21/12/2024

Flet poeti dhe kritiku shkodran Xhahid Bushati

0
Xhahid-Bushati

Flet poeti dhe kritiku shkodran Xhahid Bushati: Lidhjen e Shkrimtarëve në Shodër e kanë drejtuar Prof. Vehbi Bala, dhe dramaturgu Fadil Kraja.

-Pse u censurua Frederik Reshpja në monizëm

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shkodra ka nxjerrë shumë poetë dhe shkrimtarë, që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare. Si djep i kulturës ky qytet ka pasur në çdo system krijues të guximshëm, që nuk kanë bërë kompromise në dëm të letërsisë. Lidhja e Shkrimtarëve në Shkodër në sistemin monist drejtohej nga Prof. Vehbi Bala, dhe dramaturgu Fadil Kraja…Por sot në Shkodër ka shumë poetë dhe shkrimtarë dhe problem e krijimtarisë ajnë të shumta. Ja si shprehet poeti Xhahid Bushati….

1.Shkodra historikisht një qytet me shumë krijues cilësor. Nga ky qytet kanë dalë poetë dhe shkrimtarë që kanë lënë gjurmë në historinë e letërsisë shqiptare. Mund të na përmendni disa dhe mendimet tuaja për figurat më të shquara në vite?

Përgjigje: Shkodra ishte dhe mbetet përherë qytet me brumë kulture. Po t’i hedhim një vështrim retrospektiv, në rrjedhën e shekujve, dekadave e viteve, ky qytet ka nxjerrë emra që i kanë ndritur fytyrën Shkodrës, Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Në këndvështrimin tim këto emra janë të shumtë, por duke pranuar edhe preferencat e mia, që janë produkt i studimeve të mia shumëvjeçare, po përmend disa syresh: Ernest Koliqin, Migjenin, Martin Camaj, më vonë Frederik Rreshpjen e Skënder Drinin, më vonë Ridvan Dibrën… Tani, disa karakteristika: Koliqi njohës i thellë i mentalitetit, psikikës e shpirtit të shqiptarit verior; Migjeni i lavdishëm që zbërtheu jetën e qytetit dhe të fshatit përmes dramatikës e tragjedisë; Camaj, shqiptari edhe pse pa lexues shqiptarë gërshetoi elementet e traditës së vendlindjes me modernen veçanërisht në rrafshin stilistik, Rreshpja, liriku më i shquar i poezisë sonë, ku realja dhe surealja janë në raporte të harmonishme estetike; Drini, me prozën e tij veçanërisht romanore solli kuadro të gjera jete dhe skalitje personazhesh, ku spikasin kultura elitare e stili elegant; Dibra, një prozator i talentuar, ku fjalën dhe frazën shqipe i ka të mirëmenduara stilistikisht dhe të shenjta. Shkodra mbetet një qytet me trashëgimi të pasur kulturore, që kërkon njohje të mëtejshme. Ndoshta është i vetmi qytet, ku vlerat e trashëgimisë së prodhimit letrar e artistik të krijuara në shekuj e dekada sfidojnë realitetin ekzistues letrar, gjithnjë flasim në pikëpamje të vlera të vërteta dhe të talentit.

Si funksiononte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shkodër në sistemin monist? Kush ka qenë kryetar i saj për Shkodrën dhe si organizohej kjo lidhje?

Përgjigje: Ndonëse kam qenë i ri, kam pasur fatin të jem në shumë mbledhje të Lidhjes. Mund të them se funksiononte brenda parametrave të sistemit komunist, ishte ndihmëse e Partisë dhe zbatonte korrektësisht mësimet e saj. Kryetar i Lidhjes, në fillim ishte prof. Vehbi Bala, më pas, një jetë të gjatë vitesh ka qenë dramaturgu Fadil Kraja.

3.Shumë krijues shkodranë nuk pajtoheshin me sistemin monist. Cilët nga krijuesit shkodranë është burgosur në atë sistem për tendenca liberale antikomuniste?

Përgjigje: Ka pasur disa krijues që në rrugëtimin e jetës së tyre, krahas shumë aspekteve, ka qenë edhe ai i mospajtimit me sistemin dhe orientimet e sistemit komunist. Unë do të ndalem te poeti Frederik Rreshpja, të cilin e njoh mirë, pasi dy javë më parë kam botuar një libër për të me titullin: “Fredi…”. Poezia dhe mendimet e tij e kishin një kundërshti të tillë. Unë jam dëshmitar i disa librave të kthyera nga Sh. B. “Naim Frashëri”, veçanërisht i librit “Në këtë qytet…”. Redaktorët e recenzentët kishin të shënuar si mospranim shumë metafora të guximshme, me ngjyresa e shtresëzime stilistikore, me imazhe të papara që poezisë shqipe i jepnin një hapësirë të re, e për rrjedhojë në emër të guximit krijues e artit të vërtetë kundështonin realitetin ekzistues monist. Nuk e pranonin lehtë poezinë rreshpjane.

Shkrimtarët I. Kadare dhe D. Agolli, a kanë ardhur e kanë bërë takime me anëtarët e Lidhjes së Shkodrës?

Përgjigje: Po, ardhjet e dy shkrimtarëve me emër ishin të mirëpritura në Shkodër. I. Kadareja vinte më rrallë, ndërsa Dritëroi më shpesh, sepse gruan, Sadijen e kishte nga Shkodra. Por ajo që është për t’u theksuar bisedat e tyre me krijuesit shkodranë ishin modele kulture, shkolla progresi dhe çelnin dritare të reja krijuesve shkodranë në rrugëtimin e tyre letrar.

Cilat kanë qenë problemet e krijuesve të Shkodrës në atë sistem?

Përgjigje: Jo pak kanë qenë. Themelore ka qenë ai i marrëdhënies me lirinë dhe larine krijuese. Kjo vërehej tek poezia, ku kishte mbledhje e diskutime, shpesh keqdashëse. Edhe tek dramat që viheshin në skenë, kur disa prej tyre kishin fatin jo të lumtur të provonin shumë prova gjenerale e shumë cungime, arsyetime të padrejta e mangësi kulturologjike.

Po sot a ka Lidhje krijuesish në Shkodër?

Ekziston Shoqata e krijuesve të Shkodrës, ka jetën dhe aktivitetin e saj, promovon libra të autorëve e më gjerë. Por jo si Lidhja e mëparshme

-Cilat janë problemet e krijuesve shkodranë, sot?

Përgjigje: Janë të shumta. Janë problem, që lidhen me konceptin e strukturën e Shoqatës që lë për të dëshiruar nga ana e dikastereve përkatëse shtetërore, ku statusi i krijuesit është i paqartë. Aktivitetet më shumë janë spontane dhe individuale, pa folur për ato ekonomike, ku në këtë aspekt mungojnë strategjitë dhe investimet. Pastaj, komunikimet me librin dhe jehonën e Tiranës janë të varfëra. Po e lë këtu, pa folur për probleme të tjera, të cilat sigurisht janë të rëndësishme.

-Sot lëvrohet më shumë poezia se proza. Cilët janë poetët dhe shkrimtarët shkodranë sot që konkurojnë në krijimtarinë shqiptare dhe sot?

Edhe në Shkodër ka një lumë botimesh. Po të përdor një shprehje shkodrane, them: “Shumica nuk e kalon Urën e Bahçallëkut”. Por do të përmend autorë, si: Alfred Çapaliku, Arben Prendi, Meritan Spahia, Ridvan Dibra, që me krijimet dhe përkthimet e tyre të vlefshme janë prezentë në letërsinë shqiptare.

-Si do ta cilësonit Migjenin?

Përgjigje: Migjeni është një fenomen letrar, i rrallë. Migjeni është një poet planetar, I gjithëkohshëm. Rrallë mund t’i vijë letërsisë shqipe një model i tillë i paarritshëm.

-Flitet shumë për gjuhën standarte. Madje thuhet se duhet ndarë në gegënishte e toskërishte? A është koha për ndryshimin e gjuhës së njësuar nga personalitetet më të mëdha të gjuhës shqipe?

Problemet që shtroni në pyetjen tuaj janë aq të shumta, por janë aq vorbull e rrëmujshëm sa, mendoj, në këtë gjendje të krijuar nuk mund të zgjidhet asgjë në të drejtën e gegënishtes që e meriton. Ka shumë që shkruajnë gegënisht, veçanërisht poezi. Shumë prej tyre nuk e njohin gegënishten, strukturat e saj fonetike, morfologjike e sintaksore. Aktualisht na mungojnë burrat e ditur dhe elitarë që e kanë shkruar hijshëm këtë gjuhë. Sot na mungojnë. Ç’mund të flasim për gegënishten e dashtun, kur na mungojnë modelet letrare,  kur ka shumë keqdashje ndaj saj, që Gegënishtja nuk e meriton. Mjafton të kujtoni gegënishten e Mjedës, sa e ëmbël, e fisme dhe “Zojë e randë” është ajo në poezitë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok