26/12/2024

FILMI “YLLI DHE HANA”, SIMBOL I EDUKATËS, I MËSIMIT DHE I RRUGËTIMIT SHENJTËROR TË GJENERATËS SË RE

0
u6_Sejdi-Berisha-Ylli-Hana3


Impresione nga shfaqja e filmit, “Ylli dhe Hana” të nxënësve të klasës së V/1 të mësueses, znj. Valbone Mangjolli Bakraqi, në Shkollën e Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë

Sejdi BERISHA:

Pesha e mësimit, ngritja e vetëdijesimit për jetën e lumtur dhe madhështia e punës në edukimin e brezave të rinj

FILMI “YLLI DHE HANA”, SIMBOL I EDUKATËS, I MËSIMIT DHE I RRUGËTIMIT SHENJTËROR TË GJENERATËS SË RE

Qasja e drejtë, profesionale dhe përkushtuese në procesin mësimor, e sidomos tek nxënësit e ciklit të ultë, janë themel fondamental për trasimin e së ardhmes të gjeneratave të reja. Për këtë arsye, në realizimin e programit mësimor, punonjësit e arsimit kanë rol me rëndësi, që jetën fëmijëve t’ua bëjnë sa më të lumtur, pa brenga, por edhe të mishëruar me synimet dhe ëndrrat e tyre. Këtë, e patëm rastin ta shohim, shijojmë dhe përjetojmë në shfaqjen e filmit “Ylli dhe Hana”, të cilin e kishte realizuar me nxënësit e vetë, mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraqi, e cila, tani e sa vite me sukses të veçantë i realizon programet mësimore në Shkollën e Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Mësuesja, znj. Valbone Magjolli Bakraqi

Në këtë, nëse mund të quhet manifestim të veçantë kulturor, që u shfaq në kino-teatrin “Jusuf Gërvalla” në Pejë, e ku morën pjesë nxënës, prindër, mësuese dhe punëtorë të shkollës “Lidhja e Prizrenit” dhe mysafirë të tjerë, patëm rastin të shikojmë dhe të përjetojmë tërë angazhimin dhe punën e mësueses, znj. Valbone Mangjolli Bakrqi, por edhe të vetë arritjeve të nxënësve, jo vetëm në procesin mësimor por edhe në aktivitetet e tyre të lira, të cilët faktorë e kompletojnë karakterin dhe individualitetin e secilit nxënës, të cilët gjatë tërë kohës ishin të mbushur plot hare e gëzim.

Metoda e ngrohtë kolektive e afërsisë së nxënësve më mësuesen për mësim nxënie

Duke dashur që të na prezantojë punën e suksesshme gjatë pesë viteve me nxënës të klasës së V/1, por edhe arritjet të cilat, mund të thuhet se janë privilegj që shumëkush e lakmon, në filmin të shkëputur pothuaj në episode, në filmin “Ylli dhe Hana”(Filmi është realizuar nën përkujdesjen e Qerim Limi Mavraj), gërshetohen shumë tema me peshë për krijimin e karakterit dhe të shprehisë së punës të nxënësve.

Kështu, në fillim, në klasë e shohim gjallërinë e nxënësve dhe dashurinë e tyre të gërshetuar me punën profesionale dhe fanatike të mësueses së tyre. Ata, lirshëm komunikojnë, lozin, mësojnë, dhe jetën e tyre e shndërrojnë jo vetëm në mësim, por edhe në gëzim e hare, duke pasur si lapidar dhe udhërrëfim mësuesen e tyre, e cila gjithnjë e di se kur dhe si duhet qasur mësimit, bisedave edukative, dëfrimit por edhe lirisë së shprehjes, gjë e cila do të thotë shumë në procesin bashkëkohor mësimor.

Shkolla e Mesme e Ultë, “Lidhja e Prizrenit, Pejë

Pra, që në fillim, vërehet puna e palodhshme e mësueses, por, edhe sukses i shkëlqyeshëm i të gjithë nxënësve, që bashkë, tani janë krijuar si themel për të vazhduar mësimet në ciklin e lartë mësimor në shkollën e Mesme të Ultë.

Mesazhi i filmit, ose ndërtimi i ndjenjës tek fëmijët se si duhet dashur dhe respektuar njëri-tjetrin, por, edhe se si duhet të ndërtohet vetvetja për njerëzoren

Rrugëtimin pesëvjeçar të mësimdhënies dhe të edukimit, në film, përmes personazheve, Yllit dhe Hanës, edhe pse në mënyrë të lehtë dhe subtile përshkohet elementi njerëzor dhe i krijimit të edukatës, se si duhet dashur, përkrahur dhe ndihmuar njëri-tjetrin, pa marrë parasysh pozitën sociale të njeriut, ai e ka peshën dhe mesazhin e thellë edhe filozofik. Kjo temë, gjatë gjithë filmit, sillet vërdallë, si një yll qiellor, i cili do dhe dëshiron që të gjithëve të na përkujtojë, se fëmijët janë engjëj, dhe si të tillë duhet jetuar e vepruar, por, gjithnjë pa as më të voglën shenjë të dallimit në rrugëtimin e hareshëm të fëmijëve por edhe të familjeve dhe të secilit njeri.

Një foto për kujtim nga vizita në Shkup

Prandaj, kjo shëtitje, ky përftim shpirti dhe i ndjenjave, filmin, por edhe mesazhin e bëjnë edhe më madhështor, duke na lënë porosinë e pa detyruar njerëzore, e cila porosi, edhe tash, por edhe më vonë, edhe më shumë do të zë vend në ndërgjegjen dhe sedrën e secilit fëmijë, e më vonë, të secilit të rinj, që padyshim se është thesari më i themeltë i jetës.

Pra, kështu, edhe përmes kësaj forme të prezantimit të dy personazheve të filmit, nxirret në pah padjallëzia dhe pastërtia shpirtërore e gjeneratës së re, e cila, në çdo kohë dhe në çdo situatë, duhet të çelikoset edhe më shumë.

Nganjëherë, “largimi” nga mësimi, ndikon edhe më shumë në përforcimin e mësim nxënies

Këtë formë shumë të qëlluar, e ka zgjedhur mësuesja, që si shembull mund të merret edhe sekuenca filmike, kur nxënësit e saj, për një kohë vizitojnë pishinën në hotel të qytetit, ku të gjithë, jo vetëm se kënaqën, por në një mënyrë edhe e tregojnë dhe e dëshmojnë madhështinë dhe ëndrrat e tyre, të cilat, u ngjajnë ngjyrave të ylberit.

Gjithkund  dhe kudo të gëzuar dhe të buzëqeshur nxënësit së bashku me mësuesen e tyre, znj. Valbone Mangjolli Bakraqi

Por, tërë procesin e punës pesëvjeçare, nuk e kënaq vetëm një formë e aktivitetit të lirë, siç ishte pishina. Këtë, na dëshmon edhe fragmenti filmik, kur nxënësit, në stinën e dimrit e vizitojnë parkun e qytetit, dhe, atje, tash, në mënyrë tjetër e kompletojnë dëshirën e tyre të dëfrimit, duke na dëshmuar se edhe stina e dimrit është e bukur dhe karakteristike. Edhe me gjuajtje me topa bore apo edhe duke u “kacafytur” në borë, që, edhe këto sekuenca i përjetësojnë kujtimet, mbase e freskojnë edhe procesin mësimor.

Vizita Kopshtit Zoologjik në Shkup, dhe dashuria e fëmijëve ndaj botës shtazore

Nuk do koment. Një prej kujtimeve më të mira, por, edhe një prej programeve më të qëlluar, padyshim se ishte edhe vizita në Kopshtin Zoologjik në Shkup. Duke pasur parasysh se fëmijët e duan dhe e adhurojnë botën shtazore, në kuadër të rrumbullakimit të programit vjetor të procesit mësimor, mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraqi, ka zgjedhur edhe vizitën e kopshtit zoologjik. Nga pamjet filmike, qartë shihet se fëmijët, që ishin të shoqëruar edhe me nënat e tyre, dëshmon se sa të interesuar ishin që të “takoheshin” me shumë shtazë të egra, për të cilat kishin mësuar nga librat e tyre. Pra, ishte një vizitë me shumë domethënie, e ku, edhe këtu përftonin Ylli dhe Hana, që gjithnjë e më shumë i jepnin kuptim mesazhit të filmit.

Bregdeti shqiptar, ishte mëlmesa më e mirë për vogëlushët e klasës së V/1 të Shkollës së Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit” të Pejës

Vizita bregdetit shqiptar, larja në det, loja në plazh, dhe përfundimisht edhe simbolika e mbrëmjes të ndezjes së zjarrit në plazh, ishin sublima e të gjitha aktiviteteve, shëtitjeve dhe të vizitave, që padyshim se kanë begatuar rrugëtimin mësimor të nxënësve, e kanë dëshmuar punën me përkushtim të mësueses, e cila, jo vetëm kësaj gjenerate, u ka sjellë tërë atë dashurinë dhe afërsinë, që ata të bëhen nxënës të shkëlqyeshëm dhe ta krijojnë shprehinë e punës për t’iu qasur më guximshëm mësimeve në ciklin vijues shkollor.

Dhe fundi. Kthimi sërish në bankat shkollore dhe në oborrin e shkollës, është ajo porosia, sikur mësuesja u tha nxënësve të vetë: nxënësit e mi, unë deri këtu isha me ju, me shpirtin dhe dashurinë tuaj. Unë, deri këtu ua dhurova tërë atë që dita dhe dashurinë prej mësueses por edhe prej prindit. Ju priftë e mbara, dhe mos harroni, përgjithmonë jeni pjesë e imja dhe e jetës sime.

Kjo ishte ajo vlera dhe madhështia e filmit “Ylli dhe Hana”, të cilët edhe në fund përftuan në klasë dhe në oborr të shkollës, si dy drita të barabarta së bashku me të tjerët dhe pa komplekse e duan jetën dhe mësimin.

Edhe kjo foto që flet shumë(Mësuesja znj. Valbone Mangjolli Bakraqi, me nxënësit e saj në plazhin e Durrësit

Një grup shokësh të Kl. V/1 të SHMU, “Lidhja e Prizrenit”: pas ekskursionit shihemi në shkollë!

Ndërsa, prezenca dhe fjala me peshë e drejtorit të Shkollës së Mesme të Ultë, “Lidhja e Prizrenit”, z. Valdrin Husaj, kishte mesazhin e veçantë për ngritjen e cilësisë së mësimit në shkolla. Kurse, nxënësja, Ornela Belegu, këtë ngjarje e prezantoi për mrekulli.

Nxënësja, Ornela Belegu, duke e prezantuar programin me rastin e shfaqjes së filmit, “Ylli e Hana”

Në fund, mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraqi, të gjithë prindërve dhe të pranishmëve të tjerë, iu falënderua për mbështetje dhe për pjesëmarrje.

Ne, i bëmë një përshkrim kësaj ngjarjeje, por, gjithnjë duke pasur në ndërdije se në këtë shkollë ka edhe shumë mësuese të nivelit dhe të dashura, ashtu siç ka edhe në të gjitha shkollat e komunës së Pejës dhe gjithandej Kosovës dhe trojeve shqiptare..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok