21/11/2024

FLAMURI I DINASTISË KASTRIOTI

0

Nga Lutfi ALIA

Në shekujt e mesjetës, Albania përjetonte qytetërimin perëndimor në tërë rrafshet e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore; respironte kulturë europiane, ishte pjesë integrale e Europës. Aleks Buda vërente: “GjatëMesjetës, Albania ishte e zhvilluar në nivele me vendet më të përparuara të Europës”.[1] Eqerem Çabej theksonte: ”Dalmacia e Albania e më pas ishujt Jonikë, janë vendet që u hapën direkt e më shumë ndaj influencës kulturore të Perëndimit”. [2]

Në lidhjen e Albanisë me Perëndimin, ushtroi ndikim edhe Kisha katolike. M. Šufflai do të vinte në dukje: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari e më pas e tërë Albania, u shndërruan në baza operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kunder sllavizimit”.[3] L. Thallòczy theksonte: “Françeskanët ishin e vetmja rezervë e Perëndimit që ndejtën në Shqipëri dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht”. [3]

Kultura europiane ishte e mishëruar dhe në heraldikën arberor, e cila ishte sa origjinale, aq dhe pasqyrim i heraldikës europiane, e shprehur me stemat, me flamujt, me medaljonet dhe me kodikët e fisnikëve.

Stemat e para heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, u shfaqën në shekullin XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit. Në vijim, u përdorën në shekullin XIII nga familjet patronomike arbërore të Mbretërisë së Albanisë të Karlit I Anzhu dhe në mënyrë të veçantë u masivizuan në shekujt XIV – XVII, me familjet dinastike Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Shpata, Skura, Zaharia, Golemi, Spani, Martaseos, Gropa, Jonima, Blinishti, Manesi, Gazuli, Matranga, Engjëlli, Toka, Frangu, Zenebishti etj.

Flamuri i dinastisë Kastrioti në hartat portolane të shekullit XV.

Si rezulton në kronikat dhe dokumentat e shekullit XV edhe Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zot i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1444, Dominus Albaniae – Zot i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e kohës, kishte stemën e vet heraldike (mburoja me shqiponjën dykrenore me yllin e Davidit); flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që shpalosej mbi bedenat e kështjellave dhe në betejat; kishte medaljonet dhe kodikët e dedikuar. Sipas Biemit, anonimi i Tivarit shkruante: “L’insegna di Skanderbegh era un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso” (Flamuri i Skënderbeut ishte me shqiponjë të zezë me dy krerë në një shesh të kuq). [6]

Marin Barleci, ne vepren “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis…, Impressum Rome per B.V, s.d. Maggio 1522, (fleta XV) thekson se Skënderbeu e kishte flamurin e kuq me shqiponjën të zezë dykrerëshe: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. Po kështu shkruan dhe J. Lavardin, në veprën e tij dedikuar Skenderbeut. [4, 5]

Simbolet heraldike nuk ishin të pandryshueshme, përkundrazi në varësi të rrethanave dhe rolit politik në shoqërinë e kohës, fisnikët i modifikonin. Kësisoj rezulton se krahas stemës së herëshme me shqiponjën dykrenore dhe yllin e Davidit, dinastia e Kastriotëve përdori edhe tre stema të tjera heraldike. [4, 5]

Moikom Zeqo, duke iu referuar shkrimit të Shyqyri Nimanit, i cili botoi hartën Portolane të Mesdheut të vitit 1456, me autor Petrus Roselli, tregon se Kastriotët kishin flamur të verdhë, me shqiponjën dykrenore të kuqe, pa yllin e Davidit. Për këtë flamur, Moikom Zeqo botoi komente dhe analiza historike. [6]

Në letërkembimin me Prof Shyqri Nimani, me tregoi: “Në vitin 1980, gjatë një vizite në SHBA, vizitova ekspozitën Art & Cartography në Çikago, të organizuar nga The Art Institute of Chicago dhe biblioteka The Newberry Library, në të cilën ishin ekspozuar harta unikale nga mbarë bota. Aty ishte dhe nje hartë, që më terhoqi vëmendjen: Harta portolane e Mesdheut, e vitit 1456, e pikturuar me ngjyra në pergamen, e katolo-guar në bibliotekën The Newberry Library në Çikago. Harta ishte pronë e koleksionit te Edward E. Ayerit, (Manuscriptus Map. Nr. 3) dhe mbante shënimin: Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate Maiori-carum anno domini MCCCCLVI (Petrus Roselli e vizatoi hartën nëqytetin Majorka në vitin 1456). [7]

Kjo hartë portolane, tipike e pikturuara me dorë në pergamenë, u shërbente navigatorëve në shekujt XIV – XVI. Harta prezanton Detin Mesdhe, Detin e Zi, bregdetin europian nga Danimarka, në ujëdhesat Britanike e Skoceze, bregun Veriperëndimor të Afrikës, ujëdhesat Kanare, Medeirën dhe ujëdhesat Azure në Oqeanin Atlantik. Me rëndësi në këtë hartë është fakti se ndër 41 flamujtë me ngjyra, gjendet dhe flamuri i Kastriotëve, me shtizë të ngulitur në Krujë (Croya), për të treguar se ky flamur i përket zotërimieve të Kastriotëve. Flamuri ka sfond të verdhë (i artë) me shqiponjën dykrerëshe të kuqe të vendosur në qendër. Kuadrati i flamurit te verdhë, ka thekë anësore dhe dy vijëzime horizontale të holla ngjyrë të zezë, njëra mbi e tjetra nën shqiponjën. Pra flamuri ka tri ngjyra – të verdhën (e artë), të kuqen dhe të zezën; ka vetëm një figurë (simbol) – shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe. [7]

Harta Portolane e Mesdheut me autor Petrus Roselli e vitit 1456. Newberry Library – Chicago

Fragment i hartës të Petrus Roselli, me flamurin me sfond të verdhë dhe shqiponjën e kuqe.

Afresk me shqiponjën dykrenore, me ngjyrë të kuqe, në kishën e Shën Antonit në Rodon.

Në hartën e Roselli të vitit 1456, shqiponja e kuqe dykrerëshe në flamurin me sfond të verdhë, ka ngjashmëri me shqiponjën e afreskut në Kishën e Shën Antoni në Kepin e Rodonit, çka na nxit të hamendesojmë, se është vepër e atyre viteve, pasi dihet se kjo kishë e lashtë ishte rindërtuar nga Gjergj Kastrioti.

Shqiponja në absiden e kishës së Shën Antonit nuk është bërë rastësisht e kuqe, sepse askush nuk do mundte ta ndryshonte ngjyrën e shqiponjës nga ç’ishte ngjyra e vërtetë, sepse kishte të bënte me autoritetin shtetëror

të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. [6]

Shyqyri Nimani thekson, se në këtë rast kemi të bëjmë me pamje të flamurit i dhënë nga një kartograf i huaj

e ky fakt hap nje diskutim kush ishte flamuri origjinal i prodhuar nga shteti shqiptar i Kastriotëve. [7]

Ekzistenca e dy flamujve sugjeron, se ai me sfond të kuq dhe shqiponjën dykrenore me ngjyrë të zezë, si e dëshmojnëAnonimi i Tivarit, Barleci, Lavardin etj, ndoshta ishte i Lidhjes Arbërore të Lezhës dhe i ushtrisë arbërore, me kryekomandant strategun Gjergj Kastrioti, ndërsa flamuri me sfond të verdhë, me shqiponjën dykrerëshe me ngjyrë tëkuqe, i vizatuar në disa harta të Petrus Roselli, ishte i dinastisë Kastrioti.

Paraprakisht theksoj se flamuri i Kastriotëve me sfondin e verdhë dhe shqiponjën të kuqe është vizatuar nga Petrus Roselli në hartën e parë të vitit 1449 dhe e përseritur me qartë ne hartat e viteve 1456, 1462, 1464, 1465 dhe 1466. Këto 6 harta portolane të Petrus Roselli, ruhen në arkiva dhe biblioteka të botës, ashtu si ruhen kopje të këtyre hartave, tërealizuar nga kartografë të tjerë të mëvonshëm.

Petrus Roselli ishte me origjine italiane, i emigruar në Majorka – Spanjë, ku zhvilloi aktivitetin si kartograf. Në hartën e vitit 1449, ndërmjet 36 flamujve, Roselli ka vizatuar flamurin e Kastriotëve, të shpalosur djathtas, me sfond të verdhë nëtë hirtë, me shqiponjën dykrerëshe të kuqe, me shtizën të vendosur në Krujë (Croya).

Harta Portolane e Mesdheut, me autor Petrus Rosselli e vitit 1449.

Në hartën portolane të vitit 1456 dhe sidomos në hartën e vitit 1465, Roselli e vizaton më qartë flamurin e Kastrioteve, i shpalosur majtas, me sfond të verdhë dhe në qendër shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe.

Harta e Petrus Roselli e vitit 1465. British Library

Në vitet 1456 – 1468, Roselli realizon harta më cilësore, me topografi më të saktë, madje shumë prej tyre jane kopjuar nga kartografë të tjerë dhe janë perdorur në lundrim nga marinarët edhe në shkullin XVI. Krahas këtyre vlerave, 6 hartat e Roselli janë me rëndësi për historinë e vendit tonë, pasi të gjitha kanë të vizatuar flamurin e Kastriotëve, i prezantuar me të njejtat karakteristika, sfond i verdhë, shqiponja dykrerëshe e kuqe.

Në vitin 1466, Petrus Roselli realizon një hartë më cilësore, ku ka pikturuar 5 autoportrete, ka firmën e tij.

Këtë hartë e ka realizaur me dekoracione të shumta kryeqendra mbreterishë e shtetesh, të shoqeruara me viza-

time kafshësh dhe zbukurime floreale. Në hartën e vitit 1466, Petrus Roselli përsëri e vizaton flamurin e dinas-

tisë Kastrioti me sfond të verdhë dhe shqiponjën dykrereshe me ngjyrë të kuqe.

Harta portolane e vitit 1466, me autoportretet dhe firmën e Petrus Roselli.

(University of Minnesota, Twin Cities. James Ford Bell Library)

Fragment i hartës të P. Roselli e vitit 1466, me flamurin e Kastriotëve me sfond të verdhë

dhe shqiponjën dykrenëshe të kuqe.

Hartat portolane me flamurin e Kastriotëve, nga kartografë të tjerë në shekujt XIV – XV.

Në koleksionin e kartografisë në Bibliotekën Nacionale të Francës në Paris, ruhet një hartë portolane në pergamenë e vitit 1339, me autor Angelino Dulcert, me origjinë gjenoveze, i cili ka punuar në Palma Majorka.

Mapa Mundi e Angelino Dulcert 1339 (me përmasa 75 x 102 cm)

Bibliothèque Nationale de FranceParis)

(Në kuadrat, pjesë e hartës e zmadhuar, me flamurin me sfond të verdhe dhe shqiponjën dykreneshe te kuqe)

Kartografit Angelino Dulcert, i dedikohen dy harta portolane, njera e vitit 1325 (ruhet në Koleksionin Korsini – Firence), e konsideruar ekzemplari i parë i “Shkollës Majorka” dhe autor i hartës e vitit 1339. [13, 14]

Në hartën e vitit 1325, në territorin e Arbërisë nuk rezulton ndonjë flamur, ndërsa në hartën portolane në pergamenë tëvitit 1339, kartografi Angelino Dulcert ka vizatuar flamurin me sfond të verdhë, me në qendër shqiponjën dykrerëshengjyrë të kuqe, me shtizën të ngulitur në Krujë (Croya).

Flamuri me sfond të verdhë dhe shqiponjën e kuqe në hartën e Dulcert, shtron pyetjen: Mos vallë Petrus Roselli kartograf i shkollës Majorka, e ka kopjuar nga Angelino Dulcert ??

Në muzeumin “Maritimo” ne Barcelona, ruhet një hartë portolane manuskrit në pergamenë, e vitit 1439 me autor kartografin Gabriel di Vallseca dhe ai i “Shkollës Majorka”. Në hartë, është i vizatuar flamuri i shpalosur djathtas, me sfond të verdhë, me shqiponjën dykrenore me ngjyrë te kuqe, me shtizën të ngulur në Krujë.

Harta e Gabriel de Vallseca nga Majorka. Museo Marítimo, Barcelona.1439

Gabriell de Valsequa la feta en Malorcha, any MCCCC.XXX.VIIII.

Në vitin 1447, Gabriel de Valeska e riprodhoi duke e pasuruar me elemente maritime dhe përsëri e vizatoi flamurin e Kastriotëve, me sfond të verdhë dhe shqiponjë të kuqe. Një kopje e kësaj harte është në Bibliotekën Nacionale Franceze në Paris. Një hartë të vitit 1447, e vizatuar nga Gabriel de Valseka, ishte në pronësi të nje marinari nga Piza dhe në vitin 1480 e kishte blerë Amerigo Vespuçi, duke paguar 130 dukate. [7, 15]

Fragment i hartës portolane e vitit 1440 e Gabriell de Vallseca (Biblioteka Qendrore Firence).

Në kudratin majtas, është një fragment i hartës me flamurin e Kastriotëve, i shpalosur djathtas, me sfondin ngjyrë të verdhë dhe në qendër simbolin e shqiponjës dykrerëshe me ngjyrë të kuqe.

Një hartë e G. de Valseka, ne vitin 1785 u ble nga kardinali i Firences Antonio Despuig Dameto e më pas kaloi në zoterim të Kontit Montenegro. Në vitin 1838, kjo hartë u dëmtua rëndë nga një pakujdesi e Kontit Montenegro, kur po ua tregonte Frederik Shopin dhe George Sand, gjatë vizitës në rezidencën e tij. Ndonëse u dëmtua, ujdhesat e Adriatikut “shpëtuan” e në këtë hartë, në trojet arbërore është flamuri me sfond të verdhe dhe shqiponjën dykrerëshe me ngjyrë të kuqe.

Nga kjo panoramë e 10 hartave portolane manuskrite në pergamenë në shekujt XIV – XV, të kartografëve:

Petrus Roselli, me hartat e viteve 1449, 1456, 1462, 1464, 1465, 1466.

Angelino Dulcert, me hartën e vitit 1339

Gabriel de Vallseca, me hartat e viteve 1439, 1440, 1447

së bashku përfaqësojnë dhe shprehin njohjen ndërkombëtare të flamurit të dinastisë Kastrioti.

E paprtura e bukur dhe entusiazmante në këto 10 harta, është se në torjet e Arbërisë mesjetare, është vizatuar dhe flamuri i dinastisë Kastrioti, me shtizën e ngulur në Krujë.

E ritheksoj, flamuri i dinastisë Kastrioti, me sfondin ngjyre te verdhë, me thekë anësore dhe dy vijëzime horizontale të holla ngjyrë të zezë, njëra mbi dhe tjetra nën shqiponjën ngjyrë të kuqe, ngjanë me shqiponjën e kuqe të kishës së Shen Antonit në Kepin e Rodonit. Pra flamuri i Kastriotëve ka tri ngjyra – të verdhën (e artë), të kuqen dhe të zezën; ka vetëm një figurë (simbol) – shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe, e prezantuar qartësisht në dhjetë hartat portolane të realizuara nga të tre kartografët e shkollës së Majorka.

Flamuri i dinastisë patronomike Kastrioti, ashtu si flamujt e mbretërive dhe republikave mejetare europiane, i prezantuar në këto dokumenta kartografike, ka vlera juridike dhe historike ndërkombëtare.

Moikom Zeqo, studiuesi kompetent dhe i apasionuar i historisë tonë kombëtare dhe i Kastriotëve, shtron pyetjen: “Pse në kohën kur ishte në jetë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe?”

Ne vazhdim Moikomi, si çdo studiues serioz, shpreh një pikëpyetje shqetësuese, që kërkon një përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar. Aq më tepër që substanca e kësaj pyetjeje bëhet më e fortë, kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Skënderbeut, është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe.

Kjo shqiponjë nuk është bërë rastësisht e kuqe, por është bërë si ishte në flamurin e verdhë të Kastriotëve.

Moikom Zeqo me shumë të drejtë thekson: “Flamuri i Kastriotëve është me sfond të verdhë e me shqiponjë dy krerëshe me ngjyrë të kuqe. Duke thënë këtë, nuk behet blasfemi, por një saktësim historik”.

Ky konkluzion bazohet në dy aspekte shkencore:

1. Faktet historikisht autentike, që në të gjallë të Skënderbeut, ekzistonin 10 harta portolane me flamurin me sfond tëverdhe, me shqiponjën dykrereshe me ngjyre t e kuqe, ashtu si është fakt i pakontestushëm dhe afresku me shqiponjën dykrerëshe me ngjyrë të kuqe në Kishën e Shën Antonit në kepin e Rodonit.

2. Dokumenti shkrimor i përpiluar nga Barleci, pasi kish vdekur Skënderbeu dhe i përsëritur nga historianë të tjerë tëmë vonshem, nuk ishte kategorik e për me tepër flitet për flamurin me sfond të kuq e me shqiponjën e zezë, që iu printe arberorëve nëpër beteja, pra kuptohet se ky ishte flamuri i ushtrisë të Lidhjes së Arbërit.

Moikom Zeqo thote: “Dëshmia e Barlecit nuk është e një dëshmitari okular, por dëshmi e metamorfizuar, gati një shekull e gjysëm më vonë, andaj Barleci duhet shikuar me rezervë, jo me absolutizem”.

Studiuesit nuk mund të marrin dëshmi të vona dhe të transformuara, por të bazohen në dokumentat e kohës që i referohemi, andaj është i besushem flamuri me sfond të verdhe dhe me shqiponjë dykrerëshe me ngjyrë të kuqe, sepse dokumentohet në 10 harta portolane, të kartografeve të Shkollës së Marines në Majorka të Spanjës.

Literatura.

01. Gero M, Kotrri P, Bibliografi e shkrimeve kushtuar Eqerem Çabejt (1934/1999). Botim Camaj – Pipa, Shkoder 2000.

02. Haxhimihali Dh., Në nderim të Akademikut Aleks Buda – Me rastin  e 100 vjetorit të lindjes.

Gazeta “Mësuesi”, Botim MASH nr. 8, tetor 2010

03. Šufflay M, Jireček, Thallòczy L., Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis. Vol. I. Vindobonae 1913,

04. Marinus Barletius. Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis…, Impressum Rome per

Bernardino de Vitali, s.d. (Maggio 1522), [4], CLIX c., ill., port. ; 32 cm. (fol.)

05. Lavardin Jacques, Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg,

Roy d’Albanies. A Franche-Ville, pour Iean Arnavld. 1604

06. Moikom Zeqo. Harta e 1456, e vërteta për flamurin e Skënderbeut, Dita, 12 mars 2018

07. Shyqyri Nimani Harta portolane e Mesdheut. Gazeta ZËRI-t, 8. II. 1992

08. Campbell, T., “Portolan Charts from the Late Thirteenth Century to 1500”, History of

Cartography, Volume I, Chicago 1987 pp. 371-463.

09. Heinrich Winter: Catalan Portolan Maps and their place in the total view of cartographic development”,

(Petrus Roselli1447 – 1468) Berlin. 1958. Vol.11, p. 1-12.

10. Morse, V., “The Role of Maps in Later Medieval Society: Twelfth to Fourteenth Century”,

History of Cartography, Volume IV, pp.25-52.

11. Sabrina Muzi,  Amerigo Vesspucci. Esploratore colto 2018.

12.Nicolai Roel.The Enigma of the Origin of Portolan Charts: A Geodetic Analysis of the Hypothesis of a

Medieval Origin. May 2016 ISBN: 9789004282971

13. Julio Rey Pastor e E. G. Camareiro. La Cartografia Mallorquina. Madrid 1960.

14. Magnaghi, A. (1909) “Sulle origini del portolano normale nel Medio Evo e della Cartografia dell’Europa

occidentale”, in Memorie geografiche, vol. 4, no.8, p.115-80.

15. Gerald Roe Crone, Origin of Early Marine Charts, in The Geographical Journal, vol. 128, nº 1, 1962, p. 114.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok