Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Miçigen ,vlerë kombëtare për fëmijët shqiptarë në mërgim
Nga Gjekë Gjonaj
Dikur në Malësi ka ekzistuar një fjalë që thoshte: “Fëmija merr gjuhën e nënës.” Kjo ndoshta sepse nëna ishte ajo që i këndonte që në djep; ndoshta ngaqë nëna e ushqente dhe nëna i qëndronte më pranë gjatë fazave të rritjes. Besoj se janë nënat që duhet të kuptojnë se nëse fëmijët humbasin gjuhën, atëherë humbasin vetveten, identitetin dhe kështu do të kthehen në qenie pa drejtim. Nëse dikush nuk e di nga vjen, as nuk e di ku do të shkojë. Nëse dikush harron gjuhën e nënës, çfarëdo drejtimi të marrë në jetë, do të jetë i pasigurt, gjithmonë do të jetë i çalë, sepse do të shkëputet nga rrënjët. Fëmijët e vegjël nuk e dinë këtë. Ndaj është detyra e prindërve, të jenë më të kujdesshëm dhe më të fuqishëm në ruajtjen e gjuhës, si elementi më kryesor që përçon krenarinë dhe përkatësinë kombëtare.
Ruajtja e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë e sidomos tek ata fëmijë që kanë lindur dhe po rriten larg atdheut është një amanet që e gjejmë në vargjet e Homerit shqiptar Atë Gjergj Fishtës:
…Pra mallkue njai bir Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të Perëndis’,
Trashëgim na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis’,…
Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Shtetet e Bashikuara të Amerikës dhe diasporë është një përmbushje e amanetit që të parët tanë kanë lënë për ruajtjen dhe zhvillimin e saj ndër breza, e ndër vise të huaja.
Një e veçantë e shqiptarëve që jetojnë në Detroit është fillimi i mësimit të gjuhës shqipe para pak ditësh në Miçigen dhe qytetet përreth, organizuar nga Shoqata “Jehona e Malësisë”. Ky është lajm mbi të gjitha lajmet , për shkak të rëndësisë dhe peshës që ka mësimi i gjuhës amtare të fëmijëve shqiptarë në mërgim. Dita e hapjes së mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar që kanë lindur dhe jetojnë atje , i gëzoi disa prej tyre, bashkë me prindërit dhe mësuesit, por edhe të gjithë ata shqiptarë të cilët janë krenarë për origjinën që kanë dhe janë të vetëdijshëm se ruajtja e gjuhës është obligim moral dhe kombëtar i të gjithëve.
Fëmijët kur për herë të parë hynë në klasë, në zyrën e Shoqatës “ Jehona e Malësisë” u njoftuan me mësuesen ( mësimdhënësit) e tyre, e cila i priti me buzëqeshje dhe me fjalë të ëmbla, iu gëzuan ditës së re , e cila kishte hapur një faqe të re për të mirën e tyre, që ta mësojnë edhe gjuhën e nënës. Prindërit të cilët i shoqëruan deri te dera e klasës mësimore, ndiheshin ndryshe nga ditët tjera. Dhe ky fakt duhet t’i motivojë jo vetëm këta prindër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe , por edhe shumë prindër të tjerë , fëmijët e të cilëve lindin dhe rriten larg atdheut. Me të drejtë shkrimtari i njohur shqiptar Sami Frashëri ka thënë:
“ Shenja e kombit është gjuha.
Kur një komb e humb gjuhën,
ai humb edhe veten”.
Kryetari i Shoqtës “Jehona e Malësisë” Agron Dedivanaj ka pohuar se me shtimin e brezave të rinj të komunitetit shqiptar jashtë atdheut një grup vullnetarësh, dashamirës të gjuhës shqipe të shoqatës sonë, pas disa përpjekjeve dhe takimeve me prindërit shqiptarë, e pamë të domosdoshme që dashuria ndaj gjuhës të institucionalizohet dhe të ketë një formë të organizuar mësimore të rregulltë me plan dhe program didaktik. Programi mësimor, shton ai, është hartuar me metoda bashkëkohore , praktike dhe argëtuese, ndërkaq në kuadër të mësimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe tregime, poezi patriotike, dialogje, lojëra gjuhësore, e video eduklative, të cilat e pasurojnë procesin e mësimit.
“ Qëllimi është që çdo fëmijë shqiptarë të ketë mundësi të mësojë vetë të flasë dhe të shkruajë gjuhën shqipe, sipas normave drejtshkrimore. Ky është një akt dashurie ndaj gjuhës dhe kombit, por edhe brezave të ardhshëm”, ka thënë Dedivanaj. Sipas tij interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në orët e mësimit të gjuhës shqipe është i lakmueshëm që në ditët e para. Interesimi i fëmijëve ka qenë shumë i lartë, duke treguar motivim, dëshirë dhe kureshtje të madhe për të mësuar gjuhën tonë kombëtare. Entuziazmi i tyre reflektohet edhe në komentet e sinqerta që marrim nga nxënësit. Një vajzë e vogël, pas përfundimit të orës, tha: “Ora ishte shumë e shkurtër, doja të ishte shumë më e gjatë.”
Ky reagim tregon qartë vlerën e madhe që ky proces arsimor ka për fëmijët dhe na kujton se, ashtu si një thesar me vlerë, rezultatet e tij do të shihen edhe më plotësisht në të ardhmen. Deri më tani kemi 107 nxënës të shpërndarë në 5 klasa të ndryshme. Profesorët janë duke bërë sistemimin përfundimtar të nxënësve, me qëllim hapjen e një klase të gjashtë, e cila do të jetë e dedikuar për nxënës me njohuri më të avancuara të gjuhës shqipe”, shprehet Dedivanaj.
Ai veçmas falënderon profesorët, Elvira Shkëmbi, Kanto Dushaj, Shaqe Berishaj dhe Kolë Dedivanaj, kontributi, profesionalizmi dhe përkushtimi i të cilëve, në zhvillimin e orëve të mësimit, përbëjnë një vlerë të rëndësishme për ruajtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe. Mirënjohje u shpreh edhe prindërve, të cilët me angazhim dhe mbështetje i motivojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë mësimin e gjuhës shqipe .
Hapja e mësimit të gjuhës amtare të fëmijëve që jetojnë në mërgim dhe rriten në një mjedis shumëgjuhësor, siç është Amerika,ku në shtëpi flasin shqip, ndërsa në shkollë në gjuhë joamtare , është një pasuri e pamohueshme dhe vlerë kombëtare për brezin e ri . Një fëmijë në moshën shkollore, që di shqip, kur është në mërgim e ruan edhe identitetin. Nëse nuk e njeh gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar?
Mbetet të shpresojmë se bashkëkombasit tanë kudo që ndodhen në mëgrim do të kontribuojnë në ruajtjen e e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe do të bashkohen për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që edhe ata ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe , duke hapur edhe klasa të reja.Të gjithë për shkollën shqipe në disasporë , sepse kjo na nderon dhe ndërgjegjëson si komb!
