22/12/2024

FIGURA E HAFIZ SABIT EF. ZAJMIT NË SHTYPIN LIBRAR DHE MEDIA

0
Hafiz-Sabit-Zajmi

Në 130 vjetorin e lindjes

(5 korrik 1893 – 10 mars 1975)

Nga Feti TUNUZLIU

  1. I. Shkurtimisht rreth gjenealogjisë, shkollimit dhe shërbimit të Hafiz Sabit ef. Zajmit

Hafiz Sabit ef. Zajmi (në vijim: Sabit Zajmi) rrjedh nga familja Xhevukaj e fisit Kelmend  të fshatit Kuqishtë të  Pejës. Njëri ndër paraardhesit e kësaj familjeje ambientohet  në qytetin e Pejës diku kah  fundi i shekullit XVI e fillimi i shekullit XVII. Duket se, ndonjëri nga paraardhësit e trungut të familjes, arrijnë në shkallën “Zajmi” që personifikonte këshilltarët e lartë qeveritar në Perandorinë Osmane. Rrjedhimisht,  me kalimin e kohës,  mbiemri  Xhevukaj  transformohet në  ate Zajmi tek pasardhësit e farefisit. Babai i Sabit Zajmit, Murat (Jahja) Zajmi, pas përfundimit të studimeve në Stamboll, në mesin e  shekullit XIX, transferohet me punë nga Peja në Vushtrri ku emrohet drejtor i shkollës laike. Këtu, martohet me Gjyli  Qallpanin gjatë së cilës martesë lindin 11 fëmijë, por, jetuan vetëm 4: Sabiti, Avniu Hamdiu dhe Nafija.

Sabit Zajmi është i lindur më  5 korrik 1893 në Vushtrri ku edhe mbylli sytë më 10 mars 1975. Në vendlindje gjatë tetë viteve kreu Medresën e Ultë dhe Medresen e Mesme. Më 1934 iu lëshua diploma (Ixhazet name) për muderriz nga Haxhi Selim Sami Drejta. Pastaj, në Carigrad (Stamboll) kaloi provimin e veçantë dhe u lirua nga obligimi ushtarak. Ky sukses ia hapi dyertë studimeve katër vjeçare në Medresën e Lartë poashtu në Stamboll. Sapo i kreu studimet, u kthye në vendlindje.

Sabit Zajmi në Vushtrri shërbeu mualim në Sibjan mekteb,  gjyqtar sheriati  në Mitrovicë, vaiz, hatib dhe myderriz e  së fundi, ishte imam i Xhamisë së Çarshisë, ndërsa më 1965 u pensionua. Ndryshe, ishte Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Suprem të Bashkësisë Islame në RFPJ, me seli në Sarajevë.

Pos gjuhës amtare shqipe ky profil fetar ishte njohës edhe i gjuhëve: arabe, persishte, turke.

Ndryshe, fondi librar dhe medial në gjuhën shqipe përkitazi me personalitetin e Sabit Zajmit vështirë se mund të jetë komplementar pa vlerësuar edhe literaturën e huaj, posaçërisht  ate boshnjake, e në këtë kontekst, sidomos pa median tradicionale fetare “Gllasnik” të Sarajevës.

Sipas tyre rezulton se Sabit Zajmi  zuri vend të theksuar në shtypin librar dhe media ndër personalitetet e shquara  që ka lënë gjurmë në historinë e Vushtrrisë dhe përtej arealit të saj në  shërbim të arsimit islam, intelegjencës islame, kulturës islame dhe veprimtarisë atdhetare.

Në 130 vjetorin e lindjes së Sabit Zajmit le të shohim kalimthi të shpalosur figurën e tij nëpër disa libra dhe media.

IIFigura e Sabit Zajmit në tekste librare dhe media

Emrin e Sabit Zajmit e ndeshim nëpër libra tipesh nga më të ndryshëm: historik, dokumentar, publicistik, monografik e leksikone, varësisht nga këndvështrimi i qasjes. E në këtë kontekst, përfshihen edhe librat fetar e jo fetar.

Figura e Sabit Zajmit spikatet edhe nëpër media (gazeta , portale e revista periodike) fetare e jo fetare.

Në këtë kontekst, përmendet në shtypin librar dhe media si në gjuhën shqipe ashtu edhe në ate boshnjake e turke.

II 1. Figura e Sabit Zajmit në shtypin librar

Vepra  “Ferhat Bej Draga, Shembull atdhetarie – Dokumente të bashkautorëve” nga Jusuf Osmani dhe Asllan Murati (botues Kolegji AAB në Prishtinë, 2018), në fq. 470, pika 206, këtë personalitet fetar e përmend në kontekst të përndjekjeve të shqiptarëve  nga autoritetet serbe për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare.

Kështu, nën titullin: “Bashkëpunëtorët e Ferhat Dragës” bashkautorët Osmani-Murati, publikojnë një fragment  nga origjinali i  Dokumentit të Dosjes 7) 9 B0027, fq. 182-185 të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë. Ky fragment, ç’është e vërteta, buron nga libri “Kohërat e ashpra në Kosovë e Metohi” të bashkautorëve Branisllav Bozhoviq e Millorad Vaviq, Beograd, fq. 14-15. Këtu, pasi specifikohen emrat e përvetshëm të  bashkëpunëtorëve të kryetarit të Xhemjetit (1921) Ferhat Bej Dragës  nga trevat e Novi Pazarit, Mitrovicës, etj., theksohet se, ndër përkrahësit e këtij personaliteti të shquar shqiptar “kundër skllavërisë  dhe terrorit pushtetar serb ndaj popullatës shqiptare” radhitet edhe “Hafiz Sabiti”, siç njihej në popull Sabit Zajmi.

Vepra e karakterit historik e dokumentar “Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë (1918-1956)”,  të bashkautorëve Fahri S. Buçinca e Ferid B. Dibrani, (Prishtinë, 2009), shpalos burgosjet  dhe privimet  e rënda të lirisë fizike të, persekutimin dhe torturimin e grupeve qytetarësh vushtrrias në baza  etnike dhe fetare.  Kështu, në punimin  titulluar “Burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve në Vushtrri në fillim të vitit 1941”, bashkautorët përshkruajnë një suprizë tronditëse veç sprova e fatkeqësi shkaktuar nga përfaqësuesit e ekzaltuar të pushtetit serb teksa qirreshin me eufori për krimet që po kryenin:

“Në bodrumet e ndërtesave të lartëpërmendura nuk kishte  as kushte më minimale për qëndrim. Në to ishin ngujuar më se 300 qytetarë, në mesin e tyre  edhe … Hafëz Sabit Murat Zajmi, … Ushtarët, xhandarët dhe qytetarët lokal serbë ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë filluan torturat  më çnjerëzore …” (fq. 53).

Leksikoni: “Hafizët tanë gjatë historisë (shek. XVIII-2010)”, të Dr. Feti Mehdiu, (Prishtinë, 2010), ofron disa tipare të prekshme të karakterit përparimtar, atdhetar e fetar të Sabit Zajmit. Këto tipare bien ndesh me politikën antishqiptare të regjimit serb të kohës dhe serbizimin sistematik të Kosovës.

“Ishte i përkushtuar  në arsimimin dhe  edukimin  islam të  rinisë së Kosovës. Mirëpo, qeveria jugosllave e kishte në listën e armiqëve  të Jugosllavisë dhe nga organet e sigurimit për periudhën 1950-56, hfz. Sabitin  duhej shpërngulur për në Anadoll, sepse kishte qëndrim  patriotik ndaj shkollës shqipe. Në vitin 1957, i pari filloi me mësim besimin  islam në përputhje me  ligjin e asaj kohe (fq. 297).”

Në monografinë “Mustafë Venhari, mësues qëndrese” të Tafil Morinës (Prishtinë, 1998), autori, kontekstualizon figurën e Sabit Zajmit në pjesën që ia dedikon  personalitetit të atdhetarit e intelektualit Hamdi (Hysen) Gashit (1882-1945). Kështu, autori sjell para lexuesit shqiptarë informatën se i njejti kishte qenë nënprefekt i Vushtrrisë dhe Skenderajit, major, me Akademi Ushtarake kryer në Romë, i pushkatuar nga pushteti serbo-jugosllav në vitin 1945 për shkak të luftës së tij patriotike.

Tutje, pohon se “për punën patriotike të Hamdiut ka qenë veçanërisht i njohur Haxhi Hafuz Sabit Zajmi”, (fq. 12), ndryshe bashkëvendas i tij.

Në studimin e shkruar mjeshtërisht “Dervishët, rendet dhe teqet” (Pejë, 1999), autori Jashar Rexhepagiqi, ngritë lartë ndihmën intelektuale në terren të ofruar nga  Sabit Zajmi.

Me akribinë e tij hulumtuese prej studiuesi kritik thekson se “të dhëna tepër të rëndësishme kam marrë nga veprimtarët kulturorë dhe njohësit e historisë së kësaj fushe të  cilët më nuk janë në jetë, … hafiz  Sabit ef. Zajmi” (fq. 8). Kështu, duke folur për figurën prestigjioze fetare e intelektuale të haxhi ef. Selim “Sami” Drejtës, Jashar Rexhepagiqi bën të ditur se “nga një dokument udhëtimi … të cilin ma ka treguar më 24 korrik 1962 Hafiz Sabit efendi Zajmi shihet se sheh Samiu kishte vizituar …” (fq. 172). Pastaj, shpalos të dhënën se Sabit Zajmi “dokumentet dhe dorëshkrimet m’i ka treguar dhe shumëçka më ka kumtuar” (fq. 173).

Në monografinë “Hasan Prishtina, ndriçim i jetës dhe i veprës”, të autorit Fahri S. Buçinca  (2018, Prishtinë), Sabit Zajmi listohet në fq. 428, si i intervistuari nën pikën 10.

Takvimi 1437-1438, Kalendar 2016 (Prishtinë, Botim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës) përmend Sabit Zajmin në kuadër të shkrimit titulluar: “Selim “Sami” ef. Drejta (1883-1951) dhe “Hymni i Mevludit” të bashkautorëve Dr. Nehat Krasniqi – Dr. Sadik Mehmeti.

Mjafton të shfletosh punimin titulluar “Autori”, ku prezentohet shkollimi, shërbimi  dhe  veprimtaria krijuese e Haxhi “Selim” ef. Sami Drejta, pasi thuhet se “ndër nxënësit e tij duhet veçuar  Hafiz  Sabit ef. Zaimin nga Vushtria” vihet nr. 18 i fusnotës. E në këtë fusnotë, në faqet 262-263, shpaloset thukët  biografia e Sabit Zaimit. Shënimi i fusnotës përfundon me konstatimin rreth trashëgimisë intelektuale të Sabit Zajmit  duke nënvizuar se ky profil “ka lënë disa shkrime letrare dhe shkencore të botuara dhe në dorëshkrim”.

II 2. Figura e Sabit Zajmit në media

Në revistën kulturore dhe shkencore “Përparimi” (nr. 5-6 të vitit 1963, Prishtinë), personaliteti i Sabit Zajmit shpaloset në punimin me titull “Zhvillimi i shkollave shqipe në kohën e Luftës së parë botnore” të Jashar Rexhepagaj (më vonë Rexhepagiqi).

Autori, pasi nënvizon se  shkolla katër vjeçare  në Vushtrri kishte punuar dy vite, duke veçuar mësuesin Emin Efendiun nga Prizreni, vë fusnotën nr. 44 dhe në fund të fq. 349 ku bën këtë sqarim tejet dinjitoz e sinjifikativ:

“Sabit efendi Zajmi, 70 vjeç ende i mban në mend mësimdhënësit në Vuçtërnë, ndërtesën e shkollës, nxënësit. Ai thot se shkolla kishte banka e libra, që vijshin prej Austrije e Shqipnije. Simbas mendimit të tij, shkollën e Vuçitërnës e ka hap Hasan Prishtina, i lindun në Vuçitërnë. Biseda u zhvillue më 25 korrik të vjetit 1962.”

Revista ”Gllasnik” (Këshillit Suprem Islam në RSFJ, Sarajevë, nr. 6/76), në rubrikën “Merhumët tanë” publikon shkrimin “Haxhi Hafiz ef. Sabit Zaimi të autorit H. Ferhat Gërguri.

Pasi flet rreth shkollimit  dhe shërbimit fetar  të myderrizit të mirënjohur vushtrrias Haxhi Selim “Sami” ef. Drejta, përkitazi me  imazhin e Sabit Zajmit nuk gabojmë nëse themi se  autori Gërguri, ofron një spektër rrethanash që reflektojnë performancën e personazhit tonë të admiruar prej predikuesi të  zellshëm të besimit islam, luftëtarit të barazisë së mashkujve e femrave në shkollim, kundërshtari të shpërnguljeve të shqiptarëve, etj.

“Është treguar  shumë i devotshëm, i mençëm, i qetë, i besueshëm dhe subtil , ashtu që edhe vet muderrizi është mbështetur në aftësitë e tij dhe Sabit Zajmi e ka zëvendësuar gjatë mungesave të tij. H. Sabit Zaimi ka qenë  vaiz një kohë të gjatë në Vuçiternë, çdo të premte  ka mbajtë ligjëratë, duke folur më së shumti për arsimimin e mashkujve dhe të femrave muslimane. Ishte kundërshtar i madh  i shpërnguljes së  muslimanëve  në Turqi më 1956. Si njohës i shkencave  dhe fushave  të teologjisë, sheriatit natyrës e tjera, ka qenë shumë i dobishëm  për muslimanët e këtyre trevave … si nga qytetarët e zakonshëm ashtu edhe nga  intelektualët  e këtij regjioni, ka qenë jashtëzakonisht  i çmuar dhe i dashur … ishte imam dhe hatib në Xhaminë e Çarshisë”, shprehet autori Gërguri.

Në revistën e mësipërme “Gllasnik”, (Sarajevë, nr. 4/79, në shkrimin e Fejzullah Haxhibajriqit “Njëzet vjetori i vdekjes së Haxhi Mujaga Merhemiq (1959-1979), autori thekson se me rastin e shenimit të këtij jubileu, “Epigrafe pas vdekjes kanë recituar në strofa me nga gjashtë vargje: Hafiz Sabit ef. Zajmi nga Vushtrria, …”

E përditshmja “Bota sot”, fq. 19, më 28 gusht 2001 publikon shkrimin “Haxhi efendi Selim Drejta – fetar, atdhetar e mendimtar i shquar” të autorit Hilmi Saraçi. Autori, kah fundi i artikullit hedhë dritë në afërsinë e Selim Sami ef. Drejtës me Sabit Zajmin, njëkohësisht reflekton edhe përkatësinë themelore ideologjike e politike të Sabit Zajmit. Në këtë linjë potencohet se Haxhi ef. Selim Drejta “Ishte bashkëkohanik dhe i afërt me familjen  e vëllëzërve Sabit, Avni dhe Hamdi Zajmi të cilët shquhen  si intelektualë  dhe atëdhetarë të ideve të Ballit Kombëtar.”

Ndryshe, autori i këtyre rreshtave ka  botuar fejtonin  që kishte target jetën dhe veprimtarinë e  Sabit Zajmit në të përditshmën “Bota sot” prej 12-14 nëntor 2006 me këta tre tituj: “Njeri me vetëdije dhe kulture të lartë kombëtare”; “Idhtar i Programit të Ballit Kombëtar”; Ishte njohës i mirë i figurës së Hasan Prishtinës”. Ndërsa, në revistën “Zani i Naltë nr. 30, janar-qershor 2020, ka të publikuar shkrimin “Hafiz Sabit efendi Zajmi (1893-1975).  Me seriozitetin e qasjes dhe thellësinë e analizës ka mëtuar të promovoi, veç tjerash, disa rrethana autentike të cilat i atribuuohen arsimit të popullatës muslimane, përkatësisht shqiptare në përgjithësi, përparimit të pozitës së femrës dhe sfidave në këtë kontekst, ideve kombëtare, krijimtarisë intelektuale, etj.

Revista periodike “Preporod”   (Sarajevë, 1975, nr. 7/110) përmban artikullin titulluar  “Me rastin e vdekjes  së hfz. Sabit efendi Zajmi nga Vushtrria”, te autorit Fejzullah Haxhibajriq.

Ishin këto disa dromca prurjesh dokumentare, thënë kushtimisht, në të cilat skalitet portreti i Sabit Zajmit nga këndvështrimet autoriale. Në këtë kontribut fare modest, natyrisht, nuk kemi përfshirë të gjitha botimet librare dhe mediale ku trajtohet figura e kryeprotogonistit tonë dhe mesazhet e çmuara të tij sepse kemi përzgjedhur vetëm disa libra dhe media që shpërfaqin tiparet më karakteristike të Sabit Zajmit sa për ta nderuar kujtimin e tij në jubileun e 130 vjetorit  të ardhjes në jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok