22/12/2024

Festa e Nënë Terezës

0
Nene-Tereza-Atjoni2

Nga Visar Zhiti

Edhe këtë radhë mbërrita në Tiranë, në aeroportin “Nënë Tereza” në një datë festive, 5 Shtatori i Nënë Terezës, kur ajo para 7 vjetësh u shpall shenjtore… Dhe është festë zyrtare në Shqipëri, ditë pushimi.

Në aeroport brenda kishte rrëmujë të madhe, por asgjë prej feste, dhe jashtë vargan veturash… Pasditja e vonë vezullonte vërtet.

– Edhe këtë radhë asnjë dritë që të përkujtonte këtë festë, që është e të gjithëve a një parrullë me emrin e saj, një portret… – po i thosha mikut tim që kishte dalë të më priste. Por biseda jonë kishte përmallim, kishte Nënë Terezë…

Dhe pyeta për shtatoren e re të saj në aeroport, desha ta shoh, por gjithë ky kaos, të shtynte në të kundërt si me dallgë, ndërsa në të dalë, tek ajo që quhet me një fjalë italiane “rotonda” e aeroportit, shtatorja e Nënë Terezës në muzgun mbrëmësor dukej dëshpërimisht e vobektë, është vobektësia jonë shpirtërore, po thosha me vete, s’kishte kurora me lule aty, as qirinj fare, as ndonjë projektor, i drejtuar  nga Shenjtja, por begati pluhuri prapë, veç ky ar i padobishëm…

Miku im e përshpejtoi makinën, unë s’bëra asnje foto, s’e ktheva kokën pas. Mbërritën në shtëpinë time, miku im  nuk ndejti, kishte për të shkruar… e kishte premtuar, do bënte diçka për poezinë e Dom Ndre Mjedës. Dhe më vetëtiu në kokë që Nënë Tereza, vajzë e re, i kishte lexuar poezitë e tij, ia jepte vëllai i Domit, që ajo e kishte patur mësues.

Hapa me ngut njërën nga valixhet, nxora një qiri që e kisha sjellë nga larg dhe e ndeza pranë statuetës së Nënë Terezës në dhomën e librave dhe portretit të saj të bardhë si mermeri në sallon. Festa shpesh është më e fuqishme brenda shpirtit të njeriut, se sa me zhurma e fishekzjarre jashtë, po mendoja përsëri dhe mjaftonin një përzemërsi, ja, si kjo e mikut tim. bisedat serioze dhe të mençura si përherë, përkushtimi dhe është kaq i ri, këtu po ngulmoj, se kjo më bën të besoj, që po vjen një brez i ri i virtyteve, nëse… dhe kjo është festa e Nënë Terezës dhe s’jam i vetëm që po e festoj…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok