21/11/2024

Faik Konica: Esperantoja – një fantazi qesharake…

0

Nga Fotaq Andrea

Këto ditë, Shtëpia botuese “Zenit Edition”, që renditet në pararojë të botimeve më dinjitoze shqipe, nxori nga shtypi librin e Faik Konicës “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”. Libri, përkthyer e botuar i plotë nga origjinali frëngjisht, paraprihet nga një Hyrje e gjatë studimore, si dhe shoqërohet nga shkrime të vetë Faik Konicës, të Apolinerit dhe Remi de Gourmont për këtë vepër shkencore tepër e veçantë në llojin e vet, që ka ngacmuar kërshërinë dhe interesin e mjaft autorëve të huaj. Po botojmë pjesë nga “Hyrja” e studimit tonë.

“Nuk mund të lidhet jeta me pezhishka merimange.

Zgjidhja për një gjuhë ndërkombëtare do të vijë

nga vetë jeta, derdhur në kallëp të jetës”.

Faik Konica.

Me këtë konkluzion, Faik Konica mbyll librin e tij në frëngjisht “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar në Bruksel më 1904. Me këto fjalë, po nisim prezantimin tonë për këtë vepër shkencore, e rrallë dhe e çmuar në llojin e vet, ku gjenia koniciane shkëlqen në fushën e filozofisë gjuhësore dhe asaj përkthimore në rrafsh europian e më tej.

Vepër referenciale gjer edhe kohët e fundit për përkrahësit dhe kundërshtarët e gjuhëve artificiale, dhe veçanërisht të esperantos, kjo Ese, “goxha e pasur, goxha e shkruar mirë,” siç shprehet Apollinaire, shfaq përmasën enciklopedike dhe erudite të rilindësit shqiptar, poliglotizmin e tij, me njohuri të thella për gjuhët semitike e indo-europiane, nga më të lashtat e të rrallat – si persishtja e Zend Avestës apo gjuha pahlavi, sanskritishtja, gjuha e teksteve veda, greqishtja e vjetër, latinishtja, hebraishtja, arabishtja, turqishtja, etj. –, gjer në pothuaj  krejt gjuhët e gjalla europiane. “Qoftë për parapëlqim, qoftë për zanat, kalova jetën time duke studiuar ligjet se si një gjuhë i zë vendin një tjetre, pa u kapur nga pamja e jashtme”, shprehet Konica në këtë Ese, ku lëvron me origjinalitet, me qartësi mendimi e pastërti të shprehuri vetë fushën e filozofisë dhe të krahasueshmërisë gjuhësore.

Mbështetur në studimet e gjuhëtarëve klasikë botërorë, por edhe tek autorë modernë të kohës së tij, Faik Konica depërton në këtë vepër në thelbin e vetë gjuhës, për të zbuluar mekanizmin e saj funksionues dhe vlerën e fjalës si motor i mendimit nga individi në shoqëri, brenda një gjuhe të caktuar, dhe nga një gjuhë në tjetrën në shoqëri të ndryshme gjatë procesit komunikues e përkthimor. Tek përdor një logjikë analitike dhe një dialektikë sintetike, tek njeh “Republikën e Letrave”, siç e quan ai letërsinë e filologjinë, dhe tek e shkruan me bukuri të veçantë gjuhën frënge – këtë “tokë të shkrifët e pjellore” –, Konica shfaq këtu shpirtin e gjuhës si institucion, si dukuri shoqërore dhe pikë kontakti midis qytetërimeve, si pasqyrim kulture e ndjenje artistike. Merr shembuj nga më të çuditshmit në kërkim të mekanizmit fiziologjik në trurin e njeriut për ruajtjen dhe mbishtresëzimin e një gjuhe në kujtesë dhe i trajton faktet psikiko-gjuhësore me hollësi, për të treguar përplasjen e mistershme në trurin e njeriut midis dy gjuhëve të ndryshme. Po ashtu, rendit e shpjegon me themel tiparet kryesore të gjuhëve natyrale për të nxjerrë më mirë në pah artificialitetin e gjuhëve të fabrikuara me rregullat statike, ngurtësinë, ngushtësinë, varfërinë dhe shterpësinë që i karakterizon, duke arritur kësisoj në konkluzionin logjik, vërtetuar tashmë nga koha, se një gjuhë artificiale është e pamundur të përdoret si mjet komunikimi botëror, se është materialisht e pamundur që të bëhet e përbotshme.

Racional e polemist “par exellence”, me gjykim të hollë e të thellë, gjithë argumente asgjësuese, që e shter arsyetimin gjer në kufijtë e skajshëm të vetë arsyes e të absurdit (“reductio ab absurdum”), mjeshtër i përdorimit të fjalëve në nuancat më të holla, ironik e me ton të prerë, me njëfarë krenarie doktorale që e karakterizonte, Faik Konica arrin në këtë libër në përfundime të qarta e të arta që shprehin vetë thelbin e filozofisë gjuhësore: “Një gjuhë natyrale, thekson ai, e trajtuar në veprimin që ushtron mbi intelektin, është shkolla më e lartë për përpunimin e mendimit njerëzor… përfaqëson kulmin e përpjekjeve të njerëzimit përgjatë shekujve, drejt bukurisë, mprehtësisë, brishtësisë në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave”. Dhe, aty-për-aty tregohet kategorik, kundër gjuhëve artificiale:“Një gjuhë artificiale e përbotshme ul nivelin e intelektit… është gjuhë kufomë… që zhduk letërsinë, artin e të shkruarit, këtë botë të pafund e subjektive!” […]

Origjinal e shkencor, plot shembuj dhe fakte interesante e të rralla për ta mbajtur në tension lexuesin, Konica depërton, po ashtu, në thelbin e “zanatit” të shkrimtarit, të kësaj “bote të pafund e subjektive”, tek shfaq ligjin themelor të stilit, që është “arti për të prekur ndjeshmërinë e lexuesit nëpërmjet mënyrës origjinale të autorit”; është njëkohësisht arti “për të kursyer vëmendjen e lexuesit apo dëgjuesit duke shpenzuar sa më pak sforcim e lodhje”, sikurse vë në dukje filozofi anglez Herbert Spencer, të cilit Konica nuk kursehet t’i referohet. Por, përtej këtij mendimi të Spencer-it për një stil konciz nga ana e shkrimtarit, Konica mban parasysh edhe kategorinë e vetë lexuesit (si individ e si komb), shkallën e intelektit dhe të nivelit të tij kulturor, natyrën e shijeve, ndjesitë që shkakton vetë fjala me nuancat e veta nga një gjuhë në tjetrën, etj. Ai ndërton kësisoj një trinitet të bukur të stilit, dhe konkretisht: shkrimtari, si produkt i një race (kombi) të caktuar, vetë perceptimi dhe ndjesitë individuale e kombëtare, dhe më në fund kategoritë e ndryshme të lexuesit. Jep kësisoj këtë përkufizim të bukur për stilin, dhe konkretisht: “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit, është stili”.

Gjithnjë në kërkim të mekanizmit linguistik të gjuhëve të gjalla, po aq sa stili në të shprehur e në të shkruar, ai sheh si karakteristikë themelore të këtyre gjuhëve ritmin e tyre, që i jep vetë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Ndërsa në gjuhët e vdekura, sipas Konicës, ka humbur ndjenja e rimtit dhe e metrikës, ka humbur, me një fjalë, elasticiteti i gjuhës, tek gjuhët e gjalla, përkundrazi, është shi ritmi që i bën këto gjuhë të zhdërvjelltësohen e të kenë frymëmarrje. “Çdo gjuhë, vëren ai, ka ritmin e vet, si në muzikë… ka sistemin e vet të shenjave të pikësimit… Ritmi përbën një bukuri letrare, një karakteristikë vendimtare për shkrimtarin e vërtetë… Ritmi kërkon ta njohësh një gjuhë në thellësi, si një tërësi, … kërkon një njohje të thellë të gramatikës e leksikut”.

Në kundërvënien gjuhë natyrale dhe gjuhë artificiale, apo gjuhë të gjalla dhe gjuhë të vdekura, gjuhë në lulëzim, në larmi e larushi mendimi nga njëra anë, dhe gjuhë kufomë, nga ana tjetër, Konica shfaq me qartësi objektive dhe argumente të themelta pse çdo gjuhë e fabrikuar është e destinuar të mbetet “lettre morte”, me konture të paracaktuara dhe të dhëna njëherë e përgjithmonë, gjuhë pa shpirt, pa hapësirë e kohë, “gjuhë për gjuhë”, që mbetet shumë-shumë në nivelin e sajesës ekzotike, si një tek a trill, me lojni fjalësh të huazuara, si një bukuri artificiale, gjuhë që nuk shërben për kurrëfarëgjë, në kuadrin e vet thjesht autotelik e të “përkryerjes në vetvete”. Për Konicën gjuhët artificiale nuk kanë veçse një ngjyrë, një shije: atë të ujit. Sepse në vetvete ato janë të mbyllura, skllavëruese, të zhveshura nga shija e vërtetë e jetës që përcjell gjuha natyrale, të zhveshura nga arkaizmat, neologjizmat, pa dritë-hije të fjalëve, pa liri. Ato thjesht priren drejt pohimit të thatë e drejt mohimit të sheshtë e të ngurtë dhe vetë ironia, “kjo bimë me aromë të këndshme, siç e cilëson Konica, priret të zhduket njëherë e përgjithmonë nga larmi e letërsisë”. […]

Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga botimi i këtij libri, dhe kur “International English” mbisundon si gjuhë komunikuese botërore (më 2017, anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe dhe 2 miliard vetë), ky parashikim i Konicës del më se i vërtetuar. Ndërkohë, gjuhët artificiale dhe vetë esperantoja kanë mbetur gjuhë pa popull, pa territor kombëtar, në “shërbim” individësh, gjuhë në kuadër gjithnjë premtues e ekzotik. Vetë esperantistët duan të përllogarisin disa qindra mijë vetë që “arrijnë” të përdorin gjuhën e hebreut polak Zamnehof.

*    *     *

Është e vërtetë se nuk kanë munguar autorët shqiptarë që kanë shkruar drejtpërdrejt në gjuhë të huaj në rrjedhë të historisë, duke rrokur kryesisht tematika historike, letrare apo enciklopedike, pa përmendur këtu veprat teologjike. Dhe Konica renditet ndër ata autorë shqiptarë që i kanë bërë të njohur që herët publikut dhe lexuesit të huaj botën shqiptare, gjuhën, doket dhe zakonet e vendit të tij, sidomos me revistën dygjuhëshe “Albania”. Por Konica mbetet pionier e i pari autor shqiptar që i është përgjigjur lexuesit të huaj duke trajtuar drejtpërdrejt problematikën e kohës me vepra extra-shqiptare, të fushës socio-pedagogjike si “Essai sur l’Education” (“Ese mbi Edukimin*, Bruksel, 1898), apo kjo “Ese mbi gjuhët…” e karakterit shkencor në fushën filologjike.

Nuk është rastësi që Konica i ri i ndërmori këto dy studime pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave të lexuesit francez e perëndimor. Ai jetonte mes intelektualitetit europian, ndiqte nga afër zhvillimet socio-kulturore dhe politike, shtypin e kohës, problemet në rend të ditës dhe jo rrallë i pasqyronte ato edhe tek “Albania” e tij. […]

Më pas, në studimin tonë hyrës ndalemi, më në hollësi, në kushtet dhe rrethanat historike kur Faik Konica hartoi “Esenë e tij për gjuhët natyrale e artificiale”, duke i dhënë, në fakt, shenjat paraprake me një artikull tepër të veçantë të tij, “Gabimi i esperantistëve”, botuar më 1903 te revista franceze L’“Européen”, artikull që botohet për herë të parë në shqip në këtë libër referencial. Artikulli nis me këto fjalë:“Esperantoja është një fantazi qesharake, dhe mjaft të vëreni për këtë disa personalitete me nivel të lartë inteligjence të barkojnë në atë anije prej kartoni. Ideja për të kërkuar që tërë kombet të flasin të njëjtën gjuhë është aq e pakuptimtë sa dhe të kërkosh të përziesh kuaj, gomarë, qe e deve, duke i detyruar kësisoj të hingëllijnë, bulurojnë, pëllasin e blegërijnë pa dallim lloji. I vetmi ndryshim është që apostujt e esperantos zëvendësojnë kamxhikun me bindjen.” Ja pra, me ç’figuracion të rrallë, të fuqishëm, à la Rabelais, plot humor, ironi, sarkazëm, shprehet Konicë shqiptari, Konicë eruditi, duke vënë bukur fort në lojë, në kërthizë të Europës “Herra”, “Profesora” e “Doktora” të kohës së tij, që e kishin mendjen tek sensacionet e mbrapshtitë, tek sajesat e marrëzitë.

Të parët që i bënë jehonë veprës koniciane me komentet e tyre pozitive dhe me superlativa janë Apollinaire e Remy de Gourmont, dhe binte dukshëm në sy në atë kohë se ishin të rinjtë Konica-Apollinaire ata që mbronin me pasion pastërtinë dhe bukurinë e gjuhëve natyrale dhe konkretisht të gjuhës frënge, ndërkohë që gjuhët artificiale nuk reshtnin së sajuari në numër të madh, për t’u pagëzuar në mënyrë pompoze e “sorboniste” si premtueset e gjuhës së ardhshme universale!

Pa u ndalur në këtë shkrim prezantues në debatet që shkaktoi dje, dhe vazhdon të shkaktojë ende sot në arenën ndërkombëtare vepra e Faik Konicës « Ese për gjuhët e gjalla… », debate që pasqyrohen gjerësisht në pjesën hyrëse të studimit tonë, një vend i veçantë i kemi kushtuar parimeve bazë të përkthimologjisë (traduktologjisë), ku Konica, ndër të parët filologë europianë, shkëlqen dhe parashtron që herët – me origjinalitet – konturet e një shkence të re të ardhme, e quajtur sot me të drejtë “shkenca e dukurisë përkthimore”, kur dihet se veprat shkencore në këtë fushë do të dilnin jo më parë se në vitet 1970!… Ashtu si tek “Ese për edukimin”, ku Konica shfaqet pioner i “Edukimit të Lirë”, i “Shkollës së Summerhill-it” (1921), edhe te vepra “Ese për gjuhët…”, Konica shfaqet pioner i Shkencës së Traduktologjisë, një fakt ky tërësisht i anashkaluar gjer më sot, thjesht për mosnjohje e mosthellim në veprën shkencore e erudite koniciane!… Por një fakt i tillë nuk i ka shpëtuar aspak filozofit të madh modern zvicerian Denis de Rougemont që mbron Konicën tonë në “betejën” kundër gjuhëve artificiale të esperantistëve!

Dihet se në thelbin e vet, përkthimi nuk është gjë tjetër veçse transpozimi  nga një gjuhë në tjetrën i një akti të menduari (i shprehur a i shkruar), gjë që nënkupton të menduarit dhe komunikimin në dy a më shumë gjuhë. Për Konicën, një përkthim i mirë kërkon shije, qartësi, bukuri dhe interpretim të nuancave më të holla të origjinalit, familjarizim me gjuhën dhe me tekstin bazë, si dhe njohje të thellë të dy gjuhëve të punës përkthimore. Dhe prapë, “traduttore traditore”, kufizimet në përkthim janë gjithnjë të pranishme sepse, nënvizon Konica, “është gati e pamundur të bashkëjetojnë te përkthyesi dy gjendje të plota gjuhësore”, duke qenë se “nuk ka barasvlefshmëri të plotë leksiku nga një gjuhë në tjetrën”, ashtu sikurse nuk ka sinonimi absolute brenda leksikut të një gjuhe. Gjë që nuk rreshte së na thëni i Madhi Jusuf Vrioni, kur përkthyesi përpiqet të jetë besnik ndaj origjinalit deri në një pikë të caktuar, duke ruajtur ngjyrimet e tekstit bazë, neologjizmat, arkaizmat, madje edhe gabimet trashanike të vetë origjinalit!

Dhe këtu Konica nuk ngurron të prekë një çështje thelbësore të traduktologjisë: përse përkthimi është krijimtari? Sepse, nënvizon ai, është interpretim, sepse fjalët e dy gjuhëve të dhëna, nëse janë të barasvlershme në fjalorë, nuk janë aspak të tilla në mënyrën e të menduarit të dy popujve që i përdorin. Sepse, më në fund, për Konicën, një përkthim i arrirë është teorikisht i mundshëm vetëm kur dy gjuhë zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nga përkthyes me ndjeshmëri të lartë mjeshtërore, me njohuri të plota gramatikore, leksikore, letrare, kritike, estetike, etimologjike, etj. Andaj, shpesh, shkrimtarët e mëdhenj janë edhe përkthyes të mëdhenj. I tillë është edhe Konica!

Jo rastësisht, nga fundi i kreut XIII i kryeveprës së tij, gjuhëtari dhe eruditi shqiptar ndalet te poeti i madh francez Stéphane Mallarmé, që ka përkthyer nga anglishtja poetin amerikan Edgar Allen Poe, ose të themi, ka përkthyer “të papërkthyeshmen”. Konica, që thotë te “Albania” e tij se ka ndërmarrë një studim për Mallarmé-në (mjerishti i humbur!), bën tek “Ese për gjuhët…” një koment të gjatë lidhur me ritmin, metrikën, “përngjashmëritë” relative simetrike dygjuhëshe (anglisht-frëngjisht), kur teksti origjinal përmban ngarkesa dhe shkarkesa të fuqishme poetike, dhe ku shfaqet bukurisht, do thoshim ne nga ana jonë, vetë BALETI I FJALËVE, me të tillë forcë poetike që të bën “të mendosh të pamendueshmen”, siç thoshte Paul Valéry, dhe ta shprehësh atë me krejt fuqinë e fjalës artistike. Vetë Mallarmé njihet për ëmbëlsinë, bukurinë dhe fuqinë e fjalës mrekullore (me verb plot fosfor, plot shije, nektar e vezullim diamanti tingëllues), si dhe për sintaksë të pashembullt apo “insolite”, tek konsiderohet me të drejtë, edhe sot e kësaj dite, si “i papërkthyeshmi” ndër poetët botërorë. “I papërkthyeshëm”, ngaqë thjesht i bën fjalët “të ëndërrojnë” e “të vallëzojnë” me muzikalitet mahnitës vargu e ritmi. Të “përkthesh” e të “transpozosh”deri edhe muzikën e fjalës poetike, – ja një sfidë e hapur dhe e fuqishme për gjuhët natyrale, palé për gjuhët artificiale “pa shpirt”, siç i cilëson Konica. E megjithatë, konkluzioni konician ka edhe këtu qartësinë e rrezes diellore: “Një përkthim pothuaj i përkryer, thotë Përlindësi modern shqiptar, mbetet teorikisht përherë i mundshëm, kur dy gjuhët zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë”, sintaksik e artistik njëherësh… E më tej, ne do shtonim: kur ka edhe zanatllinj e mjeshtër të mëdhenj zbatues të shkencës së traduktologjisë, që edhe gjuhës shqipe nuk i kanë munguar historikisht, duke e renditur këtë ndër gjuhët me potencial të lartë shprehës ideor e artistik!…

“Lexuesit shqiptarë, vë në dukje Ismail Kadare, kanë të drejtë të krenohen që një shekull më parë, një nga shkrimtarët e tyre, Faik Konica, ka krijuar disa nga trajtesat më të bukura për letërsinë dhe gjuhën, trajtesa që ende sot tingëllojnë aq të thella e moderne. E aq më tepër mund të krenohen që prirja e kulturës shqiptare për Europën ka qenë qyshkur, qysh në kohën kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet.”


* Është botuar në librin F. AndreaFaik Konica, përlindësi modern, Zenit Editions, 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok