25/05/2024

Ekzekutimi i poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi

0

Nga Kastriot Dervishi

Më 17 korrik 1977 u ekzekutuan poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist.

-Genc Leka (1941-1977) ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit prej vitit 1959. U arrestua më 31.8.1976.

-Vilson Blloshmi (1948-1977) raportohej nga Sigurimi nga viti 1966, ndërsa në përpunim aktiv nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.

Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” që ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.

Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet heqje lirie. U la në fuqi nga Kolegji Penali Gjykatës së Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxori urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977.  Procesverbali i fjalës së fundit të poetëve nuk u arkivua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok