22/12/2024

Flet “Mjeshtri i Madh” Dhimitër Gjoka

0
Dhimiter-Gjoka

Flet “Mjeshtri i Madh” Dhimitër Gjoka:

-Ndihem i vlerësuar për titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”

-Për regjinë skenike do të kishim Piro Manin e famshëm, Gjergj Vlashin, Esat Oktrovën

-Për kinematografinë do të kishim pedagogë, korifejtë e filmit, Dhimitër Anagnostin,Viktor Gjikën, Gëzim Erebarën, Piro Milkanin e Kristaq Dhamon

– Si mësova si dëgjues në provat e tavolinës në disa seanca tek drama “Komunistët” e  Ruzhdi Pulahës

-Si më propozoi Timo Flloko të drejtoja festivalin e nëntëmbëdhjetë të këngës në Radio Televizionin Shqiptar

Nga Albert Z. Zholi

Para disa ditësh Dhimitër Gjoka mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Ilir Meta. Ky vlerësim vjen pas një pune 45-vjeçare në ekran ku ai me zërin e tij, me korrektesën e tij ka marrë urimet e miliona shqiptarëve kudo në botë.

 Si ndihesh tashmë që në gjoks mban titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”?

-Ndihem i vlerësuar. Ndihem që njeriu me punë vjen një ditë dhe e merr atë çka meriton. Në jetën time kam përcjellë lajme kryeminsitrash, ministrash, nekrologji, presidentësh dhe as e mendoja se do vinte një ditë që edhe unë do merrja një dekoratë të lartë nga një president dhe konkretisht nga Presidenti Meta.

-Të vijmë te momenti i arsimit tuaj , konkretisht tek Akademia eArteve, si vijim kujtimet me profesorët tuaj të nderuar?

Profesorët tanë, ishin  mjeshtrat e mëdhenj të regjisurës shqiptare. Për regjinë skenike do të kishim pedagogë regjisorin Piro Mani, i famshëm për vënien në skenë të veprave të mëdha shqiptare, por edhe botërore, Gjergj Vlashin, regjisorin durrsak, të mirënjohur për vëniet në skenë të shumë dramave dhe komedive të suksesshme, ashtu si edhe profesorët e shquar Esat Oktrova, apo Vangjush Furxhi. Për kinematografinë do të kishim pedagogë, korifejtë e filmit, Dhimitër Anagnostin,Viktor Gjikën, Gëzim Erebarën, Piro Milkanin e Kristaq Dhamon. Për njohuritë ndaj skenarit do të kishim të mrekullueshmin Vath Koreshi, ndërsa për njohjen e kamerës mjeshtrin Faruk Basha. Për njohuritë e skenografisë do të kishim Shyqyri Sakon, ndërsa për regjinë televizive, do të ishte një nga regjisorët e shquar të Televizionit Shqiptar, Ylli Pepo. Ky staf i zgjedhur si trupë pedagogjike, përbënte në atë kohë ajkën e profesionistëve që i përkisnin fushës sonë. Eksperienca dhe përvoja e tyre do të na bënin të ishim shumë të vëmendshëm në atë çka ata na komunikonin. Nuk linim leksion pa shkruar, madje ndiqnim me vëmendje edhe fjalën e fundit. Ishim të detyruar të shkruanim dhe vetëm të shkruanim, sepse nuk kishte leksione të gatshme. Çdo gjë ishte përvojë e punës së madhe në karrierën e secilit prej tyre, ku kishin spikatur me shumë krijime të realizuara në skenë dhe në ekran. E ndienim veten tepër të vegjël në krahasim me çka kishin arritur ata me punën madhore dhe sa herë flisnin i shikonim në dritën e syve, sepse, jo vetëm që i kishim idhuj, por nga mos njohja e shumë gjërave, sidomos në fushën e kinematografisë, interesi ynë u zgjonte pedagogëve dëshirën për të na i bërë leksionet edhe më të detajuara, duke na mbërthyer me shpjegimet plot kulturë dhe të mbushura me shumë material ilustrativ. Të gjithë e ndienim se përpara nesh, nëpër çdo leksion, na hapej një dritare e re, e cila na mbushte me më shumë njohuri. Eksperiencat nga sheshet e xhirimit, puna me aktorët si edhe organizimi i skenave nga njëra tek tjetra, apo ruajtja e gjendjes së interpretimit të aktorëve apo edhe e dekorit nga një episod tek tjetri, dhe pse mund të kishin kaluar disa ditë deri në xhirimin e rradhës na fusnin në një imagjinatë të bukur. Për shembull, në një skenë të xhiruar, në dekor pranë personazhit që interpretonte ndodhenj një çadër shiu që binte dukshëm në sy. Pas disa ditësh kur rifilloi vazhdimi i atij episodi, por me një plan marrje të ndryshuar, në dekorin e njëjtë, mungonte çadra, e cila gabimisht ishte hequr për kushedi se çfarë arsyeje. Më pas gjatë montazhit kjo ra në sy nga regjisori, por ishte e pamundur të rixhirohej sërish ajo skenë. Në dukje të parë kjo mund edhe të mos thotë ndonjë gjë, por në rrjedhën normale të filmit për një profesionist, ose për shikuesin e vëmendshëm bie shumë në sy. Skrupuloziteti në kërkesat e duhura, për të qënë çdo gjë në vendin e vet, janë domosdoshmëri e vëmëndjes regjisoriale dhe jo vetëm.

-Çfarë ngulite në mendje nga kompozimet e planeve?

Unë mësova dhe ngulita në mendjen time kompozimet e planeve klasike; “planin bust”, “të mesëm”, “planin amerikan” si dhe “planin e madh”. Secili nga pedagogët kishte karakteristikat e veta profesionale në punën me aktorët. Planet mirëmendoheshin që me shkrimin e skenarit dhe më pas, ndërthurja e tyre ishte pastaj ajo që i jepte së tërës, në montazh, harmoninë e vendosjes së tyre, e cila ndikonte në rrjedhën logjike të zhvillimit të ngjarjeve. Mësova gjithashtu se, si shkruhet një skenar dhe si realizohet një i tillë, jo vetëm në teori, por edhe në praktikë në sheshin e xhirimit, si punohet me aktorët në atë se çfarë kërkon regjisori prej tyre. Mësova për ndriçimin   se si bëhej në skena të ndryshme në funksion të ngjarjeve dhe se si regjisori e mendon një skenë për ndriçimin e saj kundrejt personazheve, që veprojnë në të. Regjia e filmit ishte jashtëzakonisht e bukur dhe i kushtova më shumë kujdes, pasi për regjinë skenike kisha njohuri të mëparshme, të cilat i kisha fituar gjatë kohës kur aktivizohesha në teatrin profesionist të Vlorës.

Dhimitër Anagnosti ky mjeshtër i madh i regjisurës së filmit shqiptar na ilustronte bukur deri në detaje mënyrën se si edhe një poezi mund të zbërthehej në imazhe filmike dhe shembujt që na demonstronte s’ishin të paktë. Mbaj mend se si zbërtheva një poezi në imazhe filmike. Mora poezinë“Vajzë e valëve”të Neço Mukos të përmendur më sipër, të cilën në fantazinë time u zbërthye bukur teorikisht në letër. Imagjinata që na mësoi Anagnosti të vinim në përdorim na e bëri të thjeshtë punën. Çdo varg i saj më kalonte në mend një panoramë filmike me plane të përzgjedhura nga portreti e deri në terenin ku vajza vepronte dhe priste. Zbërtheva bukur edhe dialogun që ajo bënte me zogjtë. Fantazia jonë na çonte larg, ku bukur dhe saktë në shumë mënyra shpërfaqnim mendimet tona të thjeshta për çdo fjalë, varg apo strofë të poezisë. Kalonim orë shumë të bukura dhe frutdhënëse, aq sa shpesh mendonim se përse mbaronte kaq shpejt leksioni. Anagnosti dinte se si të na bënte për vete. Na mbërthente me aftësinë e tij komunikuese me kulturën e madhe kinematografike që zotëronte. Veçova Dhimitër Anagnostin, por për mua mbeten në lartësinë e mjeshtrave të padiskutueshëm të kinematografisë shqiptare edhe regjisorët e tjerë të nderuar që pata fatin të isha student i tyre dhe që i kam përmendur më lart.

Në leksionet e regjisë skenike isha pjesë edhe e disa punëve në tavolinë në Teatrin Popullor, kur shkoja në orët e lira, sidomos paradite, të regjisorit të jashtëzakonshëm Piro Mani, energjik dhe zotërues i një kulture të madhe skenike. Të gjithë aktorët që punuan me atë, por edhe ne si studenët të tij, e shikonim si një idhull të pakrahasueshëm. Leksionet e tij ishin shumë të veçanta, pasi eksperienca që mbartëte ishte jashtëzakonisht e madhe edhe për faktin që kishte studiuar jashtë vendit, në Moskë, kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik. Mora pjesë si dëgjues në provat e tavolinës në disa seanca tek drama “Komunistët” e  Ruzhdi Pulahës, dramaturg që di të gjejë detaje dhe të zbërthejë personazhe si rrallë kush.

-Çfarë mësove tek kjo dramë?

Mësova dhe pashë nga afër punën e jashtëzakonshme që bënte Piro Mani me aktorët. Pjesë e trupës ishin aktorë të tillë të mëdhenj si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Drita Haxhiraj, Viktor Zhusti, Anastas Kristofori, Andon Qesari, Roland Trebicka, Edmond Budina, e plotë të tjerë. Provat në tavolinë janë një shkollë e madhe për çdo të ri që aspiron të bëhet regjisor. Unë nuk dua të sjell mesazhin që përcillte kjo dramë, por dua të theksoj interpretimin virtuoz të kësaj kaste aktorësh të jashtëzakonshëm. Fantazia regjisoriale në zbërthimin e dialogut ishte e pafundme. Puna përgatitore e Piro Manit i bënte aktorët të ishin më rezultativ në trajtimin e rolit. Piro Mani kërkonte kulmet e dramës në disa akte të saj. Dhe këtë e arriti bukur. Shpërthimet e aktorëve ishin kaq të natyrshme dhe mjeshtërore, sa ngrinin peshë jo vetëm ne që ndiqnim nga afër punën në tavolinë, por edhe më pas spektatorin në sallë gjatë shfaqes,si asnjëherë tjetër. Ishte vërtet fat i madh të ndiqje nga afër provat me Piron si regjisor në studion e punës. Qe një shkollë më shumë se leksionet që merrnim. Kur gjërat i shikonim konkretisht nuk kishte kënaqësi më të madhe. Unë mbushesha thellë në mendje dhe në shpirt me këtë profesion, të cilin e shikoja, e prekja dhe jetoja fort me të.

Kush të propozoi dhe si erdhi te ju prezantimi i Festivalit të 19 në RTSH?

 

Muaji i parë i dimrit, dhjetori, erdhi shpejt. Timo Flloko, një nga pedagogët dhe artistët e talentuar të filmit shqiptar, në atë kohë, një ditë, teksa mbaruam orën e mësimit, do të më veçonte nga shokët e mi studentë, për të më propozuar që të drejtoja festivalin e nëntëmbëdhjetë të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, që organizohej çdo muaj dhjetor. Bashkëshortja e Timo Fllokos ishte Vera Grabocka, e talentuara e regjisurës televizive. Edhe pse kisha kohë që isha bashkëpunëtor i jashtëm i Televizionit Shqiptar, nuk më ishte dhënë mundësia të takohesha me Verën. Deri atëherë, pavarësisht angazhimit tim në radio apo në televizion, me të ishim parë vetëm prej së largu. U takuam para godinës së televizionit në ditën dhe orën e caktuar. Së bashku me Vera Grabockën qe edhe një vajzë, e cila ishte përzgjedhur prej saj, për të qenë kolegia ime e festivalit. Quhej Silvana Braçe.

Prej asaj dite, për njëzet ditë e netë të tjera përveç mësimeve ditore, shkuarjes në Radio dhe daljes në ekran për emisionin e lajmeve, m’u shtua edhe puna për festivalin. Që në çastin e parë, vendosa të bëja të pamundurën për t’i përballuar të gjitha. Më ishin dhënë shanset dhe si çdokush që vihet përballë sprovave të tilla, sa të vështira, por edhe aq të bukura e me perspektivë, dëshiroja që t’i kapërceja me sukses. U konsultova me drejtuesit e Radios dhe njëkohësisht edhe me të Televizionit që të angazhohesha atë muaj disi më pak, sipas mundësive që ishin. Nisa të shkoja në arkivin e Televizionit për të parë ish-spikerët e festivaleve të kaluara, si e si, për të krijuar një ide më të plotë rreth prezantimit të tyre. I kisha ndjekur festivalet në vite si gjithë të tjerët pasi ishte aktiviteti më i rëndësishëm muzikor i vitit, por se kisha menduar se një ditë do të isha edhe unë pjesë e një të tilli. Pavarësisht daljeve të mia në ekran, festivali ishte jo vetëm një sfidë, por edhe një shkollë profesionale më vete. Gjithnjë e kujtoj me admirim punën e madhe që bëri me mua dhe Silvanën regjisorja Vera Grabocka, por edhe Timo Flloko, pedagogu im, i cili na ndenji pranë, sidomos për lëvizjet skenike, ecjen, qëndrimin para mikrofonit, por edhe se si do të prisnim këngëtarët në skenë.

Fytyrë qeshur, me ecje të bukur dhe me vështrim të plotë tek spektatori në sallë – ishin fjalët e para që na adresoi Vera Grabocka. – Është festa e këngës dhe në festë njerëzit janë të qeshur e të dashur me njëri-tjetrin. E folura të jetë e ngrohtë, magjike dhe kjo do të mund të krijojë një komportim të shkëlqyer me spektatorin, teleshikuesit dhe këngëtarët që ftoni në skenë. Që të arrihet kjo nuk ka vështrim në tekst. Çdo gjë duhet mësuar përmendësh dhe e thënë në mënyrën më të mirë të mundshme para kamerës dhe spektatorëve në sallë. I fiksova mirë në kujtesën time këto fjalë të regjisores dhe nga ai çast them se i qëndrova besnik kërkesave.

Qysh në fillim, më bëri shumë përshtypje kolegia ime Silvana me të mësuarit e tekstit. Kishte aftësi që me një të lexuar të përvetësonte gjithë fjalët e shkruara dhe të ishte në gjëndje t’i komunikonte bukur. Zhuliana Jorganxhi, kjo femër e lartë, poete dhe redaktore e veçantë e teksteve te këngëve, pranë redaksisë së muzikës në Radio Tirana, na solli skenarin e prezantimit të natës së parë të festivalit, të ndarë, secilit nga një kopje. Provat kalonin shumë mirë dhe me Silvanën arritëm të komportoheshim natyrshëm. Por problem do të ishte veshja si e imja ashtu edhe e saj. Unë nuk kisha një kostum timin. As ajo nuk kishte personale asgjë për natyrën e veshjes që kërkonte festivali. U lodhëm shumë, sa në një garderobë në tjetrën dhe më në fund unë gjeta dy kostume që më rrinin bukur në trup. Provat e lidhura kalonin shumë mirë. Bujë e madhe siç bëhej rëndom kur vinte fund viti. Festivali ishte i vetmi argëtim kombëtar i muzikës së lehtë në Shqipëri që organizonte Radio Televizioni Shqiptar, ndaj edhe pritej nga të gjithë si festa më e bukur e këngës së lehtë shqiptare.

Shpesh herë, aty në skenën e festivalit që zhvillohej në Teatrin e Operës dhe Baletit, gjatë provave më kujtohej koha e shkollës tetë vjeçare apo edhe e gjimnazit, kur prezantoja koncertet që organizoheshin në Vlorën time të dashur. Këto kujtime më shtonin forcën brenda vetes dhe më motivonin që t’i kaloja prezantimet profesionalisht mjaft bukur, siç shpreheshin hapur regjisorja Vera Grabocka, e po ashtu edhe pedagogu im Timo Flloko. U njoha nga afër me shumë këngëtarë dhe këngëtare që deri dje i dëgjoja në radio, por me raste i shikoja edhe në ekranin e televizorit. U njoha me këngëtarë të mëdhenj të skenës shqiptare si me Vaçe Zelën, Gaqo Çakon, Ema Qazimin, Luan Zhegun, Tonin Tërshanën, Lindita Sotën (Theodhori), Kozma Dushin, Myfarete Lazen, Bashkim Alibalin, Liliana Kondakçiun, Petrit Lulon, Afërdita Laçin (Zonja), Parashqevi Simakun, Irma Libihovën, e plot të tjerë. Njoha kompozitorë të shkëlqyer si Pjetër Gacin, Çesk Zadejën, Agim Prodanin, Tish Dainë, Avni Mulën, Tonin Rrotën, Limoz Disdarin, Agim Krajkën, Aleksandër Lalon, Vladimir Kotanin, e Flamur Shehun. Në njohjet e mia krahas të sipërpërmendurve ishin edhe poetët e njohur të këngës si Arben Duka, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Betim Muço, apo Gjokë Becin. Së bashku kaluam shumë çaste emocionale  gjatë provave, por edhe në netët e Festivalit. Më kujtohet si tani kur u bënë vërejtje për këngën që këndoi Eduart Jubani gjatë provës gjenerale për natën e parë. Ndoshta kënga që ai kishte për t’u paraqitur nuk ishin për karakteristikat e vokalit të tij. Atë këngë e hoqën nga konkurimi dhe si rrjedhojë edhe këngëtari nuk do të ishte pjesë e festivalit. Ai vinte nga qyteti i Shkodrës dhe dhimbja qe e madhe. Unë pashë se ai u vra moralisht, por ndoshta qe ai festival, si shkak, që më pas Eduard Jubani  u bë një këngëtar virtuoz, jo vetëm i këngës qytetare shkodrane.

Në këtë atmosferë erdhi dhe ora e natës së parë. Nuk do të harroj kurrë fjalët e hapjes, të cilat qëndrojnë gjithnjë të forta brenda meje:

-Të dashur spektatorë, shikues të nderuar dhe dëgjues të radios, kudo që ndodheni, mirëmbrëma! Po çelim natën e parë të Festivalit të Nëntëmbëdhjetë të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar!

Këto fjalë u bënë edhe deviza e të tre netëve të festivalit.

Një përvojë e madhe dhe eksperiencë e re, jashtëzakonisht e bukur. E bukur, sepse ndodhesha në mes të korifejve të muzikës shqiptare. Më lumturonin pa fund, urimet e përzemërta që merrja nga të gjitha anët; nga udhëheqës të lartë të Komitetit Qëndror të Partisë, nga drejtuesit e Radio Televizionit, prej këngëtarëve, spektatorëve, miqve e të panjohurve nga gjithë vendi. Mora urime edhe nga kursi im i aktrimit, e në veçanti nga dy shokët e mi të pandarë Spiro Duni dhe Zef Mosi. Telefonata të shumta vinin në redaksinë e muzikës në Radio Tirana, ku kisha bërë një mik të mirë, kompozitorin e talentuar Gazmend Mullain. Krahas përgëzimit për këngët, këngëtarët, kompozitorët, dirigjentët e jashtëzakonshëm Ferdinand Deda dhe Eno Koçon, urimet shkonin edhe për ne prezantuesit, mua dhe Silvana Braçen. Por urimin më të bukur e mora nga im atë, Koçua:

– Na mbushe djalooo! Na mbushe me gëzim! – më tha kur u lidha me telefon, pasi mbaroi festivali.

Gjatë muajve që kisha nisur të hyja në botën e regjisurës,e ndieja çdo orë dhe ditë të rëndësishme, aq sa befas një hop vetja m’u duk si ata eksploratorët, që vazhdimisht rendin drejt universit, në kërkim të kufijve, mistereve dhe pafundësisë së tij. Regjisura ishte e tillë: një univers që nuk shteron. Lexoja literaturë artistike dhe isha bërë një student i rregullt i bibliotekës të Institutit të Lartë të Arteve. Lexova shumë nga Shekspiri e Molieri dhe po ashtu faqe të shumta nga autorë shqiptarë dhe të huaj, poezi, tregime, reportazhe e skica. Të gjitha këto lexime ishin jo vetëm për t’u mbarsur me kulturë më të gjërë, por në rradhë të parë për të zgjedhur se kë poezi apo tregim do të përcaktoja për interpretim, për t’u paraqitur në provimin e “Fjalës artistike”. Planifikoja kohën ditore, aq sa pothuaj se nuk më mbetej hapësirë për të pushuar. Para dite merrja leksionet e lëndëve profesionale, por edhe të lëndëve të tjera që plotësonin formimin tonë si të detyrueshme. Në më të shumtën e ditëve të javës bënim mësim edhe pasdite. Në mbrëmje përgatitesha për të dalë në ekran, shpesh me dy edicione lajmesh, në edicionin kryesor që transmetohet edhe sot në orën 20.00 dhe në edicionin e fundit, atë të orës 22.00.

Në ditë të veçanta, për shkak të formimit profesional isha i detyruar të shkoja edhe në ndonjë premierë në Teatrin Popullor, në Estradën e Shtetit apo edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kur vinte ora për të fjetur, bija në shtrat i këputur nga lodhja dhe çohesha të nesërmen me rrëmbim për të filluar një tjetër ditë, i angazhuar nëpër çdo orë të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok