ËNDRRAT E SHPIRTIT
Mes të Ëndrrës dhe Realitetit: Poezia e Gjon Markut
Ne librin
ËNDRRAT E SHPIRTIT
Nga Prof. Dr. Tefë Topalli
E habitshme ka qenë dhe mbetet bota e krijuesve në letërsi, jo vetëm për shkrimtarët shqiptarë, por kudo që janë e jetojnë, që krijojnë dhe publikojnë. Arti poetik ka brenda të papriturën, figurën, magjinë, hermetikën, simbolin, historinë, flamurtarët, duelet, krenarinë dhe nënshtrimin, humbjen dhe fitoren, gazin dhe lotët, kujtimin dhe harresën, vetëmburrjen dhe përuljen, dashurinë dhe urrejtjen, ëndrrën dhe realitetin… pa fund mund të rreshtojmë terma si këta. Veç duhet ta dijë lexuesi se në vjershërinë e Gjon Markut ka mimoza e lot, errësirë e dritë; ka vegime e dhimbje, sfida dhe dehje (jo nga pija, por nga dashuria), natyrë liqeni dhe zana shtojzovalle, enigma dhe mbretëri të Alpeve. Gjenden në to skena e tablo dashurie me nuse-hënë dhe djalë dhëndërr; ka shumë Shqipëri dhe jo më pak mërgim; ka sirena e vajtim qyqeje, shi e ngricë, heshtje e djallëzi, vulg dhe deputetë, burracakë dhe dinjitarë morali, kohë e Gjergjit dhe e shqiponjës lart; ka tokë dardane dhe zemra nënash kosovarësh, ka zënie e të varfër… diku-diku edhe Konstandinë që ngre rrasa varri për të mbajtur besën!
Shkurt, pa shkelur në blasfemi, themi se në këta pesë tuba me grupime poetike të autorit, na ngjajnë si pesë sheshpushime apostolike të Udhës së Kryqit. Në të parin, kryesorin, autori synon të mos dalë nga natyra e kësaj qenieje që quhet njeri, për të cilën ka luftuar me shpirt e zemër. Ai ka provuar vetminë, me të cilën, bashkuar me mallin, ka flirtuar, qoftë edhe duke derdhur lot; ka pritur stinën e mimozave, që e mbushnin me shpresë, paçka se jo rrallë mbushej me trishtimin e pagjumësisë.
Poeti është i ndërgjegjshëm se njeriut i duhet një “Ti”, për të fituar në jetë; prandaj edhe i drejtohet përsëri të birit që ai të mos jetë vetëm një shelg i vetmuar:
“Jeta është e egër, ka Zot dhe dreq,
Ka një fjalë të vjetër që nuk thuhet keq:
Mos u tut, o bir, ruaju në çdo shteg,
Nuk mjafton, o bir, të jesh veç sheleg.”
Prandaj edhe autori i drejtohet prapë e prapë të birit – brezit tjetër – që të trashëgojë… jo pasuri, se nuk do t’i lërë, por dije në jetë, të cilat duhen fituar vetë me djersë; dhe i thërret me zë të lartë: “Mos e shqelmo të kaluarën me pendesë… / O bir, ti qëndroji rrebeshit pa u tutë, si lis…” (f. 16), për të mos qenë asnjëherë qengj i pafajshëm para ujkut të fabulës ezopiane.
Në sythin e parë, poeti ynë numëron 12 vjersha, aq sa janë apostujt që ndjekin Mesinë e Dhjatës së Re, disa prej të cilëve ose e mohojnë, ose e çojnë drejt kryqëzimit; ndaj edhe ai ka filluar të ndjejë: “…se po troket një dimër i ftohtë / buzëmbrëmja po ia lë vendin errësirës…”, sikur po i troket vdekja! Ai ka jetuar si ka jetuar, në vetminë e jetimit; por e gërryen meraku për të birin (bijtë e kësaj shoqërie), të cilët nuk dallojnë nëse qan apo këndon Qoku. Vargu merr pamjen e zymtë të së ardhmes, nëse ky brez do të jetë i lumtur apo mjeran. Ai rri e shpreson, si Naimi, dhe beson se shkëndijat e ëndrrave do të mund të jetojnë në dritën e diturisë.(1)
Aq i madh dhe i thellë është shqetësimi i poetit, sa nuk i ndahet loti i heshtur; dhimbja, plaga dhe dëshpërimi e cfilitin përherë e më tepër.
Gjon Marku ka dëshiruar ditë për ditë në jetë; është rritur në vetmi dhe është ngritur kundër saj. Prandaj ka pasur vegime që e kanë vrarë shpirtërisht, ia kanë thyer shpirtin copë e grimë, derisa fjala e parë e zemrës – Nëna, e mbushur me bekim e jetë – i ka ardhur si prelud i të gjitha dashurive!(2)
Po Nëna iu bë dritë atje lart, në qiell, mes yjesh; ia shton njëqindfish dhimbjen… dhe biri gjen vend ta strehojë në një pikë loti të kristaltë… dhe herë-herë e thërret në ëndërr:
“E pashë në ëndërr nënën,
Ç’nur që kish në faqe,
E iu luta ëmbël hënës
T’i çonte një manushaqe…
E zgjoi tek unë kujtime,
Sa nuk plasi zemra ime!”(3)
Dhe kjo nuk ia shuan mallin dhe e lë peng të pagjumësisë, sepse fjala e fundit i ka mbetur e pathënë! Por ajo, e përjetshmja në kujtime – Nëna – në ikje amshimi, i ka thënë: “Mos e lër të të përulë vuajtja. Ki shpresë te Zoti…!” (f. 36).
Autori ka kaluar një fëmijëri jo të zakonshme: i rritur ndër daja; për këtë arsye kujton gjyshin, fjala e të cilit i bënte dritë, dhe i dukej sikur ishte ende gjallë. Lotë të nxehtë sikur ia shuanin qiririn e ndezur për shpirtin e tij…!
Ai ka lënë vragë të pambyllura, teksa e sheh: me llullë shqope, me mjekër të bardhë, kuti duhani me eshkën pranë dhe me nur, me fjalën plot dritë në gojë. I bëhet poetit sikur edhe gjyshi, me shpirt si flaka në oxhak vazhdon t’i përcjellë brezat pas tij, me merakun që ka sot vetë poeti për bijtë! Është një stafetë njerëzore: nga brezi në brez, një ligj i natyrës që njeriu ia do vetvetes dhe ia kërkon çdo ditë…!
Me njëmbëdhjetë poezi, me regjistra e motive të ndryshme, nis grupimi i parë, kushtuar dashurisë, pa të cilën poeti nuk mund të rrojë; sepse pa të, njeriut i digjet shpirti, i ikën si valë deti që puth bregun dhe largohet. E mes valëve rri e shikon vajzën belkëputur dhe… digjet shpuzë, duke i mbetur vështrimi mbi valë që s’shuhen!
Njeriu, i mbushur me shqetësimet e jetës, kalon dehje mes miqsh barinj, pranë zanave dhe shtojzovalleve, atje në bjeshkë, ku – siç thonë – hedhin valle. Ai kalon edhe gjendje shpirtërore të atilla, sa nuk kupton pse e zë ajo dehje, që nuk i vjen në kokë nga vera! Ai kërkon gjithnjë mbështetje në gjoksin e dashurisë; atje do të gjejë gjumin dhe pushimin:
“Ti, kur ëmbël buzëqesh, Herë në pyje më ngjan si flutur,
Digjem porsi flakë eshke. Herë më dukesh krejt si zanë,
Edhe shpirtin ma ngre peshë, Buzë lumit sirenë e bukur,
O e bukura e kësaj bjeshke, Në buzëmbrëmje nëpër hënë.”(4)
Poeti kërkon të bëhet një me dashurinë dhe e fton të dashurën që të hyjnë brenda njëri-tjetrit dhe ashtu të mbeten shpirtërisht, edhe pse rrugët e jetës u janë ndarë! Sepse, sipas tij, në këtë botë antagoniste duhet të vijë koha për t’u dashur, të bëhemi trup me trup, njësh; kërkon të harrohet ikja dhe ëndrra të mos mbetet përgjysmë, sepse njëherësh te njeriu mbillet dashuria dhe dhimbja!
Për poetin, dashuria…
Është e shenjtë, dhe kjo shenjtëri duhet ta shoqërojë njeriun përgjatë jetës. Ai thërret për ta gëzuar këtë ndjesi të ëmbël, që rrëzon një burrë, siç thoshte Dritëroi i madh:
“Kur e pashë, thashë: nga ëndrrat vjen,
Si valë e detit, e fortë dhe e pastër;
Një e çuditshme tek unë shpërthen,
Kur vështrimin ndal në syrin tënd të kaltër…
I bashkojmë buzët e njoma me epsh e flakë,
Një lojë e papritur ndizet, gjunjëzohet burrëria.
E luajmë një lojë të bukur që nuk kishte cak,
Sa e ëmbël, e bukur, e shenjtë është dashuria.”(5) (f. 55–56)
Poetët shpesh i rendisin krijimet në vargje pa ndonjë logjikë dhe pa shumë lidhje. Autori ynë, i dehur siç është nga ndjenja dhe hove dashurie, shpesh hidhet në gjiun e natyrës, tek e kaltërta e liqenit, prej së cilës vjen e dehet përsëri në Liqenin e Luleve, ku era përkëdhel zambakët e bardhë. Shpirti i mrekullohet, dhe ëndrra i vjen menjëherë, si në ekstazë; nuk ngopet me mjegullën mbi liqen, ku, nga bregu në breg, zë e kërcen një Zanë – ndoshta kshecë uji. E pa vonuar, rrezet e diellit ledhatojnë zambakët nën melodinë e këngës së zogjve, ndërsa atë e kap malli ta shohë gjatë Zanën, e cila i fshihet si lojcake; deri kur muzgu i argjendtë bën të zbresë hënën… dhe në këtë Parnas frymëzimi, autori kërkon të shohë prapë Zanën, që i fshihet pas zambakëve…!
Janë tabllo pikture me ngjyra ylberi, që poetët i sjellin shpesh në vargjet e tyre, sepse zemra lyp pak ngrohtësi netëve të gjata; prandaj edhe nuk mund t’ua kthejë shpinën.
Liqeneve të Lurës, me shpresë se atje do të takojë Zanën e frymëzimit, kështu që vështrimi i mjegullohet: në atë bjeshkë të freskët, mes joneve të zogjve këngëtarë, para valëve e puhizës që fryn mbi liqen, merr guximin dhe futet me not mes liqenit: “Se do të gjejë të bukurën Zanë…” Por Zana po luan kukamshehtësi me të:
“Përmbi valë zambakët e fshehin në gji,
E shoh në mes tyre e turrem me not,
Por valët e liqenit e përpinë në thellësi,
E rend mes zambakëve, por Zanën s’e kap dot…” (f. 59)
Lura dhe bukuria e liqenit (6) e kanë përfshirë të tërin; e kanë shkrirë brenda bukurisë së tyre, në kërkim të ëndrrës së dashurisë në Fushën e Mëllenjave, ku puthen zambakët, si në mitet e lashta. Gjaku i gulçon në vena, humbet në vegime, nëpër shelgjishte, nëpër myshqe ku rrëshqet shtat-holla, në atë harmoni natyre ku vala puth e përkëdhel bregun pa ndarë dhe pyet veten: Vallë, nën ujë fshihet Zana që përkund lehtë lulet?
Më i ngarkuar poetikisht na vjen sythi II, emërtuar “Veç trupit të lagur si me vesë” (f. 63–85), (7) me plot 22 vjersha, me të cilat autori ravijëzon gjendjen shpirtërore të dalldisur dhe, në delir – dehur nga dashuria – përjeton çaste idealisht me të dashurën pranë, ndezur zjarr e shpuzë të dy:
“Bashkë me hënën nëpër lumë…
Fshati priste të binte në gjumë…
Në atë buzëmbrëmje porsi vetëtimë…
Humbur në atë magji të thellë…
Thua ngjis malin, të prek qiellin!” (f. 65)
Janë momente magjike në përqafim… por vetëm imazh nën flokë ujëvare, zhytur në magji, dhe hëna nusërore, lart me Yjet përreth, duke parë trupat lagur me vesë! Ka ardhur ajo hije që mbyll derën, ndërsa heroin e pushtojnë ëndrrat… larg një violine… Të gjitha këto ngjyra në mendjen e flakëruar e kthejnë atë në nimfë plot epsh, që djegin gjithçka në zjarrin e prushtë!
Por duket se në jetën e poetit është thyer diçka dhe, papritur, derdhet mbi të stuhia; jonet e violinës kthehen në tundim të brendshëm… dhe menjëherë metamorfozë, kur era merr ritëm të ëmbël, edhe pse bien gjethe pemësh dhe notojnë valët e ujit… dhe ëndrra merr jetë me një rrëqethje të dehur; veçse imazhi vjen e humbet në vetëdijën e tij të ndezur dhe ai:
“Ecën mendueshëm mbi këtë gjethnajë,
Pa ditur nëse flet me vete apo me erën…
E pellgut të liqenit i bie përskaj,(8)
Duke kërkuar mes yjeve fytyrën…!”(9)
Në traditën tonë letrare, më së shumti dimri sjell ftohjen mes të dashuruarve, por edhe afrimin e tyre, siç ngjet tek A. Z. Çajupi, i cili shkruante: “Dashuria më mban ngrohtë, / se pushtoj atë që dua!” Tek Gjon Marku, dimri është idhnak, por zjarri i pasionit e ndez me ëmbëlsi, në atë ndjenjë të bukur në suazë ideale: “nën ujëvarën e flokëve ngjyrë limoni.”
Dhe ëndrra i kthehet përsëri, sepse dashuria shndërrohet në enigmë që ai nuk po e zbërthen dot! Autori shkruan në vetën e parë, jo se do të bëhet subjekt i skenave, ndjenjave dhe përjetimeve dashurore, por për të ngjitur lart këtë ndjenjë të bukur njerëzore, qiellore dhe hyjnore, që është dashuria e vërtetë. Prandaj, vargjet e tij në këtë segment që po shfletojmë kanë aq shumë puthje, idil, afrim dhe bashkim.
Vehtjesh, shkrirje zemre e shpirti në një, si në Mbretërinë e Alpeve, ku errësira ditë për ditë i grabit, ku bishat ulërasin të unta, ku ujku me tërbim ndjek dhinë e egër, ndërsa poeti:
“E unë në ëndrrën time këtë natë
S’e di çfarë më trazon kështu në zemër;
Vështroj teksa ti zhvishesh nëpër hënë…
Ç’ndjenjë e zjarrtë, dashuria s’ka tjetër emër!”
Edhe fundvjeshta, si simbol i rënies në moshë, i plakjes dhe i tërheqjes në vetminë e moteve, e mban prapë të ri njeriun, duke kujtuar puthjen e dy njerëzve pa mëkate, që bekojnë njëri-tjetrin…!
I sjellin magji autorit vreshtat, tek avullon toka edhe kur dielli fshihet në det, sepse mbrëmjen ia bën aq të hijshme dehja nga dashuria! Ndoshta nga kjo dehje ndjenjash në shpirt, ndoshta-ndoshta, kërkon të sjellë pranë rininë e hovshme, dhe e gjen veten tek i del para sysh një djalë që rri zgjuar, ka etje dhe pret e pret, si ai dikur, të bëhet një me vashën… e të dy të strukën, duke përhumbur në puthje të ngrohta, nëpërmjet të cilave po merrte jetë ndjenja e bukur magjike – fshehur nga nata (10)
Njëherësh, poeti gjendet në një mëngjes bore – të virgjër e të pastër, si pëlhurë e bardhë – dhe dallon vashën të mbështjellë me pallto, me shall e doreza… dhe i trazon shpirtin – si kujtim i një bore tjetër, që mban fshehur dashurinë e tyre të vjetër! Pastaj… konfiguracioni i mendjes së tij, i kujtesës së ndezur, e bashkon vashën me mjellmën që, pas pak, i ikën ngadalë nëpër mjegull…
Fantazia poetike e autorit, herë-herë, fluturon larg, atje në Muret e Kinës, ku bëhet përdore me vajzën e hieroglifeve në Ta Huang, endet me të mes ëndrrash, dhe bota vjen e i…
Zvogëlohet… për të sjellë para syve vajzën me emrin Emë, që për të është burim kroi i ndjenjës së bukur – ajo që iu kthye në ditëndezje dashurie dhe që i kujton kur dashuronin me fuqinë e rrufeve, kur kishin jetuar të dy njëqindfish së bashku! (f. 89)
Është një syth me 7 vjersha: një për qytetin ku kish jetuar Perandori i Kinës, vetmitar; një tjetër, kur ai me vashën u bënë vetmitarë çift, ku ajo ndjehej femër ndërsa ai burrë. Dhe, pas skenës së ndezur “burrë–grua”, ai kujtohet se paskësh qenë duke ëndërruar… e prapë… një natë malli, por në dimër, duke sjellë ndërmend kur rendnin bashkë aq shumë të dashuruar, në natën magjike të puthjes së papritur të pagjumësisë!(11)
Pa mëdyshje, themi se autori ynë mund të quhet poet i dashurisë shpirtërore dhe materiale, pasi ai na pikturon skena ngjyrash të bukura: me rreze hëne, mëngjese të ëmbla, ngjyra të dehura rozë, me ëndrra në gji, me gjokse që djegin, përpëlitje shtrati, durim të fshehur; me shelgje tek ura, mbërmje hënësore, rrugë të mbuluara me bar e me harrim, me shelg të braktisur… me lodrime vese në palë fustani, sy me kaltërsi qielli, butësi gjethesh, gurgullimë krojesh pranvere…
Dhe “Pak nga pak” (f. 101), pa pritë, kapërcen në strofa gjashtëse me varg të lirë, por pa braktisur rimën e ëmbël; provon struktura të palëvruara brenda një fraze, shtrirë në dy strofa, si në hyrjen e poezisë **”Pak nga pak”**(12), ku çdo lëvrues i gjuhës mund të gjejë ndërtime me interes për t’u parë e shënuar, deri edhe në një tekst shkollor, në shpjegimin dhe njohjen e përbërësve funksionalë brenda fjalisë e më gjerë, siç është rasti i kundrinave homogjene me qëndër varësie të njëjtë, çka në stilin letrar fokusojnë vëmendjen e lexuesit.
“Në faqen prush e buzët flakë,
me ndjenjën e bukurnë gjak,
përjetuam atë magj pak nga pak,
Tek sythi V, të duket sikur ke hapur lirikat e Lasgushit, e liqerit pa kufi, ku autori ynë merr e rreshton poezitë e bukura me moriv popullor, vënë në 8-rrokësh, si Nusja hënë e djali dhëndërr.82 Na vjen si tekst kënge folku, gati për pentagram; po kështu edhe kënga tjetër në tetërrokësh “Oh moj ti buzëpaputhura”, ngjan me krijime lasgushiane, kuptuar kjo qoftë edhe me dy strofat e mëposhtme:
“Në atë të bukur pranverë
Moj e bukur porsi flutur,
Rendën lëndinave si erë; krojesh rend ti porsi zanë:
Edhe humbën si në ëndërr e gjat’, e hollë, e belkëputur
Nusja hënë e djali dhëndërr, eja ti, moj, më rri pranë!” (f. 104, f. 107)
Edhe në lëmë të leksikut, autori shfaqet e përafrohet me fjalësin e rrallë popullor të poetit pogradecar, pasi përdor dendur leksema e sintagma poetike, si: perlë e bukur, kroje, zanë, shtatlartë, belkëputur, ngjalë, rrëshqet, prek, druhem, syri, mall, veç një fjalë, zemër, qiell, perëndi, nderet, terri, zbehet, zënë në faj, ëndrra thur, puthje e saj, plot muzë, kurmi yt i hidhur, plagë e hapur, shërim, plot grahma, plagë dhëmbshurie, etj.
Vënë në vargje brenda një strofa, ky fjalës krijon efekte stili e poetizimi jo të zakonshëm, me stilema që vetëm frymëzimi i lartë mund t’i sjellë:
“Ik, po të vish prapë e bukur plot muzë,
Ik ti bashkë me diellin, por unë të pres;
Të vish si zanë, të puth në buzë;
Eja ti, me diellin që rilind në mëngjes:” (f. 106)
“Mbrëmë, kurmi yt i hidhur si vrer,
Si plagë e hapur që s’ka shërim,
Si rrugë pa dalje e diku e prerë,
Si një shpat mali që s’ka një burim.” (f. 108)
Edhe kreu VI, gjallon me silueta të ngrira përqafimesh, ka motive idili mjaft të dukshme, brenda 8 vjershave. Midis tyre, në të parën, autori e ndjen se dashuria duhet shpërndarë në mbarë njerëzit; ai kalon nga veta e parë tek e treta në shumës:
“Mjegulla u kishte zënë rrugën yjeve
Shikoj silueta të ngrira përqafimesh
Kur vashat mbushin bucelat krojeve
Aty shkëmbyer mes zjarrshikimesh.” (f. 110)
Por, prapë, autori kërkon ta gjejë modelin e të dashuruarit tek ndjesitë e veta – kthehet në vetën e parë – në një natë të acartë,(14) kur zë e thërret me tërë forcën e brendshme të tij.
Shpirtit:
“Të lutem, në ëndërr sërish të më vijsh,
Se shpirti po më shembet si gardh,
Po mjerisht s’kam ku të gjej sërish,
Tani të fsheh në lotin tim të bardhë.”
Prandaj ai pret e pret pranë shelgut lotues, që vetëm ata e dinë, ngaqë dëshira i nxit pa skaj, sa një mal!
Netët i kalon në vetmi, pa imazhin e ngrirë të saj, dhe shpërthen në vargje që presin të bëhen këngë, me Puthjen e dashurisë (f. 114), kaq afër e pranë me strofa lasgushiane:
“Nën fustanin ngjyrë të artë
Fshihen gjinjtë porsi perla,
Ç’bukuri mbi vete mbartë
Me magji mes ëndrrash ngela.”
E gjejmë pranë poezive të liqerit autorin tonë, edhe kur merr e provon vargje 12 e më tepër rrokjesh, si te vjersha e thurur mjeshtërisht “Një yll i largët që mban pranverën në sytë e pafaj”; janë 5 strofa me 20 vargje, të cilat nisin me fjalën e poetizuar “Vdiqa…” dhe mbyllen me një ditë loti e dhimbje në fytyrë.
Autori ka humbur diçka, jo diçka lëndore, por ka humbur nga dashuria e provuar gjatë:
“Vdiqa rrugëve, në kërkim të dashurisë së humbur,
Muzgrreshkur më gjen mes pishave gjethegjilpërë,
Lotët rreshqasin si vesa e natës prej yjeve qëndisur,
I ulur mbi ëndrrat e mendimeve, tek unë zemërvrarë.” (f. 116)
Edhe në këto çaste dëshpërimi e dënese, poeti ndjen e sheh Shkëndijën e dashurisë, arrin të ndërtojë skena me vështrime tek gjoksi i harbuar i vashës, të shohë zjarr të shkimur, flakërim brenda vetës, të depërtojë tek ai shikim i vezulluar i saj, t’i ndizet prapë shkëndija e shuar, i afrohet një nimfë epshi, e ëmbël dhe e çmendur, ndjen magjinë e humbur, ndjenjën dhe dehjen, ëndrrën kristal
Në pjesën e tretë, titulluar “Luftova për të mbetur njeri”, autori pëson metamorfozën reale të plagëve që ka marrë e…
Po merr Atdheun, ai bëhet njësh me vendlindjen dhe gjithë dheun që quhet Shqipëri, dhe hedh vështrimin e thellë tek varret e të parëve: ku ka plagë e shtojzovalle, djem të ri që rendin drejt ikjes, kulla që tashmë heshtin e nuk bëzajnë, se kanë mbetur vatër me të moshuar, të cilët nuk tunden – si shkembenj të rëndë – në vend të vet, me pleq që pyesin të rinjtë:
“Bir, kujt do t’ia lëmë vorret?”
Janë vorre, jo vetëm me kufoma mbuluar me dhe, por vorre që kanë brenda tradita, zakone, gjuhë dhe besim, përpjekje dhe përballje, të rënë dhe të pakalbur, që thërrasin njësoj si plaku i kullës – mbetur në vetmi.
Ikja masive ka plagosur Shqipërinë; hapat e mërgimtarit trokasin ndërgjegjën e atyre që kthejnë kokën pas, por nuk kthehen ende, megjithatë në zemër e mendje sikur dëgjojnë qyqet që këndojnë, çka në idiomën tonë popullore ka kuptimin “qajnë”:
“Qyqet këndojnë buzë mbrëmjes mbi degë të thatë,
E furtuna shpërndahej gjer në palcë të tokës,
E mallin e pashterrur mbi lotin e kristaltë më latë,
Kur mora udhën e mërgimit e rend rrugëve të botës.” (f. 124)
Sepse ikja, që sjell çdo ditë të zymtë, do të thotë të mbetesh pa atdhe, duke ëndërruar imazhin e nënës. Autori ndjen thellë pasojat e ekzodit që përfshiu e po përfshin vendin e tij, dhe shpërthen në pyetje kundër plagës së këtij fati pesëqindvjeçar:
“Ç’është kjo gjamë e ky mëkat?
Ku do të shkojmë, s’ka atdhe tjetër!”
Ai kalon edhe përtej asaj që nuk duhet thënë:
“I them Zotit, na ke harruar,
Mos dhe zanat na kanë truar!?” (f. 126)
Të ikurit i kthyen shpinën truallit të vjetër pa bekime nënash, bekim që nuk do ta gjejnë në asnjë “parajsë tokësore”. Për poetin Gj. Marku, përsëri në brigjet e detit shqiptar, po pret “vajzë e valëve” – jo një, por qindra që kanë pasur thurur ëndrra për djemtë e larguar; mbyten ato në vaj, digjen e përvëlohen se ata ikën përmbi valë… gjëmon Otrantoja tragjike që mbështolli djem e sirena poshtë dallgëve të pashpirt!
Motivet letrare dhe poetike për ekzodin tragjik të shqiptarëve janë të shumta, me vargje e lotë, dhimbje e plagë që nuk mbyllen asnjëherë: për autorin tonë, në dhe të huaj, pi heshtjen në vetmi, metaforë që shpreh më tragjikën e tragjikeve: harron të flasësh, nuk njeh më gjuhën tënde as vetë, as ndër brezat që lindin larg tingujve të ëmbël të shqipes!
Ai shkon tek kulla e vjetër dhe pyet:
“Ku jeni?!?”dhe i gjegjet heshtja – pret të takojë dikë:
“Kur burrat mblidheshin në oda për kuvend…
Kur fjala ishte fjalë e drejtë e zinte vend!”
Dhe lëshohet në pyetje të dëshpëruara, prej të cilave nuk merr asnjë përgjigje, bash prej asaj krahine që ka vënë gjoksin në mbrotje të trojeve shqiptare:
“Pyes se si u tret e fundit jehonë e malësisë,
Si u shua, u tret krejt, e shkmesur burrëria!
Oh! kishte ikur në mërgim ajka e djalërisë,
Në fakt, nuk kishte dalë në shtije Shqipëria!”(15) (f. 133)
E mundon poetin vaji i qyqes (pa thënë më “këngë e saj”), e mundojnë dënesat e mekura, kishat e lashta mbetur pa lutje, hija e rëndë e odave të mëdha, nuk ndihet më erë e bukës në çerep, pa njerëz; edhe tufanet egërsohen bashkë me ujqit që ulurojnë kep më kep; ndonjë gjysh vijon me gjysmë zëri të pyesë:
“Kujt ia lini varret?!?”
Në këtë dhimbje e plagë shpirti, poetit ia ka ndodhur diçka: kujton kohën e moshës së dashurisë, kur ka ikur se…
Nuk kishte rrugë tjetër,⁸⁶ sepse kishte harruar imazhin e saj; janë bërë tashmë si dy ekstreme: ajo u shfaq çuditshëm dhe nuk e kthen më kokën prapa. Ai që ka thurur vargje dehëse për kohën e dashurisë është bërë aq i fortë sa të pohojë se me largimin prej saj nuk i mbetej më asnjë peng! Veçse zjarri i ndezur qysh në rini i ka mbetur si plagë, si pikëllim, por, megjithatë, nëpër dënesa shiu⁸⁷ as në ëndërr nuk e mban më! As edhe për ta pritur nuk e pret më, sepse rrugët me të u ndanë, ëndrra u shndërrua në trillim të trishtë; ajo lutet me përgjërim, por djali ka njohur se ajo
“Djallëzinë brenda vetës mban fshehur!”(16)
Në pjesën IV, autori u kthehet temave shoqërore, kritike dhe, herë-herë, shpërthen në satirë e sarkazëm ndaj tipave pa dinjitet e moral, ndaj karaktereve të pasinqertë, servilë e puthadorë, impozantë e kolltugofarë, shefa e drejtorë fyes e mendjefyçkë… madje edhe kolegë me dy fytyra. Ai ka vënë emërtimin “Vulgu”, por jo me ngjyrimin e një shtrese pa identitet, pa format karakteri etj.
Kuintesencën e secilës prej poezive të këtij cikli mund ta sjellim me pak vargje, qoftë edhe me nga një strofë të përzgjedhur satire e sarkazme, si më poshtë; kërshëria e natyrshme do ta nxisë lexuesin të shkojë tek gjithë vepra e autorit tonë dhe t’i receptojë më mirë në brendësi të tyre:
Kolegut E.Z.
“Shpirtin të mbushur akull si në Himalaja,
Pale kur zvarritesh pa fund e pa skaj;
Rrin strukesh si struci kokën duke fshehur,
Një kockë për të lëpirë, trullosur si i dehur.”(17)
D r e j t o r i:
“Mirëmëngjesi, more drejtor!
Si ka nisur për ty dita?
Po të presin në oborr,
Lum si ne, na erdhi dita.
Fajin ta ka koka,
Drejtor, o i pafytyrë;
Nuk të kishte faj bota,
Ike me fytyrën nxirë!”(18)
Ti, more shef:
“Servilosesh pa përtesë,(20)
Flet e ç’nuk thua, o i marrë,
I thur lavde gjithnjë vetes,
Por si vemje hiqesh zvarrë.”(21)
V u l g u:
“Ju që dini të bëni veç elozhe,
E dini ta hidhni vallen sipas avazit,
Që përdridheni si të jeni loze,
Pas çdo fjale të shefit ia jepni gazit.”(22)
Mbeti gomar:
“Në zyrën e vjetër, si teatri me maska,
Trutharë, shefi gomar hakërrohet çfarë paska?
E i mjerë Xhepat mbush plot, pasurohet pa hije,
Ani se s’ka mend, drejton krejt pa dije!”(23)
Deputetëve:
“Shtërngoni nofullat, rrudhni ballin,
E grushtin përplasni mbi tavolinë;
Të varfërit, jetimit ia shtoni hallin,
Të vuajë, po e bëni Shqipërinë!” (f.161)
Kam frikë:
“Trembem kur rrëzohen, bien dashuritë,
Më trembin, neverisin gjithë hipokrizitë;
Kam frikë nga fjala që s’mund ta mbaj,
Më shumë nga pabesia dhe nga budallai!”24)
E për fyti:
“Tashmë ua besoj fatin erërave,
Atëherë e flas me yjet, në zemër të natës;
Ju mbërthejnë: Shoh lukuninë e maskarenjve,
Njerëzit e vuajtjen në teh të lopatës.”(25)
Ai faqezi:
“Njoh një njeri – diçka si shelg të përkulur,
Në kërkim të unit të humbur rend përditë,
Mendimet si ujërat e turbullta nën urë,
Stuhinë e fjalëve pa fillim, pa fund gëlltit.”(25)
Shpirtrat:
“Eh, shpirtra që humbin nëpër errësirë,
Çdo hap i tyre është klithmë e heshtur,
As në varr për ta nuk gjendet mëshirë,
Të pasoit as dheu s’ka për t’i tretur!”(27)
Burracaku:
“Ngrihet kryet vrik, si shelg i thyer pa emër,
Oh, tundur nga era e një brenge të vjetër;
Për ku turret, kërkon një unë të shprishur,
Si në kornizën bosh me mendim të fishkur…!(28)
O shef:
“Kokulur, ti zvarritesh si zhapik,
O i biri e drejtorëve dhe këpucët u lëpin;
I horit, klith para tyre si qen kone besnik,
E kurrë si servil s’e lë zakonin!”
Pjesa e pestë, me titullin “Ia rriti ngado nderin dhe lavdinë Shqipërisë”, grupohet prej autorit në 5 sythe. Nis me Heroin Kombëtar, Gjergjin me shpatë, siç thuhet në dallim nga Gjergji me penë – për autorin e LM.
Për Kastriotin e Madh ka shumë e shumë vjersha e poezi të frymëzuara dhe emblematike, nga tradita jonë letrare, nisur me Barletin (prozë) e në vijim përgjatë shekujve, nga poetë të kohës sonë.
Zë fill vjersha me një strofë-kuje e vajtimi prej Stambolli, ngaqë u shduk ushtria e sulltanit:
“Mbeti ushtria krejt në Shqipëri,
Gjeneralët heshtin e s’bëzajnë;
Ç’është ky lajm, ky kob i zi,
Nxin Stambolli anë për anë!”
“E n’flamur po bëjnë be,
Me mbrojtë gjuhë e atdhe,
E me mbajtë besën e Zotit,
U prin Gjergji i Kastriotit!”(29)
Kruja, Gjergji e Skënderbeu ngrihen lart me krenari prej poetit, i cili shpërthen në pyetje retorike, duke arritur karakterizime radhazi për Heroin Kombëtar:
Ia shëroi plagët Arbërisë.
Ia ndali turrin duhisë.
Kush ua ktheu nderin bijve të…
Solli lirinë, moj shqiponjë.
E gjeti forcën e…
Ku e mori guximin a në…
Rendin shqiponjat lart.
E gjete forcën, o Gjergj, o Skënderbe…
E mbyll këtë me këngë ndarje atdhetare autori, me 5 strofa gjashtë-rrokëshe, me rimë të alternuar (ABAB), si një provë se poeti Marku di të laryshojë poetikën e tij në tregues, metri e rime; ai na përngjason këtu me vargjet naimiane të poemës së gjatë Histori e Skënderbeut:
“Po të pret atdheu, Malli prush në gji,
Mbyt në lot e gjamë, Vështrimin si rrufe,
Po iu gjëmon dheu Si shqiponja dhe ti,
Burrave nën këmbë. Lirinë solle në atdhe.”
Katër poezi të ciklit II ruajnë motivin atdhetar, dhe Shqiponja e lirisë në flamur hedh flatrat sipër Mirditës, mbi male, tek sheh zanat lugjeve pranë krojeve plot magji; ai sjell ndërmend djemtë viganë kur mbrojnë kalatë e pamposhtura përmbi kepe…! I këndon autori ynë Mirditës – vendlindjes së tij – tek kuvendojnë Bjeshkët e Nënshejtit, me furtuna, vetëtima e bubullima; sepse bijtë e saj nuk e falin vatanin plot thesare, burra nga Valmori e Selita, Mali i Shenjtë e Vela iu sulen osmanëve për t’iu ndalur hovin, duke vdekur për troje të të parëve!
Shqiponja e lirisë, simboli historik i këtij trualli, mban Arbërinë ndër flatra; autori i kthehet fshatit të lindjes, katundit që lumi e ndan më dysh, ku mbi konakët nuk del më tym i bardhë, nuk vjen erë e bukës, zë e bërtet: “Ku jeni, o njerëz?!?”, por merr përgjigje: vetëm heshtjen! Është një heshtje që e vret vetëm kroi që buron nga shkëmbi… dhe vështrimi i varet mbi varre, lënë askujt… dhe zëri i mekur i atit për të birin:
“Kujt ia lini, djalë, ju që keni ikur?!?”
Nuk mungon në vjershërinë e Gjona Markut tuba e zjarrtë me vargje këngësh kosovare, nisur nga zemrat e Nënave Dardane, para të cilave toka është përgjakur, e ato bekojnë djemtë që janë ngritur nga Bjeshkët e Namuna, të mbronin adheun nga barbarët e kohëve moderne… Nuk jepen shqiptarët, mbasi simbolin e Arbërisë e mbajnë në zemër dhe derdhin gjakun për atme… Ata bëhen rrufe që flamuri i lirë të valvitet. Mbyllet vëllimi Ëndrrat e shpirtit me një tufë vjershash kushtuar pensionistëve, të varfërve në fatkeqësi, lypsarit dhe zërit të tij, që me gojën e poetit thur vargjet:
“Ka kohë që gjumin e bëj mes ëndrrash,
Ku zogj mishngrënës fluturojnë pa ndalur;
Më vijnë e krrokatin pa nda mes zërash,
Vdekjen time thërrasin, ah, të rraskapitur!”(30)
Është në natyrën e krijuesit të vërejë çdo gjë rreth vetes; bie fjala, nuk kalon pa u hapur në besedë me plakun që pi kafe dhe gjeneron sentencën për këtë kohë bishtdhelpër, sepse, sipas tij: “Barrën sot ta vënë, o bir, përsipër!”
Të qëlluara janë edhe poezitë Kostandini – kalorës, ngritur nga varri për Besën e dhënë; po kështu vjersha Kohët kanë dashur ta zhdukin Shqipërinë nga harta, Hijet e të vdekurve, Kënga e Stuhisë dhe Cigani.
Asnjë krijues nuk mund të gjenerojë vetëm ar e argjend në poezi, në tërësinë e një vëllimi apo edhe përgjatë një cikli me motive të gdhendura bukur, por themi në këtë mbyllje të faqes poetike se autori ynë ka prirje për vjershërim, njeh teknikën e thurjes së vargut, di të ndërtojë strofika të goditura gjuhësisht dhe rend pas zgjedhjes së fjalëve, ose arrin poetizimin e tyre. Herë-herë ai bie në rimarrje motivesh, por jo në tërë strukturën e sjellë; mund të gjejmë tek ky shkrimtar segmente që dalin të përafërta, por prapëseprapë ka risi, figuracion dhe rend të larmishëm, si me përvojë tashmë prej vitesh, ndryshuar, çka tregon pjekurinë dhe formimin e tij të përgjithshëm prej krijuesi.
Literatura
- “Ëndrrat e shpirtit” – poezi, EMAL, Tiranë, 2025, f. 18–19
- Po ai, po aty, f. 26.
- Po ai, po aty, f. 31.
- Po ai, po aty, f. 51.
- Po ai, po aty, f. 58–59.
- Po ai, po aty, f. 60–61.
- Po ai, po aty, f. 63–85.
- përskaj – për anash, për fund.
- Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit– Poezi, Emal, Tiranë 2025, f. 74.
- Po ai, po aty, f. 83.
- Po ai, po aty, f. 93.
- Po ai, po aty, f. 101.
- Po ai, po aty, f. 104.
- Po ai, po aty, f. 111.
- Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit– Poezi, Emal, Tiranë 2025,
- Po ai, po aty, f. 138
- Po ai, po aty, f. 146.
- Po ai, po aty, f. 148.
- Po ai, po aty, f. 152.
- Po aty, po ai, f. 153–159.
- Po ai, po aty, f. 157.
- Po ai, po aty, f. 158.
- Po ai, po aty, f. 160.
- Po ai, po aty, f. 162.
- Po ai, po aty, f. 163.
- Po ai, po aty, f. 165.
- Po ai, po aty, f. 166.
- Po ai, po aty, f. 167.
- Po ai, po aty, f. 2007.
- Po ai, po aty, f. 2007.
