21/12/2024
Gjergj-Fishta1

Përgatiti Prof. dr. Eshref Ymeri dhe Federik Radovani

Në përkujtim të 82-vjetorit të ndarjes nga jeta: 30 dhjetor 1940

Për Fishtën kanë thënë:

Faik Konica

“Fishta. Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar”.

AtëAnton Harapi

“Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë… Atë Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës, u ngjit deri në majat më të larta të kulturës”.

Don Kolec Prennushi

““Lahuta e Malsisë” mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë”.

Kostaq Cipo

“Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se “Lahuta””.

Prof. Filip Ndoc Fishta

“Pas vdekjes Fishta…nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme”.

Prof. Aleksander Xhuvani (në varrimin e tij):

“Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”. Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!”.

Prof. Karl Gurakuqi

“Patër Fishta…me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë”.

Lasgush Poradeci

“At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë. Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”.

Prof. Pashko Gjeçi

“Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri… At Fishta…nuk jetoi në “kështjellen e fildishtë”, por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare… Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut”.

Prof. Kolë Kamsi

“Poemi epik “Lahuta e Malsisë” asht një vademecum i çdo atdhetari”.

Anton Baldacci

“Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar

kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë…”.

Atë Dodaj

“…prodhimi poetik e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës fizike e morale të Atdheut… çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët”.

Atë Konrrad Gjolaj

“Fishta është “një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve”.

Nush Topalli

“At Fishta asht e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet e tij kanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas njerëz e sende”.

Atë Viktor Volaj

“Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun”.

Lefter Dilo

“Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t’u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci”.

Terenc Toçi

“Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyrë e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale”.

Profesor Sami Repishti

“… At Gjergj Fishta, poeti i epikës madhështore dhe frymëzuese të popullit tonë, liriku i shquem, dramaturgu i fuqishëm, dhe, pa dyshim, autori i satirës ma të përsosun të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, frati i kushtuem mësimeve dhe shembullit të Shën Françeskut, zemra e dhanun pa kushte dashunisë për Shqipni, mendja që synoi pa pushim zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, vdiq në nji kohë ndoshta kur ma shumë se kurrë zjarri i fjalës dhe penda e tij i duhej nji populli të mashtruem në nji atdhe të robnuem…”.

Vilhelme Vrana Haxhiraj,

Mjeshtre e Madhe, Akademike

Mirënjohje: “S’është Kombi që vlerëson njerëzit e shquar, po janë “ATA” që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”.

“Elita e Mohuar, Personalitet i kulturës kombëtare, një nga formuluesit e Alfabetit Shqip (1908), Gjergj Fishta, i pari shqiptar i kandiduar për çmimin Nobel, i dhuroi Kombit kryeveprën Lahuta e Malëcis, një  pasuri e  madhe atdhetare, kulturore dhe gjuhësore që meriton një vlerësim ndërkombëtar. Poezia e tij satirike plot kontradikta, si politika e kohës, u dënua nga diktatura komuniste. Urrejtja për Shqiptarin e Madh Gjergj Fishta, i cili  kërkoi të bëheshin studime arkeologjike që të ruhej  identiteti kombëtar (lashtësia e gjuhës shqipe dhe autoktonia shqiptare), arriti deri aty, sa e zhvarrosën dhe eshtrat ia hodhën në Drin. Gjithsesi, ai mori përmasat e një kolosi të letërsisë dhe mendimit filozofik modern shqiptar, i cili, duke hapur rrugën e dijes dhe mirësisë, u bë i pavdekshëm”.

Prof. dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh

“Fishta është aq filozofik, aq poetik, aq shqiptar, sa është sharë në tre “derivat-variantet” pa e kuptuar ndonjëherë atë në leximin e qetë, jo me emocion dhe intonacion të ftohtë. Fishta është dhe mbeti edhe në këtë pikë kënaqësia e leximit, vetë leximi i kënaqësisë, sinqerisht kënaqësisë poetike më të madhe të leximit. Dhe këtu nuk ka një arsye më shumë, as më pak për të rënë si i apasionuari i leximit të Fishtës, sesa për të rënë në arsyen e leximit të Fishtës, jashtë mizantropisë dhe, më së shumti, hamendësimit që e rimasakron akoma këtë emër të madh të poezisë dhe letrave shqipe”.

Federik Radovani për Himnin e Flamurit. Teksti: Atë Gjergj Fishta. Muzika: Palok Kurti.

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta, këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija menjiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue… Menjiherë erdhi urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi duhet ta ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi  urdhnit të tij… Atëherë, ai i kercnoi se do ta ulin me topa… E, At Fishta ju pergjegjë: “Flamuri i Kastriotit e ka per nderë me u gjuejtë me topa!..” (Botue 1941).

Melbourne, 15 Qershor 2020.

Prof. dr. Aurel Plasari

“Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”.

Prof.dr. Flori Bruqi, Akademik

Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektua si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit. Si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë”.

Prof.dr. Eshref Ymeri

“Fishta është burrëria dhe lavdia e kombit shqiptar, ai është dinjiteti, nderi dhe krenaria e nacionalizmit shqiptar. Ai është burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare. Por, në të njëjtën kohë, Ai është edhe shuplaka më e rëndë për të gjithë besëprerët, dallkaukët, hajdutët, mercenarët dhe tradhtarët e kombit shqiptar”.

Gabriele dAnunzio

“Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora”.

Erwin Stranik

“I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta… Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna”.

Prof. Dr. Maximilian Lambertz

“Shqipnia qe ideali i tij, për të punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit”.

  1. A. Freün von Godin (albanologe gjermane)

“Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë”.

Një shkrimtar francez (pas takimit me Fishtën).

“At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij”.

Prof. Dr. Norbert Jokl

“…me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue një herë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi… Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t’u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli…”.

Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa elitat Franceze e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”.

Fulvio Kordinjano (albanolog)

“Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg”.

Prof. Gaetano Petrotta

“Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t’u bërë poezia e kombit të Skënderbeut…”.

Botuesi i Lahutës së Malcis në Itali

Fishta këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptar në doke, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”.

Augusto Gemelli

“Në historin e Shqypnis, emni i Atë Fishtes do të rrijë

krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilët janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme”.

Profesor Mark Gurakuqi.

“Fishta i kundërvihet shpifësit serb Vlladan Gjorgjeviçit:

“Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dy mijë vjeçar të qytetërimit të lashtë… Kombi i Dioklecianit, i filozofit Julian, i Justinianit, një komb, i cili kish një qytetari të tij kur gjyshstërgjyshët e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”.

Letër Gjergj Fishtës – Uh Evropë, ti kurva e motit!

Indira Kartallozi

Founder of Sustainability Leadership Kosova I Consultant I Tutor & Assessor I Mentor I Changemaker

Published Dec 2, 2015

I nderuari At Fishta,

Sapo lexova shkrimin tënd të vitit 1913. Së pari kërkojë ndjesë që nuk e kam lexuar më parë. Të shkruaj se jam e hutuar me të përkoshmen e gjeneratës tonë. Më ndihmo të lutem ta kuptojë se çka asht ka ndodhë me mua?

Jam një Shqiptare nga Kosova (Kosova tani asht shtet i pavarur) dhe jetoj në mërgim… Mërgimi asht si herë mbi herë, me rrena, pluhun, baltë, kuaj dhe speca (nuk e di se shka asht ‘peca’?). I ka të tana, e bile edhe rrnoftë Shqipnia, me flamujë, e me patriotë, në stadiume dhe protesta…por punë pa të cilat nuk mund ta qesin në dritë Shqiptarinë pak se pak! Presim me gojë hapur se shka po u bjen nana-vida Shqiptari! Gjersa atdhetarët në trevat e Shqipnisë  jan tuj ndejë hijeve, të pa punë, rrugëve sillen, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, dhe presin, pale se shka po u bjen nana-vida Europë. E liderët, i ngatrrojnë e i shkatrrojnë krajlat shoq me shoq, kërcet lufta e po bohet nami; por kurkush s’lot prej vendit…

Edhe unë më duket se jam shëndru në atë zog me skjep të hapur dhe pres se ç’më sjell nana-vida Kosovë. Pres për ato andrat e mia për Kosovën e lirë dhe të qetë. Pres, flasë dhe plasë! Flasë çdo ditë At Fishta… plasa tuj folë dhe tuj punu për vehten! Por ç’dobi?

Në klubet tona të mërgimit shkëmbehen ‘kafet e llafet’ pothuaj të njejta me të pazarit të Shkodrës. Edhe unë e diskutojë politikën dhe si kopukë shitem se jam ‘Bismark’. Pa i pasë ndie kurrë emnin ‘strategjisë’ flas për punë lufte si të kisha qenë ‘Wellingtoni’ apo ‘Napoleoni’! Por ç’dobi? Kurrë kaq e zgjas se nuk ma ban kryet për voe.

Me skjep të mbyllur tani pres të paprituren. Pres ta kuptojë se cila jam. Rri dhe baj punë me njerëz të mendshëm, filozof dhe politikanë! Pres ta gjejë kuptim prej tyre! Por ç’dobi? Ma kanë bërë botën fele-fele, ma kanë dredhë dhe shpërdredhë, ma kanë zbukuru dhe zvogëlu Kosovën time! Nuk di tani se shka ashtë rrenë e shka asht e drejtë? Cili është shoq e cili armik…

Të lutem më ndihmo ta kuptojë? Kjo dilemë më frikëson! Cila jam, kush jam?  Të harroj se nga jam? Apo të vazhdojë me kopukllëqet e tilla? Due të gjejë kuptim tek e përkohëshmja e jonë. Due të fillojë, të jam ajo e ‘papritura’ të cilen e pres të ndodhë! Rilindje Shqiptarisë! Due të punoj për interesin e gjithsecilit (sa shumë më pëlqeu kjo fjalë). Më thua si?

Ah At Fishta, sikur të kisha mik në ‘facebook’ ndoshta kisha marrë përgjegje ma të shpejtë! Të lypa në ‘twitter’, ‘linkedin’ dhe nuk të gjeta askund. Fjalët e tua më mungojnë. Ku do i gjej këto fjalë të mençme në liderët e të sodit?

Nuk di se çfarë lajme të tjera të të jap se nuk due tja u jap rrenat e të përkoshmes tonë. Nuk due t’jau mbushi kokën me kopuklluqet e vitit 2015.

Me padurim pres përgjegje.

Me respekt të përjetshëm.

Mërgimtarja nga Kosova

P.S. Do të shkruaj shumë shpejt më tepër për përbuzjen e gjuhës tonë hyjnore.

Dr. Atë  Zef  Valentini S.J. (1900-1979)

“At Fishta asht Homeri Shqiptar.

At Fishta asht nji Homer Shqiptar. Ai nuk asht vetem nji poet i madh kombtar.

Ai asht nga ma të mëdhajt në Botë. E randsishme asht që Ai të njifet prej saj”.

Federik Radovani

“At Gjergj Fishta asht diplomati ma i madh i Kombit Shqiptar”. (2022)

Melbourne, 31 Dhjetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok