25/03/2026

FALEMINDERIT AMERIKË, MIRËNJOHJE DHE ZOTI JU BEKOFTË!

0
Shpetimtaret-Tane

Shkruar: Lekë Mrijaj

24 marsi i vitit 1999, për Republikën e Kosovës, është një datë historike që nuk mund të harrohet kurrë; një datë e skalitur thellë në kujtesën e popullit tonë si një moment vendimtar, si nata që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë sonë.

Më kujtohet mirë ajo mbrëmje, kur trupat e Aleancës Veri Atlantike të NATO- e nisën ndërhyrjen ajrore 78-ditëshe për të ndalur dhunën, krimet dhe padrejtësitë që po ndodhnin kundrejt shqiptarve në Kosovën e okupuar nga Serbia gjenocidiale. Për shqiptarët e Kosovës, kjo ndërhyrje nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por mbi të gjitha ishte fillimi i një shprese të re, një dritë në mes të errësirës.

Në atë kohë, shqiptarët jetonin me frikë, pasiguri dhe dhimbje të thellë. Shumë familje nga forcat ushtarake e policore Serbe u detyruan të largohen me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas gjithçka që kishin ndërtuar me mund dhe sakrificë. Të tjerë përjetuan humbje të mëdha – humbje të njerëzve të dashur, të jetës së përditshme dhe të qetësisë. Vertetë ishte një kohë e rëndë, kur e ardhmja dukej e pasigurt dhe shpresa shpesh dukej e largët. Por në atë errësirë, bota demokratike e pa të vërtetën dhe vendosi të mos heshtë më.

Në këtë moment vendimtar, një rol të veçantë patën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krye me Presidentin Bill Clinton dhe Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright. Amerika nuk qëndroi indiferente, që do të thotë se zgjodhi të veprojë, të mbrojë të pafajshmit dhe të mbështesë të drejtën për liri.

Për ne shqiptarët, kjo ndërhyrje nuk ishte vetëm një akt force, por një akt i madh humanizmi dhe solidariteti. Pikërisht ishte një mesazh i fuqishëm se drejtësia nuk duhet të heshtë përballë padrejtësisë, dhe se liria është një vlerë që duhet mbrojtur me çdo kusht. Ishte dëshmi se edhe në kohët më të vështira, ekzistojnë aleatë që qëndrojnë pranë nesh.

Sot, pas 27 vjetësh ne jetojmë të lirë falë sakrificave të heronjve dhe martirëve tanë, por edhe falë mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtarë. Liria që gëzojmë sot nuk është e rastësishme, ajo është fituar me shumë mund, me shumë dhimbje dhe me shumë besim në të ardhmen.

Prandaj, kjo ditë nuk është vetëm një kujtim historik, është një thirrje për mirënjohje, për reflektim dhe për përgjegjësi. Është një kujtesë se ne duhet ta ruajmë lirinë, ta forcojmë shtetin tonë dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë për brezat që vijnë.

Faleminderit NATO për ndërhyrjen në një moment vendimtar. Faleminderit Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e saj të fuqishme dhe të palëkundur. Faleminderit Amerikë, sepse në një nga momentet më të errëta të historisë sonë, u bëtë drita jonë e shpresës.

Mirënjohja jonë në Republikën e Kosovës është e përjetshme. Sepse liria dhe shteti ynë që ne kemi sot janë një dhuratë e çmuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, çlirimtareve, heronjtë martirët e atdheut që duhet ruajtur, vlerësuar dhe trashëguar me krenari brez pas brezi. Zoti ju bekoftë!

Klinë, më 24 mars 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok