21/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Erdhi pranvera psikiatrike duke shtuar dukshëm numurin e shqiptarëve delirantë që nuk kanë lidhje me realitetin por vetëm me dokishotizmin.

Pranvera kulturore-artistike as po vjen as po ikën. Ka ngecur te klishetë socrealiste të viteve 60 me ca plehra që të qorrojnë po ti lexosh, të shurdhojnë po ti dëgjosh, të sëmurin kur sheh se vazhdojnë të jenë influentë, të vdesin kur mendon se janë ende gjallë.

Pranvera reflektive ka trokitur me dyshimin e frikshëm; Nëse konservativët e së shkuarës kanë qënë sadopak të ngjajshëm me këta të sotmit, kurvi paska qënë zgjedhja më e mirë.

Pranvera komportamentale ka ardhur me një risi linguistike; femrat dhe meshkujt po mallkohen në mënyrë të ndërsjelltë me cilësimin “kurvë”.

Pranvera mediatike televizive do vazhdojë të ketë për protagonistë po ata budallenj e budallaqe të cilët ngaqë nuk e kanë në hesap audiencën së cilës i dedikohet gjithçka, por llogaeisin vetëm veten e vet, i thonë të ftuarit; “Të kuptova”, “Më kënaqe”, “Faleminderit që të pata në studio”. Se si i duken audiencës kolloqidhet me kënaqësira dhe falenderime, shejtanbudallait apo shejtanbudallaqes që drejton emisionin nuk i intereson aspak.

Ndërsa pranvera mediatike e shtypit elektronik do shtojë numurin e rrugeçërve që i thurin shkrimet në atë mënyrë, që shpifjet dhe të sharat më të ndyra të mos i bëjnë ata vetë, por spiunat e Sigurimit nëpër komente.

Pranvera dermatologjike po çfaqet me krruajtje të forta të fundshpinës për shkak të dhimbjeve të kokës.

Pranvera gjinekologjike po pritet të vijë me instruksione të hollësishme për lehtësimin e ardhjes në jetë të sa më tepër bebeve të cilat kur rriten nuk duan të zënë punë me dorë, por vetëm të hanë e të pinë, të vishën e të mbathen, dhe të shetisin në Internet duke bërë klika me gisht mbi ekrane.

Pranvera stomatologjike parashikohet ta përhapi edhe më tepër modën e dhëmbëve të mëdhenj sa të kalit, të bardhë si gëlqere, me gjeometri të përsosur si të vizatuara me kompjuter.

Pranvera historike ka sjellë haberin se më së fundi do mblidhet një komision pordhologësh për të hedhur dritë mbi sjelljen e çuditëshme të shqiptarëve të shquar të cilët kurrë nuk vijnë, kurrë nuk përballen, por gjithmonë vetëm largohen, vetëm fshihen.

Pranvera filozofike e sivjetme do dominohet nga debati me temë; Shqiptari udhëhiqet nga instinkti parak i kopesë, i skllavit, strucit, veshgjatit, gjarpërit, skiles, kunadhes, pulës, apo lepurit ?

Pranvera religjioze pritet të hedhë dritë mbi një numur besimtarësh shkolluar dhe frymëzuar jashtë të cilët identitetin fetar e shkartisin me identitetin politik.

Pranvera politike po bën çmos të vazhdojë ta përforcojë trendin e kahershëm të politikës shqiptare, që nuk përbëhet nga njerëz që e meritojnë, por nga individë egocentristë, ziliqarë, arrivistë me zell të tepruar që mbushin boshllëqet e atyre që përgatitjen e duhur e kanë, por s’dihet pse, pjesëmarrjen e refuzojnë.

Pranvera reumatike po bën sa mundet për ndarjen e kockave nga muskujt në pritje që pas pak të gjitha kockat të thahen dhe të gjitha muskujt të kalben.

Pranvera farmaceutike po u thotë shqiptarët se sëmundjet dhe ilaçet për kurimin e sëmundjeve janë të gjitha brenda tyre, por nuk po mundet ti bindi.

Pranvera virtuale do vazhdojë ti largojë njerëzit nga njëri-tjetri, derisa i vetmi mik në kërkim të një mikeshë prej mishi që ta puthi, dhe e vetmja mikeshë që dëshiron të ketë një mik albuminoidal ta përqafojë, do mbetet celulari.

Pranvera gastronomike me mishra dhe duhma rakie ka mbërritur me një menu aq shtazarake sa para saj kazanat me lëtyra dhe këllira të magjistricave të Makbethit duken gosti mbretërore.

Pranvera nekrofilike, ajo me egoizëm, dashuri, vdekje, varr, baltë varri, do vazhdojë sensibilizimin ndaj dukurisë; “Vdis para se të kuptosh sa budalla je”.

Pranverat e aromës së Blirit, cicërrimave të zogjve, gurgullimit të krojeve, kaltërisë së qiejve, nuk po duken as këtu as në horizont. Zoti e di nëse do vijnë ndonjëherë apo na kanë braktisur përgjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok