21/12/2024

Flet “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa

0
Margarita-Xhepa

-Për çdo arritje i jam mirënjohëse popullit tim, familjes time, miqve dhe mikeshave

– Në këtë 90-vjetor i ndihem borxhlie gjithë popullit shqiptar që më ka duartrokitur dhe më ka dhënë forcë në tërë jetën time artistike.

-Nuk harroj fjalët e një kritiku grek: “Zëri i Margarita Xhepës shkërmoqi teatrin e Melina Mërkurit”.

– Ekuba tek “Trojanët” e Euripidit ishte një nga ëndrrat e realizuara.

Nga Albert Z. ZHOLI

Më 2 prill 2024 “Nderi i Kombit” Margarita Xhepa mbushi plot 90-vjet. Plot 9 dekada jetë nga të cilat  72 vjet në skenë. E pabesueshme. Kushdo që e njeh nga afër habitet me energjitë e saj, me kujtesën fenomenale, me buzqëqeshjen karakteristike që se heq kurrë nga buza, me dashamirësinë të ndihmojë këdo që e kërkon, me aktivitetet e shumta që e përjashtojnë moshën, por mbi të gjitha ajo veçohet për vlerat e larta njerëzore dhe humane. Një grua tipike shqiptare, e bukur, vizionare, krenare dhe vitale. Kur rri me të koha ecën vetiu se ajo për çdo ditë ka një ngjarje, një aktivitet, një bisedë një shesh xhirimi, një dalje në skenë, një mesazh njerëzor, që di vetëm ajo ta japë. Takimi im i fundit ishte si gjithmonë duke na pritur me buzëqeshje dhe duke na përcjellë me buzëqeshje. Një kërkesë të një emigranteje në Itali, znj. Ervehe Hasanaj, për të interpretuar një pjesë nga libri i saj ajo ju përgjigj pozitivisht duke interpretuar në atë mënyrë sa kur u bë promovimi në sallë shpërthyen duatrokitjet. E tillë  është Margarita jonë, një Margaritar me vlera të larta njerëzore. Koha sa më shumë ecën aq më shumë e lartëson portretin e saj tek të gjithë bashkëkombësit. E kam njohur nga afër të madhen Margarita ku ka luajtur në Greqi filmin “Mirupafshim”. Që pas asaj njohjeje me të jam takuar shpeshherë dhe kam bërë disa intervista. Ajo që kam vënë re në punën, sjelljen dhe aktivitetin e saj është se “Nderi Kombit” është e thjeshtë, korrekte, e dashur, largpamëse, vizionare, punëtore, e palodhur dhe e kudo ndodhur. Në role, në sheshet e xhirimit apo në skenat e teatrit ajo tjetërsohet, ajo hyn në brendësi të personazhit dhe e zbërthen atë me detaje. Ajo nuk mundohet të bëjë zhurmë me rolet as të bëjë heroinën, përkundrazi do të përcjellë tek shikuesi, vërtetësinë e figurës së personazhit.

  • Këtë 2 prill mbushe plot 90-vjeç, pra 9 dekada jetë. Portrtretin tuaj koha nuk e ka zbehur, përkundrazi e ka latuar me ngjyrën e bukurisë hyjnore pasi i tillë është shpirti juaj. Në këtë 90-vjetor si ndihet Margarit? A ka atë mall dashuri dhe pasion për skenën dhe sheshet e xhirimit?
    Një gjë di të them me sinqeritetin e një nëne, me sinqeritetin e një gruaje të lidhur me punën se, sa më shumë më ikën mosha, aq më shumë lidhem me skenën, me sheshet e xhirimit me aktivitete kulturore. Sa herë më ftojnë nuk përtoj, dua t’i shmang problemet shëndetësore, t’i mënjanoj, pasi arti më largon dhimbjet, hallet, problemet dhe më afron me njerëzit, me ata që i dua dhe më duan. Edhe në këtë moshë kurrë nuk kam larguar role apo aktivitete veçse në raste shumë të veçanta kur mundësitë ishin të pamundura. Skena, sheshet e xhirimit për mëse 70 vjet kanë qenë jeta ime, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ime. Aktrimi është drita e syve të mi që më ka mbajtur gjallë, më ka frymëzuar, më ka lidhur me popullin tim, me Atdheun tim. Në këtë 90-vjetor i ndihem borxhlie gjithë popullit shqiptar që më ka duatrokitur dhe më ka dhënë forcë në tërë jetën time artistike. Pa këtë popull të jashtzakonshëm, edhe unë nuk do isha këtu ku jam. Unë ndjehem mirë mes fëmijëve, nipërve, mbesave, të afërmve, miqve dhe shokëve. Ndihem mirë se jam rrethuar me dashuri dhe respekt. Kjo ka bërë që ta mposht moshën pasi jam gjithnjë në lëvizje, jam në aktivitete, jam mes librit dhe dëshirës për të qenë në korent të çdo gjëje. Jam një nënë e lumtur- e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për shkak të profesionit im. Gjithsesi, si çdo nënë ndjehem e lumtur, sepse mundimi nuk më shkoi dëm, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë, duke qenë vetvetja. Njëkohësisht ndihem e lumtur pasi dhe në këtë moshë nuk e kam lënë profesionin mbasi herë pas here aktivizohem.

–  Ju këto ditë keni marrë shumë urime. Urimi juaj për gjithë dashamirësit tuaj cili është?

  • Një gjë dua të them me shpirt, që gjithë popullit shqiptar kudo që ndodhen ju uroj gjithë të mirat e botës. Këtij populli jam borxhli ndaj dhe unë dua që çdo familje shqiptare të gëzojë shëndet, begati, mirësi dhe të jenë sa më mirë ekonomikisht. Ky popull meriton shumë. Këtij populli punëtor dhe të sakrificës i takon një qeverisje ideale, i takon një respet i madh, i takon lumturi, begati, mirëqënie, dhe respekt. Ky popull nuk ka pse të marrë rrugët e botës për një jetë më të mirë, pasi vendi ynë i ka të gjitha. Këtë vend e ka bekuar zoti, me dete, pyje, male, fusha, mbitokë dhe nëntokë të pasur me njerëz të zgjuar dhe punëtorë. Populli im i dashur ju dua shumë pasi ju jeni frymëzimi dhe mbështetja ime.
  • Netëve vonë si i kujton vitet e fëmijërisë dhe a ëndërroje të bëheshe aktore?
  • Gjithmonë e kujtoj fëmijërinë time. Nëse nuk kujton nga vjen asnjëherë nuk ecën para. Duhet ta them se ishte një fëmijëri e vështirë, por e bukur. E vështirë pasi ishim një familje e varfër, një familje tradicionale. Ishin vitet e para të çlirimit dhe varfëria ishte në çdo familje. Nuk ngopnim barkun me bukë, por kishim një dëshirë të madhe për dije, për arsim. Prindërit nuk na pengonin në rrugën tonë dhe pse nuk kishin mundësi financiare të na plotësonin dëshirat. Por ne kishim një harmoni të madhe në familje që nuk e ndienim shumë varfërinë. Kishim një dashuri për njeri tjetrin që ndanim dhe kafshatën e gojës. Nuk i mendonim kërkesat e fëmijëve të sotëm, nuk kishim kërkesa, por kishim etje për dituri, ky ishte ndryshimi. Prindërit në atë kohë ishin shumë fanatik. Por unë kam pasur fat. Mund të them se kisha dëshirë të bëhesha aktore, por dhe strukesha brenda dëshirës. Ishin vitet e para pas çlirimit dhe emancipimi nuk ishte si sot. Në atë kohë e vështirë që femra të largohej nga familja apo të realizonte dëshira jashtë dëshirave familjare, por ishte mirësia e prindërve të mi që nuk më penguan. Kur unë bëra kërkesën time ata e përkrahën. U jam mirënjohëse gjithë jetën. Në atë kohë rrallë ndodhte që prindërit të përkrahnin çdo dëshirë të fëmijëve. Nuk ishte kjo liri, ky emancipim, ky nivel jetësor. Por unë kisha ëndrra, dëshira, kisha synime dhe prindërit nuk me ndalën.
  • Sigurisht sistemi monist i dha rëndësi culturës, por dhe kishte disa korrniza. Ndoshat nga ai system kishit dhe pengje. Por a i keni realizuar tanimë?
  • Dua të theksoj se çdo system ka anët pozitive dhe negative. Në atë system kishte shumë demagogji, kishte edhe korrniza të ngushta, por arti vlerësohej. Artisti vlerësohej. Ndaj them kisha pengje dhe pse dyert i kisha të hapura kudo. Në atë sistem kisha peng dhe ëndërr antikitetin. Doja të luaja role të asaj periudhe të ndritur. Në demokraci kam luajtur një rol tepër interesant, Elektrën e Sofokliut, të cilin e vuri në skenë regjisori i madh grek, Dhimitër Mavriqo. Por jam ftuar edhe nga një tjetër regjisor i madh grek Sotiris Akzaqis. Më thirri për të luajtur një dramë. Një dramë që, me të vërtetë, nuk e prisja kurrë që ta sillte në skenë një regjisor grek. Është pikërisht drama “Kush e thirri Doruntinën”, ajo që më befasoi pasi e vendosi në skenë ky regjisor i talentuar. Regjisori Sotiris Akzaqis po sillte një frymë të re në skenën teatrale. Ai kishte lexuar të përkthyer në greqisht “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, legjendë e shkruar në të gjitha vendet e Ballkanit, sipas mënyrës së tyre. Kanë afërsisht të njëjtën fabulë, personazhe, por në këndvështrime të ndryshme. Secili shkrimtar e ka përcjellë sipas karakteristikave, gojëdhënave, veçorive të vendit të vet, por me emra të ndryshëm personazhesh. Ndoshta, regjisori grek i kishte lexuar të gjitha variantet dhe si më të mundshmin më të realizueshmin, më të arrirë artistikisht, ka marrë variantin e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Por, mbi të gjitha, me regjisorin tjetër grek, Vangjelis Theodhoropulos, kam luajtur në dramën “Trojanët” që e humbën mbretëreshën e Trojës, rol që e kisha ëndërr. Këtu luajta rolin e Ekubës, rol që vinte tamam në moshën time. Roli ishte brenda dramaticitetit dhe potencës time dhe duke thënë me modesti, në Greqi, për këtë rol kam marrë vlerësime që nuk i prisja kurrë. Kritikët grekë theksuan në dy gazeta: “Margarita Xhepa nga Tirana, na solli Katina Paksinu”. Katina është një ndër aktoret më të mëdha greke – së bashku me Milena Mërkuri dhe Irene Papas – që ka luajtur më bukur nga të gjitha rolin e Ekubës, mbretëreshës së Trojës. Madje, një kritik shkruante “Zëri i Margarita Xhepës shkërmoqi teatrin e Melina Mërkurit”. Me këtë vlerësim ndihem mirë, pasi Katina ka luajtur rolin më të bukur të Ekubës në Greqi. Por ajo ka mbi 25 vjet që ka vdekur dhe grekët thanë, na kujtove Katina Paksinu. Me këtë pjesë të sjellë nga antikiteti, që m’u besua nga Vangjeli Theodhoropulos, plotësova një ëndërr timen. Ishte rol i jashtzakonshëm, i cili mbante brenda vetes gjithë dhimbjen e Trojës. Atë mund ta vlerësoj edhe si një nga rolet më angazhues. U përfshiva kaq shumë në të, sa mbaj mend se edhe gjumin e braktisa. Për këtë rol, nga revista “Kult”, mora çmimin e atij viti. Nga kryetari i bashkisë, mora çmimin për rolin më të mirë të vitit.
  • Si i kujton miqtë e t’u, që tanimë i takojnë përjetësisë?
  • Ah, sa shumë kanë ikur! Sa më mungojnë! Kanë ikur yjet e artit, por më e keqe është se kanë ikur në moshë të re, kur kishin për t’i dhënë ende, artit shqiptar. Këto vdekje kanë lënë shumë gjurmë tek unë. Kanë ikur disa pa i mbushur të 60-at. Askush nuk e beson, askush nuk e merr me mend. Sa dhimbje e madhe! Ata ikën në kulmin e artit, në kulmin e pjekurisë artistike. Mund të përmend Bujar Lakon e madh, me të luajta “Kush e solli Doruntinën”. Ishte një kujtim i bukur, me atë aktor të madh, të mrekullueshëm! Po ashtu, mund të përmend Kadri Roshin, Fatos Selën, Agim Qirjaqin, Fadil Kujofska, Roland Trebicka, Edi Luarasi, Lazër Filipi, etj… Por kanë ikur dhe shumë artistë të tjerë: shumë. Iku dhe gazetarja Zenepe Luka. Kam luajtur me të gjithë këta yje dhe kam mbresa të veçanta. Ata mbeten në kujtesën e popullit për thjeshtësinë, për bukurinë që sollën në skenat dhe në sheshet e xhirimit. Ishin aktorë të mëdhenj dhe njerëz të mirë. Me vdekjen e tyre, arti shqiptar ka humbur shumë! Por i kujtoj.
  • Për rolin tuaj më të bukur ka shumë përcaktime. Kam ndjekur shumë kritikë arti, apo kolegë dhe thonë që roli më i bukur i Margaritës mbetet Ekuba tek “Trojanët” e Euripidit, mendimi juaj?
  • Por artisti si ndan rolet. Rolet për artistin janë si fëmijët. Por kur më përmend mendimin e artistëve të tjerë, apo regjisorëve edhe unë them që ka qenë një rol i spikatur. E pata ëndërruar këtë rol. Koha bëri të vetën. Në këtë dramë kam luajtur me aktorë të zëshëm të Teatrit Kombëtar, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Guljelm Radoja, Neritan Licaj dhe Arben Dërhemi. Ishte një rol i veçantë. Ekuba! Fjalëpakë, modeste, e thjeshtë. Ekub! Së pari mbretëreshë, më pas nënë e lumtur, pas kësaj e hidhëruar dhe e përvuajtur. Ekuba mbetet Ekubë. Tashmë kjo dramë u filmua nga regjisori i talentuar Ilir Bega që më krijoi një ndjesi të bukur.

Ja si e kujton ajo jetën e saj të vështirë dhe fillimet e para në aktrim.

Isha një vajzë e brishtë, që më pëlqenin fustanet me lule, të cilët derdheshin mbi kërcinjtë e gjatë, e që ecja këmbë zbathur nëpër rrugët e Myzeqesë. Nëna ime Maria u nda prej meje, kur isha 9 vjeçe, as fëmijë dhe as e rritur, duke më krijuar një boshllëk ! Eh, një fëmijëri në një kohë dhe vend të varfër, që nuk dinim se çfarë ishin lodrat, përveç kërcimit me litar. Në shkollë, shkoja me një çantë lecke dhe shpesh këmbëzbathur. Kujtoj mësuesen e parë, Sofie Kushi, që më mësoi të flas, të recitoj dhe të këndoj bukur. Sidoqoftë, si për cilindo edhe për mua, fëmijëria është një pasuri e madhe, e pazëvendësueshme, një dhimbje, që do të më shoqëronte tërë jetën. Nuk e di, por më është krijuar bindja se ishin pikërisht rrëfimet e saj, ato që ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit.”

Jetëshkrimi me pak fjalë

Kudo mes shqiptarëve ajo njihet si një ndër Zonjat e Mëdha të Teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Margarita Xhepa në tërë jetën e saj artistike vlerësohet për kontributin e saj në teatër, të cilin e nisi në vitin 1950, kur u aktivizua si artiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Njëkohësisht me punën ajo ka bërë edhe studimet në Liceun Artistik, Dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj. Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë. Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me Kristaq Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me Ibrahim Muçajn e Kristaq Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me Esat Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me Piro Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me Sajmir Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gjergj Xhuvanin “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok