22/12/2024
Nard-Bushati

-në kujtimin e zotit Nard Bushati, me rastin e shuarjes së tij-

Nga Rudolf Marku

Mora vesh, nga një telefonatë e mikut tim poet, Aleksander Shallvarit, i cili jeton prej shumë vitesh në Itali, ikjen nga kjo botë të Nard Bushatit. Aleksandri fliste nga Italia. Më tha, me zë dridhës,  se është shuar Nard Bushati. Në fillim ky emër nuk po më kujtonte asgjë…Sikur ta ndjente harresen time, Aleksandri më thotë se ka qënë drejtor i Klubi të Rinisë e të Kultures në Gjuhadol, Shkodër…Atëherë flashback-et e kujteses më çuan përnjëherë në vitin 1990, në qytetin e Shkodres…

…Së bashku me padër Zef Pllumin dhe Aurel Plasarin (padër Zefi ishte veshur me rroba të zakonshme civile, sepse nuk i lejohej të vishte as veladon e as të quhej Françeskan ), u takuam në Lidhjen e Shkrimtarëve, lart në Terracë. Ishte fund Dhjetori. – A e dini se me 30 Dhjetor asht 50 vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës ? I thamë se e dinim.- Atëherë duhet ba diçka me e kujtue këtë përvjetor- tha padër Zefi, me sytë që i shkëlyen dhe më fort se zakonisht!

..Kështu ndodhi që u nisëm për Shkodër, me një makinë shkatarraqe, shoferi i së cilës u ofrua të na ndihmonte, Padër Zef Pllumi, Aurel Plasari, unë dhe dy të tjerë që menjëherë shprehen dëshirën të vinin dhe ata me ne- aktori i mirënjohur Ndrek Luca dhe përkthyesi Jorgo Bllaci.- U bëmë pesë, sa heronjt e Vigut- e ngacmoi padër Zefin Aureli….Por veç mos patshim fatin e tyne- ia kthej, i gatshëm,  padër Zefi.

…Më të mbërritë në Shkoder,  dolëm në rrugë  për të zgjidhur një vështërsi të cilën nuk e kishim menduar që më parë, të gjenim një sallë a një vënd të përshtatshëm ku të flisnim. U kujtova se drejtor i Pallatit të Kulturës ishte një këngëtar i njohur, B.A me të cilin kisha të njohur shoqërore, ngase ai kishte kënduar një këngë me tekstin tim (‘Portreti’- kompozimi i Aleksandër Lalës, pasi këngëtari  i parë i saj, Sherif Merdani, qe futur në burg). U takuam me A.B të cilit i thashë të na ndihmonte me sallën e Pallatit të Kulturës. I thashë se do të përkujtojmë 50 vjetorin e at Gjergj Fishtës. Bashkëbiseduesi im u skandalizu.- Shiko- më thotë-Ke luajtur menç? Të kujtosh një reaksionar si Fishta, dhe ku, në Pallatin e Puntorëve? -Jo në Pallatin e Puntorëve, por në Kishën e Françeskanve- ia ktheva. U skandalizua dhe më tepër dhe u largua pa më përshendetur.

U kujtova se ish- profesori im i Historisë në gjimnaz, I.B. ishte zgjedhur kryetar i Bashkimeve Profesionale për Shkodren. E kujtoja si një njëri të ditur dhe mendjehapur. Shkova në zyrën e tij. Më priti miqësisht, derisa i thashë dhe atij se kërkonim një sallë për përkujtimin e at Gjergj Fishtës. Përnjëherë u ngrit në këmbë, u zbeh në fytyrë, dhe më thotë- Nuk e kuptoj guximin tënd që të më bësh një kerkesë të tillë në zyrën time! Nuk paske ndryshuar hiç!

Puna e sallës po bëhej gati e pazgjidhshme, kur befas një miku im më thotë- Le t’I themi Nard Bushatit. Është Kryetar i Klubit të Rinisë, këtu në Gjuhadol. Është një sallë e mrekullueshme që mund të zërë mbi 400 vetë. Ish Kuvendi i Motrave Stigmatine.

Isha i bindur që dhe Nard Bushati do të refuzonte. Njerëzit ishin ende të trembur, dhe nuk iu vija faj që ishin të tillë. Sidoqoftë, le ta provojmë.

Dikush hyri në ndertesen e bukur dykatëshë për ta thirrur Nard Bushatin se e kërkojnë jashtë. Dhe pas dy minutash pashë një burrë shtalartë, me një fytyrë jashtëzakonisht miqësore dhe të mirë, që buzëqeshte. Ah, thash me vete, më së fundi.

Erdhi dhe më toku duart duke i shtërnguar fort. Ia thashë arsyen përse kisha kërkuar ta takoja. Dhe  ai përnjëherë, krejt ndryshe nga Këngëtari  Njohur dhe nga Profesori i Ditur, ai të cilin e takoja për herë të parë në jeten time, më tha- Gjëja më e lehtë në botë. Veç nuk e di a ka me të pëlqy salla!…

Ky ishte takimi im me Nard Bushatin. Hymë brënda dhe pashë sallën e madhe, me llozha anësore si një teater Vjenez! Nuk mund të përftyroje ambient më të përshtatshëm për të kremtuar 50 vjetorin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, për herë të parë që nga viti 1944.

Dhe kurrë nuk mund ta harrojë mirësinë e pabujshme, fisinikërinë e pa-artikuluar të atij njeriu që e takoja për herë të parë. Salla, vendet e uljes, vendi nga ku do flisnim, fonija, ndriqimi- gjithçka u përgadit nga ai. Gjë që e morëm vesh më vonë, sepse ai nuk  na tha asgjë.

Ai takim u bë i mundur nga Nard Bushati- nga ky njeri që asnjëherë nuk e përmendi këtë fakt. Asnjëherë të vetme. Aq sa jam i bindur se dhe njerëzit që do shkruajnë sot për të, këtë gjest fisnik, kurajoz, antikonformist, nuk do ia përmend askush…Dhe është një ngjarje që do mbahet mënd në Shkodër për një kohë të gjatë. Asnjë nga aktorët e mëvonshëm të politikes nuk kishte guxuar të vinte si spectator. Në rrjeshtin e parë mbaj mënd përkthyesin e madh, Gjon Shllakun. me zonjën e tij, Netën. Asnjë nga profesorët zyrtarë, asnjë krijues Shkodran. Në të kundërt, ca njerëz me integritet burrëor, Ded Kasneci, Zef Gjoni, Viktor Martini, Rrok Bardeli ishin mbledhur vetvetiu, pa u thënë kush, që të na mbronin nga ndonjë provokim i mundshëm. Dhe salla e mbushur përplot, dhe të paktën dhe 500 njerëz të tjerë që mbushnin oborrin e jashtëm dhe dëgjonin nga një altoparlant të montuar sipër një peme, ,  dhe që duartroksinin ngase për herë të parë, që prej vitit 1944, dëgjonin emrin e at Fishtes të përmendej si Poeti Kombëtar i tyre. Dhe jehona e këtij takimi ka vazhduar më vonë, që nga një shkrim sharës botuar në Zërin  e Popullit ( gjë që na bënte aq shumë nder!), së bashku me një video të këtij aktiviteti, i cili ka qarkulluar vite më rradhë sidomos në ambientet e shqiptarëve të Amerikës.

Dhe Nard Bushati, ikja e të cilit nga kjo botë u bë shkak për këtë shkrim, nuk erdh as pas mbarimit të përkujtimit.Dhe as në ditët e vitet e mëvonshme. Nuk donte të merrte falenderimet tona. Ishte aq i mirë dhe aq modest, sa preferoi të fshihej në një anonimat që e lartëson sot e kësaj dite figuren e tij prej njeriu të mrekullueshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok