22/11/2024

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Të arratisesh nga Shqipëria në çdo kohë do të thotë që nuk je dakord me sistemin që sundon politikisht.  Kjo tragjedi sidomos e trurit të Kombit ka ndodhur përherë dhe nuk ka ndërmend të ndalet.  Ikjet sa më larg sistemeve makabre i ndjen ai ajo që ka ikur në mënyra nga më të ndryshmet, më të çuditshmet, qoftë dhe më komodet apo dhe më të dhimbshmet.

Kurrë nuk mund t’i ndjejë një njeri që s’e ka parë me sy emigracionin, për më teper të jetë ndjerë i rehatuar dhe i privilegjuar nga sistemi që sundon dhe ku bashkëpunon.  I sjellë këto përvoja pasi si çdo emigrant i ka ndjerë në kurriz plagët e gjakta të fillimit të viteve të emigrimit, të stropacitjeve të dokumenteve, të përbuzjeve si shqiptarë sidomos nëpër Europë, sepse të gjitha këto tortura e kanë të vetmin burim dhe të vetmen fillesë në qeverisjet që e kanë lënë Mëmëdheun tonë të shtrijë dorën udhëve të çakërdisura të botës pa pikë autoriteti dhe dinjiteti ndërkohë vetë qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre notojnë në lluks të shfrenuar.

Sidoqotë këto përjetime i solla për parantezë sepse po lexoj në media që këto kohë po zhurmojnë dhe është ndezur zjarri bubulak për dy korifejtë e kulturës kombëtare, prof.Ernest Koliqin dhe prof.Martin Camaj.  Z. Auron Tare ka sjellë zellshëm disa tip thashethemesh spiunësh të pacipë nga agjensi të ndryshme të dëgjuara në botë si me CIA-n, shërbimet sekrete të Republikës Federale Gjermane, KGB-ja sovjetike, angleze, ndërsa për UDB-në famëkeqe do t’i shohë më  vonë sa te happen arkivat sipas z.Tare, ndezësi i këtij fitili që më së shumti duken si shashkat tymuese.

S’dua të ndalem fare dhe as që më bëjnë përshtypje këto lloj dokumentesh sjellë nga agjentë  të  ndryshëm, që shpesh dhe vetë historianët thonë që shumë prej këtyre agjentëve nuk merren për bazë, sidomos kur kanë survejuar vetëm, pa grup.  Por edhe sikur t’i besojmë këta sorollopë të paguar asgjë nuk del që ata po luftonin kundër trojeve shqiptare, kishin tradhtuar Kombin, por thjesht luftonin për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës prej të cilit ata u dënuan pa mëshirë po aq dhe familjet e tyre që jetuan brenda rrethit vicioz të diktaturës komuniste.

Në këtë mori debatesh feisbukjane gëlojnë shkrues dhe shkara shkrues duke përfituar nga inkompetenca e historianëve me pagesë që nuk sjellin mendimin shkencor dhe historik jo vetëm per Ernest Koliqin, Camaj, por dhe për shumë figura të tjera të ndritura të Kombit në Diasporë të cilët duan me çdo kusht t’ baltosin ose t’i hedhin pa mëshirë në koshin e plehrave.  Në këtë luftë me mullinjte e erës i vetmi që përfiton është prurësi i këtij debati Auron Tare që i hipën avionit sa herë t’i hipi ne tru të kokës sa në Washington, Angli, Gjermani, shumë shpejt dhe në Beograd… Më të lumtë Z.Tare, ne të ikurit nga sistemet që ju jeni i punësuar me poste prej tyre mendohemi 1000 herë pa të vimë në Atdhe… Aferim Z.Tare!

Kam takuar dhe intervistuar dhjetra të burgosur, të internuar, fëmijë me prindër të pushkatuar dhe ajo që më ka bërë përshtypje dhe që e kanë emërues të përbashkët nuk kerkojnë hakmarrje personale, por vetëm drejtësi nga organet kompetente që mjerisht në Atdheun tonë të përbashkët drejtësia është e zhytur në llucën e korrupsionit.  Me këtë korrupsion të fëlliqët që kullon qelb nga trupi i Shqipërisë  duhet të merreni ju z.Tare ngase i shikoni direkt vuajtjet dhe varfërinë e tejskajshme ku ka rënë shumica e popullit shqiptar.

“Who cares” z. Tare se çfarë sillni ju për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin!

Ata e shkruan historinë me mund dhe me sakrifica nga më të dhimbshmet, ata janë frymëzues për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë që përgjërohen për Kombin dhe pse të arratisur nga sistemet.  Nga përvoja ime personale këtu në Diasporë në USA unë po sjellë vetem një rast dhe të rekomandoj të shikoni dokumentarin realizuar nga TVSh-ja nën titullin: “Martin Camaj” Një dokumentar nga Tefta Radi.  Sinqerisht s’mund t’i harrojë lotët e bashkëshortit tim kur flitej për ndarjen e Camaj, arratisja e tij, dashuria për nënën, familjen që u persekutua në mënyrë makabre…  Nga ana tjetër ndiheshim tejet krenar se si një bashkatdhetari ynë me kaq mund dhe sakrifica, arriti të integrohet në botën marramendëse perëndimore dhe të hapë për herë të parë Katedrën e Albanologjisë në Munih të Gjermanisë që askush deri më sot nuk e ka bërë.

Martin Camaj do të ftohej nga Universiteti “Ludwig Maximilian” të Munihut si lektor.  Dhe vetëm këto do të mjaftonin për një intelektual klasi siç është Martin Camaj që të vihej në panteonin e kulturës kombëtare, por ai ka lënë pas vepra të tjera që moria e analfabetëve po aq dhe e lexuesve që e kanë shpirtin vetëm për ligësira e anatamojnë si skuadrat famëkeqe të pushkatimit.

Çfarë mund të thuhet për Ernest Koliqin këtë soj intelektuali që vetëm i bën nder Kombit tonë për kultuën, shërbimin dhe çka i solli historisë dhe letërsisë kombëtare.  Ky burr i ndritur i Kombit i këndoi gjuhës shqipe me aq mall dhe krenari si: “O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash/ Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku/ Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande…”

Shkollat Shqipe që Ernest Koliqi ngriti në Kosovë, si dhe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër e nderojnë dhe e sjellin në syrin tim si nje Rilindas të vërtetë.  Të ngrije shkollat Shqipe në atë kohë ka qenë shumë e vështirë, ka qenë sakrificë për jetën, ka qenë dashuri për Kombin, ka qenë sfidë me penë dhe kulturë kundër UDB-së dhe regjimit armiqësor jugosllav që ju e keni ëndërr dhe pasion për të gërmuar në arkivat e UDB-së për të gjetur ndonjë perçarjte të ndonjë spiuni serb të cilët e kanë të mëkuar me qumështin e nënës për ta zhdukur Kombin tonë.

Këta korifej bashkëthemeluan revistën “Shejzat” ne Itali.  Këto materiale na sillni ju z.Tare meqënse e ke mundësinë e madhe financiare që ta shetisësh botën me aviona sa herë të hipën në tru të kokës.

Dr. Lazer Radi një tjetër korife i letrave shqipe, i burgosur dhe internuar për 50 vjet me të cilin pata fatin të kem miqësi pas përmbysjes së diktaturës prej disa vitesh deri sa u arratisëm në   vitin e mbrapshtë të 97-ës e kujtonte me një adhurim të veçantë Prof.Ernest Koliqin dhe ja si dëshmote: “Gjuhën shqipe që e mësova aq pastër dhe bukur ja përkushtoj prof. Ernest Koliqit sidomos kur lexova “Hija e Maleve”.  Aty mësova parurinë e gjuhës amtare, mësova artin e magjishëm, mënyrën se si shkruante Koliqi.  Unë erdha nga Prizreni dhe nuk e kishja aq të zhvilluar artistikisht të folurin shqip, por leximi i veprës së tij më mahniti dhe pasuroi botën time për të shkruar libra…”

I vëllai i Ernest Koliqit, Mikel Koliqi, Kardinali i emëruar nga Papa Gjon Pali i dytë është denuar me 40 vjet heqje lirie nga regjimi diktatorial komunist.

A kështu shpërbleheshin ata qe i shërbenin partisë dhe Enverit duke i vuajtur gjithë familja, vrarë e varur çengelave të zinj?

Kardinali Mikel Koliqi është udhë drite shpirtërore dhe kombëtare vulosur nga udhëheqësi shpirtëror dhe njeriu më karzimatik i botës katolike Shën Gjon Pali i dytë, që të paudhët duhet të marrin pak dritëz dhe t’i largohen verbërisë ekstreme që të çon vetëm në humnerë rrethuar nga korba të zinj.

Në “Vatican News” në përvjetorin e vdekjes së Kardinal Ernest Koliqit shkruhet si:

“E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.”

Ju drejtohem ju z.Tare per te reflektuar, për ta parë të vërtetën në sy, ju drejtohem të gjithë bashkatdhetareve të mi që e duam kulturën, shërbimin qytetar, qe dinë të vlerësojnë sakrificat e atdhetarëve të vërtetë, që të krenohemi dhe të frymëzohemi nga këta korifej të Kombit.  Ne i kemi këta korifej, por dikush me ligësi ose injorancë hedh baltë ndaj shqetësimi i Faik Konicës është tejet aktual dhe në ditët e sotme kur shkruan se:

“Ne duhet të udhëhiqemi nga dishepujt e kulturës kombëtare ndryshe do te ndodh si:  “Ne vetëm duhet të shikojmë në shpirtin tonë dhe t’i shohim mendjendriturit lartë në qiellin tonë, që në mejtime mbase ende nuk thonë diç, por veç sa s’e kanë humbur durimin të na marrin për veshit si çilimiun e të na ngërmohen: “Kjo është rruga jonë…”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj me veprën e tyre e dënuan dhunën e gjuhës së mashtrimit sepse vetë Camaj do të thoshte: “Dhuna s’asht trmni, por shej ligshtie.”

Për veprën kombëtare që ata lanë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj ngelen dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit.

12 korrik, 2020

New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok