22/12/2024

FIGURA DHE KULTI I RAPSODIT NË TRADITËN SHQIPTARE

0
Prend-Buzhala-Rapsodet

Nga Prend BUZHALA

Ndër shekuj e mileniume, që nga kohët e lashta ilirike e deri më sot, populli ynë, krahas Kultit të Luftëtarit dhe Heroit, ka ngritur edhe Kultin e Rapsodit. Ka ndodhë kështu, sepse rapsodët ishin figura kyçe në ruajtjen dhe transmetimin e traditës gojore dhe muzikore të popullit tonë. Dikur rapsodi ishte artisti që recitonte ose këndonte këngët epike, i shoqëruar nga instrumente tradicionale, si fyelli e lahuta e më vonë edhe çiftelia. Rapsodi është jo vetëm një këngëtar, por edhe një ruajtës i historisë dhe kulturës shqiptare. Ata i kanë transmetuar këto tradita brez pas brezi. Janë edhe kujdestarë të një pasurie të madhe të folklorit dhe legjendave shqiptare.

  1. Rapsodët, bartës të një pasurie të madhe folklorike dhe legjendave shqiptare

Rapsodët janë figura të nderuara dhe respektuara në shoqërinë shqiptare. Si dukur dhe ende edhe sot, ata janë të ftuar të prezantojnë dhe këndojnë ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, familjare dhe kombëtare. Respekti ndaj tyre buron nga njohuritë e tyre të thella për historinë dhe kulturën kombëtare, si dhe nga aftësitë e tyre artistike. Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë ndihmuar në krijimin dhe ruajtjen e kujtesës kolektive të popullit shqiptar. Këngët e tyre përfshijnë histori të luftërave, trimërisë dhe sakrificës, duke ndihmuar në formësimin e identitetit kombëtar. Rapsodët janë edhe krijues të vetë këngëve që i interpretojnë. Ata bëjnë edhe improvizime dhe përshtatje tekstesh e këngësh për të paraqitur e shprehur ngjarjet dhe ndjenjat aktuale të kohës së tyre. Kjo pirrje për improvizim. ka krijuar mundësinë që këngët epike të mbeten të gjalla dhe të rëndësishme në një kohë që ndryshon vazhdimisht. Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë pasqyruar jo vetëm historinë, por edhe emocionet dhe përvojat e përditshme të njerëzve, duke krijuar një lidhje të thellë mes së kaluarës dhe së tashmes.

Në historinë e muzikës shqiptare ka pasur rapsodë të shquar që janë bërë figura emblematike dhe kanë lënë gjurmë të thella në kulturën kombëtare, të cilët janë përkujtuar dhe respektuar për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ky kult i rapsodit ndër shqiptarë, është shprehje e vlerësimit dhe e respektit të madh për ta që kanë ruajtur dhe transmetuar historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar përmes artit të këngës epike., kanë shërbyer si ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes.

Jo pak rapsodë kanë qenë trima, luftëtarë, dëshmitarë dhe pjesëtarë ngjarjesh të rëndësishme. Dervish Shaqa thoshte:

“Kangëtari duhet të jetë trim, se duhet t’i trimnojë edhe të tjerët me kangë. Kur këndoj shpesh i mbyll edhe sytë, hupi krejt, dal prej kangës e më duket se dëgjoj dikë tjetër që këndon, zërin e atij që këndoj për të… Unë sa të jam gjallë e deri në ma të mbramën frymë të shpirtit, deri që të vdes, i palodhun, do t’i këndoj kombit.”

Rapsodët kanë qenë përherë figura të dalluara në traditën shqiptare. Përmes këngëve epike që përmbajnë histori të heronjve legjendarë, betejave dhe ngjarjeve të rëndësishme historike, ata kanë mbajtur gjallë një pjesë të rëndësishme të identitetit kombëtar. Këto këngë kanë shërbyer si formë për ruajtjen e kujtesën kolektive. I kanë sjellë ngjarjet e së kaluarës në të tashmen dhe iu kanë dhënë një kuptim të thellë jetës së përditshme të shqiptarëve. Kanë qenë bartës të një pasurie të madhe të folklorit dhe legjendave shqiptare. Përmes këngëve epike, ata kanë ruajtur dhe transmetuar histori të lashta, tregime për heronj dhe ngjarje të rëndësishme historike që kanë formuar identitetin kombëtar shqiptar. Për shembull, përmes këngëve për Skënderbeun, shqiptarët kanë mbajtur gjallë kujtesën për heroin kombëtar dhe betejat e tij kundër osmanëve. Rapsodët kanë qenë përherë në roje të kujtesës kolektive të popullit tonë, duke e pasuruar atë me detaje dhe emocione të gjalla që nuk do të mund të gjendeshin në tekstet historike të shkruara. Përmes këngëve të tyre, rapsodët kanë përcjellë vlera dhe norma të rëndësishme kulturore dhe morale. Këto këngë përmbajnë mesazhe për trimëri, nder, besnikëri dhe dashurinë për atdheun. Duke i kënduar këto vlera, rapsodët kanë ndihmuar në formësimin e identitetit kombëtar dhe në ruajtjen e një ndjenje të fortë të përkatësisë dhe krenarisë kombëtare. Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme në periudha të vështira historike, kur uniteti dhe solidariteti kombëtar ishin të nevojshme për mbijetesë dhe rezistencë.

Prirjet improvizuese, që i përmendëm më lart, kanë reflektuar ngjarjet dhe emocionet e kohës së tyre; prirje që ka bërë të mundshme, që këngët epike të mbeten të gjalla dhe të rëndësishme, duke iu përshtatur realitetit të ndryshueshëm dhe duke e mbajtur të gjallë interesin e dëgjuesve. Përshtatja e këngëve për ngjarjet aktuale, ka krijuar një tjetër lidhje të fortë mes së kaluarës dhe së tashmes, duke i bërë këngët epike të ndjehen të afërta dhe relevante për çdo brez të ri.

Një aspekt i rëndësishëm i transmetimit të traditës, ka qenë forma gojore e përcjelljes së këngëve. Rapsodët i kanë mësuar këngët nga brezat e mëparshëm dhe i kanë transmetuar ato te brezat e ardhshëm përmes interpretimeve të drejtpërdrejta. Kjo trajtë e përcjelljes ka bërë që këngët ta ruajnë një ndjesi të gjallë dhe autentike, duke e mbajtur të gjallë traditën e rrëfimit dhe të interpretimit folklorik.

Rapsodët kanë qenë figura të rëndësishme në rrethet e tyre. Ata merrnin pjesë në ngjarje të rëndësishme shoqërore, tradicionale apo kulturore. Kanë kënduar e performuar në dasma, festa dhe ngjarje të tjera të rëndësishme përkujtimore, duke sjellë këngët e tyre në jetën e përditshme të njerëzve. Përmes këtyre interpretimeve, ata kanë krijuar dhe forcuar lidhjet mes njerëzve dhe kanë ndihmuar në ruajtjen e një ndjenje të përbashkët të identitetit dhe traditës. Transmetimi i traditës nga rapsodët ka qenë një proces jetësor për ruajtjen e historisë dhe kulturës shqiptare.

  1. Rrënjët e thella: që nga këndimi i rapsodëve ilirë për bëmat heroike të të parëve

Rapsodët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës dhe historisë shqiptare që nga kohët ilire e deri në ditët e sotme. Edhe pse informacionet për rapsodët në periudhën ilire janë të kufizuara dhe shpesh të bazuara në burime indirekte, disa aspekte të rëndësishme të rolit dhe funksionit të tyre mund të përfshihen në një analizë të tillë.

Në shoqërinë ilire, rapsodët kanë luajtur një rol të ngjashëm me atë të rapsodëve në periudhat e mëvonshme.

Etnomutziologu ynë i shquar,  Ratnadan Sokoli te veprat e tij “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, apo te veprat “Folklori muzikor shqiptar-organografia”, “Figura e Skënderbeut në muzikë”, “Gjurmime folklorike”, “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, “16 shekuj”, etj. kur merret me format muzikore në folklorin shqiptar, paraqiti një tezë bindëse se shfaqja e muzikës polifonike në jug dhe i asaj homofonike në veri të Shqipërisë, shpreh ndryshimet që në muzikën popullore të ilirëve kanë ekzistuar qysh në periudhën parahistorike. Ndërkaq, kur flet për Shën Niketë Dardann, për himnin e tij botëror kishtar “Te Deum” vë në dukje  se aty gjenden “nënshtresa e elementëve të traditës vendase”. Sipas Zef Mirditës, te veprat e tij të shumta për dardanëlt, e, sidomos sipas ilirologut botëror arbnesh-kroat Alekandar Stipçeviç, “këndimi i këngëve epike me fyell – kaq karakteristik për ballkanasit e sotëm – i ka rrënjët e veta të thella në këndimin e rapsodëve ilirë për bëmat heroike të të parëve. Në shumë pjesë të Ballkanit, melosi folklorik ilir jeton në vazhdimësi të pandërprerë deri më sot, , ashtu si edhe instrumentet mbi të cilat muzikantët ilirë interpretonin meloditë e tyre.”

Cvjetko Richtman, etnomuzikolog dhe kompozitor kroato-boshnjak, për trashëgiminë muzikore ilire, vuri re se polifonikja dhe format që shfaqen, nuk gjenden në kombet e tjera sllave; ai arriti në përfundimin se këto ishin format që gjetën sllavët kur u shpërngulën. Madje, dikur Çabej theksonte se shumë rite e fjalë që nuk gjenden te popujt tjerë sllavë, por gjenden te sllavët e ardhur jugorë, ato i gjetën e i morën këtu. Kështu do të ketë ndodhur edhe me epikën legjendare, edhe me lahutën e lahutarët. Kur  i përshkruan doket e dardanëve, Straboni i moçëm thotë se ata, ndonëse doket i kanë plotësisht të egra gjithnjë e kanë kultivuar muzikën dhe kanë përdorur instrumente me frymë dhe me harqe. Dashurinë ndaj muzikës tek ilirët e dëshmojnë edhe autorë të tjerë antikë, për shembull, përmendet një instrument – sirinku (syrinx) – që ka qenë i njohur në tërë territorin ilir. Pamja e këtij instrumenti me shumë gypa paraqitet në situlën e bronzit nga Vaça (shek. V para e.re.) prandaj mund të mendohet se ishte përdorur qysh në atë kohë. Në monumentet nga periudha romake sirinku është atribut i rregullt i hyjnisë vendase të pyjeve dhe të kullotave Silvan-it, ose të pandanit të tij ilir, Vidasus-it. Ky instrument është shumë i njohur edhe në civilizime të tjera (në Ballkan haset qysh prej kohës së Homerit si instrument tipik i barinjve) mund të supozohet se e kanë njohur edhe ilirët para se të vinin në kontakt me kulturën helene dhe romake.

Ne, sot, traditën e aedëve të dikurshëm, poetë dhe këngëtarë shtegtues në shoqëritë e lashta, e takojmë në mënyrën më tipike te rapsodët shqiptarë të kohëve moderne, të cilët si dikur në antikë, ftohen për të marrë pjesë në dasma, gosti e festivale (festivalet kanë ekzistuar edhe në antikë). Sikundër në kohët ilirike, edhe sot ata luajnë ende një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe transmetimin e historisë, traditave dhe legjendave të përmes tekstit poetik dhe këngës. Aedët dikur mbanin pozita të nderuara në oborret mbretërore dhe ishin të njohur për aftësitë e tyre në krijimin e vargjeve poetike dhe recitimin e tyre në mënyrë dramatike.

Ndërkaq, në shoqërinë keltike, aedët ishin gjithashtu përgjegjës për ruajtjen e ligjeve dhe përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme historike, duke qenë kështu një lloj kujtese kolektive për komunitetin e tyre. Ata kishin një status të veçantë dhe shpeshherë gëzonin privilegje të veçanta për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm kulturore dhe sociale.

  1. Figura që bëjnë pjesë në kujtesën tonë kolektive të traditës gojore

Një aspekt thelbësor i kulturës rapsodike, ka qenë transmetimi gojor i traditës. Në kohët ilire, si edhe në periudhat e mëvonshme, rapsodët mësuan këngët dhe rrëfimet nga paraardhësit e tyre dhe i përcollën ato brez pas brezi. Kjo mënyrë e transmetimit siguroi që historia dhe kultura të mbeten të gjalla dhe të pashkëputura nga e kaluara.

Rapsodët luajtën një rol të rëndësishëm në strukturën shoqërore të kohës ilire. Ata ishin figura të respektuara dhe të nderuara, të cilët kishin një ndikim të madh në rrethin shoqëror e më gjerë. Përmes këngëve të tyre, ata ndihmonin në edukimin e të rinjve dhe në ruajtjen e normave dhe të vlerave shoqërore. Rapsodët konsideroheshin si mësuesit dhe historianët e asaj bashkësie, që përmes artit të tyre ruanin dhe transmetonin dijen dhe përvojën e brezave të mëparshëm.

Sado që studiues të ndryshëm, bie fjala, pohojnë se këngët legjendare për Mujin e Halilin janë përfaqësues të trimërisë shqiptare muhamedane kundër shqeve (Çabej, Ernest Koliqi), ata shohin analogjinë e lashtë ilire të atij çifti vëllezërish trima, me motivet e lashta e shtresat mitologjike popullore, si orët, zanat, qeniet mitike të etnokulturës shqiptare. Këtë çift vëllezërish e kanë vetëm popujt e lashtë autoktonë si grekët e vjetër, keltët, indasit e vjetër apo grekët e armenët e vjetër, por jo edhe popujt tjerë, pra nuk e kanë sllavët, sado që në Bosnje e te sllavët tjerë të jugut këndohen këto këngë, që i gjetën këtu (Çabej). I tillë është motivi i Konstantinit, pos  Odisesë, që më vonë del në varantet e islamizuara si ajo e Ago Ymerit. Së këndejmi, në të gjitha kohët rapsodët janë figura të nderuara dhe respektuara në shoqërinë shqiptare.

Rapsodët janë quajtur e quhen kangëtarë, si interpretues të jashtëzakonshëm të këtyre këngëve, por gjithashtu janë edhe ruajtës të kujtesës kolektive të popullit shqiptar. Një nga arsyet kryesore pse rapsodët janë figura të respektuara është për shkak të njohurive të tyre të thella për historinë dhe kulturën kombëtare. Ata kanë një kuptim të thellë të ngjarjeve historike, heronjve dhe legjendave që përbëjnë pjesën më të madhe të këngëve epike. Ata janë burim i një trashëgimie të pasur të folklorit shqiptar, duke i ruajtur dhe përcjellë ato brez pas brezi.

Së këndejmi, në të gjitha kohët rapsodët janë figura të nderuara dhe respektuara në shoqërinë shqiptare.

Ata hyjnë ndër ato figura që bëjnë pjesë në kujtesën tonë kolektive të traditës gojore dhe në thesarin me traditave tona popullore. Emrat e tyre, si rapsodët e Llapushës, Sali e Feriz Krasniqi, Sefë Mleqnai me bijtë e tij etj. janë shenjë e identitetit tonë. Dhe kujtesa kolektive i regjistron në mbamendjet e saj vetëm vlerat monumentale që janë të denja për t’u kujtuar. Përfaqësojnë, siç i quan populli ynë, pra, kangëtarin ose atë aed-in antik oral e endacak, që rrëfen e këndon ngjarje historike, këngë legjendare e epike, këngë lirike që janë pjesë e kujtesës etnike shqiptare. Sokrati sikur rapsodët i cilësonte si transmetues të frymëzimit hyjnor , frymëzimit origjinal, që e frymëzon edhe dëgjuesin, audiencën, me aftësinë që komunikon me perënditë dhe njerëzit dhe ata i lidh në këtë komunikim.

Te të gjitha traditat e letërsitë botërore është krijuar edhe Kulti i Rapsodit, njësoj si ai Poetit, i Poetit Hero a i bardit nacional. Nga ana tjetër, edhe vetë rapsodët janë krijues, dhe jo vetëm transmetues tekstesh.

  1. “Po i kan hallet çiftelia”

Shaban Baksi tek tri vëllimet e tij, “Rapsodët e trojeve shqiptare”, thekson: “Të ndodhesh në mesin e rapsodëve, është vërtet kënaqësi, ata nuk janë vetëm interpretues të mirë, të lindur si të tillë, por janë edhe artstë të mirëfilltë, të përkushtuar për këngën, profesionin, origjinalitetin e krijimtarisë së tyre.”

Rapsodët janë konsideruar edhe mësues të energjisë jetësore dhe mbretër të shpirtit… Po qe se përgjithësisht frymën shpirtërore e kuptojmë si një unitet të mendimit, vullnetit, përqendrimit dhe intuitës, atëherë kjo do të thotë se një biografi e tillë poetike shpirtërore nuk mund të shkruhet për secilin, shkruhet vetëm për ata njerëz që kanë dhunti të jashtëzakonshme shpirtërore, dhe të cilët kanë vepruar e veprojnë që kjo dhunti e brendshme të zhvillohet dhe të realizohet, qoftë në veten e tyre, qoftë në marrëdhënie me botën e jashtme. Nga ana tjetër, duke i mbetur besnik edhe pamjes së jashtme, veshjes shqiptare, ata përfaqësojnë edhe këtë traditë jo thjesht me pamjen, sa me thelbin etnik të tyre. Edhe kënga, edhe traditat, edhe veshjet, edhe zakonet, ishin ai ledhi i fortë që nuk e ka lejuar këtë popull të asimilohet në kombe pushtuese, sado që pushtuesit i përcollën, me anë të armës e besimit zakonet e veta, shprehjet e veta, mënyrat e veta të sjelljes dhe mendimit. Rapsodët japin edhe shembullin e madh të shoqërimit e vëllazërimit, pajtimit dhe vlerave të tjera etnike, siç janë nderi, mikpritja , miqësia , toleranca etj.

Rapsodët janë edhe edukues të kombit në çaste të vështira, kur mungonte dora e përkujdesjes:

Eeee ej N’qifteli kur knohet kanga

Shpesh here knohen fjalt e rana

Ka dikujt nashta s’ja kana

Por me knu duhet pa qare

Doken t’kqija e dalin t’mara

Si per shembull per me marr

O kto vlla vrasje naper shqiptar

Herën e fundit e kam takuar në një emisionin ODA E LALËS në Dobërdol, rapsodin Ali Krasniqi,… dhe malli nostalgjik i rapsodit, me portretizimin aq të ndjeshëm të rapsodit shqiptar :

Ka dal dal po vjen pleqnia

po i kan hallet çiftelia.

Kanë nise gishtat e s’po m’punojnë

edhe zani mirë s’po m’shkon.

Oh trupi jem kurr s’ashtë ba rahat

Tuj kendu qytet e në fshat

Po më kujtohen fjalët e plakut

kur mi thojke rreth oxhakut.

Kur jam kanë në ditët e mia

mallë e kishin me më pa te shpia.

Këto fjalë që ja u thashë ma së pari

kanë me i ra nërmend ddo kangtari.

Ju bin mend këto fjalë e mia

Se kështu vjen e shkretë pleqnija.

Nuk janë të pakta librat e tërë që iu kushtohen rapsodëve. Nuk është e rastit pse rapsodët këndojnë për rapsodët, për t’i regjistruar ata në këtë kujtesë e që përjetohet si Këngë Mbi Këngë…

Në odën e vjetër një kangë t’re e nisa

Qysh me knu kjo zemër, përballë â Isa

Ma shumë digjet zemra se zjarmi n’oxhak

Se m’ka mbetë sharkia pa dostin n’konak

  1. “Hej rapsod, ndejë bri oxhakut”

Te vëllimi me-rapsodi “Tinguj çiftelie” të Isa Behramit , e gjejmë këtë tekst rapsodik:

Hej rapsod, ndejë bri oxhakut,

Shtrëngo’ telat e çiftelisë;

Kujto’ bamat e Gjeneralit,

Tfillo kangën e trimnisë!

Historinë mirë tue qëmtue,

Stintë që vinë mos me t’qortue.

Çifteli moj bijë malsie,

Që nga sot e kësaj dite,

Banu motër e ktij rapsodi

Dhe me tinguj ambëlsimi,

Përcill krismën prej agzoti,

T’Isa Begut nga Boletini;

Që na u ba nder historie,

Që na u ba Flamur trimnie.

Hajt rapsod, pra, të lumtë goja,

T’ndihmoftë Zoti edhe Ora,

Shtjello kangën për do sokola!

Pushk’ e tyne oshtimë moti;

Mal’e vrri’ veç po mban vesh

M’e ndëgju’ kët’ jehonë baroti

Në krejt vendin, cep me cep,

Që nga Shala e deri n’det…

Kur shtie zânin, ti, n’çifteli,

Herojtë e moçëm na i ban t’ri,

Na i ban t’ri e i vesh me nur

Dhe i blaton mu n’Flamur;

N’zemër t’Shqipes, synin gacë,

Ku pushojnë e s’dinë me u mplakë!

Rrinë krenarë n’për histori,

Flakadanë n’ shekujt t’ ri’…

Veç me gaz, pashë kangën tande,

Pashë at’ zâ që dehë n’dashni;

Krisja kangës t’lashtë dardane,

Pashë at’ çerdhe me filiza t’ri;

Që s’ na e lanë fisin me u fikë,

Që s’na i lânë kullat me u rrzbitë,

Që s’na i lânë armët me u ndryshkë…

Unë t’përcjell me mall në gji,

Ndonjiherë me lot në sy,

T’këndoftë zemra, si djalit t’ri!

Ah, moj Shalë, vatër Ilire,

Ti besnikja jonë pa hile,

Moj besnikja e përjetshme,

Nëpër shekuj e pavdekshme…

Bjeshkët tua, shpatet ngarkue

Me lisa t’gjatë, degtë ngatrrue.

Teksti, pothuajse, te shumica e vargjeve the4kson krenarinë dhe ndjesinë për traditat dhe heronjtë tanë, në këtë rast, për Isa Boletinin. Është Poema duket një thirrje për ruajtjen dhe përjetësimin e trad9tës dhe historisë kombëtare përmes folkorit. Teksti fillon me një ftesë për një rapsod. Çiftelia, një instrument tradicional shqiptar, përfaqëson simbolin e ruajtjes dhe përçimit të traditës dhe historisë shqiptare. Thekson rëndësinë e ruajtjes së këtyre traditave për ta mbajtur gjallë kujtimin e heronjve dhe ngjarjeve të kaluara. Është zëri  historisë dhe epopesë: Ky teskt rapsodik e lëvdon këngën tradicionale dhe tingujt e çiftelisë që rikthejnë kujtimet për heronjtë e kaluar dhe bëjnë që ata të duken si të rinj dhe figura të ndritshme. Përmend Shalën si një vatër të rëndësishme të traditave luftarake dhe besnikërisë shqiptare, duke e himnizuar atë për qëndresën dhe pavdekësinë e saj nëpër shekuj. Është ky tekst, një homazh i bukur për traditat shqiptare. Figura e rapsodit në këtë këngë ka një rëndësi të veçantë dhe shënjuese. Ai është përfaqësues i kulturës dhe traditës shqiptare, dhe roli i tij është t’i ruajë, përçojë dhe përjetësojë ngjarjet historike dhe heroizmat përmes folkorit. Këtu ai luan gishtat në çifteli dhe këndon për heronjtë e kalur dhe ngjarjet e rëndësishme.

Me këngët e tij, rapsodi kontribuon në ndihmën dhe shpërndarjen e ndjenjave kombëtare dhe krenarisë për historinë e atdheut, në ruajtjen e identitetit dhe bashkimin e popullit përmes traditave dhe këngëve. Është Figura e Rapsodit si Simbol: rapsodi është një simbol i lidhjes së fortë me të kaluarën dhe me rrënjët kulturore. Ai përfaqëson lidhjen midis traditës dhe brezave të rinj, duke ruajtur dhe përçuar këto vlera dhe histori. Çiftelia dhe kënga janë mjete të fuqishme për ta krijuar këtë lidhje emocionale dhe historike me të kaluarën përmes artit të tij.

Hej rapsod, ndejë bri oxhakut,

Shtrëngo’ telat e çiftelisë;

Ky varg e thërret rapsodin që të ekzekutojë në çifteli dhe të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe intime pranë oxhakut, si shenjë entke e amentit të brendshëm: rapsodi është në rolin e ruajtësit të kulturës dhe traditave

Kujto’ bamat e Gjeneralit,

Tfillo kangën e trimnisë!

iu referohet ngjarjeve historike dhe heroizmit të Isa Boletint,  të shquar si Gjeneral. Rapsodi ka për detyrë të përkujtojë dhe të nderojë heronjtë e kaluar.

Çifteli moj bijë malsie,

Që nga sot e kësaj dite,

Banu motër e ktij rapsodi

Çiftelia, si një instrument tradicional, është thirrur të bëhet “motër e këtij rapsodi”, duke theksuar lidhjen e ngushtë shprtërore e frymëzuese mes instrumentit dhe rapsodit. Këto vargje e nderojnë instrumentin dhe rapsodin si një çift që punon së bashku për të ruajtur dhe përçuar tarditën dhe historinë.

Mal’e vrri’ veç po mban vesh

M’e ndëgju’ kët’ jehonë baroti

Këtu përmenden malet që dëgjojnë jehonën e këngës së rapsodit, duke theksuar që kënga dhe historia janë të pranishme dhe të përjetuara në të gjitha qoshet e vendit. Kënga e rapsodit është e fuqishme dhe e gjerë në ndikim, duke përçuar ndjenjat dhe ngjarjet e kaluara në të gjithë territorin shqiptar.

Kur shtie zânin, ti, n’çifteli,

Herojtë e moçëm na i ban t’ri,

Vargjet flasin për mënyrën se si rapsodi, përmes këngës e melodisë së tij, i bën heronjtë e kaluar të duken si të rinj dhe të ndritshëm.

Pashë kangën e trimnisë,

Krisja kangës t’lashtë dardane!

Theksohet fuqia e këngës së rapsodit për t’i rikthyer në kujtesë trimërinë dhe heronjtë e kaluar përmes muzikës e këngës së lashtë dhe tradicionale dardane. Rapsodi përdor këngën për ta lidhur të kaluarën me të tashmen dhe për ta mbajtur të gjallë trashëgiminë kulturore dhe historike, duke e bërë atë të rëndësishme dhe të prekshme për brezat e rinj.

Pashë at’ çerdhe me filiza t’ri;

Që s’ na e lanë fisin me u fikë

vargje që simbolizojnë vazhdimësinë dhe përjetësimin e kulturës dhe traditave, duke e mbajtur fisin dhe identitetin shqiptar të gjallë. Rapsodi ndihmon në mbijetesën e identitetit kombëtar përmes këngëve dhe muzikës.

“Që s’na i lânë armët me u ndryshkë…”

Ky varg thekson se traditat foklorke dhe luftarake shqiptare janë të ruajtura dhe të ndihmuara nga rapsodi, i cili frymëzon që armët dhe pasuritë kulturore të mos kalben e të mos harrohen.

Unë t’përcjell me mall në gji,

Ndonjiherë me lot në sy,

T’këndoftë zemra, si djalit t’ri!

Ka te këto vargje ndjesi të thella të mallëngjimit dhe përkushtimit për rapsodin, duke shfaqur dëshirën që ai të këndojë me zemër dhe pasion si një djalë i ri. Ai është një figurë që, përmes artit të tij, frymëzon në ruajtjen dhe përjetësimin e traditës dhe historisë, dhe kështu është i dashur për popullin. Ai i jep një rëndësi të veçantë besnikërisë dhe qëndresës historike.

Në tërësi, figura e rapsodit në këtë tekst rapsodik, është e përshkruar si një ruajtës dhe përçues i thellë i traditës dhe historisë sonë. Ai është një hero i kulturës dhe traditës, një udhëheqës në ruajtjen e kujtimeve dhe ngjarjeve të rëndësishme përmes artit të tij dhe këngëve tradicionale.

6.

Rapsodët janë mjeshtër të interpretimit muzikor, janë figura të respektuara në shoqëri. “Këngëtari dhe kënga e tij dëshmojnë se shumë gjak të shqiptarëve është derdhur për Kosovën” , thotë folkloristi Dr. Rrustem Bersha.

Respekti dhe nderimi ndaj rapsodëve në shoqërinë shqiptare është një dëshmi e rëndësisë së madhe që ata kanë në ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës dhe historisë kombëtare. Përmes njohurive të tyre të thella për historinë dhe kulturën, aftësive të tyre artistike dhe pjesëmarrjes në ngjarje të rëndësishme, rapsodët kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në traditën e popullit shqiptar. Ata janë figura të nderuara që mbajnë gjallë traditat dhe kujtesa kolektive, duke ndihmuar në formësimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar .

Qershor 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok