22/12/2024

Elton Deda, në Nju Jork me idealin e rock-ut

0

Elton Deda

Ai shfaqet në portën e madhe të hekurt të Shqup-it, ashtu si është larguar. Energjik, i qeshur dhe me bishtin e flokëve të gjata pas kokës. Përshëndet rojen e shërbimit dhe bën se nuk ka ikur kurrë nga ky vend. Takohet me Miron Kotanin dhe të tjerë muzikantë. Nga hyrja kryesore e restorantit një thirrje e gjatë mbërrin deri në veshët tanë: “Ku je arushë”.. “Ku je Elton Deda”…Janë miqtë, ose buka e vjetër, si i pëlqen artistit ti quaj ndonjëherë…..ka lënë pas 15 vjet gjurmë në muzikën shqiptare ku sot ka një vend të munguar prej tij…ka prekur N.Y. qytetin e dinamikës dhe zhurmës dhe është dashuruar me të. Elton Deda, gjithmonë ka kërkuar të jetë pjesë e një vendi anglishtfolës. Duket se ëndrrat janë bërë reale vetëm tri vjet më parë, kur ai vendosi të jetojë në metropolin amerikan. I vendosur në qendër të Manhattanit, në zonën e nxehtë të quajtur West Village, ai përpiqet të zhvillojë muzikën e tij, në një tokë tjetër. Një studio regjistrimi, një band-me instrumentistë amerikanë dhe koncerte live në lokalet ku mund të promovosh artin tënd duket se janë disa nga të rejat e Eltonit-‘amerikan’. Të tjerat kanë lidhje sigurisht me Fjordin dhe Jolën, familjen e tij, për të cilën ai thotë se “bëj shumë sakrifica, madje edhe në lidhje me muzikën”..kanë lidhje me kontaktet e tij muzikore që kanë shkuar deri tek Chick Korea, muzikanti i njohur dhe fitues i 2 çmimeve Grammy, apo bateristi i dëgjuar, Dave Weckl…apo me albumin që po ngjizet në N.Y me titull “Retrospektivë”, apo “Made in New York”..apo me kujtimet që Eltonin e lidhin kaq fort me Tiranën dhe e bëjnë herë-herë nostalgjik. Lideri i grupit “ThunderWay” tregon se nuk ka ndryshuar. Ka mbetur po ai djalë me dëshirën për agresivitetin dhe rebelimin e muzikës rock, si na thotë i nxehur se “muzika shqiptare ka dal jashtë kontrollit, komercializmi po i zë frymën artit të vërtetë”. E takojmë në pak ditë të qëndrimit të tij në Tiranë dhe në këtë intervistë për revistën “Kult”diskutojmë për muzikën, balancat mes komerciales dhe asaj profesioniste, izolimin e muzikantëve shqiptarë, dashurinë për Jolën dhe ekstremet e karakterit të tij artistik.

Kush është muzika që ke dëgjuar sapo mbërrite ne Shqipëri? Si e gjete tokën shqiptare dhe rrymat gjithëpërfshirëse të saj?

Unë nuk jam njeri nihilist, apo nga ata që e nxijnë realitetin. Por këtu, muzika është bërë shumë, shumë, shumë keq, vërtet. Unë nuk e di nëse mund të quhen këngëtarë këta që dalin nëpër stacionet e ndryshme televizive, ku këndohet e njëjta muzikë kudo. Kjo është gjëja që më vrau veshin dy ditët e para sa mora informacionin e parë se çfarë ndodh në Shqipëri. Nuk kam dëgjuar një këngë pop, një këngë rock, një muzikë general, një baladë. Vetëm stonatura dhe të ashtuquajtura muzika R&B. Më ka pëlqyer disi grafika në video, por edhe ato nuk kanë lidhje me subjektin e këngës, që në fund të fundit tregon një përpjekje të kotë, pasi kënga nuk e arrin funksionin e saj.

Mendoj se muzika komerciale nuk është vetëm një problem shqiptar. Ku qëndron difekti më i madh i muzikës komerciale shqiptare?

Kjo i përket një analize tjetër, që nuk mund të thuhet në një intervistë. Me pak fjalë, do të përpiqem të them se bota edhe pse ka shumë komercializëm, ka një raport të admirueshëm midis kësaj muzike dhe muzikës së vërtetë që ka ndjenjë, nota, melodi. Ky raport diku është 60% me 40%, diku 50% me 50%, por gjithmonë muzika e vërtetë është e balancuar. Këtu unë pashë 99% muzikë komerciale dhe shumë pak muzikë të vërtetë. Ky është problemi i parë. Ne nuk kemi balancën e duhur midis rrymave të tjera, sepse bota muzikore nuk ka vetëm R&B dhe hip hop, apo këngë sllave, turke, greke, të vjedhura paturpësisht dhe të kënduara keq, me këngëtarë që nuk e kanë pikën e veshit dhe të zërit. Janë më të aftë për të ngarë një autobus, sesa të këndojnë një këngë. Këtu qëndron difekti, ne nuk kemi një raport midis këngës së mirë dhe këngës komerciale.

A munde t’i thuash të gjitha këto mendime në pak ditë qëndrimi në Tiranë? Si të pritën miqtë dhe shokët, apo edhe ata janë infektuar nga ethet e komercializmit?

Nuk erdha që të shpëtoja, apo të ndërtoja muzikën shqiptare. Erdha të takoj familjen time, miqtë dhe shokët, por duke qenë për një kohë të gjatë në aktivitetin muzikor të vendit, sigurisht që nuk mund të rrija pa folur. Në rrethin e miqve të ngushtë unë kam diskutuar. Por, muzikantët, i gjeta shumë të zhgënjyer, pasi tregu kërkon muzikë tjetër. Ka disa emra që nuk kanë lidhje fare me muzikën, por po e drejtojnë keq të gjithë tregun muzikor. Këtu kam dëgjuar stonatura të tmerrshme, njerëz që bëjnë video të tmerrshme, duke u thënë të tjerëve në çdo kohë “Unë ju sfidoj”. Nuk pashë një video të Redon Makashit, të Aleksandër Gjokës, etj. e vetmja gjë e hajrit ishte video e Alban Skënderajt, edhe Pirro Çako që është profesionist dhe ka patur mundësi që të shprehet në muzikë. Askush tjetër nuk mundet ta sfidojë këtë katrahurë dhe zallamahi që është mbledhur në muzikë. E kam thënë para se të ikja, me ata që sot po qeshim, do të qajmë një ditë. Dhe e shoh se kjo kohë paska ardhur, kisha dhënë një afat limit për gjashtë vjet, ndërsa paska ardhur për tre vjet. Prandaj po e them edhe njëherë me forcë, të ngrihet një bazë kritike, të mblidhen shtëpitë diskografike, (që dyshoj se funksionojnë ashtu si duhet), të bashkohen dhe të krijojnë një bord artistik, i cili të ketë funksionin e kritikës, në mënyrë që këta njerëz të kualifikuar, të specializuar, të drejtojnë turmën. Muzika shqiptare ka dalë jashtë kontrollit dhe ne po humbim identitetin në muzikën tonë.

Prej tre vjetësh jeton dhe punon në N.Y. Ndihesh i ‘shpëtuar’ nga kjo muzikë e pakontrolluar shqiptare..ndoshta do të ishe infektuar dhe ti nga komercializmi dhe paratë e majme?

Unë si Elton, nëse do të rrija këtu nuk do të bëja ndonjë gjë të madhe, por jam i bindur se do të kisha dhënë më shumë kontribut, jo modest, për këtë ju garantoj. Nuk mund të them se jam i kënaqur, pasi unë nuk kam qenë kurrë pjesë e kësaj gjëje. Gjithmonë kam parë artin tim dhe këngët e mia, nuk kam bërë hite verore, por këngë, të cilat edhe sot e kësaj dite mund të dëgjohen me kënaqësi. Kontakti im me muzikën në një vend ku ende dëgjohen Beatles, Rolling Stones, Deep Purple, etj, të bën të mendosh se je i përkëdhelur nga fati. Kam ‘shpëtuar’ nga injoranca muzikore shqiptare dhe çapaçulët e muzikës, por nuk jam ndjerë kurrë i rrezikuar prej saj. Nëse do të isha këtu do të luftoja fort, por largësia më bën të jem i përjashtuar nga ky kontribut.

Fillimet e rock-ut shqiptar ishin shpresëdhënëse..si e gjeni sot edhe këtë rrymë muzikorë, ku ju keni ndihmuar kaq shumë..apo e gjeni të vdekur?

Sa kohë që do të vazhdojë kjo katrahurë, Rock-u patjetër që do të vdesë. Muzika rock ka ndjenjë, ka ritëm, agresivitet, të gjitha molekulat e domosdoshme për të qenë në krye, ose për të qenë nga më të mirat. Do terrenin e saj ku të mbijetojë. Nëse shijet do të vazhdojnë të jenë të tilla dhe muzika do të vazhdojë të drejtohet keq, e përsëris këtë me forcë, kemi një muzikë të keqe në treg dhe ajo po drejtohet keq, kjo e ndërlikon problemin. Gjithë tregu po shkon drejt R&B dhe Regaton, ç’ka nuk lejon zhvillimin e rrymave të tjera muzikore. Nuk e di ku e marrin guximin disa njerëz për të kompozuar këngë të jugut në një ritëm regaton, që nuk ka pikë lidhje dhe janë tri këngëtare që këndojnë njësoj.

Ke thënë gjithmonë se do të doje të jetoje në një vend anglishtfolës. Po jeton një nga dëshirat e rinisë së hershme, si të duket?

Që në lice më ka pëlqyer gjuha angleze, më ka tingulluar bukur në këngë, plus kam qenë tifoz personal i muzikës angleze, i futbollit anglez, ka qenë një dëshirë e hershme e imja për të qenë pjesë e këtij komuniteti, vërtet nuk shkova në Angli, por në një vend akoma më të mirë, sepse Amerika, për ne emigrantët, është një vend i hapur, ku parësore janë dhe mbeten të drejtat e njeriut.

Çfarë lirie të ka falur Amerika?

Gjithçka. Lirinë për t’u ndjerë Eltoni, që e kisha dhe në Shqipëri, por këtu isha vendali, ndërsa atje në N.Y jam emigrant. Ky qytet më është dukur njësoj si Tirana, njësoj si vendi im, nuk më ka zhgënjyer për asgjë. Liria fillon që tek konkurset e ndryshme, audicionet, kurrkush nuk ta merr punën, secili të respekton për atë që je. Nëse je akoma në dilemë për vlerën tënde reale, duhet tentuar Amerika. Kur shkon atje sheh vlerën tënde reale, kush je, çfarë di të bësh dhe sa di të bësh. Unë i kam thënë edhe Jolës, nëse unë nuk bëj asgjë në N.Y. në zanatin tim, atëhere unë do ta rishikoj vendimin tim në lidhje me muzikën.

Si është zhvilluar Eltoni dhe muzika e tij në New York?

Unë them se duke qenë në Shqipëri për shumë vite, duke provuar eksperienca të ndryshme, diku e zbehtë, diku me shumë ngjyra, mendova që për mua ka ardhur koha që të provoj forcat diku tjetër. E kuptova se më mungonte qeliza gjenetike e krijimit, doja të ndryshoja jetën time. Kur arrita në N.Y rashë në dashuri me këtë qytet, me jetën, ritmin dhe mundësitë që të ofronte. Mendova se ishte një vend i mirë ku mund të jetonte një artist si unë. N.Y është vërtet një vend i ndryshëm nga Tirana, por thelbi mbetet i njëjtë. Unë jam një djalë metropoli dhe kështu që e kam në gjak ritmin e një qyteti dinamik. Mësohesh të ecësh edhe me 30 km/orë, edhe kështu me radhë.

Me çfarë shpejtësie je duke ecur për momentin?

Nuk kam patur probleme me shpejtësinë, nuk vrapoj si të gjithë njerëzit, pasi puna ime është natën. Kam punuar në shumë restorante natën dhe disa band-e amerikanësh. Kam luajtur në zonën më të nxehtë të Manhattan, në West Village, ku është zemra e N.Y. Kjo është një nga arsyet ku aty vërshon muzika rock, blues, soul.

Si janë kontaktet e tua me rrethet muzikore?

Kam punuar me muzikantë të mirë të N.Y, jo më të mirët, kam ende shumë punë për t’i arritur ata. Më vjen keq që kam shkuar vonë në Amerikë, do të doja të paktën 15 vjeç, sepse ka aq shumë për të mësuar dhe për të menduar dhe reflektuar, saqë edhe dy jetë nuk do të dilnin. Kam punuar vetëm, por edhe me grupe shumë të mira band-e amerikane. Jam marrë me studion time të regjistrimit, me band-in dhe lokalet në West Village, ku unë punoj. Nëse do të kthehem ndonjëherë në Shqipëri do të vijë me një objektiv shumë të qartë në kokën time, pasi Shqipëria nuk mund të ecë më me plane të vogla.

Sa është zhvilluar muzika jote në N.Y. çfarë ka fituar dhe në ç’lëmë po ecën?

Kjo është një pyetje interesante. Jam duke punuar për një album, që ndoshta mund të quhet “Retrospektive”, apo “made in New York” nuk e kam vendosur akoma këtë, pasi fantazitë e mia ndryshojnë nga dita në ditë.Përpara se ta nxjerr një gjë në dritë, unë përpiqem shumë dhe kërkoj shumë. Ç’kam shkruar në N.Y do të flasë muzika ime, por jam çliruar nga çdo lloj barriere dhe i ‘shpëtova’ bllokimit që pata në Shqipëri. Atje shoh se nuk shkruhet me qëllimin për të fituar Festivalin e Këngës, që ne të shkojmë pastaj në Eurovision dhe meqë po shkojmë ta mbysim këngën me ca gajde dhe ca zurna. N.Y është një qytet i lirë, propozon të të marrë pjesën tënde më të mirë që prodhon në muzikë.

Ke patur përherë një lidhje të ngushtë me Jugun shqiptar dhe bregdetin Jonian. Si lindi muzika orkestrale “Jal”?

Për shumë vite kam qenë i dashuruari i atij plazhi, ka qenë Meka ime, ku jam falur për të gjitha mëkatet e mia, në çdo stinë të vitit. Më vjen keq që nuk munda të shkoja këtë herë në Jalë. Kjo muzikë është pjesë e një albumi, që pres ta nxjerr shumë shpejt, titulluar “Traveling in the Sun”me pjesë instrumentale, të frymëzuara nga gjithë udhëtimet e mia në Jug, duke filluar që nga Vlora deri në Sarandë, çdo qytet-shtet që ekziston aty i takon impresionit tim për natyrën, qytetin, fshatin, etj. Do t’u sugjeroja institucioneve që promovojnë turizmin ta marrin parasysh këtë kontribut timin në këtë kompozim që mendoj se do të ndihmojë në paraqitjen e imazheve të ndryshme të bukurisë shqiptare.

Përpjekja më e madhe në muzikë përse ka qenë?

Përpjekja ime më e madhe në muzikë ka qenë për të ruajtur identitetin tim si muzikant i rock-ut dhe i muzikës pop, që në Shqipëri kjo gjë është shumë e vështirë. Kompromise në muzikë nuk kam bërë kurrë. Jam krenar për këtë. Elton Deda nuk ka ndryshuar, është po ai djalosh me flokë të gjata, me idealet e rock-ut, me “Flower Power Generation” në mendjen e tij, që sot kjo është vetëm utopi këtu. Tjetër përpjekje do të cilësoja dy koncertet e mia live, me 15 muzikant live në skenë. Ju siguroj se përpjekjet e Eltonit dhe Jolës, për këtë koncert, kur në vitin 1998 gjithçka ishte si të nisje nga fillimi, kanë qenë të jashtëzakonshme. I realizuam falë dashamirësisë së miqve tanë muzikantë, për të cilën i falenderoj nga shpirti edhe sot e kësaj dite. Motoja jonë e asaj kohe ishte: Duam të këndojmë live! Duam të luajmë live! Nuk dua të bëj as modestin, as mëndjemadhin, por ishte një përpjekje serioze, që nuk u ndihmua nga të tjerë muzikantë, dhe live mbeti vetëm një tentativë.

Flasim pak për djalin, për Fjordin..çfarë ndjesie të ka dhënë në jetën tënde?

E dëshiroja një fëmijë dhe është dialektike të kesh një pasardhës. Ai erdhi në një moment të përshtatshëm. Mendoj se i pëlqen muzika, më duket se nuk ka vesh muzikor, por ka vesh ritmik, që e bën të kërcejë gjithë kohës. Do të mendoja që zanatet e artistit në jetë ti kishte për hoby dhe të merrej me disa profesione më të sigurta. Si unë, ashtu dhe Jola jemi natyra shumë të hapura dhe Fjordi do të vendosë vetë se çfarë do të bëjë në jetë.

Ke arritur ta zotërosh rebelin që ekziston tek Eltoni?

Sigurisht. Familja është vendi i vetëm ku unë mund të bëj kompromise. Për muzikën unë mund të sakrifikoj shumë gjëra, por jo veten time. Për djalin do ta bëja këtë. Do të mundohem t’i jap më të mirën, qoftë me Eltonin si muzikant, apo Eltonin si vinçier. Nuk jam nga ata njerëz që lenë gjithçka mënjanë për një fëmijë. Duhet ruajtur balanca, qoftë në jetë, qoftë në muzikë, nëse ne u mëshojmë ekstremeve, do të kemi pasoja negative.

Ekstremi më i keq i joti, që ia njeh vetes dhe që përpiqesh ta mbash larg?

Ekstrem tek unë..? Në karakter ..pyet…aha..po e kuptova…ndonjëherë kam një dëshirë të çmendur për të harbuar..kësaj i ruhem fort, sepse më shijon kaq shumë biseda, gjendja, saqë duhet të bjerë pesë-gjashtë herë telefoni që unë të ngrihem nga ambienti.

Sa ndihmon Jola në zotërimin e “harbimit” tënd?

Ah, Jola ndihmon shumë….është një vajzë familjare dhe sidomos pas lindjes së Fjordit ka ndryshuar. Ajo ndikon shumë, fjala e saj është shumë e rëndësishme për mua dhe unë e vlerësoj mendimin e saj.

Keni patur një dashuri të bukur…që në fund pati një happy end..kush e tërhoqi më shumë fijen, apo kush e mbajti të gjallë, edhe pse jetuat katër vjet në largësi?

Po të them se isha unë njeriu që mbajta gjallë lidhjen, Jola, do të kundërshtojë, le të themi të dy bashkë. Gjithmonë i kemi patur shkëndijat e ndezura në dashurinë tonë, por vajtja ime në N.Y ishte decizive. Gjithmonë e kemi quajtur veten një çift ideal dhe perfekt për njëri-tjetrin. Largësia ka qenë një periudhë prove, por që në takimin e parë në N.Y e pamë veten shumë të lidhur. Atëhere e kuptuam që ishte e shkruar të jetonim bashkë dhe nuk mund të shpëtonim nga ajo që ndjenim, e kurorëzuam edhe me djalin dhe ja ku jemi.

Ka një çudi tek ti…..kohën e shkuar shqiptare e ke lënë në një vend të harruar….

E ke gabim, unë jam natyrë nostalgjike. Shumë herë Jola më frenon në kujtime. Nuk jam nga njerëzit që i lë kujtimet e mia kot. Kur u ktheva nuk gjeta asnjë vend kujtimi në Tiranë, kanë humbur vendet e kujtimeve tona dhe të mendosh se kanë kaluar vetëm tre vjet nga ikja ime. Unë i mbaj si një dosje të heshtur në sirtarin tim, i kam shumë personale dhe i ndaj me shumë pak njerëz, por të garantoj se 31 vjet jetë në Shqipëri unë kam jo një dosje, por një thes me kujtime, që ndonjëherë nxjerrin krye dhe mund t’ju them se edhe në Amerikë ne qeshim dhe qajmë me ato që kemi jetuar këtu.

Nëse do të jepej shansi të zgjidhje të jetoje në ndonjë qytet të botës?

Londër, ose Liverpul, pa diskutim.

Nga Milena Selimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok