22/12/2024
Prend-Buzhala

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Fjalori i shqipes grindavecin e përkufizon si njeri “që grindet vazhdimisht dhe i mërzit të tjerët, që kërkon a i pëlqen të grindet edhe për gjëra shumë të vogla, që shkakton grindje vazhdimisht”.

Për grindavecin shqipja ka edhe fjalë a sinonime të tjera, si zemërak, grindës, idhnak, gërnjar, qaraman, etj. Në mesin tonë i shohim lehtë tipat e tillë, që ndiejnë nevojë të hahen me fjalë. Kurse si thënie karakterizuese, përmendet shprehja “Fëmijë grindavec.” Në këso rastesh, do bërë dallimin midis polemikës së mirëfilltë dhe grindjes, si tipar karakteri.

1.

Në mitologjinë antike ekzistojnë perënditë e grindjes, si erinitë apo Diskordia, po edhe perëndesha e marrëveshjeve ose Harmonia. Erida hedh mollën e artë të grindjes në vlugun e festës së perëndive, në dasmën e Peleut dhe Thetis-ës si një çmim të bukurisë, duke shkaktuar kështu një mosmarrëveshje midis Herës, Athenës dhe Afërditës e që çoi përfundimisht në Luftën e Trojës.

Kështu, “molla grindjes” përdoret si shorehje edhe sot, për të shënjuar shkakun e një grndijeje a mosmarrëveshjeje.

Shpirtrat e acaruar koha jonë i lexon dhe i sheh drejtpërdrejt. I lexon nëpër rrjetet sociale, nëpër portale, por i sheh edhe drejtpërdrejt, nëpër mediet vizuale, si televizioni, ku janë të shpeshta debatet grindavece, pa asnjë takt intelektual dhe ku nuk vlen argumenti e nga të cilat njerëzit edhe mësojnë, edhe reflektojnë. Këtu nuk e kemi fjalën për atë që thoshte Claude Lévi-Strauss për njohuritë shkencore që përparojnë vazhdimisht dhe nxiten nga polemikat dhe dyshimi. Nuk e kemi këtu fjalën për mosbindjen civile kundruall pushtetit të padrejtë.

Aty ku do nxitur kontestimi me argumente, pa fyerje e pa cinizmin e gjakftohtësisë shkatërruese, po aty do shmangur me shumë urti e këmbëngulje grindjen boshe, fodullëkun, përçmimin, apologjinë e së keqes për njerëzit grindavecë!

Ndoshta, njerëzit i dëgjojnë a lexojnë, lexojnë prej kureshtjes, për ta parë se sa larg shkon budallallëku i tillë i marrëzisë së grindjeve, tensioni shkon gjithnjë në rritje… dhe ti e sheh se ajo ditë të ka shkuar huq, si ditë e keqe. Shumica e njerëzve as që duan t’ia dinë për këto skena a gërmadha debatesh nëpër rrjetet sociale, duan të jenë të qetë, ta jetojnë e përjetojnë ambientin e qetë e paqen, ta ndërtojnë qetësinë e brendshme, larg hapësriave të natyrës së çoroditur: asisoj, krijon qiellin e vet, hap horizonte të mendjes a horizonte diellore edhe te njerëzit tjerë. Ndërsa grindavecët gjuajnë gur në hapësirat e tilla, godasin mbarë e prapë; shpallin fajtorë ku fare nuk ka, dhe bëjnë apologji të së keqes, nga e cila njerëzit neveriten. Grindavecët gjenden gjithnjë në kërkim të krijimit të një atmosfere të injorancës, sepse në hapësirat intelektuale nuk mund ta gjejnë veten. Si dhuratë, nga njerëzi marrin shpërfilljen.

Mirëpo, një dorë njerëzish ia vënë vetes për detyrë të kontestojnë gjithçka. Madje, grindja, duke kaluar në kontestim e nga një varg kontestesh, grupacionet e tilla arrijnë të ngrenë një ideologji mohimi, madje kjo shkon deri te ngritja e një. ideologjie totalitare. Historia njerëzore i provoi totalitarizmat e tillë, të ngritur mbi grindjen në gverr, e mbi gverret në konflikt, siç ishin fashizmi, nacizmi dhe komunizmi.

Russell M. Nelson, një lider shpirtëror amerikan, për rastet e tilla, thoshte që para Luftës së dyë botërore, kur një grindje ngrihet në kontestim e mandej në akuzë: “Kontestimi zakonisht nuk fillon si grindje mes vendeve. Më shpesh, kjo grindje fillon me një individ, sepse ne mund të luftojmë brenda vetes mbi çështje të thjeshta të së drejtës dhe të gabuarës. Nga këndej, grindjet mund të infektojnë fqinjët dhe kombet si një përhapje e sëmundjes.” E pra, flitet për grindjen që shkatërron familjen, shoqëlrinë, madje edhe një rajon të tërë.

2.

Fatkeqësisht, grindja në kohët moderne është shtrirë kudo. Grindje në ambiente institucionale, grindje në shkolla, grindje nëpër familje, grindje në sport, grindje anarkike në jetën politike. Atmosefra e tillë helmohet me ofendime, fyerje për çështje krejtësisht të vogla, për hiçgjë.

Është e qartë: komunikimi normal dhe grindja zemërake nuk shkojnë bashkë; ashtu si nuk shkojnë e vërteta dhe trillimi, diskutimi i qetë me përbaltosjen, respekti me përtalljen, këshillimi me kriticizmin, përmirësimi me dënimin. Artisti japonez i arteve marciale, Morihei Ueshiba, shprehet: “Vetëpërmbajtje, do të thotë ta mposhtim mendimin e grindjes që kemi brenda vetes.” E po, në këso rastesh, mendja dhe zemra ndahen më dysh: mendja [dshiron konflikt, grindje, përplasje, kurse zemra e do qetësinë dhe paqen. Është mirë nganjëherë ta dëgjojmë zemrën.

Është e qartë, se në universitete, në shkolla e në familje, më shumë ndikojnë rrjetet sociale e ato mediatike, se sa vetë shkolla apo familja. Ky është burimi serioz i jo pak devijimeve, mosmarrëveshjeve, për shkak të shpërqendrimeve që burojnë nga mizika me kabllot në vesh, nga telefonia, dhe aa familja, as shkolla e as shoqëria nuk e kanë në dorë ta kontrollojnë e ta vënë në binarë këtë fenomen postmodernist!

3.

Kjo sëmundje e frikshme, tinëzare si kanceri, ky kërcënim që helmon shpirtin, e dëmton trupin e shëndoshë të një familjeje, shkolle a kombi.

Grindja nuk është argument se ti ke të drejtë.

Grindja nuk është udhë për të bërë të mira a për ta arritur qëllimin e mirë.

Grindja nuk përbën as idealizëm, as veprim të drejtë, as ndërtim të një mendimi të drejtë, kur ti nxit mosmarrëveshje, shkakton gjëra të pakujdesshme, pa rregull e pa takt.

Grindja nuk është përhapje as e diturisë, as e formon njeriun, duke përdorur cinizmin, duke fyer bindjet e tjetrit, duke u tallur me personalitetin e tij.

Mbase, njerëzit e papërmbushur në jetë e në qëllimet e tyre ndiejnë nevojë për grindje. Si terapi ditore.

Lëri të këtillët në botën e tyre!

S’ke nevojë të merresh me ta! Sipas asaj të Jezusit: “Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.”

(Mateu 7,6)

Liria e mendimit dhe TË MENDUARIT NDRYSHE nuk e përfshin edhe lirinë e përdhosjes së gjithçkaje të mirë. Liria kërkon formim dhe pjekuri të personalitetit…

Le të jetë në nderin e tyre!

Lëri sipas asaj thënies tjetër urtake të William G. McAdoo: “Është e pamundur ta rrëzosh një njeri injorant me argument.”

Po ky Russell M. Nelson i larttheksuar, shfaq shqetësimin e tij: “Shqetësimi im është që grindja po pranohet si një mënyrë jetese.”

Fatkeqësisht!

(Prend Buzhala, 14 maj 2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok