22/12/2024
u1_Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Për shqiptarët e kudondodhur, Europa gjithmonë ka ushqyer ëndrrën e një toke të premtuar. Me këtë simbolikë dhe me këtë nostalgji, shqiptarët jetuan momente të rënda dhe dramatike të historisë së tyre, e veçmas kur përballeshin me rreziqe të mëdha.

Gjatë historisë, ata jetuan me të dhe pa të. Por, edhe kur jetuan të ndarë nga ajo, asnjëherë nuk e fashitën ëndrrën europiane, madje as atëherë kur ishin në zgrip të humnerës. Të shtypur dhe të pushtuar, e ëndërruan atë si një tokë të premtuar, drejt cilës rrugëtonin, nëpër shkretëtirën historike.

Si pasojë e kësaj ndarje, raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Europës, janë lëkundë mes kuptimti dhe keqkuptimit, mes dashurisë dhe urrejtës. Kjo ka bërë që, përballë saj, shqiptarët, shpeshherë të sillen si të trullosur, madje, duke shfaqur jo rrallëherë edhe kriza të thella identitare.

Siç tregon historia, në fillimet e Rilindjes Kombëtare, nga kryeqendra e Perandorisë Osmane, shqiptarëve u bëhej thirrje që t’i rroknin armët dhe të shporrnin pushtimin osman, atë pushtim që dvarte gjuhë dhe kulturë. Po ashtu, shqiptarët e dijshëm të asaj kohe, i këshillonin bashkëkombësit e tyre, që t’i mbanin sytë ka perëndimi dhe jo ka lindja.

Si duket, ata kolosë të kulturës dhe të historisë shqiptare, e kuptonin Europën në esencë; e kuptonin thelbin e saj kulturor, dhe raportin organik e ontologjik të shqiptarëve me të.

Nga perspektiva e sotme, kur i lexojmë shkrimet letrare e publicistike të shkrimtarëve të Rilindës Kombëtare- dhe periudhës së pavarësisë- shkrime këto që u bënë platformë politike- e shohim qartë se ata e kuptonin Europën, shumë më mirë se ç’e kuptojmë ne sot. Sepse, ata e kuptonin thelbin e saj, madje, duke mos e imagjinuar se një ditë, ajo do të bëhej edhe një organizatë politike, siç është sot.

Siç e dimë nga historia, pikërisht në kohën kur Europa përjetonte zhvillim të hovshëm, në shkencë, kulturë, art dhe letërsi, dhe kur idetë iluministe ishin ngjizur në kontinentin e kulturës, sidomos në Italinë fqinje, mbi shqiptarët ra errësira e pushtimit osman, që ia preu rriten dhe zhvillimin normal.

Me vdekjen heroit, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, tokat arbërore u rrokullisëm në mjerim; nën thundrën e pushtetit të Sulltanit (një pushtet që s’ishte civil, por religjioz). Ky pushtim i gjatë, pengoi çdo zhvillim të mundshëm kulturor, arsimor, shkencor, dhe la plagë të rënda në identitetin kombëtar.

Kjo periudhë, ka shkaktuar një dramë të thellë kombëtare, nga e cila, shqiptarët ende nuk janë çliruar plotësisht. E, si rrjedhojë e këtij pushtimi të gjatë, punët e kombit tonë, mbetën të ngatërruara. Ndaj, në shekullin XXI, ai duket një komb llastuar, që ëndërron Europën, por që, nuk arrin të bëhet pjesë e saj.

Duhet ta kuptojmë se Europa, nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik, siç pretendohet të vlerësohet në kontekstin tonë. Dhe, atë nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për ta humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim. Sepse, Europa, më shumë se koncept politik dhe ekonomik, është koncept kulturor. Është stil jete. Dhe, në këtë pikë, bashkohen dijetarë e ideologë të mëdhenj të saj.

Umberto Eco thotë se, këmbimet kulturore, kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky dijetar mendon se, Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion dhe kjo përmbajtje, ndërlidhen me identitetin e saj kulturor.

Është thënë shpesh se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme është ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit e përsosmërisë. Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.

Pra, ne ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit politik me Unionin Europian, duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t’ i qartësuar mosmarrëveshjet tona. Kultura e dialogut si mendësi dhe stil jete. Solidariteti dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e njeriut.

Të kujtojmë se, Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale, “Europa është një fakt politik, ekonomik, teknik, por mbi të gjitha është një prirje e shpirtit, një ndjenjë” –shkruan Romano Guardini.

Koha e ka dëshmuar se nuk mjaftojnë parullat, llomotitjet dhe retorika proeuropiane, për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së përbashkët. Sepse, me te na lidhë e kaluara, arti, tradita, kultura dhe historia. Me të kemi synime të përbashkëta.

Sivjet është viti i kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Është vit i shenjtë për kombin shqiptar, prandaj, duhet të përsiasim dhe t’i hapim sytë. Ta kuptojmë se, ne, nuk duhet ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që iu përshtatet ambicieve tona. Sepse, kjo Europë është imagjinare. Është groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço Panços së tij, që luftojnë me mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin nga të ligat dhe padrejtësitë.

Nuk mund ta ndërrojmë ne Europën, e më së paku ta bëjmë një Europë sipas interesave tona. Europa është një fakt politik dhe kulturor. Me një identitet të lashtë. Me një prirje politike që admirohet nga krejt planeti. Me një ekonomi të fuqishme, të cilën e aspiron krejt planeti. Në thelbin e vet, ajo është një prirje shpirti, ndaj, siç porosiste Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.

Dua ta përfundoj këtë shkrim, me një mendim të këshillueshëm dhe të vlefshëm të At Zef Pllumit për shqiptarët e gjitha kohëve:

“Secili shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.” 5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”, kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet vedit.”

9 maj 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok