22/12/2024

“Engjëjt” e VV- së dhe “demonët” tjerë

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Ideologjia kur i mbivendoset politikës është më e rrezikshme se mafia, krimi dhe kapja e shtetit. Sepse ideologjia e mbivendosur mbi politikën, nëse lëshon rrënjë në një shoqëri, bëhet shkaktare për tharje të jetës dhe ngulfatë atë që është themelorja në ekzistencën e një shoqërie – realizimi i lirisë – si imanencë e pacenueshme njerëzore.

VV- ja prapa vetes ka një histori shumë të palavdishme, të cilën s’ ka gomë që mund ta fshijë e as dorë politike – sado e fortë që të jetë ajo – që të mundë ta retushojë.

Tashmë, kjo Lëvizje, sipas parimit “mbrojtja më e mirë është sulmi”,  i shmanget debatit politik, historik e kulturor, duke pamundësuar atë që Kenneth Minogue e quan esenca e politikës. Dhe në vend të debatit, ajo lëshon fletërrufe kundër të tjerëve, përdorë instrumente të jashtme fanatike, kurse në të njëjtën kohë, me gomë tenton të pastrojë pjesën e palavdishme të saj, për t’u shpallur në një të nesërme qeverisëse si e vërteta absolute politike.

Në këtë mënyrë, lufta e “engjëjve” të VV-së përballë “demonëve” të tjerë tingëllon si një melodi e njohur dhe shumë e pashëndetshme për demokracinë e njomë të vendit tonë.

Kjo Lëvizje, përpara se të nxitohet me gomë për të fshirë të kaluarën, duhet të tregojë përpara popullit  të Kosovës, për çfarë lirie angazhohet, për liri politike apo liri ideologjike; çfarë sistemi politik synon, sistem njëpartiak, ku gjuha dhe dëshirat e partisë, zëvendësojnë të gjitha të drejtat tjera apo një sistem ku dinjiteti dhe liria e personit s’i nënshtrohen asnjëherë kontrollit ideologjik, rrjedhimisht as spektakleve që di të bëjë kjo mendësi në emër të drejtësisë.

Sa për t’iu kujtuar lexuesve, komunizmi është paraqitur si shpallje e vetme e të vërtetave dhe drejtësisë në tokë, por e vërteta është se në kurrizë të shoqërisë njerëzore, kjo ideologji ka shkaktuar miliona viktima, pabarazi, urrejtje dhe prapambeturi, plagë nga të cilat lëngojnë edhe sot plot shoqëri, por edhe kombi ynë.

Rritja e kësaj organizare s’është rezultat i ndonjë vizion të qartë politik.  Prej fillimit, kësaj Lëvizje i është dashur një armik i fortë; atë herë e ka kërkuar te Rugova, herë te Thaçi e herë-herë te fuqitë perëndimore, në saje të cilave ne kemi liri e shtet, e vërtetë kjo që kësaj Lëvizje i mbetet në fyt.

Tash e sa vite, përmes propagandës së egër, lideri dhe njerëzit e kësaj organizate e paraqesin veten si engjëj në një mjedis të ndotur politik. Por e vërteta është se në këtë mjedis të ndotur politik, pakkush ka kontribuar më shumë se ta në turbullimin e politikës dhe ndotjen e ligjërimit politik.

Po, kjo Lëvizje e ka prishë ligjërimin politik dhe debatin, që është esenca e politikës. Dhe realisht ky dëm është i madh dhe si i tillë i pakrahasueshëm. Sepse, kur prishet gjuha që formon të vërtetat, prishet çdo gjë.

Po t’ i dëgjojmë më vëmendje predikimet “morale” të VV- së dhe të militantëve të saj, e shohim qartë se ata vlerësimet dhe gjykimet e tyre politike i shpallin si të ishin dogma religjioze ose fakte të verifikuara shkencore. Prandaj te ta dëgjon gjithfarë anomalish, të cilat militantët i gëlltitin si manifestime të forta intelektuale.

Prej se ekziston në skenën politike, VV-ja s’ka shpalosë kurrfarë vizioni e s’ ka dëshmuar se udhëhiqet nga ndonjë ideali politik. Shumçka ka kamufluar me parulla e etiketa. Atë të bashkimit kombëtar, për çka ka bërë shumë zhurmë, e ka bjerrë tash e sa kohë, pa dhënë asnjë shpjegim. “Vizionin” tjetër për ta ruajtë Kosovën nga “hajnat” e për ta ruajtë nga “ndarja”, duket se do ta bjerrë shpejt, sepse këto temar e tilla janë trika të vockla politike dhe jo vizione.

Pra, deri me tani kjo Lëvizje ka jetuar me kauza të rreme, prej atyre me karakter tallava patriotik, deri te psuedokauzat për shkapje të shtetit e për gjoja luftë kundër hajnisë.

VV- ja deri me sot s’ ka treguar se udhëhiqet nga ndonjë ideal politik apo patriotik, sepse ideale politike s’ mund të jenë përrallat për shkapje të shtetit e për gjoja luftë kundër korrupsionit.

Ideal politik domethënë kur ke një vizion për historinë, për të sotmen e për të ardhmen, pra një ideal sublim që e mbështet në virtyte të thella dhe në një trashëgimi të pasur. Një gjë të tillë s’ e ka provuar VV- ja, kurse lista e saj e përzier dhe tallava e tregon krejt të kundërtën: se ajo s’ka asnjë ideal për nesër, pos pushtetit. Kjo e “justifikon” pastaj faktin se në këtë Lëvizje janë tubuar grupime të gjithfarshme e të çoroditura, të tillë që kanë pasë e kanë pushtet të madh, të tillë që mohojnë Gjergj Kastriotin, deri te ata që duan shkatërrimin e Izraelit, një populli që i detyrohemi shumë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Edhe një gjë duhet thënë: VV-ja, ndonëse s’ ka pasë shumë pushtet, ajo ka ndikuar pamasë në deformimin e pushtetit të gjuhës dhe të vërtetave politike, prandaj ata s’ janë engjëj dhe ne s’duhet të sillemi si kalamaj përballë propagandës së tyre të ashpër e të pështirë.

Dëgjuesit dhe lexuesit e politikës së Kosovë, votuesit e 14 shkurtit, assesi s’ duhet të joshen nga parullat e turfullimet e tyre. Ata duhet ta kuptojnë atë që të mençurit e kanë thënë qëmoti se asgjë në politikë nuk është krejt e moralshme, as krejt ekonomike, shpirtërore, apo çfarëdo tjetër. Në këtë drejtim, po e përsëris, historia e VV- së s’ është aspak e lavdishme. Përkundrazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok