24/11/2024

ESSE PËR VENDLINDJEN TIME

0

Nga Lutfi ALIA

Vali është vendlindja ime, është gëzimi dhe krenaria e origjinës time, është pakti solemn i besës që kam lidhur me atë fole hyjnore,aty ku para 72 vitesherdha ne jetë dheqë më ligjeroi të drejtën të jem malësor kryelartë dhe kryemëvehte, që më bën të mos ndihem i larguar dhe i vetmuar në këtë botë të rrëmujëshme.

Vali im më therret çdo ditë ta përjetoj së bashku me njerëzit e mi, me gjithë mrekullitë që gjallojnë në ato troje me bukuri malesh magjepse, qëmëfrymëzuan të shkruaj keto rrjeshta meditime, këngëtime zemre, përjetime, përsiatje dhe regëtime shpirtënore.

Vali im gjysëm i shenjtë e gjysëm profan, është poemë toke dhe qielli, është simfoni dashurie, është mit, është magji, është legjendë, është kushtrim bukurie, është mrekulli e maleve epike, që e ruajnë të strukun në gjirin e tyne.

Prej mbi 3000 vite, aty në luginën e Val Martistë Parthinëve dhe tëAlbanëve, të Kunavisë dhe të Martanas, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnëvalatosët trima dhe të mençur, që i kanë dhënë jetë kësaj perle të fshehur mes malevetë rrethuara me kreshtat e larta, me hire të vrazhdët dhe të frikëshme bukurie.

Kodi genetik i valatosëve është i shkruar nga malet e larta dhe tëashpëra, qe i kanë ngjizur karakterin e fortë, trimërinë, rreptësinë, krenarinë, besën, mikëpritjen, solidarietetin dhe plot virtyte tëlarta, që socio-logët e ditëve të sotme i konsiderojnë si kuriozitete arkaike të moteve të shkuara.

Askush s’ka mundur t’i nënshtroi këta malësorë, as luftërat, as tradhëtitë, as gjakmarrja mizore, as harresa, asbraktisja dhe ndëshkimi nga pushtetet arrogante, as dimri i egër, as varfëria, as mungesa e burimeve të ujit që e zevendësonin me ujë boretë shpellave misterjoze të Bardhetës.

Valatosët gjithëçka e kanë përballuar me guxim e trimëri, me besë, me virtyte, me krenari,me zmërbardhësi e mikpritje, kanë jetuar dhe e kanëndërtuar me punë dhe dinjitet jetën e bukur e të thjeshtë deri në varfëri, andaj historiani J.Von Hahn dhe shkrimtari anglez James M. Ludlow, i kanë pagëzuar valatosët personazhe legjendash.

Gryka mes maleve, ku e merr zanafillën lugina hiroshe e Valit.

Vali e merr zanafillën në gykën e ngushtë të Vaut të Valit, që hapet si porta e parajsës messhpateve të Snoit të Madh dhe Shkëmbit të Gropave.

Në të dy anët e Grykës së Valit, në lindje hijerëndë lartësohetshpati i thepisur i Snoit dhe në perëndim Mali i Sponës, që e ngushtojnë qiellin kaltërosh, pordhe i japin rrugë embëlsisht lëndinave gjelbërosheme plot lule shumëngjyrëshe, që zgjaten njera pas tjetrës në livadhe, lëndina dhe ara me tarracim natyral, në gjatësi 14 km luginë plot hire e bukuri magjepse.

Malet e Snoit, dikur Mons Sanas e më pas Malete Shën Antonio – Shën Noi – Snoi i Madh dhe Snoi i Vogël, me kurmin e tyre legjendar, si kushtrimetë lashtë dhe guardianëtë rreptë, të krekosur kundrojnë luginën, duke e shoqëruar me fllade të freskët dhe me magji bjeshkore, deri në fund, aty ku Vali mbyllet me pyllin e dendur të arrave dhe me bregoren e Blishtës buzë lumit Mati.

Mali Snoi i Madh.

Mali Snoi i Vogël i fotografuar nga maja e Snoit të Madh.

Lugina bukuroshe e plot jetë e Valit, shtrihet pas një bregu shkëmbor, qëdjallëzisht e digëzon përroin e Bizës, si mallkim ia ndal vrapin, duke e detyruarta derdhi ujin në honesteren e Valit.

Pasi hynë në hidrën grykëshpellë, uji gurgullon në zemër të malit dhe zbrazet i kthjellët, i freskët në Krojin e Kishës, rrëzë shkëmbit të Shëmtrinës (Shën Mitrit) dhe më poshtë në currilat e Valit, në fund të humnerave të egra, duke u përqafuar me lumin e Matit, që rrjedh i zhurmëshëm në shtratin e ngushtë.

Përroi i Bizës, i gëlltitur nga honestera e Valit.

Vali është i përqafuar nga malet, që ngrihen prepotente në lartësi, me kreshtat e bardha,që përkdhelen butësisht me qiellin e tejskajshëm të kaltëruar, që eshte më i bukur se qielli në tabllotë e Mark Chagall.

Kur ngjitesh nëmalet rreth Valit, kush arrinë maje kreshtave të bardha, atyprek qiellin,ndjenë aromën e bjeshkëve, përqafohet nga era, mbushet me dashuri mali dhe ndiçohet me shkëlqime diellore.

Në Val, stinët rrjedhin në rregullin natyror, rendin duke shtyrë njera tjetrën mes maleve, kreshtave shkembore, pyjeve të dendur me ahe, lisa, dushk, shkozë, arra, lajthi dhe thana; rrokullisen maleve,lëndinave dhe arave të gjelbëruara dhe ngjiten në kaltërsitë hyjnore te qiellit, duke jehuar si në meloditëe muzikësmagjepse“Katër stinët” tëAntonio Vivaldit

Gjatë shëtijeve nëpër rrugët e gurta me shtratin e ngushtë endurme erë mali, mbuluar me eterin e kaltërt, me hyjnitë roje mbi kreshtat e larta, kam përjetuar agimet e bardha, të zgjuara ngasyri i diellit pranveror, që pasi e zbardhon ditën,me rrezet e ngrohta e përkëdhel vesën mbi petalet e trëndafilave të egër etë zambakëve të bardhë, mbi gjethet gjatore të misrit shtatshkurtër, mbi gjethet e thanave ambël-toredhe tëluleve gjithëngjyrësheqendistare të lëndinave.

Pranvera në Val arrinë me festë, me të bukurën, hiroshen “Dita e verës”, festën pagane që kremtohet nga valatosët me fantazinë dhe simbolizmin festiv,që shprehin kapërcimin nga kaosi – mundimi – acari – izolimi dimëror, në rregullin, ngrohtësinë dhe normalitetin natyral dhe social që sjell pranvera.

Ditën e verës, valatosët e festojnë me gëzime familjare dhe kolektive, me argëtime, me alegri dhe me humor. Në ritet e kremtimit të Ditës së Verës, evokohen mitet e Artemises heleneme amazonat, të Dianës romake me nimfat, tëZanës – Thanësiliroshqiptare me Shtojzovallet dhe Orët.

Kultet e këtyre hyjneshave pagane, valatoset i kane perjetesuar me legjenden e vashës së bukur-Zana- Shtojzovalla, që del nga liqeni i Valit dhe martohet me bariun bukurosh, një legjendë e lashtë eilirëve paganë, e ruajtur nga valatosët, që e kanëtransmetuar gojarisht të pandryshuarderi në ditët tona, një rrefenjëe bukurplot art dhe me emocione drithëruese, një legjendë mistike unikale shqiptare.

Në Valin tim, dita me tingull dielli rrjedh në dinamikën e punëve bujqësore dhe tëmbarështrimit të dhive të famëshme të rracës së Valit, me jetën aktive në shtëpitë e gurta dhe kur arrinë muzgu imbyllje-ditës, i mbushur me këngët e zanave të malit, jeta pushon në gjumin plot ëndërra të bukura, nën qiellin e yllëzuar dhe hënën e argjendtë dritëbutë.

Kush ka fatin të vizitoi Valin e rrethuar me kurorat e majamaleve të hijëshme, atë luginë gjelbëroshe të endur me eterin kaltërosh, e kupton se aty mungon një piano dhe Richard Wagneri, që të kompozoi një sonatë mali dhe qielli, të njëjtë si “Rid of Valkiries” dhe muzika të jehoi në zemër të maleve, të rendi nëpër luginën hiroshe, të ngjitet mbi dy rrokaqiejt e Snoit, të perkedheli Lugun e Drenit, të ndalet mbi majën e Polemit dhe të Perporthit, të kaloi përmbi kreshtat e Manës, të përqafoi Bardhetën mitike dhe më pas të rrokulliset nëpër 72 lakadredhjet e Shkallës së Valit, per t’u freskuar në ujin e kthjellët tëkanioneve të egër të Xixulles dhe të Matit, që thepojnë 1200 metra tatpjetë.

Pamje e pjesëshme e lakadredhjeve të Shkallës së Valit.

Sa më herët të ngjitesh në Shkallën e Valit, aq më shumë bukuri sheh, aq me ëndje e kundron qiellin dhe pejsazhet, aq më shumë perpihesh nga dëshira të ndjekish natyrën dhe shpirtin, të prekish dritën diellore dhe ndjenjat duke jetuar në festën pabujë të zbardhjes së ditës, kur ajo ende s’e ka nisë ritmin, e kur gjithçka rreth teje është e përgjumun, sypalame, pezull, e papërlyeme me vrullin e ditës zhurmë-madhe e kësisoj udhëtohet në një heshtje të thellë, sa të duket sikur po përjeton njëëndërr parajse …

Mëngjezeve verore, rrezet e diellit herak i përkëdhelin rrokaqiejt e Snojve, Lugun e Drenit të mbuluar me pyllin e dendur, shkrepat e thepisura te Kalthnekëve dhe të Manës, majat bardhoshe të maleve të Polemit e të Përqarkes dhe Bardhetën me bukuritë dhe misteret që i mban të fshehura në vetvehte.

Në ditët kur i nxehti i përcëllon qytetet, në Val ndjen një puhizë te hollë freskuese, që rrëshqet lehtas monopateve të bardhimta të dy Shullaneve (Malet Soleluna) duke e përkedhel tërë luginën gjelbëroshe. Laureshat e sapozgjuara, hareshëm ia thonë këngës me melodi magjepse cicërimash bashkuar me korin e bilbilave dhe të thëllëzave. Fluturatshumëngjyreshe krahëlehta shëtisin shkujdesshëm nëpër lulet vesëplota duke hedhur valle lozonjare.

Në këtë atmosferë natyrë të hapur bjeshknore, duke rendur nëpër shtigjet e ngushta buzë shpateve të maleve,kam ndjerë dashurinë, mallin përvëlimtar dhe lirinë në këtë hapsirë të gjërë hyjnore.

Sa më shumë të jetohet me Valin, aq më shumë ngazëllehesh me ato panorama frymëndalse, që të shfaqen përballë dhe mbetesh i shatisur dhe i mrekulluar para asaj natyre hyjnore.

Në plan të parë Mali i Manës,përtej majave mali i Bardhetës dhe mes tyre shtrihet e fshehur lugina e Valit.

Livadhe dhe lëndina luleshumë, përballë malit të Polemit.

Livadhet e vargëzuara në shtratin e luginës, mbushur me lule shumëngjyrëshe.

Nëvitet e fëmijërisë dhe pak vite të rinisë, pushimet e verës i kam kaluar ne Val dhe saherëshetisja nëpër luginë hiroshe, gjeja diku nji qoshe dhe ulesha qetësisht, duke dëgjuar simfoninë gazmore të zogjeve kengetare dhe këngën e erës së malit dhe i patrazuar prej askujt, shijoja ata pjesë parajse, qe s’gjendet kërkund në botë dhe derdhja pak vargje dashurie.

Vështroj malet për rreth Valit,

dhe ato më shikojnë drejt në sy,

e diç më thonë, në heshtje hyjnore

tregojnë diçka për mitet e lashta,

ndofta flasin dhe për mua,

apo kërkojnë një ëndërr të humbur,

aty ku marrin udhë magjitë.

Vali,

mbreti i malit dhe i qiellit,

mbuluar me aureol hyjnore,

veshur me mantel ngjyrë smeraldi,

në gjoks mban zambakune bardhë

dridhshëm shkëlqennë bukuri guri.

………………………………….

Vjeshta arrinë ngadalë, tinzare, e verdhë dhe e qullur, me ditët e shumta tëmbuluara me vellon e mjergullës sëhirtë, e kacavjerr nëpër shpatet e maleve. Natyra dhe qielli shkrihen në një përhimje të tejdukëshme duke u grindur me diellin dhe qiellin.

Në ditët e vjeshtës, nëpër luginën e Valit ecet me hapa të lagur, duke shkelur në baltën e kuqërremtë, që ruan gjurmët e shpirtit, ndërsa qielli i mbyllur me re të murrme,i zemëruar qanë me denesa me pika shiu rrëmbyeshëm. Në qiellin pa diell,të hutuara fluturojnë gjethet verdhacuke, nëpër malet e çveshura vallëzojnë rrufetë, era grindet me pemët e çveshura dhe në ditët e lodhura dhe në netët pa hënë, e heshtur shtrihet vjeshta, dridhet i tërë shpirti i saj i verdhë,lëngon gjatë e vdes papritur, kur arrinë bryma e parë.

Shpatet e maleve dhe lugina në ditë vjeshte me diell dhe në ditët e dimrit të acartë.

Shpejt ikën vjeshta,elegjinë i këndon bora e parë, e shndërron Valin në skelet dimëror të mbuluar me çërçaf të bardhë.Ajri i ngrirë dimëror e fshikullon luginën e përgjumur,dita shuhet ngadalë në qetësi, era idhnake i shpupuris retë e hirta,qielli i përvajshëm mbyllet ngadalësi një arkë sekretesh të vjetër,e në ngushtësinë e ditës dimërore,zbret nata me borën e bardhë, rrëmbyeshëm i ngrinë malet, i mbulon shtëpitë, rrugët, arat, lendinat, pyjet e lakuriqtë, natyra mbështillet me terrin e ftohët, mbulohet me mjer-gullën e argjentë,flet me vete me ulurima ere,grindet me pemët nude.

E mpirë rrjedh nata e gjatë dimërore, deri sa zgjohet dita e mbuluar me kristale bore dhe Vali i mbyllur si në një sferë kristali, një pejsazh i mbytur i tërë në të bardhë.

*   *   *

Ndërsa eci si nëëndërr nëpër rrugët e ngushta buzë lëndinave dhe arave, hedh vështrimet rreth e qark e nuk ngihem duke admiruar hijeshinë e pejsazheve frymëndalëse, që më shoqërojnë hap pas hapi.

Vazhdoi të eci i shastisur nga bukuritë joshëse të Valit dhe kur arrij në shtëpitë e para, një grua e veshur me të bardha bore, me zë tëëmbël me uron mirëseardhjen: “Bujrum, mirë se të ka pru zoti, ulu e freskohu me një gotë dhallë”.

Përzemërsisht shkëmbejmë përshëndetjet, e ndërsa shuaj etjen me dhallin e shijshëm,them me vehte:Në asnje qytet të botës nuk të presin me kaq mirësi e respekt, askund nuk të nderojnë me këtëbujari dhe fisnikëri”. Kjo kulture mikpritje eshte tipikenë malësitë tona, e sanksionuar dhe në të gjitha Kanunet e Maleve Shqiptare me ligjin social: “Shtëpia ështëe Zotit dhe e mikut”.

Pas kësaj mikpritje mbresëlënëse vazhdoj rrugëtimin duke kundruar me admirim bukuritë lajkatare, që më shoqërojnë pa nda dhe kështu pa e ndjerë lodhjen arrij në lagjen e Ramajve dhe Llanajve, ku ndodhetliqeni mitik e magjiplotë i Valit, më saktëajo pak, që ka mbetur nga liqeni i bukur i dikurshëm.

Freskohem me ujin e liqenit, largoj vapën dhe lodhjen me ujin e shenjtë dhe sjell ndërmend legjendat, rrëfenjat e shumta dhe gojëdhënat, që tregohen për këtë perlë të vogël ujore.

Dikur liqeni akullnajor i Valit ishte plot me ujë të kthjellët, ku shuanin etjen valatosët dhe bagëtitë e

shumta, por pushtetet shqiptare e braktisën, nuk e ruajtën, ia lanë gërryerjes karstike, që si një shushunjë e thithi të shumtin e ujit, por nuk mundi ta gllabëroj tërësisht, pasi ky liqen mitik është i shenjtë dhe plot magji,ështënjë tempull ujor ku me shekuj kryheshin rite të lashta pagane.

Aty në këtë liqen ka lindur legjenda e Zanës – Shtojzovalles, që u dashurua nga bariu bukurosh.

Buzë këtij liqeni të vogël të shenjtë, valatosët kryenin skarifikime, bënin blatime hyjnive, që t’iu lëshonte shiun e munguar, t’iu shpërblente mundin me bollëkun e prodhimeve bujqësore e blegtorale, luteshin për mirësi, për shëndet e mirëqenie të familjeve të tyre, por dhe për miqtë e shumtë.

Shpella e pëllumbave dhe liqeni mitik i Valit.

Mëkat i pafalshëm, madje më saktë ështëkrim i pushteteve tëkaluara dhe te sotëme, të pushteteve arrogante, prepotentedhe të pashpirt, që e kanë braktisur Valin, që nuk i kanë mbrojtur këto perla të natyrës,që nuk e kanë vlerësuar kulturën, historinë, patriotizmin dhe botën shpritërore tëvalatosëve, ndërsa historianë dhe shkrimtar të huaj, i kanë dedikuar vepra, që evokojnë vlerat shoqërore dhe qytetare të këtyre banorëve, ashtu si kanë përshkruar dhe bukuritë natyrore.

Pasi e lash pas dhe i ndarëme dhimbje me fatin e pa merituar të liqenit mitik, i shoqëruar nga tufat e pëllumbave të egër në fluturim të nxituar përballë shpateve të maleve, ndjek rrugën dhe spontanisht hapat shpejtohen për të arritur në zemrën e luginës, aty ku bashkohen rruga me drejtimin jug -veri, me rrugën e tërthortë që vjen nga Shkalla e Valit dhe nga shtëpitë efiseve Quka, Koçi, Ndreudhe Lena, për t’u ndalur në udhëkryqin ku ngrihen shtëpitë e fiseveAlia, Saliu dhe Limani e pak më tej dhefisetFeza. Ndalem i përmalluar në krye të rrugës. Zemra më rreh me trokitje të forta e të shpejta nga shpërthimi i emocioneve, kur shoh lëndinën e vogël gjelbëroshe, të rrethuar me pemët e qershive dhe të thanave të motëshme, atë truall, ku dikur ngrihej shtëpia, ku u linda dhe kalova pak vite të fëmijërisë së herëshme.

Ulem në lëndinë, hedh vështrimin rreth e qark, e përkedhel barin ngjyrë smerald, mbledh dhe shijojpak kokërra qershie që kishin mbetur në degët e larta dhe në përmendje delikate fillova të meditoj fëmininë, kujtova me mall përvëlimtar prindërit e mi të urtë, fisnikë dhe të mençur, që më përkushtuan kujdes të veçantë, të rritesha i shëndetshëm dhe me virtyte malësori.

Lëndina gjelbëroshe, ku dikur ngihej shtëpia ku u linda.

Pas një pushimi të shkurtër me plot emocione, u ngrita dhe vazhdova rrugëtimin në shtegun e ngushtë buzë Shullanit, i veshur i tëri me sherebelë të harlisur, që kundron aromë te këndëshme.

Lugina eValit, me dy lagjet e Balajve.

Pasi kalova shtëpitë e fisit Isaku, arrijta në lagjen Balajt e Epërm, ku banojnë fiset Bala dhe Veliu, me shtëpite e bardha pranë njera tjetrës, të mbështetura në bregoren mbi arat dhe livadhet të derdhura në blerim, mes shpatit të Bardhetës dhe të Malit të Manës, të këtij mali që mban emrin biblik Mana.

Në vazhdim lugina zgjerohet, duke i lënë hapsirë diellit dhe qiellit kaltërosh, për t’ia shtuar hijeshinë. Aty dehesh me malet, me retë dhe me qiellin, gëzohesh me malësorët trima e bujare, ngazëllehesh me shtëpitë e bardha buzë luginës së gjelbërt smerald, e pikturuar me të gjitha ngjyrat, që i ka dhuruar natyra e egër e atyre bjeshkëve madhështore. Në Val ka aq shumë lule aromatike dhe me aq shumë ngjyra, sa Claude Monèt do te mahnitej dhe do të zemërohej me vehten, që na kavaletën e tij nuk do t’i kishte të gjitha bojrat e ndezura, për t’i pikturuar ato mrekulli lulëzimesh bjeshke.

Ja dhe lagjia Balajt e Poshtëm, pak shtëpi të fisve Bala mikpritës, bujq dhe blegtorë të apasionuar. Aty në këtë lagje dikur ishte një liqen i vogël, ku shuanin etjen bagëtitë e shumta, por ky liqen tashmë prej vitesh është çdukur, i gëlltitur nga shtrati karstik, i humbur nga indiferenca e pushtetit dhe e qeverive me politika antiambientaliste.

Aty pranë dikur ngrihej dhe ndërtesa e shkollës së Valit, ku janë arsimuar me mijëra vajza dhe djem valatosë, që sot jetojnë e punojnë në të katër anët e Shqipërisë, madje dhe në shumë vende të botës, por për fat të keq dhe për turp të qeverive të ashtuquajtura demokratike, në vitin 2019, në fshatin Val, nuk ka shkollë??!!

Më tej lugina e Valit vazhdon me shtëpitë e fiseve Halili, Likmeta, Meta, Hasa dhe pasi përkulet lehtas nga lindja, zbret me vargun e arave të tarracuara dhe kurorëzohet mepyllin e arrave, një plantacion natyral arrash, më i madhi në vendin tonë.

Në veriperëndim të luginës, fshehur në zemër të Bardhetës, ende ruhen rrënojat e pakta të Abacisë Benedektine dhe të famëshme tëShën Aleksandrit,Shëlleshi i Valit, i cili ne vitin 1645 ishte ne aktivitet, si e pershkruan Imzot Mark Skura, ipeshkëvi i Durresit dhe administratori i dioqezës shufragane të Kunavisë, në relacionin prej 68 faqesh dërguar Propogandës Fide. Ne fund te relacionitImzot Mark Skura prezanton dhe një hartë, ku saktëson vendndodhjen e Abacisë së Shën Aleksandrit të Valit.

Faksimile e relacionit të Mark Skurës dhe fragmente muresh të Abacise të Shën Aleksandrit të Valit

Pjesa verilindore e luginës së Valit, ruan një perlë tjetër historike. Mbi lagjen e Balajve të Poshtëm, në një lëndinë të hirëshme,rrethuar me kreshtate bardha të Malit të Manës,ështëQyteza e Valit, me rrenojat e fortesës Val Martis, një strukturë mbrojtëse e parthinëve ilirë, e ristrukturuar nga romakëtnë Civitates Vali (Qyteza e Valit), e shkatërruar nga gotët në shekullin V, erindërtuar në shekullin VI nga Perandori bizantin Justiniani,e rindërtuar nëshekujt XIV – XVdhe e shfrytëzuar nga Kastriotët.

Hyrja në pjesën veriperëndimore të Qytezës, quhet Qafa e Portës, pra kuptohet, aty dikur ishte porta e kësaj kështjelle të lashtë, ndërsa në sheshin qendror është toponimi Shqema e Kishës (Pragu i kishës), që si dëshmohet në relacionet e Mark Skurës, ishte kisha e vogël e Shën Mëhillit.

Historitë e lashta dhe gojëdhënat e traditës popullore na e kanë sjellë Qytezën e Valit me plot rrëfenja mitike, me histori luftash dhe legjendash të bukura.

Albanologu i shquar Johann George von Hahn e quan Citadella e Valit dhepasi e vizitoi në vitin 1849, e përshkruan me dëshprim, si mbetje muresh të rrënuara nga gotët në vitin 469 e. s. dhe rrënimin e fundit nga Sadrasemi.

Kështjella Val Martis, kishte shërbyer për Kandavian e lashtë; gjatë pushtimit romak ishte Civitates Vali e Kunavisë, pas shkatërrimit nga barbarët fortesa Martis u rindërtua nga perandoribizantin, e tillë ishte në mesjetë kur Kunavia ishte pjesë e Shtetit të Arbërit, e mbretërisë së Albanisë me mbret Karlin I Anzhuin. Pas shkaterrimit nga barbaret sllave,u rindërtua nga Kastriotët dhe rezistoi deri në vitin 1813, kur i ushtria barbare e vezirit Hurshid Pasha e shkatërroi dhe i shembi muret e lashta.

Në shpatin e malit rrugëkalimi për nëQytezen e Valit (Kështjella Val – Martis)

Fragment i murit jugor të Qytezës së Valit,përballë Mali Snoi i Madh. Pjesërrënojash të mureve të kishës së Shën Mëhillit, në sheshin qendror të kështjellës.

Pasmeditimeve me historitë mbresëlenëse të Abacisë së Shën Aleksandrit dhe të Citadellës së Valit, largohem duke bartur me vehte këto vlera të mëdha historike, kulturore dhe fetare, që më bëjnë krenar për vendlindjen time të lashtë, heroike dhe të shenjtë.

Këmbët nuk më binden tëlargohem, pasi ikja me duket sikur e braktis Valin. Çdo fillim ka një fund, andaj dhe ky rrugëtim i gjatë duhet të mbyllet, por nuk mund tëshlyhenkëto vende me bukuri dhe histori magjepse, të cilat kam të arshivuara në kujteseë, si nje album piktoresk shumëngjyrësh.

Pas një shtegëtimi të gjatë, me përjetime dhe admirime pejsazhesh frymëndalëse të luginës së Valit, së fundi kapërceva qafën e ngushtë në verilindje të Malit të Manës, mora rrugën tatpjetë në lakadredhjet e brinjës sëthepisur dhe zbrita nëlagjen e fundit, në Blishtën e vogël, me kullat-fortesa, të ngritura në bregoren e shtrirë buzë lumit, aty ku Mati plak, i çliruar nga shtërngimet e shpateve të kanionit të ngushtë dhe të ashpër, rrjedh ngadalë, në valëzime përkëdhelëse.

Pamje pjesësh të luginës së Valit.

Lagjia Blishta.

Udhëtimin e mbylla me lagjen e Blishtës, një epilog i këndshëm i Valit tim të lashtë, heroik, partiot, të bukur dhe hyjnor. Ndërsa mendoja të bëja një përkufizim përmbyllës për vendlindjen time, në ato çaste më erdhi ndërmend një thenie lapidare e Imzot Fan S. Nolit:

“Ne e kemi për detyrë të mbetemi siç ishim në krye të kohëve: stoli e maleve të larta dhe e qiellit”.

Ndofta dikush mund të mos e shohi Valin me këto bukuri sa të marroset pas tij, por unë Valin tim nuk e ndërroj me asnjë vend të botës, sepse Vali është poemë toke dhe qielli, është simfoni dashurie, është mit, është magji, është legjendë, është mrekulli e maleve epike, është vendlindja ime.

Dhe pse ndodhem larg, vazhdoj të jetoj me Valin tim hyjnor, i cili më pret, më shoqëron e më përcjell

me mall, me dashuri, zemërbardhë e gojëmjaltë, sa herë shkoj dhe iki, por pa ia kthyer shpinën dhe kur unë nuk do të jem, në zemrën e tij të madhe e mikpritëse, do të ketë përherë një vend që më përket.

ERA DHE HENA

Ti o era çapkëne,

që bredh lirshëm nëpër botë,

i shtynë retë kunder qiellit,

i shpupurit flokët e vajzave lozonjare,

luan me gjethet e verdha,

fluturon mbi qytetet e zhurmeshme,

ngjitesh lart e përkëdhel malet,

trazon detin

e grabit klithmat e pulëbardhave,

bëhu dhe ortakja ime e mirë,

e kur të rendish me vrull drejt lindjes,

merre dhe shpirtin tim

të lodhur me lot malli,

së bashku kapërceni mbi tallazet e detit,

shoqëroje deri në agimin e largët,

e kur të arrini në Valin tim,

mbështete lehtë mbi shpatet e maleve,

mbështille me rreze dielli,

ule në livadhet me lule aromatike,

lëre të pushoi gjatë gjithë ditës,

të shuaj mallin në shtepitë e fshatit,

të vrapoi në shtigje mali,

t’i gëzohet këngës së laureshave,

dhe thirrjeve të shqiponjave,

dhe vonë në mbrëmje,

këtu në Siena

ma sjellë hëna.

Veshja e grave te Valit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok