05/01/2025

FARSA TRAGJIKOMIKE E REALITETIT

0
Kalosh-Celiku-Kopeja

Në vend të parathënies

(Kalosh Çeliku: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin – dhjetë drama groteske,  Botim i Autorit – Shkup, 2024)

NGA PREND BUZHALA

Shtatë dramat e vëllimit “Imzot, lehin qentë“ të Kalosh Çelikut (“Imzot, lehin qentë“, “Ndihma e shpejtë“, “Zorra qorre“, “Kopeja me zgjebe ndjek Autorin“, “Lamtumirë bërllok”, “Kali i Trojës na polli në Bit-Pazar”, “Repriza e vëllazërim – bashkimit“, si dhe tri monodramat “Një vit frikë“, “Pabesia” dhe “Disidenti i Unionit të viçave“ përbëjnë një strukturë përmbajtësore – tematike, një tërësi stilistike e satirike. Është koha e thyerjeve sistemore – politike, kur po zhvisheshin kultet e totalitarizmit dhe kur në skenën e ndërruar të historisë, aktorët e së djeshmes shndërrohen në aktantë komikë e tragjikomikë edhe të së sotmes. Prandaj, çështjet që trajtohen në këtë vëllim, janë probleme të mëdha të kohës.

Këto tekste kanë një kumtim të përbashkët idesh, vizionesh çmaskuese, pa ndërlikime mitemash e semantemash të dramaturgjisë postmoderniste. Nëse ngjizet fryma e tillë post/moderne, atëherë ato i nënshtrohen filozofisë estetike të autorit mbi satirën e tragjikomiken.

Tekstet dramatike të Çelikut përshkohen nga pleksja e çuditshme e elementeve tragjike me ato të groteskës dhe të ironisë me realitetin. Ka në këto tekste farsë tragjike, humor ngapak vulgar, personazhe të bërë me karikaturë letrare, dhe, posi tek Jonesko, ka edhe intrigë të realizuar e të endëzuar mbi mosmarrëveshjet.

TEKNIKA DISKURZIVE DRAMATURGJIKE

Teknika diskurzive-dramaturgjike e Kaloshit është e qartë dhe e dukshme në shumë nivele: si në atë të syzheut, ashtu edhe në atë kompozicional; me ndodhi krejt të rëndomta jetësore. Autori i përdor me mjeshtri diskursin e burokracisë së kaluar partiake-shtetërore, të shpërndërruar tashmë në trajta të reja të hipokrizisë së ngritur në institucion shtetëror. Hipokrizia, demagogjia e cinizmi, së këndejmi, janë mjete dhe leva që i shërbejnë pushtetit. Të mësuar se çfarë profiti sjell “diskursi i disidencës” dhe “diskursi patriotik” kundër komunizmit; të metamorfozuarit e Kalosh Çelikut, në “kushtet e demokracisë” i përdorin këto diskurse “antikomuniste” në nivele të ndryshme të hipokrizisë, tek e zëvendëson fantazmën e “pushtetit absolut” të “sistemit monist” me pushtetin absolut të diskurseve të larttheksuara.

Shkrimtari i vë në pah me shkathtësi antonimitë e përmasave të kësaj hipokrizie: në mes të ideologjisë pushtetore të së tashmes dhe biografive të tyre të djeshme; në mes të demokratëve të përtashëm dhe ish komunistëve vetëqeverisës të vëllazërim-bashkimit të djeshëm; në mes të atyre, të cilët sot atë që e shqiptojnë fuqimisht, nesër e mohojnë me të njëjtën forcë. Më në fund, e shquan temën e madhe e jashtëzakonisht komplekse të konfliktit në mes politikës dhe moralit.

Aparati pushtetor i këtyre horrave, sikur e ka shpallur kodin e pashkruar të mënjanimit të sinqeritetit nga jeta e përditshme dhe e ka promovuar dyfytyrësinë.

Pra, “tipar” i botës së këtyre personazheve është mosmbajtja e fjalës, luhatja në qëndrime, mosrespektimi i marrëveshjeve etj. Së këndejmi replika satirike e Kaloshit përplaset në mes të thënies dhe dëshmisë; do të thoshim, në mes të hipokrizisë dhe të vërtetës, sepse “kriteret” e mësipërme janë mjete për “marrëveshje” në mes të strukturave shoqërore të përtashme.

Hipokrizia e demagogjia tashmë janë bërë mënyrat e vetme të sjelljes shoqërore. Kurse shkrimtari Çeliku veç sa e tregon me gisht skenën e hapur të jetës, në të cilën të pushtetshmit ngrejnë frone mashtrimesh. Shqiptarët, këta burra që shquheshin për krenari, dinjitet e trimëri, tashmë shquhen për shqiptimin e gënjeshtrës, kërcënimit, përhapjes së frikës, kurse skalpeli letrar i Çelikut nuk resht t’ua bëjë autopsinë qelbësirave apo kohës-bërllok; apo për ta shqiptuar të vërtetën për njëmijë të këqija e fatkobe që i sjellin shoqërisë këta kobashë.

Veçse shkrimtarit i dhemb shumë edhe indiferenca apo frika nga gjendja e tillë, prandaj ia shqipton patogjenezën e tij letrare-satirike shoqërisë së tillë. E pra, siç do të thoshte Habermas, shenjë/ sinjaturë e shoqërisë moderne, është “kriza e vazhdueshme”.

TEOFRASTIADA E KALOSHIT: ANATOMIA E APOLOGJETËVE  TË SË KEQES

Kalosh Çelikut nuk i dalin fisnikë, po të çoroditur, si politikanë, ashtu edhe gazetarë, shkrimtarë të oborrit, politikanë të metamorfozuar, ministra, krerë partish, njerëz të kulturës, redaktorë, regjisorë, intelektualë të rrejshëm, hafije të djeshme, gra të përdala, gazetarë, njerëz kukulla, servilë palaçosh, lugetër me surrat njeriu, madje edhe klerikë e besimtarë.

Dhe, personazhi i rebeluar e i pavërejtshëm i Çelikut, qoftë ai me emrin e vetë autorit, apo që identifikohen me të bukurën e revoltën si poeti, Selvia e bukur, I padëshiruari, Rebel Rrapi, Edon Kaçaku etj; s’ka se si të mos gjendet në një hapësirë të zbrazët a në vakuum politik, kulturor, shoqëror e madje, edhe religjioz! Ata nuk kanë se si ta shquajnë shpresën për ardhmërinë, mbasi të pushtetshmit nuk zgjedhin mjete për ta mohuar, asgjësuar e luftuar rivalin a kundërshtarin e tij “politik” a “kulturor” më zi se në “komunizëm”. Vetëm pse njerëzit e tillë,   të mveshur me pushtet, imagjinojnë se  e  vërteta ua luhat pozitën e forcës iluzioniste, absolute e pushtetore. Kurse teofrastiada e Çelikut me kobashë, servilë e lalashë të tillë, është e pasur. Të tillë janë Dr. Madhi, Pijaneci i Rrejshëm, Zonja me gjel – te drama “Imzot, lehin qentë”; apo Rrumbaduci, E përdredhura, Autori i disa librave, Dumdumi, Intelektuali i Rrejshëm, Gazetari me Gërshërë, Komunisti i Arratisur, Gafurri, Gazetarja e Hijshme, Nanaçi etj, te drama “Ndihma e shpejtë”; apo Kukulla Femër, Palaçoja i Oborrit, Haxhi Kritiku, Orrospia mashkull, Hava e “Bit – Pazarit”, Dr Lugati, Honxhobonxho, Xhuxhmaxhuxhi, Yllkuqi i shtrydhur etj. te drama e quajtur antikomedi “Zorra qorre; apo Cufë Dilinxhiu, Tata e Madhe, Doktorziu, Klienti i Doktorziut, Hadum Somuni, Faqekuqi, Këlyshi i Llagut, Këlyshi me zgjebe etj. te satira groteske “me tri beteja”, që mban titullin “Kopeja me zgjebe ndjek Autorin”; kurse në fund, në finalen e këtyre dramave, paraqitet Poeti që me fshesën simbolike në dorë e pastron bërllokun në hapësirat etnike shqiptare (drama “Lamtumirë, bërllok”). Aty vjen, në botimin e ri, edhe “Repriza e vëllazërim-bashkimit“, një “groteskë idilike”, si e përkufizon lirshëm autori zhanrin e tij dramaturgjik te ky tekst dramaturgjik. Aty, teofrastiada e Kaloshit, pasurohet edhe me kobashë të tjerë, të cilët, me mimikrinë e realitetit, s’arrijnë gjë tjetër, përveçse nostalgjinë e sëmurë të së djeshmes ideologjike ta përthyejnë në trajta të reja të çoroditjes njerëzore.

Speciet njerëzore teofrastiane me bollëk i shumëzon edhe koha jonë. Nuk i lë të shuhen. Teofrasti, i cili ka jetuar afro katër shekuj para Epokës së Re, në veprën e tij “Karakteret” i paraqet tipat nga më të ndryshmit e tiparet njerëzore nga më të ndryshmet, sikundër janë dyfytyrësia, llafazania dhe tipat e llomotitësve, pafytyrësia dhe inatçorët, kokëtrashët, intrigat e intrigantët, besëtytët, sqimatarët e mburravecët, etj. etj. Po thuaj se, të gjithë studiuesit e veprës së Teofrastit antik, pohojnë se karakteri i njeriut fare nuk ka ndryshuar, për sa i përket tipareve negative; ai ka mbetur i tillë edhe në kohët moderne, si në ato antike, si në ato të monizmit komunist, si në “kohët e demokracisë.” Kalosh Çeliku na dëshmon, përmes penës së tij satirike-dramatike, se edhe sot mund ta takojmë në radhët e partisë politike apo në rrugë e në kafene, si në shekullin e katërt të para erës sonë, aq të njohurin Njeriun Poltron, Njeriun Dilenxhi apo Njeriun Autoritar.

Dhe, kështu, Trasta e Teofrastit vjen e shpaloset edhe në veprën e Çelikut, e pasuruar aq e aq shumë me laryshinë e këtyre   karaktereve negative. Dhe, ndër këto specie, Çeliku ndesh e i vë përballë protagonistët e antagonistët pushtetorë në tregun  e  shpirtshitjes a në “Bit – Pazar” (një mes ku ziejnë intrigat e tregtia më e ndyrë). Epoka jonë tashmë ka zënë të quhet Epokë e Globalizmit, Epokë e Ekonomisë së Tregut e të Pluralizmit Politik; dhe kjo epokë i ka, pra, protagonistët e antagonistët e saj të shquar: aty ku bëhet tregti, aty është Ai. Domethënë: treg mallrash është edhe Ulësja në Pushtet, e quajtur Karrige, Gazeta e Partisë, Libri i shkruar me porosi, artikulli a fjalimi i shkruar me porosi politike; janë Partia, Pushteti i dhuruar në emër të votës së lirë, Banka, Raporti, Tenderi, Oferta, Licenca, me një fjalë, aty ku shitet Shpirti mbi pushtetin e keqpërdorur barbarisht dhe aty ku gjenden Paraja, Falsifikimi, Privilegjet dhe Mashtrimi. Meqenëse patosin kryesor e përbën shtresa satirike, autori nuk lë pa i nënvizuar tematikisht dramat njerëzore të përndjekjeve e ndjekjeve që i pësojnë personazhet protagonistë, siç është vetë autori, apo Poeti, I padëshiruari, Plaku i Marrë etj. Pikërisht aty ku zë fill qenia e tyre e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme, aty shkrimtari edhe arrin ta bëjë anatominë politike, morale, kulturore e shoqërore të këtyre apologjetëve të së keqes, të cilët nuk janë të paktë në numër, kurse lëvizjet shoqërore kthehen prapa, drejt barbarisë, plaçkitjes dhe shkatërrimit. Drejt vërshimit të antivlerave njerëzore e krijuese.

MASKA RETORIKE

Invektiva dramaturgjike komike-satirike e autorit tashmë na e nënvizon faktin që të tillët janë mësuar të vënë maska të reja në fytyrë: ata janë mësuar kështu që nga fëmijëria, kur luanin lojën kukafshehthi apo lojëra kukullash “me bark” me maska kafshësh e përbindëshash të kallëzimeve përrallore, për t’u servilosur më vonë. Te e fundit, vetë jeta i manifeston shfaqjet e komikes e të seriozes, të absurdit kundruall logjikës jetësore apo të vlerës kundruall antivlerës. Fantazma e Trojës shfaqet si paralojë që kërkon arketipat e saj në lashtësi e që ndërlidhet me dhunën e regjimet shtypëse. Vërtetë, a kanë njerëzit një bindje të veten, kur aderojnë në një parti politike? Të tillë, që dje mburrnin Titon, vëllazërim-bashkimin, mandej “partinë demokratike” në pushtet, kurse tani “krahun e luftës”, janë të panumërt, posi kameleonët e të gjitha kohëve dhe mjediseve. Palaçot e tillë dinë “t’i ndajnë rolet” posi tek drama “Zorra qorre”. “E po, kështu e ka politika, kështu duhet të veprohet sipas rrethanave”, arsyetohen ata. Maska politike, për të tillët, bëhet shëmbëlltyrë e karakterit, vend i fshehjes, i strehimit e i vetë-azilit politik në Atdhe! Bëhet mjet i “politikës së ndryshimeve”, pa marrë parasysh se për çka ka apo nuk ka të drejtë. Ata e duan maskën në vend të fytyrës, sepse fytyrë as që kanë pasur ndonjëherë. Vetëm kështu e ndiejnë veten të sigurt: vetëm kështu e ndiejnë se maskat e tilla retorike, me pamje serioze, me sy-gjysmë-të-mbyllur “meditativë”… është shenjë e identitetit të tyre politik. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse nuk vlen fare mekanizmi i vullnetit politik, mbasi ata dinë të marrin fare mirë vendime mbas shpinës a maskës rituale të “listave të mbyllura” në zgjedhje. Dhe kështu e promovojnë, në të vërtetë, banditizmin politik e jo vlerat demokratike; dhe kështu i promovojnë e i rehabilitojnë do kohë-maskash të vjetërsuara, të zhubrosura, kundëratdhetare e kundërnjerëzore si kohët që i lanë pas; maska plastike si kohët-llastik për t’u metamorfozuar… Një reprizë e nostalgjisë së sëmurë të së djeshmes; që pëlcet nga gazi tragjikomik i Kaloshit. Til Ojlenspigel thotë: “Ai që e drejton një betejë a një luftë nën maskën e lirisë së mendimit, të fjalës, të humanizmit dhe të dinjitetit, do ta shohë në pasqyrë fytyrën e tij të vërtetë.” Dhe pasqyra groteske, tragjikomike apo dramaturgjike që ua vë përpara shkrimtari Çeliku kësaj hordhie e kohorte personazhesh, e tregon turinin a surratin e tyre të vërtetë moral, grimasën a ngërdheshjen e tyre prapa kësaj maske.

Dhe, së fundi, le ta falin Idealistin e marrë a Njeriun Jopartiak e që nuk di t’i përshtatet politikës; dhe të cilit i ka mbetur vetëm revolta si vlera më e lartë e shpirtit kundër fytyrave me maska e fytyrës pa maskë, kundër maskës pa fytyrë e maskës me fytyrë. Personazhe të tillë rezistues, revoltues a idealistë, kanë të gjitha dramat e Kalosh Çelikut.

Nëse për këta personazhe “jopraktikë”, “jopragmatikë” tashmë është ngritur mendësia pushtetore e ajo e çarshisë së “Bit-Pazareve” shqiptare se “nuk ka gjë prej tyre”; atëherë autori, me mjete të veçanta artistike, e përqesh këtë tezë, gjithnjë simbas asaj që ka thënë Niçe: “Nëse Platonin, si të syrgjynosur lufte, e kanë ekspozuar në tregun e skllevërve për t’u shitur – atëherë çka i duhen njerëzimit filozofët? Pra, a mos do të duhej ta zbulonim se çka i duhet njerëzimit e vërteta?” Dhe retorika e Politikanit Unik e Të Suksesshëm vazhdon më tutje, gjithnjë me “kërkesat e një demokracie të theksuar” dhe të “shoqërisë së përparuar”. Aty gjenden edhe Njerëzit e oborrit!

Shkrimtarët e gazetarët e oborrit! Janë ata njerëz pa kurriz, që i ngritin lumturinë e privilegjet e tyre pranë Mbretit, Prijësit, Diktatorit, Presidentit a Pushtetit, duke qenë njerëz servilë; tek i thurin lëvdata, elozhe, apologji   regjimit  në fuqi    apo veprimeve irracionale të Mbretit, Diktatorit, Presidentit. Këtë temë e trajton në shumë dimensione shkrimtari ynë, Kasëm Trebeshina: këta lakej të demokracisë e të regjimeve diktatoriale i quan shkrimtarë të oborrtarrshëm e njerëz të oborrtarrshëm.

Dhe në këtë turr kaq tragjik të realitetit tonë, në Kosovë, Maqedoni a Shqipëri, njësoj; dihet, kanë përvojë të bollshme ish fansat komunistë e ish “titovcat”: sepse kështu dje i largonin nga puna, i burgosnin a i përndiqnin; ua shkatërronin jetën, familjen dhe shëndetin atyre që mendonin ndryshe, a që kishin guxim të punonin për lirinë shqiptare. Të tillët, mjerisht, të dehur me sukseset e djeshme politike dhe të dehur me sukseset e mbështetjet e sotme e të paprincipta politike; sipas retorikës së re, do të dinë si t’i bëjnë edhe diferencimet e reja “ideopolitike” dhe përndjekjet e reja politike; si t’i organizojnë fushatat e sulmeve e të shpifjeve; do t’i dinë si t’i sjellin tragjedi të reja qytetarit shqiptar në të gjitha hapësirat etnike, me anë të demagogjisë së re e të shpëlarë.

Me një fjalë, do të dinë si të përfitojnë mbi kurrizin e tjetrit, aty ku përdhosen vlerat në emër të vlerave. Aty ku shkelet gjithçka në emër të angazhimit “për mirëqenien sociale, ekonomike, politike, kulturore, arsimore dhe kombëtare”, gjithsesi, duke menduar vetëm në aso mirëqenieje ku vetvetja dhe rrethi i afërm    është   “në qendër të vëmendjes”; dhe, natyrisht, aty ku përfitohet shumë edhe në emër të programit politik për “të drejtat dhe liritë individuale të qytetarit, pa dallime fetare, racore, përkatësie politike, sociale, apo gjuhësore”, pa çka se këto të drejta përdhosen barbarisht. Ndërkohë, do idealistë tjerë “të marrë” (monodramat e drama e fundit të Çelikut) punojnë në të veten, për ta çuar përpara edhe një utopi; ashtu si autori i këtyre teksteve. Në realizimin e poetikës dramaturgjike autori i përdor me mjeshtëri ato mjete artistike tradicionale, si: dukjen e jashtme që e maskon konservatorizmin e të kalburën, përqeshjen e tezave dhe formën mashtruese (terme të Jakup Matos) ku spikatet: kontradikta në mes mendimit të lartë që kanë personazhet për rolin e tyre e mungesës së vlerave të tilla”, qëndrimet e dyzuara, alogjizmat, alegorizmin ezopik etj.

DRAMATURGJIA GROTESKE

Do theksuar që veprimi i këtyre teksteve dramaturgjike zhvillohet në përmasa të një kohëhapësire të caktuar, të procedimorit të njëkohësisë: atë të tranzicionit. Së këndejmi, projeksioni dramaturgjik i Kaloshit është i qartë: ky është mjedisi i caktuar dhe koha e caktuar. Kjo rrudhje e përmasave të kohës e të hapësirës në një periudhë ndryshimesh e thyerjesh shoqërore, politike, nacionale e sistemore, kryesisht në mjedisin ku jeton autori; ashtu sikundër edhe intriga, situatat dramatike, tensioni dramatik, problematika tematike-dramaturgjike a shthurja dramaturgjike e tekstit; e bëjnë këtë vepër për të qenë unike, e njësishme, më vete, po assesi e njëtrajtshme. Dramaturgu Çeliku dëshiron të na thotë se të këqijat etike, morale, në mjedisin shoqëror, familjar a intim, gjithmonë ndërlidhen me politikën e me interesat kriminale të atyre që e prodhojnë këtë gjendje. Prandaj, si të tilla, këto nëntë tekste dramatike kanë edhe kontekstin e ri të gjerë shoqëror.

Sado që veprimi dramatik ndodh në situata të pazakonta, për të mos thënë të pagjasa e të habitshme, në trajtën e një farse groteske përplot kthesa e situata të pamundshme; megjithatë autori mjeshtërisht iu jep trajtë dialogut, monologut, në të cilët ai përdor fjalësin aktual, qoftë ky fjalës (leksik) i botës së politikës mafioze apo botës së tregut, i botës së interesave apo i asaj të nëntokës.

Përkufizimet zhanrore, si “dramë në tri pamje” (“IMZOT, LEHIN QENTË”), “antikomedi” (“ZORRA QORRE”), “satirë groteske në tri beteja”, “KOPEJA ME ZGJEBE NDJEK AUTORIN”), “monodramë“ (“NJË VIT FRIKË”, “PABESIA” dhe “DISIDENTI” I UNIONIT TË VIÇAVE”) – “E vërteta në tri fytyra “ (“LAMTUMIRË BËRLLOK”) dhe “Groteskë idilike” (“REPRIZA E “VËLLAZËRIM – BASHKIMIT”), bëhen në frymën e stilit të Dyrenmatit (shkrimtar zviceran), për t’i shënjuar pamjet, ngatërresat e kokolepsjet tona.

Nga libri në libër, nga zhanri i poezisë në atë të tesktit dramatik, shtegtojnë ide të ngjashme, motive, arkipersonazhi, figura e procedimorë. Një “dreq nuseje me pashterkë”, Mikja, boemë e poetë që dashurojnë, që pinë apo që e mbajnë gotën me verë në dorë e që frymëzimi i lë pagjumë; kore, grigja e turma të pafundme korbash, sorrash qensh, zgjebesh, të marrësh, një Zonjë me Gjel, Hava e “Bit Pazarit”, Rrapi, Zonja vdekje në shoqëri me poetin, xhinde etj; i bëhen obsesion letrar poetik e dramaturgjik. Ndërkaq, në procedimorin dramaturgjik të Kaloshit, grotesku ka një shtrirje të gjerë me shtresime të shumta. Pothuajse, groteskun ai e ngre në universin e tij letrar. Grotesku prek frazën, dialogun, replikën, tekstet diskurzive, madje, gjithë tekstin. Madje, në këtë drejtim autori vë në veprim larmi mjetesh artistike, ndër të cilat po përmendim një skatologji personale estetike që përsëritet nëpër shumë krijime e nëpër të gjitha zhanret e tij letrare. Kund e kund e aktivizon parodizimine stilit të përtalljes të “kohës së tranzicionit” për t’i shënjuar dukuritë e përçudshme të kësaj kohe apo tiparet karakterologjike të këtyre personazheve.

Duke e shtrirë parodizimin e përtalljen në sistem të vetin letrar për t’i hyjnizuar aureolat e rrejshme të këtyre personazheve; duke e realizuar teknikën dramaturgjike nëpërmes hiperbolizimit të dukurive qesharake apo të frikshme, të së tmerrshmes apo shëmtimit (personazhet kanë një cen a një përcaktues që e hyjnizon kundruall të madhërishmes si kategori estetike); duke e përdorë kund e kund fantastiken për të fluturuar imagjinativisht në zona të ndryshme të botës së personazheve; duke e shtrirë kudo e kudo maskën letrare, si një trajtë të posaçme artistike për t’i mishëruar shfaqjet e dukuritë e ndryshme të jetës e të shoqërisë, me mimikën, mimikrinë, grimasën, karikaturën letrare, figurën e tjetërsimit, burleskën etj etj, sikur të gjitha këto së bashku  e japin një “realizëm grotesk” (Mihal Bahtin) a një dramaturgji groteske. Prapa çdo mjeti të tillë artistik e estetik, Kalosh Çeliku zbulon realitetin e së përditshmes e labirintet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok