23/11/2024

Surprizat më të afërta të Elsa Lilës

Një album i ri dhe klipi i këngës konkurruese në Sanremo

Garat gjithnjë janë të ethshme dhe të nxehta, e tillë ishte dhe gara e konkurrimit në festivalin Sanremo për Elsa Lilën. Fillimisht konfirmimi për pjesëmarrjen në eventin më të madh italian… që e mbylli me mjaft sukses, pasi qëndroi si triumfatore në kreun e të rinjve, më pas konkurrimi në natën e dytë në seksionin e të rinjve, ku kishte kaluar rreth një orë nga mesnata e 28 shkurtit kur Michelle Hunziker dhe Pippo Baudo kanë prezantuar Elsa Lilën si konkurrenten e fundit. U prit mjaft ngrohtë dhe duke shkëmbyer disa batuta e përqafime me Baudon, për shkak të mikrofonit që mungonte.

Duke e prezantuar si këngëtare shqiptare, Baudo ka kujtuar se Lila është fituese e dy festivaleve në Shqipëri. Ndërsa në ekranin e madh është shfaqur Elsa kur këndonte e ftuar në festivalin e RTSH-së. Kënga "Il senso della vita" (Kuptimi i jetës), e shkruar nga Guido Morra dhe e kompozuar me mjaft shije nga Maurizio Fabrizio, përbente një baladë të ndjerë ku Elsa  që në fillim ka thënë se “kjo këngë mund të pëlqehet ose jo, por një gjë është e sigurt që do të rrëqethë dëgjuesit”. Dhe realisht kjo ishte lehtësisht e perceptueshme, pasi që në dëgjimin e parë fitoi duartrokitje të ngrohta të teleshikuesve në sallën e teatrit Ariston.

"Kuptimi i jetës" ishte një këngë e fuqishme vokalisht. Por kjo nuk ka qenë problem për këngëtaren, e cila është e sprovuar në vokale të tilla. Teksti i saj aludonte mbi faktin që njerëzit kujtohen vetëm në çastet e fundit të reflektojnë për kuptimin e jetës së tyre.

Këngëtarja 25-vjeçare shqiptare Lila ishte e vetmja këngëtare e natës finale për të rinj që u komentua shumë pas vlerësimit të jurisë qendrore me 34 pikë, dhe kjo erdhi si rezultat i reagimit të sallës. Ndaj anëtarët e jurisë  u ndjenë të detyruar të të jepnin shpjegime duke thënë se  “Elsa ka një zë të mrekullueshëm dhe të veçantë, por këngën e komentuan si shumë serioze për të rinj dhe epike” Elsa nga kjo garë nuk na zhgënjeu, u rendit e katërta nga këngëtarët e rinj dhe performoi në mënyrë të mrekullueshme, por kjo nuk mjaftoi që Elsa të rrëmbente një çmim nga edicioni i 57-të  festivalit më të madh italian.  Për këngëtaren tonë kjo skenë e mrekullueshme dhe rrëqethëse deri tani u prek për herë të dytë, pas interpretimit të parë në 2003 me këngën “Valeria” që u prit si kësaj radhe mjaft mirë nga publiku dhe më e votuara në internet.

Së shpejti, me një album të ri.
Pas një pauze të gjatë të këngëtares Elsa Lila u rikthye fuqishëm sivjet. Siç shihet, viti 2007 ka filluar mbarë dhe suksesshëm për karrierën e këngëtares melankolike. Fillimisht provon dhe këndon në gjuhen kineze në kinë dhe rezulton si provë e parë në këtë gjuhë suksesshëm, më pas pjesëmarrja në Sanremo që sapo i vuri kapakun me prezantim dinjitoz dhe profesionalisht shumë lartë… por surprizat për fansat e saj, kudo që janë, nuk mjaftohen me kaq. Së shpejti, Elsa do të na sjellë albumin e ri të saj, për të cilin është menduar gjatë dhe ka punuar shumë. “Ky album pritet të dalë në fund të prillit, pasi pothuajse të gjitha këngët janë drejt fundit,” bën të ditur Elsa. Në  këtë album do të përfshihen 12 këngë, sigurisht që do të jetë edhe kënga pjesëmarrëse në garën e nxehtë të festivalit italian, Sanremo, “Il senso della vita” (Kuptimi i jetës). Këtë këngë Elsa e ka ndjerë shumë dhe pëlqyer sigurisht, pasi i  shkonte më së miri natyrës së saj romantike që e karakterizon si pasojë e shenjës së gaforres, por  ajo thotë se:  melankolinë e balancoj me shpirtin  luftarak dhe natyrën e fortë që kam. Këngën “Kuptimi i jetës”  nuk mund ta linte thjesht në vokal, por ka menduar që së shpejti ta shoqërojë me një klip të mrekullueshëm ashtu si kënga vetë. Ndërsa për ardhjen e saj në Shqipëri ajo ka bërë publike se mirëpret ftesa të ndryshme.

Look i ri
Deri para dy javësh Elsa Lila ka qenë me flokë shumë të gjata… Por, tashmë jemi mësuar në një farë mënyre që të shikojmë ndryshime të herëpashershme në pamjen e jashtme të saj… këtë radhë Elsa ka preferuar ta linte surprizë deri në startimin e Sanremos. Vetëm në natën e parë të këtij evenimenti arritëm të zbulonim surprizën e look-ut të ri, flokët e prerë shkurt. Edhe paraqitja skenike ishte në parametra shumë të lartë në të dy netët që u ngjit në skenën e ethshme  të teatrit Ariston… një fustan i zi i gjatë dhe tepër elegant tregonte hiret e këngëtares 25-vjeçare këndshëm dhe me shumë klas. Ndërsa në natën finale ajo ngjante si një pranverë e vërtetë me një fustan po të gjatë me sfond të kaltër dhe të stolisur me petale si lule në ngjyrë pink. Por jo vetëm kaq, për tu kujdesur për grimin e saj ka ardhur nga SHBA grimierja japoneze Yoko, të cilës Elsa i beson shumë për pamjen.

Kush ka qenë pranë Elsës në Sanremo…
Ajo që i ka qëndruar afër për gjatë gjithë kohës Elsës ka qenë motra e saj Eni, me të cilën jeton në Romë. Por jo vetëm kjo pasi miqësia nuk harrohet lehtë dhe pranë saj në këto momente emocionuese ka qenë dhe këngëtarja e muzikës së lehtë, mike e vjetër e këngëtares konkurruese Lila, Mariza Ikonomi. Jeta është shumë e bukur, por vezullimi i saj bëhet edhe më rrezatues kur vishet me një tis suksesi edhe në karrierë ka shtuar Elsa. Ndërsa për prezantuesin e famshëm italian Pippo Baudo i cili në një farë mënyre ishte si ëngjëlli mbrojtës i saj ajo u shpreh se “ Pippo është një ndër prezantuesit e mi më të suksesshëm dhe i preferuari im. Një  njeri me kulturë shumë të madhe e ndjeshmëri të rrallë artistike veçanërisht ndaj muzikës.

Spekter

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok