22/12/2024

“FLAMURI I ARBËRIT” I JERONIM DE RADËS – REVISTA ARBËRESHEE PARA NË GJUHËN SHQIPE

0
L-Albanese-D-Italia-De-Rada

Pa ndërhyrje nga, “kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi”

Nga Frank Shkreli

Para se të marrë fund muaji Korrik, 2023, desha të kujtoj, një përvjetor, shkurtimisht, por historikisht me rëndësi për kulturën dhe gjuhën shqipe në përgjithsësi, por sidomos për historinë e gazetarisë shqiptare në përgjithësi, për gazetarinë në gjuhën shqipe: 140-vjetorin e botimit të së përkohëshmes – revistës Arbëreshe, “Flamuri i Arbërit” — botuar nga i madhi Jeronim De Rada (1814-1903), me 20 Prill të vitit 1883 në Cosenza të Italisë.  Por, botimi i revistës së parë, të përkohëshmes mujore, “Flamuri i Arbërit”, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në Prill të vitit 1883, nuk ishte i vetmi hap me rëndësi — nga pikëpamja e historisë së gazetarisë shqiptare — i De Radës, ndonëse nja 30-vjetë më parë, në vitin 1848, ai kishte botuar edhe gazetën e parë shqiptare, “L’Albanese d’Italia”.

Revistën, “Flamuri i Arbërit”, të Jeronim De Radës, Prof. Dr. Hamit Boriçi e ka cilësuar atë si organin e parë të shtypi shqiptar që është marrë me Shqipërinë dhe me çështjet shqiptare, në kohën e lëvizjeve kombëtare në trojet shqiptare.  Ndonëse u paraqit dhe nisi të botohej si fletore shoqërore, kulturore, folklorike, letrare e gjuhësore, ajo sipas tij, shpejt i kapërceu këto caqe. Krahas problemeve tė gjuhës dhe të kulturës shqipe, revista “Flamuri i Arbërit”, trajtoi gjerësisht edhe çështje të politikës kombëtare, duke evokuar ngjarjet e Lidhjes sė Prizrenit. Vetë De Rada shkroi njė varg artikujsh, si atë me titull “Ç’i duhet Shqipërisë?”, botuar me vijim në disa numra. Në të parashtrohen njė varg idesh politike me karakter programor, si domosdoshmëria dhe legjimiteti i luftës për bashkimin administrativ të Shqipërisë në një vilajet të vetëm, ku të përfshihej “gegëria, toskëria dhe viset shqiptare në Maqedoni”.  De Rada ka shkuar edhe mė tej, duke propaganduar idenė e njė shteti shqiptar, organizuar mbi parime të drejta kombëtare e demokratike, sipas Profesorit Hamit Boriçi.

Ndërsa në një biografi të hollësishme të De Radës, përmbledhur nga Ernest Koliqi dhe botuar në një numër të veçantë të revistës “Shejzat” të vitit 1964, kushtuar 150-vjetorit të lindjes De Radës – shënohet se në vitin 1845, Jeronim de Rada ka takuar në Napoli Demetrio Kamardën, një “shqiptar i vërtetë me mend e me zemër”, me të cilin thuhet se takohej shpesh për të biseduar, “rreth ringjalljes shqisore e morale të kombit të përbashkët, ma i vorfnuemi ndër atdhena të njerëzvet”. Përveç veprave të shumta, përfshirë “Milosaon” dhe botime mbi historinë shqiptare, De Rada fillon në vitin 1848, botimin e “L’Albanese d’Italia”, që konsiderohet si fletorja e parë shqiptare dhe në vitin 1883, “Flamurtarin e Arbërit” që konsiderohet si revista e parë shqiptare. De Rada pjesë aktive në lëvizjet për ringjalljen e Italisë, por me dështimin e tyre, ai kthehet në vendlindjen e tij Maki, një fshat prej “600 frymësh, pa gjyqtar, pa kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi.”

Ashtu, “I lirë e pa frej” nga vendlinja e tij, Jeronim de Rada i kushtohet me gazetarinë e tij, zbatimit të porosisë së Gjergj Kastriotit -Skenderbe, amanet që Heroi i Kombit Shqiptar dhe Shpëtimtari i Evropës, u kishte lenë Arbëreshve dhe të gjithë shqiptarëve kudo dhe brez pas brezi – atëherë dhe sot – për të ruajtur gjuhën kulturën dhe traditat.

Prandaj, 140-vjetori i botimit të revistës mujore, “Flamuri iArbërit” nga Jeronim De Rada është një rast për të kujtuar jo vetëm Jeronim de Radën por edhe të gjithë Arbëreshët e Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet, në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare, ndërkohë që me gazetarinë e kohës, kanë përhapur idenë e lirisë dhe të demokracisë edhe për shqiptarët në Shqipëri dhe në trojet e tyre anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. De Rada e bëri këtë në mënyrën më efektive për kohën që jetoi ai, por edhe për sot – me fjalën e lirë të gazetarisë, ashtu siç është shprehur edhe ai, pa ndërhyrje nga, “… kryetar bashkie, pa xhandarë: aty linda i lirë e pa frej sundimi”, duke iu referuar vendlindjes së tij në Makje Macchia Albanese, lagje e Shën Mitrit, në provincën e Cosenzës, të Italisë.

Ky mesazh i Jeronim De Radës, para pothuaj një shekull e gjysëm, për ushtrimin e fjalës së lirë, “pa frej sundimi”, edhe nga gazetaria shqiptare sot, është një amanet për ne nga Jeronim De Rada, i cili sipas Ernest Koliqit, është një porosi edhe sot për ne Shqiptarët që morëm në dorëzim nga De Rada amanetin e lanun Arbëreshvet prej Skanderbegut, d.m.th. pasqyrimin e Shqipërisë së lirë”. Si rrjedhim, ka shkruar Koliqi, ne “duhet t’i jemi mirënjohës Poetit të Makjit, por edhe të nji gjuhe e gjaku, që nen qiella të huaja, atë amanet ruajtën me besniki të patrandëshme”. Ndërsa përfundon duke thënë se, “Nëpër poezi e apostullatë të Jeronim De Radës, Arbëreshët e Italisë, kryen at vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar, që i Nalti Perëndi u përcaktoi atyre, kur në një stinë duhije e tmeri, lanë brigjet e Atdheut dhe mërguan në një vis të huaj, me ikona fetare e me hire shqiptare.”

Për fat të keq, ashtu si në kohën pas vdekjes së Skenderbeut, një shumicë e shqiptarëve sot gjithnjë kanë në mend largimin nga Atdheu, mërgimin për në dhena të huaja duke synuar brigje dhe vende të huaja. Fatkeqësisht, siç ka shkruar edhe Eqrem Vlora, “Çdo popull duhet të paguajë tagrin e caktuar nga natyra e vet për të kaluar sëmundjet foshnjore që ia turbullojnë fillimin e një jete të re. Edhe ne po e paguajmë këtë tagrin: Herë në mundime të brendshme, herë me vështirsinat që na shkakton moskuptimi i jashtëm. Nuk kemi kujt t’i ankohemi. Për marritë që kemi bërë, po bëjmë edhe do të bëjmë vetë. Lutemi që Zoti na dhëntë durim edhe koha harrim… Mos kuptimet e të huajve na kanë ndaluar ose vonuar zhvillimin e plotë të idealeve kombëtare.   Dikush na ka kujdesur, dikush na ka pasur besim e dikush nuk na ka druajtur. Me dashje ose pa dashje, të gjithë na kanë dëmtuar! Duhet të flasim haptazi, se kështu sigurisht nuk e kanë ëndërruar De Rada edhe shokët e tij, zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare!”, ka shkruar Eqrem Vlora me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Arbëreshit të njohur.

Ëndërra e Jeronim De Radës, të cilën ai e ka shprehur si gazetar, si shkrimtar, poet dhe avokat, ka qenë ideja e themelimit të një shteti shqiptar, bazuar në parime njerëzore dhe në të drejtat kombëtare të lirisë dhe demokracisë, “I lirë e pa frej sundimi”, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, si popull e si individë. 140-vjet pas themelimit të revistës së parë mujore shqiptare, “Flamuri i Arbërit” nga De Rada, Kombi shqiptar, për fat të keq, duket sikur e ka humbur rrugën në oborr, sa i përket idesë së krijimit të një shteti të lirë e demokratik, ashtu siç e endërronte Jeronim De Rada.

Besoj se përmendorja më e mirë e shqiptarëve për Jeronim De Radën sot do të ishte themelimi i një shteti vërtetë i lirë e demokratik, me standardet e botës së sotëme. Për ndryshe, nuk besoj se shqiptarët mund t’ia shlyejnë borxhet që kanë ndaj tij, ndërsa kam drojë se as ai nuk do ua fali shqiptarëve –popullit me vendbanimin më të lashtë në kontinentin evropian — mos pasjen e një Shqipërie të qytetëruar, të lirë e demokratike, krah për krah, me popujt e tjerë të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok