bashkimin kombëtar, jo vetëm që nuk u përfillën, por u konsideruan si “shqiptaromëdha” dhe që çonin ujë në mullirin e armikut. Nën presionin e fuqishëm politik të qarqeve serbe e jugosllave, çështja e Kosovës u tentua të mbyllej në mënyrë të panatyrshme dhe të humbas karakterin e saj si një problem i mprehtë kombëtar e politik. Komiteti Qendror i NDSH-së në Shkup u formua në prill të vitit 1945 dhe veprimtarin e vet e zhvilloi edhe në Kosovë e Maqedoni. Ky Komitet pati jetë veprimi më të gjatë se KQ i Prizrenit, përkatësisht deri më 1946, kur edhe u zbulua veprimtaria e tij. Gjatë tërë kohës komiteti i Shkupit ishte shumë aktiv ngase mbante lidhje edhe me përfaqësuesit e huaj në Shkup si me përfaqësuesit anglez, amerikan, francez, turk etj.

Kongreset e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare

Nga anëtarët e ONDSH-es u mbajtën gjithsejtë tri kongrese dhe duhet shtuar se rrethanat ishin të tilla sa këto kongrese u mbajtën brenda një viti, kur edhe bëhet zbulimi i veprimtarisë të anëtarëve të ONDSH-së.

Kongresi I (III) i ONDSH-së

Kongresin I (III), u mbajt në Kopilaçë, më 15-16 gusht 1945, por në këtë tubim nuk kishin marrë pjesë të gjithë të ftuarit, sepse ishte shumë vështirë për të udhëtuar, sepse në çdo pjesë të vendit qarkullonin dhe survejonin bashkëpunëtorët e UDB-es, dhe, ekzistonte frika që të zbulohen e të arrestohen anëtarët. Në këtë kongres nuk kishin ardhur edhe përfaqësues të tjerë e që mosardhja e tyre ndikoi që të mos zgjidhet KQ i NDSH-së, e që tërë kjo ngeli që të bëhet më vonë, në kongresin e ardhshëm, ku do të tubohen edhe delegat të tjerë, dhe u vendos që kongresi i ardhshëm të mbahet me 1 qershor 1946 (respektivisht u caktua që të mbahet pas dhjetë muajve nga Kongresi I i NDSH-së). Për këtë tubim të madh të rezistencës kombëtare u ftuan të gjithë përfaqësuesit e të gjitha komiteteve të NDSH-së që vepronin në atë kohë.

Kongresi II (IV) i ONDSH-së

Kongresi i II (IV) i ONDSH-së u mbajt me 1 qershor, në qytetin e Shkupit. Situata politike kur u mbajt kongresi i dytë ishte edhe më e rëndë se ndërkohë u zbuluan dhe u arrestuan anëtarët e KQ të NDSH-së në Prizren, dhe njëherë kjo, edhe ishte shkaku që kushtëzoi që të merren masa paraprake, ngase në Kosovë ishte instaluar pushteti administrativo-ushtarak dhe çdo veprim ilegal ishte i vështirësuar, kjo ndikoi që, në çështjen e organizimit të merren masa urgjente. Sipas disa të dhënave me të cilat disponohet, në kongres morën pjesë vetëm 12 delegatë, sepse situata politike ishte shumë e rëndë dhe e tendosur. Çdo veprim apo lëvizje përcillej me dyshim nga organet e pushtetit. Megjithatë të pranishmit morën qëndrim që kongresi t’i zhvillojë punimet, sepse në të ardhmen askush nuk do të mund të prognozonte për përmirësimin e situatës politike në vend.

Nga ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresin e kishte përshëndetur edhe Luan Gashi. Që kastile kishte ardhur nga Perugji i Italisë dhe në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të Ballit Kombëtar. Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatet me aklamacion miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”. Në kongres vlen të përmendim se mirënjohje e veçantë për punën dhe hartimin e dokumenteve iu shpreh Halim Oranës, sepse pa angazhimin e tij puna e kongresit do të ishte më e zbehtë dhe jo në nivelin e duhur.

Dokumentin e parë, që e miratoi kongresi ishte “Skema organizative”, që në të vërtetë në të përfshihej struktura organizative e organizatës si në terren, po ashtu edhe në vetë komitetet e tyre. Në çdo qytet dhe në çdo fshat propozohej nga një skemë identike për formimin e komiteteve të vendit, për lirimin e tokave shqiptare. Koordinimi i të gjitha punëve ndërmjet komiteteve duhej të bëhej përmes “Komitetit Epruer”. Ndërsa, Komiteti Epror të jetë i varur nga Komiteti Qendror i NDSH-së. Dhe çdo komitet, pa marrë parasysh se është i qytetit, fshatit, rajonit apo i komunës, duhet të ketë strukturën organizative ose udhëheqësin e vet, e cila përbëhet nga kryetari, sekretari, anëtari i parë, anëtari i dytë dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, që do të caktohen sipas nevojës. Kryesia, respektivisht anëtarët e saj i ndajnë detyrat dhe obligimet ndërmjet veti, që caktohen sipas nevojës dhe zotësisë së anëtarëve. Punën e organizimit dhe përgjegjësin për të e mban kryetari. Ai , ndër të tjera organizon dhe zbaton urdhëratë e Komitetit Epror. Sekretari në bashkëpunim me dy anëtarët, kryejnë shërbimet e propagandave të lajmeve dhe si detyrë kryesore kanë të bëjnë ndërlidhjen ndërmjet shërbimit politik dhe atij ekonomik. Sipas “Skemës organizative” llogaritej se shërbimi më i ndjeshëm dhe më i nevojshëm ishte shërbimi politik i komitetit, dhe anëtarët e këtij shërbimi ishin të obligueshëm që t’i kushtonin rëndësi të posaçme.

Nga “Skema e organizimit” propozohej, që çdo komitet në kuadrin e vet të formonte një trup, i cili do të vepronte nën emrin “SIP” që do të thoshte Sigurim Politik. Sigurimi Politik kishte për detyrë mbledhjen e informatave për personat e ndryshëm dhe të hetonte sigurimin e mirëvajtjes së veprimtarisë së komiteteve.

Programi politik i ONDSH-SË

Duhet përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e cila bëri bujë dhe emër me veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e deri më 1956 ishte ONDSH-në, e cila veprimtarin e saj e shtrinte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta. Kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LSHP.

Struktura organizative

Duke u mbështetur mbi këtë parim ishte paraparë që Komiteti Qendror të jetë organi më i lartë i organizatës, ndërsa në terren të vepronin komitetet e rretheve, të rajoneve, të komunave dhe komitetet lokale nëpër fshatra. Komitete lokale e rajonale kishin statusin e organizmave baze ngase kryenin punë sikur që ishin grumbullimi i ndihmave materiale, ushqime, veshmbathje, shpërndanin afishe, përhapnin të vërtetën për NDSH, propagandonin domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar, formonin komitete të reja në terren, ku përfshinin të rinjtë shqiptar, por gjithashtu ishte si obligim që sa më shumë të angazhoheshin edhe gratë. Komitetet e para të ONDSH u formuan në Prizren dhe në Rahovec aty kah fillimi i vitit 1945. Por shpejt lindi nevoja, për shkaqe të sigurisë që KQ i ONDSH të ndahet në dy pjesë. Kështu ndodhi një pjesë e KQ kaloi në Shkup dhe një pjesë e KQ ngeli në Prizren.

Komiteti i Prizrenit u formua me urdhrin e Ali Rizës, kapiten dhe në Rahovec u formua me iniciativën e Prof. Ymer Berishës. Por shpejt këto dy organizata u bashkuan dhe formuan KQ të cilën e udhëhoqi Halim Spahija. Në mesin e shumë punëve që kryente ONDSH, ajo u angazhua që çdo anëtarë i organizatës të ketë pseudonim, ishte e obligueshme që çdo komitet të bënte evidencimin e anëtarëve të vrarë 3. Të regjistronte emrat e serbëve që torturonin dhe malltretonin, likuidonin shqiptarët 4. Të regjistroheshin të gjithë shqiptarët që spiunonin apo bashkëpunonin me okupatorin por detyra më parësore ishte që anëtarët e NDSH të mos hezitonin që të punësoheshin në organet e shtetit të ri ngase në këtë mënyrë ata vinin më lehtë deri tek informata dhe qëllimet e pushtetit.

Komitetin e rrethit në Prishtinë e formoi Tahir Deda, një qytetar i pasur i cili tërë pasurin e la në shërbim të atdheut por kryetar i saj u zgjodh Sylejman Aliu, profesor.

Ndërsa procedura e pranimit ne radhët e NDSH ishte shumë rigoroze, ngase për të pranuar një anëtar të ri duhej të gjendej një propozues dhe të flet për biografin e tij atdhetare, pastaj nga të pranishmit kërkohej që të hulumtojnë për të dhe të verifikojnë të dhënat. Kur të gjitha të dhënat përputheshin në mes të propozuesit dhe të anuarve që kishin hulumtua për biografin e tij kandidati pranohej në radhët e NDSH. Anëtarit të ri i caktohej pseudonimi dhe në një mbledhje thirreshin disa anëtar nga KQ, dhe personi i pranuar e jepte betimin.

Teksti i Betimit

Betimi jepej para flamurit, revoles dhe fillimisht ishte edhe kurani, por më vonë me ardhjen e Gjon Serreqit në radhët e NDSH-së ndryshon teksti i betimit. Betimi në fillim kishte këtë tekst : “ Betohem në Kuran, në Flamurin Kombëtar dhe në armë, se do të punoi, me besnikëri e vetësakrificë me çmimin e jetës, për kombin shqiptarë dhe për çlirimin e bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë Etnike”, ndërsa teksti i dytë i betimit që e kishte modifikua Gjon Sereqi ishte më i shkurt dhe kishte këtë përmbajtje: “Betohem në Flamur, në fis e në revole se do të mbetem besnik i organizatës NDSH”, në tekst revolja simbolizonte se poqese dikush tradhton organizatën ai do të vritej. Betimi kryesisht bëhej në këmbë, dhe ceremonia e pranimit përfundonte dhe mbledhja kryhej me parullën:”Shqipëria shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”. Pas pranimit personi që pranohej ishte i barabartë me të gjithë të tjerët dhe ndaj organizatës merrte obligimet dhe përgjegjësit që i takonin.

Mbështetja nga shtetet demokratike

Pas përfundimit të LDB, pushteti jugosllav ishte i vetëdijshëm se populli shqiptar dhe forcat nacionaliste në Kosovë dhe gjithandej ku jetonin shqiptaret ishte i pakënaqura me riokupimin dhe aneksimin e Kosovës Serbisë, andaj OZNA dhe organet tjera të ndjekjes ishin angazhua që ti zbulonin anëtarët e organizatave ilegale dhe ti asgjësonin e likuidonin kudo që ndodheshin ato. Andaj, atdhetaret e njohur siç ishte Muharrem Bajraktari e Mithat Frashëri që ndodheshin në Greqi e Itali u angazhuan dhe bënë apel tek krerët e forcave nacionaliste që të përgatiten dhe të largohen nga Kosova për Greqi, që nga atje të përgatiten më mirë dhe me ndihmën e forcave aleate dhe properëndimore të ndërmarrin aksione për vendosjen e rendit të ri në Shqipëri e

Jugosllavi. Po përkrahje kishin bile në bazë të dokumentacionit, del se kishin përkrahje morale nga përfaqësitë angleze, turke, franceze dhe të SHBA-ve, po ashtu përkrahje kishin edhe nga mërgata shqiptare që vepronte në Bari të Italisë dhe në vendet tjera të Evropës e botës.

Themeluesit kryesor të ONDSH-së dhe profili i tyre politik

Themeluesit e kësaj organizate ishin kryesisht intelektual, dhe patriot të shquar të kohës. Ishin njerëz të cilët kishin përfunduar fakultete në vendet perëndimore si në Francë, Itali, Gjermani etj. Ishin elita shqiptare njerëz të pasur që shumë nga ata kishin shkrirë tërë pasurin për çështjen kombëtare. Dhe duhet përmendur se themeluesit kryesor të saj ishin: Prof. Ymer Berisha që llogaritej se ishte edhe vet koka e ilegales,pastaj ishin profesorët e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë si : Luan Gashi, Hajdar Maloku-Planeja, Gjon Sereqi, agronomi Adem Gllavica, gjykatësi Limon Staneci, që të dy ishin kryeshefa të rretheve, njëri ishte nga Ferizai e tjetri nga nga Gjilani, gjykatësi Ibrahim Lutfiu, Ukë Sadiku, kryeshef i qarkut në Mitrovicë, Ejup Binaku, kryeshef i rrethit në Rahovec, me profesion mësues, Ajet Gërguri, teknik i bujqësisë dhe shumë e shumë të tjerë që nga kjo që thamë le me kuptua se udhëheqësit e ilegales ishin njerëz të ngritur dhe me atdhedashuri të madhe. Por duhet cekur se ONDSH-ja në radhët e veta kishte edhe kapitena në Ushtrin Jugosllave si”Ibrahim Banush Sedllari, Ejup Binaku, Hysni Rudi si dhe oficer e nënoficer të tjerë.

Organizata ilegale e ONDSH-së, ishte organizata më e madhe pas LDB. Ajo gjatë vitit 1945-1947, në radhët e veta kishte 30.000 mijë anëtar kurse në PKJ në Kosovë kishte vetëm 8.800 anëtar e prej tyre shqiptar ishin vetëm 6.000 veta. Dhe nga kjo del përfundimi se sa ishte populli shqiptar me pushtetin dhe partin komuniste.

Kongresi III (V) i ONDSH-së

Situata e krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve ndikoi që organizata e NDSH-së të mbante tri kongrese partiake brenda një viti. Kongresi V, u thirr të mbahet më 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës (Blinaj) në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve të ONDSH-së u tregua e suksesshme, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e NDSH-së.

Vizioni i programit politik të ONDSH-es

Nuk mund të thuhej se ONDSH ishte organizatë pa të ardhme, ngase poqese e shikojmë në planin afatshkurtër mund të themi se ishte por në planin afatgjatë ONDSH- ishte fituese. Më vonë, të gjitha organizatat ilegale që vepruan tek shqiptarët jashtë shtetit shqiptar vazhduan rrugën e anëtarëve të NDSH-s por në forma mënyra dhe emra të ndryshëm. Të gjitha programet e organizatave të mëvonshme ilegale kishin në programet e tyre, kërkesat e njëjta që kishte pasur ajo, dhe anëtarët e tjerë të saj që nuk u zbuluan veprimtarin e tyre e zhvilluan në organizata tjera ilegale. Këtë më së miri e dëshmon, edhe lufta e fundit e UÇK-së, që ishte një rezultat dhe një vazhdimësi e të gjitha organizatave patriotike atdhetare që u zhvilluan në Kosovë.

Ndikimi i veprimtarisë së NDSH-së në kohën kur veproi dhe më vonë

Në kohën kur veproi ONDSH, ishte njëra ndër organizatat që bëri buj në vend dhe jashtë saj. Anëtarët e saj ishin të lidhura ngushtë me përfaqësitë e shteteve perëndimore me të cilat mbanin kontakte të vazhdueshme dhe i njoftonin me situatën politike në vend dhe për padrejtësitë e shumta që bënte pushteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Të kujtojmë vetëm letrat e Prof. Ymer Berishës me Gjeneralin Hadson.

Ndërsa pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve të saj nga ana e organeve të ndjekjeve, edhe pse OZNA trumbetonte se i kishte zbulua të gjithë anëtarët e saj megjithatë ajo asnjëherë nuk mundi ta zhdukte dashurin e madhe ndaj atdheut dhe synimin për bashkimit kombëtar tek shqiptarët por ajo si një prush qëndroi e ndezur në zemrat e njerëzve dhe si produkt i saj lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok