22/12/2024

FASADA E JASHTME DHE BRENDIA E SHËMTUAR E GJËRAVE

0
Prend-Buzhala

(Replikë me realitetin)

Nga Prend BUZHALA

Në gjuhën shqipe, fjala FASADË ka dy kuptime. I pari: “Faqja e përparme e një ndërtese, ana e jashtme e faqes kryesore të një ndërtese, parëse, ballinë. Fasada e ndërtesës (e shtëpisë, e pallatit)”. Natyrisht, edhe skuadrat a firmat e punëtorëve të fasadës (suvatuesve) që fitojnë nga kjo veprimtari me djersën e ballit e me mundin e tyre prej mjeshtri, në Kosovë (dhe gjetiu) janë të shumta; firma a kompani të specializuara me këto zanate private në muraturë dhe punime të tjera ndërtimore, për fat të mitë, kanë krijuar edhe jo pak mundësi punësimi. Një ndërtesë e punuar bukur nga punëtorët e fasadave si mjeshtër ndërtimi, me rinovimet e ndryshme ndërtimore, natyrisht, përveç efektit të jashtëm, estetik, e kanë edhe efektin tjetër funksional, atë të mbrojtjes nga kushtet e ndryshme të motit dhe të vjetërsisë së objektit. Na pëlqejnë fasadat tradicionale të mureve shqiptare, dhe se si bëhet kjo punë (edhe me mure mozaikë etj.) ka të bëjë edhe në fushën e etnokulturës së një populli. Dhe nuk është e rastit përse jo pak objekte restorantesh apo objekte tjera për shërbime të ngjashme, kanë mure të veshura me dru, me gur, me mozaikë, me mermer, me pllaka alumini, me materiale plastike apo edhe me mure të mbuluara me dru, gur (sidomos me mermer), pllaka alumini, nga materiale plastike ose edhe nga pllaka qeramike. Puna kolektive e përbashkët bëhet nga punëtorë fasadash, nga keramistët, suvatuesit, nga punëtorë të profesioneve të ngjashme, madje edhe nga piktorë mozaikësh. Ka një art të tërë figurativ, skulpturor etj. që është zhvilluar mbi bazën e këtyre veprimtarive, sidomos nëpër metropolet evropiane.

Këta punëtorë, pra, nuk janë analfabetë, por mjeshtër e punëtorë të vërtetë, me arsimin e nevojshëm e me përvojat e fituara në kryerjen e profesionit. Se a ka ndër ne degë të posaçme që arsimojnë punëtorë të tillë, apo i lihen përvetësimit të zanatit nga vetë kompanitë, në mënyrë stihike, është tjetër punë. Se a ka ndër ne rregullore a dokumente që përshkruajnë vendin e tillë të punës, për fasadë në ndërtesa banimi, ndërtesa publike, në objekte industriale, tregtare apo stadiume futbolli, objekte kulture, rrugë etj., po ashtu edhe kjo është tjetër punë. Nëpër rrugët a hapësirat publike, private etj., do t’u kenë rënë në sy këta punëtorë me makina në dorë, me makina suvatimi, me mikserë apo mjete të tjera të ndryshme, me helmeta a kaska prej metali në kokë.

Triumfi i lustrës

Porse jeta e përditshme nga fjala FASADË e ka krijuar edhe kuptimin e dytë figurativ, siç e shënon Fjalori: “Pamje e jashtme e mirë a e bukur, që fsheh diçka të keqe a të shëmtuar, pamje që të gënjen.” Në fjalorët frëng, prej nga vjen kjo fjalë (pamja e jashtme, balli i një ndërtese), për të thuhet po ashtu: “Pamja që i jepet diçkaje, sjellja e ndikuar nga dikush në mënyrë që të fshehin gjendjen e tyre reale. Besimi i tyre është një fasadë; në fakt, ai është i shqetësuar.” Kur francezët shqiptojnë shprehjen “Shkatërroni fasadën e dikujt” e thonë në kuptimin: “goditeni fort në fytyrë”, d.m.th. demaskojeni mashtrimin.

Pas një fasade të tillë, ku pamja e jashtme fsheh thelbin e keq, brendinë e shëmtuar etj., fshihet gjithmonë një aktor në pusi, që vepron në fshehtësi, një aktor a figurë me rëndësi publike a shtetërore.

Aktorët (njerëzit që kanë një profil të tillë publik), kanë gjithmonë diçka për të fshehur:

– pas një vepre bamirësie të rreme, ai fsheh thesarin e tij, të përvetësuar me mashtrime,

– pas një veprimtarie publike prestigjioze, ai fsheh pasurinë e tij,

– pas një miqësie (si e mirë publike a shtetërore) me një shtet a firmë të jashtme, ai fsheh paratë e tij, interesat e tij fitimprurëse,

– pas një lustrimi të jashtëm të ndërtesave, ai fsheh thelbin e mjerimit social të qytetarëve, papunësinë, varfërinë dhe ekzilin social,

– pas kujdesit të rremë për mirëqenie, për përparim e për zhvillim, ai fsheh dëbimin e të rinjve jashtë, shpopullimin e rajoneve të tëra, arat e lëna bjerrë, shtëpitë e pabanuara e pa njerëz, apo shtëpi me pleq të vetmuar për të cilët nuk kujdeset askush,

– pas fjalorit optimist për ligjin, reformat, arsimin, shëndetësinë etj., ai fsheh gjendjen e sëmurë, krizat gërryese, konfliktet e hapura e latente, krizat social-familjare që çojnë në vrasje e vetëvrasje,

– pas fasadës së bukur të drejtësisë, pas dënimeve me burg të njerëzve të thjeshtë të zënë në kurthin e gjymtimit e të imoralitetit social-politik, ai fsheh ndërtesën e rrënuar të shpirtit njerëzor e të vetë drejtësisë,

– pas një debati të hapur publik, interviste, opinioni etj. etj., fshehin të çarat etike, psikosociale, plasjet e ndërgjegjes apo ato të shthurjeve nga më të ndryshmet që gërryejnë së brendshmi një shtëpi, një shoqëri, një komb a një shtet,

– përbetimet për integrime në Bashkimin evropian, janë fasadë e bukur për ta mbrojtur thelbin e stërkequr e të trashëguar oriental të regresit historik që na ka shkaktuar vetëm shprishje të identitetit nacional dhe përçarje të brendshme (religjioze, krahinore apo edhe ideologjike e partiake) etj. etj.

Një shkrimtar i ri francez, te vepra e tij “L’antilegende” (Antilegjenda), Fabien Clavel, do të thoshte: “A nuk iu ngjanë ndërtesat vetë burrave? Koha kalon dhe fasadat e tyre pëlcasin, rrënojat shfaqen nën suva. Dhe ne nuk jemi asgjë më shumë se rrënoja tekanjoze e të paqëndrueshme.” Kurse Viktor Hygoi i përshkruan anglezët e kohës së tij se si pamjen e jashtme e kanë të zbukuruar, me shkallë të jashtme të hyrjes, me dritare të pastra, me perde të qëndisura, por përbrenda kanë çarçafë të ndotur.

Situatat fiktive na paraqiten si situata të qëndrueshme reale, nën fasadën e profesionalizmit mediatik apo institucional.

Sa fiktive na janë edhe konkurset që shpallen, me kriteret e pranimit e parimet që gjoja zbatohen, dhe kur pas kësaj besueshmërie të konkurrimit, profesionalizmit etj., fshihet krejtësisht diçka tjetër: antivlera, antiparimi, antiprofesinonalizmi, korrupsioni, familajrizmi, përkatësia partiake. Me një fjalë, “rezulton se një lloj kaosi i frikshëm mund të fshihet menjëherë pas një fasade të rendit – dhe megjithatë, thellë brenda kaosit fshihet një lloj rendi edhe më i frikshëm” (Douglas Hofstadter). Egjiptianët e lashtë kanë thënë: “Fasada është mermeri (guri i çmuar), kurse pjesa e brendshme është blozë.”

Lustra triumfon, kurse vlerat shemben për tokë.

Ismail Kadare: dekori i jashtëm e dekori i brendshëm te novela “Komisioni i festës”

Ismail Kadare është mjeshtër i ballafaqimit të dy dekoreve të tilla: dekorit të jashtëm (fasadës) dhe dekorit të brendshëm (krimit, të shëmtuarës). Te novela “Komisioni i festës” si lëndë trajtimi, novela shfrytëzon ngjarjen e njohur të vitit 1830 që njihet me emrin “Masakra e Manastirit” (në një vilajet të dikurshëm shqiptar e në Maqedoninë e sotme). Është koha kur shtypen pashallëqet shqiptare, kur në Shqipëri mbretëronte anarkia, kur grupe feudalësh shqiptarë hidheshin në sulm me armë kundër garnizoneve ushtarake turke. Për të vendosur autoritetin e vet në Shqipëri, Porta e lartë nisi në krye të një ushtrie moderne turke drejt Shqipërisë një pasha turk, Mehmet Reshit Pashën. Mehmet Pasha kishte organizuar për të ftuarit një pritje madhështore… Dhe kjo është pamja e jashtme, e bukur, madhështore, fasada e pajtimit, dukja. Brenda pak minutash u shfarosën me tradhti rreth 500 derebedej e feudalë shqiptarë, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. Kështu thotë historia. Por këtë ngjarje të tmerrshme të masakrës së madhe e shënoi edhe kënga popullore:

Veziri thirri gostinë

po u kthyen batarenë.

Edhe historia, edhe kënga popullore, edhe novela sikur flasin me një gojë: kështu e kanë armiqtë; ata fshihen prapa një gostie, prapa mbledhjeve e frazave për paqe, prapa spektakleve. Për të qenë sa më e bindshme ngjarja e paraqitur, shkrimtari fut aso strukturash tekstore-ligjërimore që përafrohen me realizmin dokumentar, siç janë teksti i fermanit, ftesat, projekt-deklaratat, fjalimet e përgatitura etj. Që në fillim të novelës i sugjerohet lexuesit se ka të bëjë me një ngjarje të madhe: ajo ngjarje është paqja dhe dora e shtrirë e sulltanit për pajtim me shqiptarët kryengritës. Dhe për këtë ngjarje bëhen përgatitje të ethshme e të shumëllojshme, që ajo të ketë pamjen e një spektakli të vërtetë. Dërgohen ftesa me shenja e vula perandorake në të katër anët e shtetit. Në përgatitjen e ngjarjes së madhe marrin pjesë zyrat e protokollit perandorak, Ministria e Jashtme e instanca të tjera të shtetit. Mbahen mbledhje me fjalime të rëndësishme. Vendi i zgjedhur, ku do të mbahet kuvendi i madh, është një qytet I PAPËRCAKTUAR me emrin N. në të cilin njerëzit ishin të nënshtruar e të bindur ndaj rregullave të shtetit e të fesë; një qytet pa ngjarje të zymta apo të përgjakshme. Organizohen lojëra të mëdha. Bëhen llogari, fatura e procesverbale, përgatiten karroca për mysafirë të lartë, e, mbi të gjitha, përgatitet bash-bakllava. Përgatiten hotele, salla, hane. Çdo gjë bëhet për të mos u krijuar keqkuptime për statusin e Shqipërisë si pjesë përbërëse e Perandorisë:

Përgatiten fjalime, projekt-deklarata e dokumentacione në dy gjuhë, turqisht e latinisht, për të krijuar idenë e dyanshmërisë në bisedime.

Historia, miti, kënga dhe letërsia në veprën e Kadaresë gjejnë një ndërkomunikim të habitshëm tejkohor e universal. Kjo sintezë komunikimi në mes historisë, këngës dhe artit në strukturën formative të krijimit letrar, e thur dekorin e mbrendshëm dhe dekorin e jashtëm. Estetikën dhe Poetikën.

Ky është dekori i jashtëm, të cilit autori i kushton jo pak rëndësi.

Pra, në krye të kësaj hierarkie që përgatit masakrën, është vetë sulltani. Sipas këtij fermani rregullohet edhe dekori i jashtëm. Sulltani paraqitet si instanca më e lartë e shtetit (sulltan, kalif, perandor); paraqitet si “paqedashës”: “Unë e zgjat dorën time të paqes Shqipërisë”; paraqitet si dashamir i Shqipërisë: “Shqipërinë e kam gaz…” Edhe më vonë janë shfaqur sovranë e “miq të popullit shqiptar”; janë shfaqur me formula të ngjashme dhe që prapa solemnitetit të tillë të frazave, kanë fshehur urrejtjen dhe thikën.

A mund të falte Sulltani?

Jo, sepse ai mbahej në fron me krime e mashtrime, me masakra e tërbim. Ai që propozoi mbledhje të madhe pajtimi me armiqtë e Perandorisë, ai që premtoi paqe e ditë të lumtura, ai që tha “Shqipëria të kthehet në xhenet në breg të detit”; po ai ka edhe një ferman të fshehur, katil-fermanin që e përgatit dekorin e brendshëm: masakrën e përgjakshme.

Të tjera janë urdhrat e haptë, legalë, për dekorin e jashtëm.

E, krejtësisht të kundërta janë urdhrat e fshehtë, ilegalë, për dekorin e brendshëm novelistik, të fshehtë, ilegal.

Tani, me të dalë në sipërfaqe ky urdhër, Sulltani “do të ndërrojë gjuhë”.

Sulltani tani do të thotë se shqiptarët s’e deshën dorën e miqësisë, sepse shqiptarët “janë stërnipër djajsh”, prandaj “Shqipëria do të zhbëhet.”

Pas prishjes së dekorit të festës, pra, pas masakrës së kryer, prapë kalojnë ushtri e batalione drejt Shqipërisë: “Prapë drejt Shqipërisë? Po Shqipëria sikur u zhbë, apo jo?” Po kush do t’i udhëheq tani shqiptarët. Prijësit e tyre sikur janë vrarë që të gjithë. “Kanë dalë të tjerë prijës, vëlla. Akoma më të tmerrshëm se të parët (fq 118).

E pra, lufta vazhdon.

Kujtimet e masakrës nuk harrohen, nuk mund të mbulohen me kurrfarë spektaklesh.

Novela nënvizon idenë kryesore në strukturën e saj, se me armikun nuk mund të ketë besë, pajtim apo festë pajtimi. Ai që e harron këtë, ja si e pëson nga dora armike!

Dekori i brendshëm tashmë i kundërqëndron atij të jashtmit, me metodën e çmaskimit letrar. Dekorin e jashtëm që e përmban të fshehtën, apo thënë më mirë Kalin e Drunjtë brenda barkut të stolisur e ku fshihen krimi e urdhrat e fshehtë të monarkëve, Kadare na e ka dhënë në një varg krijimesh, qofshin ato romane, novela, tregime apo krijime poetike.

Është drama tragjike, shpeshherë e luajtur në skenën tragjike të historisë sonë: me iluzionin tragjik se mbas shumë luftërave të gjata, paqja mund të vinte edhe nga armiku shumëshekullor. Mashtrime, gabime, iluzione, mendësi e veçori të ngjashme karakterologjike, ka pasur dje e ka edhe sot. Kadare ati i zhdrivillon me mjeshtri. Aktet e kësaj tragjedie janë luajtur dje e luhen edhe sot. Ndërrohen kohët, ndërrohet vetëm skena. Dekori mbetet i njëjtë.

Bashkëpunimi i shtetit me krimin

Në botën e krimit ekonomik (të brendshëm e të jashtëm), ekzistojnë edhe të ashtuquajturat organizata të fasadës (Organisation de façade), e që është “një grup frontal, një organizatë përgjithësisht e fshehtë dhe shpesh e paligjshme krijuar në mënyrë që personi i ngarkuar me një operacion, ose një bandë e organizuar të mos shfaqet, ose për të dhënë përshtypjen se operacioni po kryhet nga një subjekt tjetër që dikush padrejtësisht dëshiron ta përcaktojë si ‘fajtor’ ose përgjegjës.” organizimet e tilla shfaqen legjitime, por në brendi fshehin objektivat e vërteta. Nuk është e habitshme përse shfaqen aq shumë sekrete bankare, sekrete tregtare, dëshmi të rreme, prodhim të dokumenteve të rreme, trafikim mallrash e njerëzish, rrjete të ndryshme bashkëpunimi etj. etj. nën firmën e OJQ-ve a të Organizatave bamirëse. Ua shto këtyre veprimtarive rekrutimet e njerëzve, rekrutimet ideologjike, partiake (për shërbimet e krimit, për pasuri brenda një nate) etj. etj. me një fjalë, në veprim vihet makineria e përbindshme mafioze-shtetërore e krimit.

Nuk është e hatashme përse veprimtaritë kriminale ekonomike mbështillen me velin politik, si krim transnacional; dhe, sa e sa organizata “anti-terror” a “anti-drogë” vihen në veprim si Interpol, konventa ndërkombëtare etj., e ku direkt ky veprim kriminal i punëson edhe institucionet tjera që na i paskan duart “plot punë”! Krimi e shteti bashkëpunojnë, me dy fytyra: me fasadën e jashtme, legjitime e me dekorin kriminal veprues, të brendshëm.

Po ashtu, nuk është aspak e habitshme përse njerëzit detyrohen për mbijetesë “të përshtaten” me fasadën a pamjet e jashtme të këtij realiteti makabër; të përshtaten ideologjikisht, partiakisht, apo edhe nga ndonjë aspekt tjetër, vetëm për të mbijetuar! Gjithsesi, edhe me ëndrrat për t’u pasuruar brenda një nate (krimi).

Ç’po ndodh me fasadën e dialogut me Serbinë?

Nuk janë të pakta makinacionet e sotme të dekoreve të tilla jo vetëm brenda shoqërisë shqiptare, por edhe në raportet me Evropën, me botën e sidomos me të ashtuquajturin dialog me Serbinë e që meriton një trajtim të posaçëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok