Figura e një edukatori dhe intelektuali të përndjekur
QIRJAKO ILIA DILO (1902–1976)
SHKRIM PERKUJTIMOR
Nga Eduard M. Dilo
Historia kulturore dhe arsimore shqiptare njeh figura që, edhe pse të luftuara rëndë në kohën e diktaturës, mbeten thelbësore për të kuptuar përmasat e sakrificës intelektuale dhe qytetare.
Një prej tyre është Qirjako Ilia Dilo, personalitet i formuar në traditën e dijes, i përkushtuar ndaj arsimit, gjuhës shqipe dhe interesit kombëtar.
Qirjako Dilo lindi në Sheper të Zagorisë më 5 Prill 1902. Qysh në moshë të hershme u dallua për prirje të veçanta intelektuale dhe përkushtim ndaj dijes. Ishte studiues i gjithanshëm, njohës i thellë i kulturës klasike, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe, në mënyrë të veçantë, i greqishtes së vjetër — një veçori e rrallë për kohën dhe mjedisin shqiptar.
Kontributi i tij në arsim është i hershëm dhe domethënës. Në vitin 1917, vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, hapi shkollën e parë shqipe në Nivan(Zagori), në një periudhë kur mësimi i gjuhës shqipe shoqërohej me rrezik real për jetën. Më pas drejtor në shkollën e Poliçanit (Pogon), duke ushtruar mësimdhënie në kushte të vështira, por me përkushtim të palëkundur.
Studime të mëtejshme vijoi në Bari (Itali), në fushën e hipotekave. Gjatë kësaj periudhe punoi edhe si gazetar, në bashkëpunim me figura të njohura të shtypit shqiptar, si Leonidha Naçi, dhe më pas shërbeu si drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave. Sistemimi i Ipotekave shqipëtare dhe ratifikimi I ligjit të pronësisë mbajnë ermin e tij në arkivat shqipëtare.
Megjithatë, refuzoi funksione të larta shtetërore, përfshirë poste ministrore gjatë
periudhës së fashizmit, kur ato binin ndesh me interesat kombëtare dhe parimet e tij morale.
U martua me Ifi Hariton, vajza e Petro Mihal Haritos një nga personalitetet e shquara të kombit shqiptar.
Pas vendosjes së regjimit komunist, Qirjako Dilo u konsiderua element i padëshiruar.
I njohur për mendim të pavarur, gjykim kritik dhe integritet personal, ai u pa si pengesë ideologjike. Në vitin 1953 u arrestua me akuza të fabrikuara, u torturua dhe u lirua. Refuzoi të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit.
Në vijim, familja e tij u përball me forma të vazhdueshme persekutimi.
Pavarësisht presionit, Ai ruajti dinjitetin dhe heshtjen morale. I formuar në frymën e mendimit klasik grek, ai besonte se përkohshmëria e jetës nuk mund të errësojë përjetësinë e së vërtetës. I angazhuar vazhdimisht me risitë e pedagogjisë italiane dhe gjermane, ai mbeti një edukator i rrallë, pa një të dytë si Ai.
La pas dorëshkrime, kujtime dhe materiale pedagogjike, përfshirë metoda për mësimin e gjuhës italiane, që dëshmojnë për seriozitetin dhe thellësinë e punës së tij intelektuale.
Figura e Qirjako Ilia Dilos nuk mund të kuptohet e shkëputur nga tradita familjare e Dilo-ve të Sheperit, e lidhur ngushtë me emra si Ilia Dilo Sheperi dhe Aristidh Ruci, si dhe nga qëndrimi i përbashkët i vëllezërve dhe motrës Viktori, të cilët ndanë të njëjtin fat përndjekjeje dhe persekutimi. Të gjithë mbetën, në mënyrë paradoksale, të huaj në vendin e tyre, për shkak të një atdhedashurie të pakompromis.
Qirjako Ilia Dilo u nda nga jeta në tetor të vitit 1976, në Nivan(Zagori).
U përcoll për në banesën e fundit në Sheper nga një rreth i ngushtë familjar, si pasojë e ndalimeve dhe paragjykimeve politike të kohës. Ky fakt përbën një simbol domethënës të trajtimit që iu rezervua gjatë gjithë jetës.
Rikthimi i figurave si Qirjako Ilia Dilo në vëmendjen publike nuk është vetëm akt kujtese, por edhe detyrim kulturor.
Ato ndihmojnë në rivlerësimin e historisë sonë intelektuale dhe në ndërtimin e një bindjeje më të drejtë për rolin e dijes, karakterit dhe rezistencës morale në shoqërinë shqiptare.
Koha lind rrallë njerëz që i përkasin më shumë dritës sesa vetes. I sjell pa bujë dhe i largon po aq qetë, por ajo që lënë pas mbetet e pamatshme për breza të tërë. Fjala e tyre nuk shuhet; ajo qëndron si një meteor që kalon shpejt, por ndriçon thellë.
I tillë ishte Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi.
