21/12/2024

ETNI, KOMBËSI, PAKICË E GJUHË

0
Agim-Xh-Deshnica

Nga Agim Xh. Dëshnica

Një ditë vjeshte, i mbetur vetëm në shtëpi, vazhdova leximin e librit të nje profesori të zbardhur, botuar lirshëm larg syve të kritikës shkencore. Aty shtroheshin çështje të larmishme për politikën, për figura historike, për identitetin, etninë, toponimet, kombësinë, pakicat kombëtare, gjuhësinë, besimet fetare, ndërrimin e tyre, etj. Po aty shiheshin të rreshtuara letra miqësore të ngarkuara me lëvdata, edhe për mendimet e tij  të gabuara! Disa  ngaderguesit  eletrave

sipas profesorit ishin filozofë, psikoanalistë të hollë, a të talentuar për poezi, tregime e mjeshtër si romancierë, paçka se veprat e idetë i kishin të grabitura nga arkivat e gjyshërve me origjinë shqiptare të dyshimtë. Mandej, ata vlerësonin edhe librat publicistikë, me një shqipe që duhet përkthyer me ndihmën e fjalorëve shumëgjuhësh. Në mes tyre shquheshin edhe bijë ish-ministrash, të cilët gjatë diktaturës komuniste jetuan të lumtur dhe pa e vrarë mendjen për fatin e të tjerëve. Të veshur sipas modës, e kalonin kohën atëherë me lexime romanesh të zgjedhur, duke i treguar njëri – tjetrit barsoleta gjithë humor, e duke gogësirë me meze e gota birre në restorant Vollga. Por, më pas, disa syresh ranë papritur pré e diktaturës, për shkak të baballarëve të dënuar sipas stilit enverist dhe vuajtën bashkë me shumë të tjerë. Nga ato kujtime, këta bijë të shkolluar shohin shpesh edhe sot ëndrra me diktatorë, ndaj zgjohen si në kllapi dhe nisin të mendojnë ndryshe, duke u shitur trima, mendjehollë e duke mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj përparimit të sotëm në Shqipëri, se janë të sigurt që s’u hyn gjemb në këmbë. Po edhe se kritikët e kanë thyer majën e penës. Nëse iksi a ypsiloni, është mik i tyre, nuk ka se si gabon!

Profesorët dhe librat e tyre shkencor

Teksa ne kohe te lire lexoja ne  ata libra profesorësh,, madje edhe politikanësh të dështuar, që mëtojnë të jenë edhe shkrimtarë, më erdhi ndër mend i madhi Vaso Pashë Shkodrani, me vargjet e pavdekshme:

“Ca thon’ kam fé, ca thon’ kam din;

njeni asht turk, tjetri latin.

Do quhen grek’, e shqeh disa tjerë,

por jeni t’gjith’ vllazën, more t’mjerë…”

Mesa shihet, këta libra më së shumti botohen me ndihmën bujare të miqve të autorëve brenda e larg Shqipërisë, apo, siç quhen sot, me mbështetjen financiare të sponsorëve të ndryshëm, emërtim ky i marrë nga anglishtja, siç janë edhe fjalët: bekgraund, lidership, performancë, staf, impakt, shou, etj.

Pasi mbarova së lexuari ato pjesë të çuditshme të sajuara me kujtesë të mjegulltë, u ngrita i hutuar dhe mbështeta ballin në xhamat e ftohtë të dritares. Jashtë nga retë gri qielli qe zhytur në muzg. Dëgjohej shushurima çlodhëse e shiut mbi degë e fletë dhe krisma e pikave të tij në qelq e mbi mendimim tim të lodhur. Mbërrinte edhe zhaurima e mbytur e dallgëve të oqeanit në breg, si një ankim që vinte nga larg. Ndërkaq, si për mrekulli, ndihej një melodi paksa e trishtë e një muzikanti të panjohur për natyrën në kohë shiu, me jehonën, që mandej shuhej në qiell.

Po cilat janë çështjet, që shtrojnë në librat e tyre profesorët tanë të shqetësuar?

Së pari, çështje politike të lidhura me interesa të caktuara e qëndrime të rrepta ndaj qeveritarëve demokratë, apo siç quhen prej tyre “sundimtarë”, edhe pse hapin shtigjet drejt Europës me anën e përparimit të vendit. Pra, Pashai nga Shkodra s’e dinte se do të vinin kohë më të vështira, kur këta të ditur, të cilët në Shqipëri, pasi hëngrën bukën, përmbysën kupën dhe ngecën në udhëkryqe, ose morën arratinë me bagazhe të rënda dhe fluturuan me aajrore përtej horizontit. Nga leximi i librave publicistikë pa të dhëna burimore, kuptohet menjëherë se ata nuk janë shkruar pas shqyrtimit të dokumenteve të botuara nga institucionet e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare, por nga kujtime çastesh, ose muhabetesh të zjarrta kafenesh, mbështetur nëpër hamendje dhe gazeta të njëanshme. Kësisoj, të gjithë kanë të drejtë! Të gjithë thonë të vërtetën! Por, kur e vërteta përballet me faktet, ata, sipas një filozofi, bien ndesh me fjalën e shenjtë: “Mos e përziheni të vërtetën me të pavërtetën! Mos e fshihni të vërtetën në vetëdije!”

Së dyti, ka edhe kritikë letrarë apo letrarë, që shkruajnë shqip dhe humbasin kohën e të tjerëve me lavde e stërhollime për poetë a shkrimtarë të tillë dhe për librat e tyre të një shkence të harruar, që s’i lexon askush. Nga mënyra se si shprehen, vetëkuptohet se ata gjuajnë përfitime të ndërsjellta. Disa nga kritikët e artit lëvdojnë vepra piktorësh, të cilët në kohët e frikshme të diktaturës bojatisnin me yje të kuq jetën tonë të zymtë, kurse sot në ditët e lirisë, me stil impresionist, krijojnë në studio nudo e fytyra të ngërdheshura të ngjarjeve, që priteshin të vinin, siç qe eksodi apo rrëzimi i shtatores së diktatorit. Pra, e paraqisin shpërthimin rinor për liri e demokraci si tragjedi kombëtare. Ky lloj arti, si vazhdim i realizmit socialist në kushte të tjera, s’është veçse shprehje e qartë e mjerimit dhe shëmti e shpirtit dhe e mendjes së tyre të kalbur.

Së treti, profesorët, nga njëra anë botojnë në gazeta shqiptare, “studime” për figurat historike, duke mohuar gjithçka të tyren; nga ana tjetër, disa merren me trajtime çmitizuese më të skajshme se vetë autorët e librave, si Shmidi, Pukëvili etj., edhe këta të pabesueshëm, rreth heronjve të kombit shqiptar, si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, apo Ali Pashë Tepelena. Për lavdinë e të parit, siç dihet, janë botuar qindra libra e vepra arti nga autorë vendas e të huaj. Për të dytin, një prej kryengritësve udhëheqës e më trima kundër sundimit otoman, janë ngritur shumë e shumë këngë. Ai është heroi kryesor në vepra shkrimtarësh shqiptarë dhe përmendet në sa e sa enciklopedi. Kurse Bajroni për të shkruan: “Shumë trim dhe aq gjeneral i mirë është, sa e quajnë Bonaparti muhamedan!” Megjithatë, dalin disa profesorë të plakur, librat e të cilëve shtrohen për shitje edhe në mot me shi nëpër trotuare, që kënaqin qarqe të caktuara. Sipas tyre, Lufta Italo-Greke më 1940, nuk paska qenë vepër agresive e Musolinit, por e shqiptarëve, edhe pse atdheu i tyre asokohe qe i pushtuar nga trupat ushtarake fashiste. Pra, këta akademikë, dikur të mirëpritur në oborrin e diktatorit, miratojnë “shkencërisht” edhe në mbarim të vitit 2011 se Shjqipëria e jo Italia qenka në gjendje lufte me Greqinë! I shohim po këto pena, tek shkojnë edhe më larg, me përkufizime që hedhin mjegull e tym mbi poetët tanë kombëtarë, si Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, që e shkrine jetën për një Shqipëri të përparuar, edhe mjeshtri i rrallë i tregimit shqiptar Ernest Koliqi.

Së katërti, këta profesorë, dikur materialistë apo ateistë, tani e kanë ndryshuar kahun e hulumtimeve të tyre. Në kohë të reja kujtohen befas se nga emri i përkasin fesë krishtere – ortodokse. E, për çudi, megjithëse nuk janë priftërinj, ndryshe nga Atë Gjergj Fishta, kërkojnë me ngulm, me anë e librave  të shpifura, ndryshimin e fesë së shqiptarëve nga myslimane në katolike! Sipas tyre, kjo na qenka e vetmja rrugë drejt Europës së Bashkuar! Po Europa, që, krahas kishave katolike, ka ngritur vetë xhami në shumë qytete, si e gjykon këtë punë të mbrapsht të këtyre njerëzve të mençur, që synojnë të na kthejnë pas, në vitin e mallkuar kulturor 1967, kur u shembën në Shqipëri kultet fetare? Nga ana tjetër, profesorët, pa lexuar Kuranin, shkruajnë për Biblën, e cila nuk e kundërshton atë. Shumëkush e di se që të dy këta libra të shenjtë janë fjala e Zotit.

Dikush, me të drejtë kërkon rikthimin e toponimeve të fshatrave tona nga sllavishtja në shqip, ndërsa profesorët e gjuhësisë nga kohë që s’mbahen mend, luajnë sylla-mbyllas me toponime a gjysmëtoponime sllave me anën e prapashtesave, si pole, poj, poje, uç, kuç, nica, ica, iç, ov, etj. Një askush në faqe të tëra shkruan për fillimet e një fshati me kisha bizantine, që s’arriti të bëhej qytet, dhe harron përshkrimin e qyteteve tona të lashta me aq e aq monumente kulture! Si përfundim, ata shprehen se toponomia shërbeka për të kaluarën e vendit tonë! Është ky një arsyetim pa bukë, i vlefshëm vetëm për sllavët dhe grekët. Një tjetër, duke u orvatur të mbajë të gjallë mbi piedestal diktatorin stalinist, peshkon nëpër ujëra të turbullta, shkruan si dikur për Luftën Nacional – Çlirimtare dhe jo për Luftën Civile, që shpërtheu pas pabesisë së Mukjes.

Profesorët në mërgimin e largët

Meqenëse disa prej këtyre profesorëve tanë jetojnë, ta zëmë në Boston, i përafërt nga numri i popullatës me Shqipërinë, shihen nëpër kafenera me kalimtarë, të cilët në SHBA quhen amerikanë, edhe pse janë me prejardhje nga Gjermania, Irlanda dhe Anglia, nga Italia, Greqia, nga Egjypti, Maroku, Gana, nga India, Kina, Japonia etj. Dhe, pasi e kanë lënë vendlindjen përtej oqeanit, kujtohen dhe e vrasin mendjen më nge për të. Zënë vend në kafene rreth tryezës së rrumbullakët dhe rrahin mendime të thella prej dijtarësh. Më pas, kur kthehen në shtëpi, si hanë drekën e shijshme, ulen para kompjuterit dhe hartojnë shkrime për botim në gazetat shqip të Nju Jorkut, ose të Tiranës! Frymëzimin, apo shtysën, siç duket, e marrin nga Bostoni multietnik dhe nga përfundimet e bisedave me turlilloj njerëzish, që s’kanë haber nga Shqipëria. Ndaj e kanë të lehtë të rreshtojnë gjithëfarë gjërash për Shqipërinë, për fiset, kombësitë, pakicat kombëtare, etnitë etj. Dhe japin këshilla me vlerë për trajtimin e problemeve të gjuhës, kulturës, dhe se si të jepen për këto emisione të posaçme në TVSH, etj. Sipas tyre, popullata e Shqipërisë përbëhet nga shqiptarë, grekë, egjiptianë, romë, apo ciganë, arumunë, ose vllehë, boshnjakë, malazesë, maqedonas, pse jo edhe nga armenë, turq, kinezë, italianë, gjermanë, hebrej, etj., etj! Pra, në një të ardhme atyre lipset t’u caktohet edhe trualli përkatës, me një qendër të veçantë, tek të perfshihen të gjitha institucionet zyrtare, politike, ekonomike, kulturore dhe fetare, deri sa shteti shqiptar të thuret si kosh, nga disa shtete me qendër Tiranën dhe, së fundi, me votim në Kuvend të vendoset ndryshimi i emrit nga Republika e Shqipërisë në “Shtetet e Bashkuara të Pellasgjisë së re”! “Më vonë, shohim e bëjmë!”

Gjuha dhe çështja e Himarës

Profesorëve të lodhur me këto studime e këshilla, ua prish gjumin çështja e gjuhës dhe e shkrimit, sepse gjuhëtarët nuk po merren vesh për shqipen e shkruar, palé pastaj për gjuhët e tjera! Kundërshtimet midis tyre janë të rrepta. Për të folmet, si zakonisht, krahinat e ndryshme vendosin vetë, si në Jug e Veri. Pra, si duhet folur, apo shkruar, shqipja? A duhet përmirësuar standardi i vjetëruar i Kongresit të Drejtshkrimit-1972, me bazë toskërishten, të cilën një hulumtues shqiptar e quan “gjuhë në bunker”? Ndoshta duhen miratuar propozimet e reja në disa konferenca për ndreqjen e pasurimin e saj nga burimet prej njerëzve të thjeshtë, sidomos nga trevat e veriut, sepse gjuha shqipe në gazeta, në televizione e radio, është krejtësisht e pakuptueshme, për shkak jo vetëm të fjalëve, por edhe të ndërtimeve gjuhësore të huaja. Kur mblidhen në mitingje ithtarët e të majtëve, brohorasin e s’u kuptohet asnjë fjalë! Pak a shumë, kjo ndodh edhe me të djathtët. Nuk po e zgjasim me të folmet në nëndialekte, që ndryshojnë në çdo 15 kilometër, sepse çështja do të ndërlikohej.

Një dukuri të veçantë në botën shqiptare e përbëjnë edhe gjuhët e himariotëve. Njëri thotë se ata janë shqiptarë, që flasin edhe greqisht e italisht! Tjetri thotë – jo! Janë grekë, edhe pse gjuhën shqipe e flasin bukur, kurse greqishten: “partu to gomari, lidhur stu huri!” Megjithëse disa himariotë të ditur, të cilët marrin shpërblime nga vendi fqinj jugor, në libra voluminoze na thonë se janë vërtet shqiptarë të kulluar, paskan qenë të njohur në histori për autonomi qysh prej kohëve otomane! Madje, edhe për zënka të zhurmshme me qeveritë shqiptare!

Pas gjithë këtyre që thuhen, si do të vihen në jetë këshillat e studiuesve në dobi të etnive të shumta për gjuhën, kulturën, flamurin, shkollat, radiot dhe institucionet e tyre studimore!? Në këtë rast hulumtuesit ndoshta mendojnë se për të folurën e egjiptianëve u dashka të ringjallet gjuha e Keopsit! Kurse për arumunët me gjuhën pothuaj të zhdukur rumëneshti, më parë duhet të gjendet atdheu i tyre i vërtetë, sepse profesorët nëpër studime, na thonë se janë katër të tillë: Greqia, Italia, Shqipëria dhe Maqedonia. Rumaninë e përjashtojnë si dako-romake. Ndërsa Moldavinë, të përzierë pak si shumë me ukrainasit rusë e bullgarë, e lënë mënjanë! Për gjuhën e romëve, apo ciganëve, duhet të merret gjuha e indianëve! Për kombësitë, apo etnitë e tjera, u dashkan ftuar profesorë nga lindja e përëndimi! Për çështjen e himariotëve duhen hapur kanunet osmane, qysh nga motet e lashta të Perandorisë, pastaj të pyetet edhe Brukseli! Apo, edhe për më saktë, duhet shtruar kjo çështje në gjyqin e Hagës! Pra, sërish na del përpara, jo një lëmsh i zakonshëm, por një nyjë e ndërlikuar gordiane, që as shpata e Aleksandrit nuk e pret dot. Historia tregon se shkaku i kësaj gjendje lirie të skajshme janë mikpritja e bujaria e shqiptarëve ndaj ardhacakëve në trojet e tyre. Në këto çaste jehon thënia e urtë e Faik Konicës: “Ati yn’ që je n’qiell, epna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymzona me një ndienj’ të mpreht’ të drejtsis’, që të flasim jo vetëm me pa’ansi, por dhe të sillemi ashtu!”

Dritë nga dokumenti amerikan

Për këtë çështje shqiptare na vjen në ndihmë edhe një libër shkencor amerikan me titull “The Volume Library”, botuar më 1984 në Nashvile Tennesse, ku shkruhet: “Shqipëria, sipas vitit 1980, është me 2.734.000 banorë. Kryeqytet – Tirana; më 1978 me 169.300 banorë. Gjuha: shqipe. Pothuaj e gjithë popullsia e Shqipërisë është shqiptare, me përjashtim të një pakice greke në jug të vendit, gjatë kufirit shqitaro-grek. Rreth 1 milion shqiptarë jetojnë brenda kufirit jugosllav dhe rreth 200.000 të tjerë brenda kufirit grek. Shtimi i popullatës në Shqipëri është më i madh se në çdo vend tjetër të Europës. Ndërmjet vitit 1975 dhe vitit 1980 ajo është shtuar 2.4 përqind. Shumica e shqiptarëve i takon fesë myslimane. Rreth 20 përqind e popullsisë është krishtere – orthodokse dhe 10 përqind katolike.” Pra, bëhet fjalë për të dhëna statistikore para 31 viteve. Shtrohet pyetja: Çfarë ka ndodhur pas një kohe kaq të gjatë, kur i shohim doktorë-profesorët të shqetësuar për fatin e etnive të paqena? Mos vallë ato janë zhdukur, ose kanë marrë malet dhe janë hedhur përtej kufirit tok me profesorët? Apo me gomone, tragete e avionë kanë kapërcyer dete e oqeane, deri në Onolulu, Alaskë e Australi dhe i kanë ringjallur andej gjuhët e tyre?

Ja, çfarë mendimesh të lodhshme, më trazuan atë ditë me shi profesorët tanë me librat e tyre, kur veç melodia e madhërishme e muzikantit të panjohur për natyrën e bukur stolisur me ngjyra vjeshte gjithfarësh, më jepte si dhuratë kënaqësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok