22/12/2024

FANI, NGA QAFA E MOKNUSHËS

0
Dedaj-Fani1

NGA NDUE DEDAJ

Mesdita e së dielës së 9 qershorit 2024. Domgjonasit përgatitën për festën e tyre të Shmarramejt, që është pas tri ditësh. Rasti e ka sjellë të ngjitemi deri në këtë qafë, ku është një kryq druri i thjeshtë, rrugës për në fshatin Hebe e Domgjonit, që e ka mbuluar gjelbërimi aq shumë sa shtëpitë mezi duken. Ndalojmë në oborrin e një kulle të fillimeve të shekullit XX, nga më të mëdhatë e fshatit, të cilën i zoti dëshiron me e rikonstruktue. U “kalbëm” në Kënetën e Durrësit, thotë ai, kështu që dhe pak e pas daljes në pension dua të kthehem më gjithë grua gjashtë muajt e verës, fëmijët të vazhdojnë ëndrrën e vet… Pamë që dhe të tjerë banorë i kanë kthyer në vila kullat e vjetra dhe ky gjithësesi është një lajm, por që nuk e kthen në të sotmën këtë vend të mbyllur mes malesh.

Gjithçka që flasim i përket së shkuarës. Nëpër Hebe, Sërriqe, Mollkuqe, Shënmëri, Vaspas, njerëzit e Fanit merrnin rrugën e Gjakovës, kurse nëpër Qafën e Komit hidhëshin në Kukës e Lumë e mbërrinin në Prizren. Atëherë drejtimi i tyre ishte veriu, fanorët bëhen të shtëpisë e jo pak të dëgjuar matanë Morinit e Pashtrikut, kurse deti ishte diçka ende e largët si një “Mollë e Ndalueme” për malësorët. Kurse tash tridhjetë vjet është krejt e kundërta, ata morën teposhtë për kah deti për një jetesë më të mirë. Askush nuk mund të parashikojë sesi do të jetë e nesërmja, ama e sotmja këtu është pa histori. Ajo sikur ka ngrirë në këtë kodër që mban një emër të çuditshëm, Moknushë. Jemi mbrapa Munellës, përballë kemi Malin e Runës, Livadhet e Mëdha, poshtë në luginën e Fanit të Vogël nëpër Sang shtrihet Rruga e Kombit dhe Tuneli i Thirrës, kurse lart nga ana lindore lartësohen bjeshkët e Xhuxhës me Malin e Zepës si kurorë dhe pak më në jug, Guri i Nuses me një pamje mahnitëse.

Në qafën e Moknushës është një krua, që as e shton e as e pakëson ujin e tij dimër as verë, si të gjithë burimet e bjeshkëve, ku pi ngapak me dorën e bërë kupë. Aty mund të mbledhësh një dorë manadredhësa të kuqe kokërrvogla me atë shijen e “vjetër”, që nuk e kanë kurrësesi ato kokërrmëdhatë, që blejmë në marketet e Tiranës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok