22/12/2024

Fluturooon…, fluturooon, fantazooon…. Juri Kim!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Ambasadorja Juri Kim ka dhënë para pak ditësh një intervistë për ismoderatoren Erla Mëhilli, në kanalin televiziv, Euroneës Albania. Askush nuk priste që ajo të shprehej ndryshe sa më parë, sidomos kur është fjala për shpalljen non grata të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores, ambasadorja Juri Kim ka theksuar disa ide, momente dhe skema.

Së pari ka përsërit se shpallja e doktor Berishës non grata “ka të bëjë vërtet me korrupsionin” dhe se “procesi për dizenjimin e dikujt për përfshirje në korrupsion domethënës merr vite”. Le ta bëjmë një analizë të thjeshtë për këtë. Nëse Berisha ka kryer vepra korruptive, pse kjo nuk bëhet publike, cila është kjo vepër, kur, në ç’rast, me kë?! Korrupsioni është një akt kriminal që realizohet në bashkëpunim. Mund të jetë edhe bashkëpunim në rrjet, ose në grupe të mëdha kriminale. Por asnjëherë nuk kryhet në marrëdhënie me vetveten! Kjo është e pamundur.

Atëherë lind pyetja: Cili është rrjeti, grupi, apo organizata kriminale në të cilën është përfshirë Sali Berisha? Ose së paku duhet që zonja Kim të na thotë emrin e personit me të cilin ish-kryeministri ka bashkëpunuar në korrupsion?! Apo rastin në të cilin ai është i përfshirë!  Asnjë përgjigje nuk ka ajo për këtë, asnjë fakt, asnjë të dhënë!

Ndërkohë njerëz, ndër ta edhe ata me dije e akademikë, thonë se “Nuk të akuzojnë kot amerikanët”! Hë pra, nëse ka prova, të dhëna, fakte, njerëz që janë implikuar, nxirrini de, thoni? Prej kujt keni frikë? Unë besoj te e vërteta dhe më duket se zonja Kim ka frikë nga e vërteta! Ndryshe nuk shpjegohet shpallja non-grata e zotit Berisha me proçedurat që ndjek administrata amerikane. E vërteta gjendet te hetimi, te dosja, tek të dhënat, provat dhe faktet, jo te proçedurat, se kush e si merret me këtë çeshtje! Apo sa kohë u dashka të hetohet e investigohet!

Nisur nga proçedurat zonja Kim shpreh mendimin se autoriteteve të SHBA-së u duhen vite per te investiguar. Nga kjo logjikisht na del se koha për të provuar “korrupsion domethënës” të Berishës paska qenë jo 8-9 vite të qëndrimit të tij në opozitë, por 16 vite nga koha e ardhjes në krye të qeverisë! Kjo sepse, nëse ish-kryeministri është korruptuar, kjo nuk ka ndodhur ditën e fundit të qeverisjes së tij në qershorin e vitit 2013! Duhet të ketë ndodhur gjatë kohës që ai ka ushtruar pushtetin në krye të ekzekutivit shqiptar. Ndaj përsëri më lindin disa dilema:

Së paku unë do të doja përgjigje të saktë dhe të qartë për këto. Si është e mundur që agjencitë amerikane për 16 vjet të mos kenë mundur të saktësojnë “korrupsionin domethënës” të ish-kryeministrit shqiptar?! Në këto 16 vjet SHBA- kanë ndërhyrë në Irak dhe janë tërhequr nga Iraku. Kanë ndërhyrë në Afganistan dhe janë tërhequr nga Afganistani. Kanë kryer operacione në Siri dhe kanë mbyllur luftën kundër ISIS. Kanë ndërmarrë aksione politike në kuadër të “Pranverës arabe” dhe kanë përfunduar të gjitha këto operacione! Në 16 vite, sa këto agjenci paskan investiguar Berishën, ka ndryshuar bota! Por nuk paska ndryshuar angazhimi i këtyre agjencive për të investiguar Sali Berishën?!

Më duket se zonja Kim përmend të pavërteta të hidhura edhe për vendin e saj! I nxjerr agjencitë e shërbimit amerikan kaq të paafta, sa nuk paskan mundësi të verifikojnë në kohë reale korrupsionin e politikanëve. Nëse u dashka 16 vjet, ose edhe tetë apo dhjetë vjet, për të ekzaminuar provat e korrupsionit për politikanët, atëherë del se edhe sanksionet amerikane ndaj politikanëve nuk janë të efektshme. Çfarë efekti ka kur një vendim si ky që është marrë kundër Sali Berishës, ekzekutohet mbi tetë vite ose dhjetë, ose 16 vite pasi politikani të ketë kryer atë që e quajnë “korrupsion domethënës” e madje është larguar nga vendimmarrja dhe pushteti?! Kjo do të thotë se zonja Kim ia fut kot! Fluturooon e fantazooon ajo!

Ndërkaq në kohën që zoti Berisha paska qenë nën vëzhgim për “korrupsion domethënës” kanë ndodhur disa çudi të tjera: Në qershor 2007 me ftesë të zotit Berisha erdhi në Shqipëri presidenti amerikan, George Bush. Hera e parë dhe e fundit që një president amerikan e vizitoi vendin tonë! Shqiptarët i kanë parë në ekrane marrëdhëniet aq të ngushta si askush tjetër, midis zotit Bush dhe zotit Berisha. Zonja Kim e di se nuk është e mundur të ndodhë kjo me një kryeministër të korruptuar. Ajo e di gjithashtu se asnjë vend nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s, kur atë e qeveris një kryeministër i korruptuar. Shqipëria u pranua në prill 2009 dhe zoti Berisha e udhëhoqi këtë proces. Ambasadorja Kim e di se asnjë vend nuk liberalizon vizat pa arritje domethënëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritja dmethënëse është e kundërta e “korrupsionit domethënës”! Shqipëria me Sali Berishën e arriti këtë në dhjetor 2010! Po ashtu, në fillim të nëntorit 2012 ishtë për vizitë në Tiranë sekretarja e Shtetit, Hillari Clinton, d.m.th paraardhësja e Anthony Blinken. Dhe ajo tha në parlamentin shqiptar se “Shqipëria është model i një demokracie funksionale në rajon”! Por ky model kishte në krye të ekzekutivit pikërisht Sali Berishën! D.m.th paska patur një person të inkriminuar në “korrupsion domethënës”, sipas departamentit të sotëm të Shtetit dhe zonjës Kim. Por nuk shkojnë bashkë demokracia funksionale me korrupsionin, aq më pak me “korrupsionin domethënës”!

Atëherë na del se Sali Berisha na qenka korruptuar pas ikjes nga pushteti. Edhe në këtë rast zonja Kim fantazon e fluturon! Kjo logjikë e saj do t’i bëjë ekspertët e studiuesit të përpiqen të zbulojnë se si ndodh që dikush që për tetë vite ka qenë kryeministër, të zhvillojë korrupsion domethënës pasi të ketë ikur nga pushteti?!! Eshtë vërtet interesante kjo të ekzaminohet dhe të investigohet! Edhe në këtë rast, besoj se kemi të bëjmë me fantazi dhe shpikje të paprecedentë. “Ekzaminojnë çdo provë dhe pastaj ndërtojnë një paketë”, thotë zonja Kim! Po hë pra, çfarë keni ekzaminuar, cila është paketa? Pse nuk e publikoni? Prej kujt fshiheni? Prej Berishës si kryeministër apo prej Berishës post-kryeministër?! Këtë po ua kërkon vetë personi i interesuar, por e keni obligim që të na sqaroni dhe ne skeptikëve të pandreqshëm, që nuk besojmë qorrazi, si dikur në kohën e diktaturës ideologjike të komunizmit! Jetojmë në kohën e lirisë e të informacionit, jo në kushtet e indoktrinimeve politike e ideologjike, zonja Kim! Fatmirësisht!

Së dyti, zonja Kim në atë intervistë thotë se “Zoti Berisha i ka ikur ndëshkimit të ligjit”! Kjo duket qartë në përgjigjet që ajo jep! Po e pranojmë se sa kohë ishte kryeministër “i paska ikur ligjit”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse asokohe Rama i ligjit ishte bashkë me Ramën e Maliqit! Po pse atëherë askush në tetë vitet e Berishës në opozitë e papushtet nuk gjeti dhe nuk çoi në prokurori ose në gjykatë qoftë dhe vetëm një akuzë kundër tij. Mirë i paska ikur përgjegjësisë ligjore në kohën kur ishte kryeministër! Por kur pushteti ishte në duart e Edi Ramës, pse nuk ndodhi zbatimi i ligjit?!

Pastaj ajo i thotë gazetares se “këto e ato janë fantazi”, për të justifikuar shpalljen non-grata nën ndikimin e kundërshtarëve politikë të Berishës. Intervista, nga ato që thotë ambasadorja Juri Kim, më rezulton një montim i keq dhe i gabuar në argument, madje krejtësisht fantazi. Ndërkohë përforcon bindjen se nuk është fantazi ajo që Soros, Rama, vetë zonja Kim, Dalina Fico, gazetaria pro-qeveritare të kenë përgatitur dosjen dhe ta kenë sponsorizuar shpalljen non-grata të Sali Berishës. Fantazi dhe e pavërtetë është ajo që thotë zonja Kim. Ajo nuk do ta pranojë të vërtetën e padiskutueshme se Sali Berisha është “viktimë” e kundërshtive të tij, së fundmi për ta lejuar Lulzim Bashën të bashkëqeverisë me Edi Ramën.

Së treti, shumë shqiptarë mund ta falin faktin që Berisha shpallet non-grata nga vendi, me të cilin vendosi urat e bashkëpunimit, nga një administratë, të cilën e ka vizituar disa herë, nga një autoritet, që e ka vlerësuar për principet e tij demokratike! Por nuk falin talljen që u bëhet atyre! Shqiptarët, përkatësisht demokratët, nuk e shpikën barin, atë ua solli Juri Kim në oborrin e selisë së tyre! Shqiptarët e dinë se kush është i korruptuar në këtë vend! Eshtë ai, të cilit zonja Kim i varet në supe sa herë shkon në ndonjë event, pra kryeministri i sotëm i Shqipërisë! Dhe shqiptarët e dinë se për të shpallur zotin Berisha non-grata, duhen shpallur më parë Edi Rama dhe nja tridhjetë apo më shumë politikanë të tjerë të krahut të Ramës! Prandaj dhe nuk është e besueshme as zonja Kim në fantazitë e saj, as zoti Blinken në vendimin e tij! Dhe besimi nuk fitohet me sofizma në paraqitjet publike. Fitohet duke elaboruar të vërtetat, faktet, provat!

Nëse unë do të nisesha nga opinioni im, atëherë do të thosha se zonja Kim tallet me shqiptarët, kur fotografohet me njerëz të vuajtur të këtij vendi dhe shfrytëzon bujarinë e tyre për të huajt, ndërkohë që nuk qorton asnjëherë qeverinë pse ajo i ka lënë këta njerëz në ditë të hallit! Nëse do nisesha nga ajo që shohim, atëherë unë do të thoja se zonja Kim shetit në jahtet e oligarkëve në konflikt interesi me ta dhe retorikën e drejtësisë e përdorë për të akuzuar Sali Berishën, por jo për ta zbatuar ligjin! Nëse unë nisem nga takimet, rekomandimet dhe dhuna verbale e zonjës Kim, atëherë unë them se ndërhyrja e saj në çeshtjet e brendshme të çdo partie politike në Shqipëri është sjellje prej guvernatorësh me synim asgjësimin e pluralizmit dhe demokracisë! Nëse marrim dhe analizojmë marrëdhëniet e Juri Kim me kryeministrin dhe kreun e bashkisë së Tiranës, nisur edhe nga fotot në ekrane televizive, atëherë unë them se ambasadorja amerikane është ngarkuar nga lobe jashtë departamentit të shtetit për të bashkëpunuar me këta njerëz.

Ndërkaq kjo sjellje më bën të kuptoj se armiqësia ndaj Sali Berishës buron pikërisht nga angazhimi për këto lobe. Por të gjitha këto që po them janë opinione. Duhet të kem fakte, shumë fakte që unë të shprehem për akuzë juridike kundër zonjës Kim!  Pra, nëse do të përdorja standardin e përgjigjeve të saj në intervistë me gazetaren Erla Mëhilli, atëherë edhe unë do të ndërtoja një skemë inkriminimi të ambasadores Kim, të ngjajshme me skemën që ajo e ndërton kundër Sali Berishës! Por drejtësia nuk funksionon kështu. Drejtësia është tjetër gjë. Nuk është opinion, është fakt, provë, të cilat Juri Kim nuk pranon as t’i paraqesë në gjykatë apo në organet e tjera të drejtësisë. Prandaj në atë intervistë, si në shumë raste të tjera ambasadorja Kim thjesht fluturon e fantazon, bazuar në përrallat që ia ka thënë Sorosi, Edi Rama, Erion Veliaj, Dalina Fico apo Sokol Balla, që “po le lesht” bashkë me këta të tjerët, për ta eleminuar Berishën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok