05/12/2025

FËMIJA DHE ATDHEU I ÇMENDUR

0
Zhiti-Burgu

20 Nëntori është Dita e Fëmijëve,

e të Drejtave të tyre…

Nga Visar Zhiti

“…vendet e botës vendosën që fëmijët janë të rëndësishëm…” – më të rëndësishëm se ne, se gjithçka – shtoj unë.

Në 20 nëntor 1959 OKB miratoi Deklaratën dhe po në këtë datë në 1989 Konventën, dokumentin e plotë ndërkombëtar që garanton për fëmijët:

– të drejtën për jetë dhe zhvillim,

– arsim,

– mbrojtje nga dhuna e abuzimi,

– shëndet,

– barazi,

– pjesëmarrje dhe dëgjim të mendimit të fëmijëve.

Sa bukur! Po. Të dëgjosh fëmijët, fëminë tënde… Dhe s’mjaftojnë aq, – them unë…

Dikur kisha shkruar një poezi për fëmijët dhe keqtrajtimin që u bën një atdhe i çmendur, guxova të them, ndoshta i pari atëhere, “atdhe i çmendur” nga që isha në burg, çmendurinë e atdheut e kishim të gjithë. Poezinë e bëra me mend nën tokë, në minierë duke shtyrë vagonat dhe kur dolëm nga puna, e hodha në fletore fshehurazi. S’dija asgjë nga vendimet që merrte bota për fëmijët…

Pasi ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri, u botua dhe poezia ime, edhe si faksimile në përmbledhjen anastatike me poezi “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, u përkthye dhe anglisht nga albanalogu i shkëlqyer Robert Elsie, është në librin e përgatitur prej tij “The condemned apple”, botuar dy herë në SHBA.

Po mendoj se Atdheu i çmendur s’është gjë tjetër veçse fytyra e tanishme e një rritjeje të keqe, mund të mos kenë munguar buka, lodrat, libri, por dashuria, shembulli dhe leximi i mirë, është ajo tradhti e pafajësive të fëminisë së vetes dhe të shokëve të klasës… dhe kur nuk arrin të bëhesh çfarë do të deshe dhe tjetri të duket se u bë, kthehesh në agresiv, në një inatçi i përgjithmontë, natyrisht dhe për çfarë të mungon e nuk do ta kesh kurrë, s’është vetëm famë, shtëpi e madhe, makinë luksoze apo grua, por thjesht virtyt, talent, harmoni, e kupton që do të lësh trashëgim atë që trashëgove: traumat që edhe s’i di cilat janë, atë antiedukatë si ligësi etj, ca më keq, edhe atë kënaqësinë mjerane që të duket se arrite të kesh dhe kri(ji)mtari tënden që të dha njohje për përreth… Këto ia them vetes dhe pyes: po si do të na njohin? Apo si ne absurdin?…

“Anyway”… por po sjell këtu edhe fletën e poezisë si ndjesë, siç e shkruajta dikur në burg, por po vë dhe disa piktura të mrekullueshme, – kështu më duken,- kanë mençurinë e bukur të fëmijës, edhe pakëz humor, ngazëllim e trishtim të lehtë, dritë dhe qiell dhe pafundësi, – vepra të piktorit Agim Sulaj, me njohje ndërkombëtare e me çmime të shumta. Që ia mora pa leje, besoj do të ma falë, jo pse njihemi, por sepse i dua shumë punët e tij…

Ja, poezia:

Fëmija

dhe atdheu i çmendur

– nga Visar Zhiti –

I vogël je ti dhe atdheu është

                                                     i çmendur,

S’pranon të lozë me ty

                          as në pushimet e verës.

Kaq herë, kaq herë të ka trembur

me përplasjet brutale të derës.

Mos dil përjashta! – të ka thënë,

                                                        – rri urtë!

Kurse lart në taracë ndihej

                  gugitja e butë e pëllumbave.

Ti merrje dhe bëje thërrime

                                              një copë bukë

dhe i hidhje që të çukisnin me sqep

                                      tufat e ëndërrave.

Kurseje dhe bukën!! – me zë shkolle

                                   atdheu të bërtiste

duke ta veshur me pëllëmbë syve.

Por ti veç harroje dhe përsëri

                                                 të mahniste

mbrëmja e rrugës nën lotet e yjeve.

Prej andej dilnin prindërit,

                                     të lodhur, të lodhur

dhe qeshnin veç për ty,

                         se dhe e qeshura duhet.

Befas ata çdo gjë ta shndërronin

                                                          në lodër,

veç jo atdheun,

              me atdheun e çmendur

                                                      nuk luhet.

(Qafë-Bari, 08.08.1986)

THE CHILD

AND THE LUNATIC LAND

You are only a child and your land

                                                     is a lunatic,

It refuses to play with you

             not even on summer holidays.

How often has it frightened you

With the brutal slamming of doors.

Don’t go outside,- it said, –

                                                be good now!

And yet from up on the veranda

             came the soft cooing of doves.

You took a slice of bread

                                              and scattered

The crumbs

      for the flock of dreams to feed on.

Do not waste bread!

        screamed the nation in school-

                                            teacher fashion

And blinded your view

                        with the palm of its hand.

But this you forgot and again were

                  enthralled by the fall of night,

By the streets under the tearful stars.

Then your parents came home,

                                        tired, ever so tired,

And smiled for you alone,

                     for even smiles are needed,

And suddenly everything turned

                                     into fun and games,

But not your country.

                   You don’t play games

                                        with a lunatic land.

(Qafë Bari prison camp,

8 August 1986)

Përktheu nga origjinali

Robert Elsie

Dorëshkrimi me shënimin në fund, datën dhe firmën…

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok