FISHTA ISHTE DHE MBETI I PAARRITSHËM NË LETËRSINË SHQIPE
Në 81-vjetorin e amshimit të At Gjergj Fishtës
Nga Adil FETAHU
Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, në rrethin e Shkodrës. Emrin e lindjes e kishte Zef, ndërsa Gjergj është emri kishtar i tij.
Mësimet e para i kreu në Kolegjin Françeskan në Troshan, që mbaheshin në gjuhët latine, italiane e greke, ndërsa ato të mesme dhe studimet për teologji dhe filozofi i kreu në Bosnje, kur ajo ishte nën protektoratin e Austrohungarisë. Atje mësoi edhe gjuhën gjermane, franceze dhe serbo-kroate. Ndër të gjithë shokët e studimeve dallohej për talent të veçantë dhe arriti një kulturë të gjërë nga letërsia botërore. Gjatë asaj kohe shkroi poezi e satira politike, të cilat i botonte në revistën “Albania” të Faik Konicës, me psedonime të ndryshme.
Pas kthimit prej studimeve, krahas angazhimeve tjera, Fishta u emrue drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër (1903), të cilën deri atëherë e kishin drejtuar vetëm klerikë të huej. Në cilësinë e drejtuesit dhe të mësimdhënësit, Fishta e futi gjuhën shqipe për të gjitha lëndët që mësoheshin n’atë shkollë. Gjatë pushimeve verore Fishta kishte shkuar në Hot, për ta zëvendësuar famullitarin. Atje u njoh personalisht dhe shpirtnisht me malsorët dhe i shkroi vargjet e para të një kënge baritore, me titull: Kënga e Marash Ucit:
Te nji mriz, te nji lejthi
Kishin ndodhur tre bari
Dy me dhen e nji me dhi
Marash Uci e t’bijt e Calit
Dy djelm t’lehtë si shpezët e malit …
At Zef Pllumbi, i cili e ka shkrua PARATHËNIEN për Lahutën e Malcis, të botuar nga Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” (Shkodër 2020), thotë: “ Fisha e kishte zakon që poezitë e veta t’ua dërgonte kolegëve e miqve të vet, për t’i dhanë mendimin. Kjo këngë u kishte pëlqyer të gjithëve pa përjashtim, të cilët jo vetëm e përgëzuen, por i kërkuan që këtë këngë ta vazhdojë, madje i kërkuen që të shkruante një vepër që të përfaqësonte “Epikën Shqiptare”. Edhe Faik Konica i shkruente kështu: “Sikur të gjitha poezitë e shqipes të shkruheshin me kët tonalitet dhe me këtë energji, letërsia e shqipes do të zinte vend ndër të gjitha letërsitë europiane…”. Edhe Aabat Doçi i Mirditës i tha: “Ndigjo Pater Gjergj, populli shqyptar për me u lirue nga robnia shekullore ka nevojë me i nxitë trimninë e të parëve. Shkruej nji epikë sepse ajo sot i nevojitet popullit shqyptar që kërkon lirinë”. Dhe Fishtq iu vu punës që t’ua plotësone dishirin, dhe vahzdoi me këngën Te Ura e Brzhanicës (këngë kjo që është gjetur në një fletë dorëshkrimi të vjetit 1904, me alfabetin e Bashkimit, me këto vargje:
Shqyptar!
Kët kangë vetë e kam shkrue;
Por m’thuej, çka kam fitue?
Idhnim e t’çame kreje
Me t’ba me dalun feje!…
Epra tash kallxon moti
Se a kjesh kangtar i zoti…
Por s’asht për t’u çuditun’
Pse kur mbi dhe t’papritun
Kryekungujt vehen t’parë;
Vaj halli! Për kangtarë…
Ani, kryekungujt desin,
Por kangët e mija jesin.
Megjithëse në kushte aspak të favorshme, Fishta kishte vazhduar punën dhe nën kujdesin e kolegut të tij, At Pashko Bardhi, i cili asokohe kishte hapë shkollën e Arbëneshve në Zara të Dalmacisë, botoi një libërth të vogël, që bëri jehonë dhe shkaktoi zhurmë të madhe ndër të gjithë intelektualët shqiptarë. Si libër xhepi, 48 faqe, me këngë popullore: Marash Uci, Besa e lidhun, Kushtrimi dhe Kasneci, hyni tinza (msheftas) në Shqypni dhe shpërndahej dorë më dorë. Këngët e asaj përmbledhjeje u pritën aq mirë, sa që mësoheshin përmendësh dhe këndoheshin me lahutë nëpër konaçe dhe nga barinjtë në bjeshkë.
Për të joshur shqyptarët e bësimit myslimanë, të cilët kishin më tepër nevojë për një zgjim e bashkim kombëtar, Fishta përgatiti blenin e dytë të Lahutës së Malcisë, me Oso Kukën si hero i Vraninës. Edhe këtë e botoi, si libër xhepi, në Zara të Dalmacisë, në vitin 1907. Në 52 faqe përfshinte katër këngë: Çeta; Cubat; Kuvendi i Cetinës dhe Deka. Me imagjinatën e tij poeti thurë këngën ashtu sikur Avdi Pasha (i Turqisë), po ankohej se nuk kishte gjetë një djalë trim në Shqipëri për t’iu kundërvu cubave të Cetinës, të cilët po vritnin e plaçkitnin në tokën e sunduar prej Turqisë. Oso Kuka i prekur nga këto fjalë, i drejtohet pashait:
Avdi Pashë, tha, ma kadalë!
Mos e thuej dy herë at fjalë,
Se, për Dinë e për Imanë,
T’baj qi t’kjajë e zeza nanë…
Ndërkaq, në raport me knjazin e Cetinës, kënga ka këto vargje:
Ah kadalë Nikollë, t’vraftë Zoti!
Se ktu i thonë Oso baroti,
Se s’ke pa shqyptar me sy,
Qe djeg vetin edhe ty!
Kjo poemë u prit edhe ma mirë se e para, edhe nga të gjithë shqyptarët, ashtu që me këtë Fishta u bë “Poet Kombëtar” . Edhepse libri u shpërnda fshehtas në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, emri i Fishtës përhapej e nderohej nga të gjithë shqyptarët: toskë e gegë, myslimanë e të krishterë. Falë këtij autoriteti, një vit më vonë (1908) në Kongresin e Manastirit Fishta u zgjodh kryetar i Komisionit për caktimin e Alfabetit të shqipes dhe ky e shpëtoi Kongresin që të mos dështojë për shkak të mospajtimeve të rrymave të ndryshme.
Fishta “i mori në qaftë shkrimtarët…”
Me kompletimin dhe botimin e Poemës Lahuta e Malcis (1937), me ma se 15000 vargje, Gjergj Fishta, bashkoi ngjarje, vende dhe kohë të ndryshme, prej Kongresit të Berlinit e Lidhjes së Prizrenit (1878), madje edhe më përpara – nga Lufta e Vraninës (1858), deri te Lufta Ballkanik (1913) e Lufta e Parë Botërore (1914-1918), dhe me ngjarje tjera deri më 1937. Me penën e tij, të derdhur jo vetëm në në Lahutën e Malcis, por në të gjitha veprat tjera, Fishta iu kundërvu çdo armiku të popullit shqiptar, qoftë ai i brendshëm apo i jashtëm. Në këtë luftë të tij, ai shkroi e botoi epikë, lirikë, drama, satira e publcistikë, lartësinë e të cilave nuk e arriti askush deri më sot në letërsinë shqyptare. Lasgush Poradeci e cilësonte Lahutën e Malcis si shkëmb i popullit shqiptar; shkëmb nga aspekti i fortësisë dhe i lartësisë.
At Zef Pllumbi e tregon një episisod nga jeta e tij, që lidhet me veprën letrare të Fishtës:
“Banojshem në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe në Shkodër.Prof.Pashko Gjeçi ishte lirue prej burgut, por nuk kishte kurrëfarë mundsie (mjete) jetese. Kolegu im i klasës, Llazar Siliqi, që asokohe ishte eksponent i Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishte premtuar (Gjeçit) se sikur të përkthente Danten do ta ndëlidhte dikund, atje te shkrimtarët. Gjeqi vinte përditë te unë mbasi kisha nji makinë shkrimit dhe letra. Ai fliste dheun shkruejshe.
-Profesor, je tue përkthye “La Divina Comedia”?
-Po Fra Zef, por kurrkush në botë nuk e kupton si unë e ti që kaluem Bedenin e Maliqin!… Zef jepi makinës së shkrimit se vetëm ktu shpresoj me nxjerrë bukën e gojës!… Kjo kje letërsia e jonë, thotë Zef Pllumbi. Ndërkaq, flitshim edhe për letësinë shqiptare. E ç’ishte letërsia shqiptare me atë botnoren? As një hundë burrnot!…
-Profesor, po Fishta?
-Fishta?… Fishta është ai që ka marrë në qaftë gjithë letërsinë shqiptare, sepse nuk i ka lanë kurrkujë vendin që meriton. Fishta është absolut në epickë, në lirikë, në dramë, në satiëe edhe në publicistikë. Ndër të gjitha kto gjini letrare ai mbrrijti kulmet. E çka të bajnë t ëtjerët mbas tij?… Na ka mbetë ne të tjerëve vetëm proza e romanxeve, vetëm një fushë ku mund të konkurojmë, sepse ndër të gjitha tjerat ai ka mbërrijtë kulmet”.
*
Gjergj Fishta mbylli sytë e kaloi në amshim më 30 dhjetor1940, në Shkodër.
(Këtë shkrim e bëra në kujtim të veprës dhe personalitetit të Homerit shqiptar,i cili i ka siguruar vedit vendin në panteonin kombëtar një përmendore, siç e thotë vet:
Veç se po moj Zanë shqyptare,
Krah m’krah bashkë na tuj këndue
Ndërtue kem ‘i përmendare,
Rrfe as mot m’e dermue!