25/04/2024

FEDERATA PAN-SHQIPTARE VATRA E AMERIKËS FESTON 109-VJET SHQIPËRI!

0

Nga Frank Shkreli

Të gjithë ata që i ndjellin zi organizatës më të vjetër shqiptaro-amerikane, duke thënë se “Vatra ka mbaruar”, “s’ka më ndonjë rol për të luajtur”, “misioni i saj ka marrë fund”, e tjera dashakeqësi të tilla, duhej të ishte i pranishëm në darkën e organizuar nga kjo federatë historike e komunitetit shqiptaro-amerikan, mbrëmjen e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor, 2021.

Qëllimi i këtij komenti të shkurtër nuk është që të shkruaj një kronikë të mbrëmjes – sepse jam i sigurt se gazeta Dielli, organ i Vatrës, por edhe gazetarë të tjerë që ishin të pranishëm në darkë, do të pasqyrojnë me korrespeondencat e tyre, në hollësi, fjalimet dhe zhvillimet e mbrëmjes festive në sallën Eastwood Manor të lagjes Bronx.

Vatra e vitit 2021, drejtohet nga Kryetari i ri, Z. Elmi Berisha, një biznesman i njohur dhe aktivist i dalluar dhe i pa lodhur i komunitetit shqiqptaro-amerikan dhe ish-përfaqësues i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Shtetet e Bashkuara.  Z. Berisha është zgjedhur gati dy vjetë më parë Kryetar i vatrës, me një Kryesi, Bord dhe antarësi të re.  Edhe gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, gazeta më e vjetër shqiptare që botohet gjithnjë, ka një Editor të ri, gazetarin energjik, Z. Sokol Paja.

Si pjesëtar i vjetër dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve, vura re mbrëmë se megjithë sfidat me të cilat është përballur në vitet e fundit, Vatra, është me një udhëheqje të re dhe efektive, me një antarësi gjithënjë në rritje, me përfaqsues të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh të ardhur në këtë vend 10-30 vitet e fundit, sidomos me anëtarë të rinjë edhe për nga mosha dhe mirë të edukuar — përfshir në universitetet amerikane – në krahasim me brezat e mëparshëm të shqiptarëve në Amerikë.  Edhe pjesëmarrja prej lartë nga 500 veta në darkën që shtroi mbrëmë Vatra për të shënuar 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e pasqyroi këtë fakt, se diçka duket se po ndryshon, për më mirë, me Vatrën, përfaqsuesën dhe votrën më të vjetër rreth të cilës janë mbledhur shqiptaro-amerikanët, në kohë festash, por edhe për të qarë hallet dhe për të ofruar ndihmë në kohë krizash, me të cilat janë përballur shqiptarët këtu dhe në atdhe, ç’prej themelimit të saj në Boston në vitin 1912.

Ishte një pjesëmarrje që, në të vërtetë, i tregonte një vërejtësi se megjithë sfidat gjatë historisë së saj, Vatra e Nolit dhe e Konicës, nuk i lëshon armët, Vatra nuk dorëzohet, as përball sfidave të mbrendshme as të jashtëme.  Sepse ky komunitet, brez pas brezi, i gjenë njerzit e duhur në kohën e duhur, jo vetëm për ta mbajtur gjallë Vatrën, por për t’a udhëhequr Vatrën e vjetër në një mision të ri historik, në shërbim të Shqipërisë, Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi.

Pjesëmarrja mbrëmë ishte nga shqiptaro-amerikanë, shumica të ardhur 2-3 dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica, siç thashë, gjithashtu në moshë të re dhe nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim. Denjësisht u përfaqësuan nga të parët e tyre edhe tri komunitetet tona fetare këtu në Nju Jork, të ulur së bashku në tavolinën e nderit, duke venë në dukje edhe para disa mysafirëve amerikanë harmoninë tonë fetare. Eh, sikurë politikanët shqiptarë do të tregonin të njëjtën harmoni, të pakën për një ditë që u përket të gjithëve, siç është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Të pranishëm ishin gjithshtu edhe diplomatët shqiptarë, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Ishte, veçanërisht, kënaqësi të shihje përfaqsuesit e Misionit të Shqipërisë në OKB, të cilët — ndryshe nga diplomatët e Kosovës që kanë marrë pjesë, pa dallim, në pothuaj çdo aktivitet të komunitetit gjatë viteve — diplomatët e Shqipërisë kanë munguar, fatkeqësisht, për vite të tëra, në darkat dhe takimet e organizuara nga Vatra. E vërteta është se për diplomatët e Shqipërisë kishim pritur për një gjysëm shekulli, gjatë luftës së ftohët, të na bashkoheshin në raste të tilla.  Për arsye që dihen, diplomatët e Tiranës i mungonin komunitetit për pothuaj një gjysëm shekulli.  Mbrëmë ata u pritën vëllazërisht dhe miqësisht nga krerët e Vatrës dhe nga komuniteti në festën e përbashkët për të gjithë shqiptarët, pa dallim — në Festën e Madhe të pavarësisë së Shqipërisë, të Ditës së Flamurit të 28 Nentorit, 1912.

Kështuqë, kjo darkë tregoi se sa të jenë shqiptarët të bashkuar, ashtu siç ishin mbrëmë në atë takim përkujtimor të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm Shqipëria dhe Kosova do rrojnë e do të përparojnë, por edhe Vatra do të vazhdojë të rrojë dhe të veprojë në interes të Kombit, e drejtuar nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, ashtu siç ka bërë ç’prej fillim shekullit të kaluar. Me siguri se për derisa të ketë Shqipëri, Kosovë dhe shqiptarë, do të ekzistojë edhe Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës.

Misioni i saj për mbrojtjen e interesave kombëtare në Amerikë dhe në trojet shqiptare, jo vetëm që nuk është shuar, por duket se për Vatrën po shtohet edhe interesimi dhe mbështetja nga shqiptaro-amerikanët e ardhur këtu, vitet e fundit.  Se, Federata Vatra, si organizata më e vjetër dhe më historike në këtë vend, por që ka luajtur edhe një rol kyç e vendimtar gjatë historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve po merr një hov të ri, shtyrë nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, i cili me ndërgjegjësi morale e kombëtare — me Vatrën dhe në emër të Vatrës — do të vazhdojnë të punojnë për më të mirën e mundur për Atdheun e të parëve tonë shumë të vaujtur. Kryetari Elmi Berisha tha se Vatra po mobilizohet dhe u premtoi të pranishmëve se Vatra nën drejtimin e tij do ndërtojë ura të reja lidhëse me institucionet amerikane në Washington dhe gjetkë.

Tani, detyrimisht dhe përgjegjësisht, i takon këtij brezi të ri të shqiptarëve që, së bashku, të mbrojë dhe të realizojë objektivin kryesor dhe mbarë-kombëtare, sot për sot, duke vepruar dhe duke punuar me, guxim dhe pa kursim, për një Shqipëri dhe Kosovë vërtetë demokratike, sa më shpejt dhe pa vonesë, si anëtare të plota, me detyrime, përfitime dhe përgjegjësi, në organizmat euro-atlantike ushtarako-politiko-

ekonomike, duke mos harruar, njëkohësisht, as Çamërinë dhe as të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre arbërore.

Frank Shkreli, 30/11/2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok