16/11/2024

Fjala e plotë e Visar Zhitit në përurimin e librit të Don Lush Gjergjit

0

“I HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART”

Conversation with Mather Teresa

Fjala e plotë e Visar Zhitit

– Në përurimin e librit të Don Lush Gjergjit, përkthyer në anglisht, në takimin në Detroit, SHBA, 24 prill 2022 –

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër”.

Një fjali e thjeshtë, thënë thjeshtë, që, besojmë se e ka çdo shqiptar si ’credo’ brenda vetes, por dhe populli na mëson se fjala peshon aq sa ai që thotë…Kur kjo thënie na vjen nga një grua, madje nga gruaja më e njohur e planet, jo vetëm kaq, por që është dhe shenjte, çdo fjalë aty shkëlqen si e gdhendur në mermer, shndërrohet në porosi, në detyrë, në mision.

Prandaj dhe këtë thënie, me fuqinë e proverbit dhe të urdhëresës, Don Lush Gjergji e bëri titull libri,që jo shumë kohë më parë doli në Prishtinë dhe para disa ditësh u botua dhe në aglisht dhe ne këtu kemi dhe librin dhe autorin tani, mes nesh.

Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë, etj, letërsi artisitike, poezi e romane, deri edhe drama e filma, etj, dalin kudo, qe Vatikani, ku është Selia e Shenjtë  e në Itali, në Ballkan, në Francë dhe Angli, në Gjermani  etj, në të gjithë Europën dhe përtej oqeanit në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, në  Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të Krishtit në ndihmë të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj dhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, Nobelin për Paqe, por ende më lart, atë të Selisë së Shenjte, e shpallur shenjtore në shekullin XXI, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.   .

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjten tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe kudo, në Shqipëri e në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, të atin nga Prizreni e nënën nga Gjakova, kur tani Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes tonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë…

Ky libër u përurua së pari në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës, që mban emrin “Nënë Tereza”, unë fola dhe atje, dhe po përurojmë botimin anglisht këtu në Miçigan, pas ditës së Shën Gjergjit që është dita botërore e Librit, sepse atij si çlirimtar një vajzë spanjolle i dhuroi një libër, ndërkohë në 23 prill kanë lindur dhe Shekspiri, Servantesi… jemi në kishën e “Pajtores së Shqiptarëve”, Zojës së Shkodrës, të Këshillit të Mirë, që Nënë Tereza e adhuronte dhe e kishte frymëzuesen dhe mbrojtësen e saj. 555 vjet më parë ajo kishte ikur nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtmit otoman, shkoi në Genacano të Italisë, që t’i kujtonte Europës popullin martir shqiptar…

Kjo qendër kulturore këtu mban emrin “Nëne Tereza” dhe shenjtja jonë shpërndan vërtet vazhdimisht besim dhe kulturë  .

Institucioni i Bisedës:

“I HOLD THE ALBANIAN PEOPLE IN MY HEART” është dhe mesazhi kryesor i librit. Autori bën një qasje ende më të afërt duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë, tani dhe në gjuhën e punës së Nënë Terezës, anglisht.

Çështje nga më të larmishmet, flitet për familjen dhe varfërinë, dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tonë dhe Krishtin dhe shkojnë lart, nga toka në Qiell.

Pra, skena janë toka dhe qielli dhe personazhet: Shenjtja dhe meshtari.

Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptrët e hershëm dhe që duhet rikthyer me atë dinjitet në kuvende e parlamente.

Papa Françesku porosit që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do njohim më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku.

Dhe ky libër është një takim e bëhet shkak takimesh të tjera me ikonë Shenjten moderne të shekullit XX, ku mes gëlimeve të ndjesive sa tokësore, por me hirin e Hyut, përthuket dhe meraku ndaj atdheut dhe vendlindjes: me popullin shqiptar në zemër, duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, ku ke lindur dhe je, njëri tjetrin, të çdo race dhe besimi dhe së bashku përparoni…

Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Misionarja e përkushtuar na shfaqet njësoj kudo, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në metropole, në emër të të varfërve dhe vetëm për ta, në kriza sociale dhe në luftë, ku shkonte Nënë Tereza, ndërpriteshin luftrat. Nga plagët tek yjet, kam thënë.

Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që permbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo…Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime…

Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan ungjillor, – u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Sundimtarët e Shqipërisë nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike nuk duhet të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta në diktaturën komuniste sidomos të klerit katolik, burgosjet, internimet, deri edhe pushkatime, shëmbja e tempujve të fese, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipërinë e atëhershme si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Thënë shkurt: burg ose ferr.

Dhe duhet të kujtojmë që Nënë Tereza lutej për Shqipërinë, edhe pse nuk futej dot, dhe për Kosovën, ku do të shkonte shpesh, të paktën nja 5 herë na e dëshmon Don Lush Gjergji, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Më mbeten sytë te Fjala e shkruar e Nënë Terezës për motrat e saj në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit….Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

TË VAZHDOJMË TË SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonies së madhe të dhënies se çmimit Nobel, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te vlera njerëzore dhe barazia para Zotit, vetvetja është e mjaftë.

Dhe kur pritej fjala e saj, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje bashkarisht.

Mes gazetarëve të shumtë pohoi se: nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit. Ky kumt u përhapën në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi, mes telave me gjëmba dhe rojave me armë.

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? – pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në burgun e Spaçit.

Dëgjova para se të më arrestonin, në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.

Vërtet?

Po, e dëgjova vetë.

Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë. Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës. Në burg kishim dhe prifterinj. Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe një meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar që shkruante, mbante shënime, projektonte librat e ardhshëm. Ishte Don Lush Gjergji.

Dhe jemi së bashku këtu nën mrekullinë e Shenjtes tonë, të gjithë.

Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë: Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe?  Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka…  Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët” – Kështu foli Nënë Tereza. Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo aty se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj, babain ia helmuan kur u kthye nga Beogradi nga një mbledhje patriotike, ndërkaq ai ndjente dhe se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlevshme për më pas:  Kush jeni Ju?  Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze:  “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.  JAM SHQIPTARE! – tha Nënë Tereza Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit. Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të njëri-tjetrit.  Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por urtësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.  M. Teresa Bojaxhiu”

E noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët, historianët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonëshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundëshme, etj.   Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke dhënë kështu mundësinë për t’u botuar herë pas here me shumëçka të grumbulluar ndër vite për Nënën, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes tonë.

Dhe erdhi dita që Nënë Tereza të vinte dhe në Shqipëri. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe po binte perandoria komuniste. Vuri lule te varri i nënës dhe te I motrës pranë. Dhe erdhi prapë e prapë, kur Shqipëria u hap dhe vendosi sitemin demoktarik, e lidhur me botën euroatlantike. Vëllezërit e mi myslimanë, thoshte ajo dhe ashtu siç bekoi projektin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës bektashiane atje, një degë e shëndoshë e së cilës është dhe këtu në Detroit.

Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II ashtu si një bijë qe prêt mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër.

Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Shqiptarët, kur udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që shkon në Tiranë me avion, përseri në atë aeroport duket sikur i mirëprej ajo.

Lutjet e Nënë Terezës për paqe, por vëllazërim mes popujve dhe dashuri mes njerëzve, kanë frymë të përhershme kundë urrejtjes, sidomos sot, që buçet lufta në Ukraine e vriten të pafajshëm e fëmijët mbeten rrugëve mes bombardimeve. Dhe s’ka si të mos na kujtohet lufta në Kosovë.

Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe ishte është kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë, e te pandemitë, që i perhap djalli.

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbëria.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington.  Dhe lutja Zotit iu dëgjua. E lëvizi botën. Dhe ajo përsëriste shpesh: Mësomë të dua, o Zot!… Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe më duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, matanë oqeanit, në SHBA, deri këtu për të përhapur dritën e Saj qiellore.

Nënë Tereza kishte dhe qytetarinë amerikane ashtu si atë të Vatikanit bashkë me atë italiane e indiane, por kur mori dhe pasaportën shqiptare, diplomatike madje. Ishte vërtet e gëzuar.

Po ajo ishte vetë gezimi i botës, investiore e buzëqeshjeve e quanin, industrialist e dashurisë. Jam një copë lapsi në duart e Zotit, thoshte ajo për veten e saj.

E di e gjithë bota tani që ajo është shqiptare, por sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, pyes herë pas here, kjo ka rëndësi tani, them.

Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe krishtërimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Siç duket duhet të kuptojmë të gjithë se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri.  Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandantin dhe Shenjten. Jemi një popull që ka dhuruar shenjtër,

Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, ku kreu vizitën e parë apostolike në Europë, dhe në vende të tjera ka përsëritur shpesh që duhet të jemi krenarë për këtë grua dhe e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në sheshin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve, të Vatikanit, Italisë, të SHBA-ve, Indisë, nga e gjithe bota katolike, valëviteshin më së shumti flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe të Maqedonisë së Veriut, (të Jugut për ne, shqiptarët).  Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe.  Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Kishën tonë dhe është ky libër që po përurojmë? Apo ky libër është një pëllumb paqeje, i nisur për kudo me lajmin e mire?

Gjithsesi Vepra për Shenjten Nënë Tereza është si një Ungjill sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja!

Visar Zhiti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok