EKSODI DEMOGRAFIK NË TROJET SHQIPTARE

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Vitet e fundit Tetova dhe rrethina e saj është përfshirë nga një valë e madhe e shpërnguljes së të rinjve. Përmasat e shpërnguljes janë aq të mëdha saqë mund të cilësohen edhe si eksod. Në të kaluarën, shpërnguljeve masive u kanë thënë dyndje. Duket sikur kjo dukuri është shndërruar në trend. Shpërngulen si prej zonave rurale, ashtu edhe prej pjesës urbane të trevës sonë. Shpërnguljet janë individuale, por edhe familjare. Shpërngulen të papunët, por edhe të punësuarit. E lënë vendlindjen dhe shkojnë në ndonjë prej vendeve të Perëndimit, kryesisht në Gjermani, në Zvicër dhe në vendet skandinave. Shumëkush flet për shpërnguljet, por askush nuk merret seriozisht me këtë dukuri. Këta që ikin, fare nuk çajnë kokën për analizat që kanë të bëjnë me ikjen e tyre. Ikin të rinj të shkolluar. Ndër ta ka edhe që janë me përgatitje universitare. Për të tillët përdoret termi “ikja e trurit”.

Shkaqet e ikjes së të rinjve janë të shumta. Megjithëkëtë, shkaku kryesor është ai ekonomik dhe social. Me këtë nënkuptohet, ose papunësia, ose të ardhurat mujore të ulëta. S’ka dyshim se ekzistojnë edhe arsye të tjera që i shtyn njerëzit për t’i lënë vatrat e veta.

*   *   *

Në Shqipëri janë bërë analiza dhe studime të hollësishme për dyndjen e popullsisë, ndërsa në trojet e tjera shqiptare, hulumtime të tilla ka pak, për të mos s’ka fare.

Periudhat kohore të formimit të diasporës shqiptare ndryshojnë. E ashtuquajtura “diaspora e vjetër” përbëhet nga emigrantë që kanë emigruar para vitit 1944, të cilët konsiderohen diasporë e hershme, si dhe nga ata që u larguan gjatë viteve 1945-1990, e që përkon kryesisht me shqiptarët në ish-Jugosllavi. “Diaspora e re” ndërkaq, përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990 dhe përkon me valën e madhe të migrimit pas rënies së komunizmit.

Diaspora e vjetër ka qenë e vendosur kryesisht në SHBA dhe disa vende të Evropës Perëndimore, ndërsa diaspora e re është vendosur në Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë, në vendet skandinave etj. dhe më pak në vende të diasporës së vjetër.

Për shkak të karakterit kompleks që të kësaj dukurie, një shifër e saktë e diasporës shqiptare, ende nuk është përllogaritur.

Sipas vlerësimeve të tërthorta, në vitin 2020, numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit, që gjithsej përbën rreth 37 % të shtetasve të Shqipërisë.

*   *   *

Në Kosovë, Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi nuk ka analiza, hulumtime, kërkime, gjurmime apo studime të hollësishme për shpërnguljen e shqiptarëve në periudhën e pluralizmit 1991-2022. Në Kosovë nuk ka hulumtime apo studime për shpërnguljen e popullsisë në periudhën e viteve 1999-2022.

Me fjalë të tjera, këtu nuk është bërë kurrfarë analize apo studimi serioz i dukurisë së dyndjes së popullsisë. Cili segment i shoqërisë largohet nga vendi, nga cilat zona të qytetit largohen, sa është numri i saktë i të ikurve, për ku ikin më së shumti, cila është mosha mbizotëruese e të ikurve, në ç’përqindje ikin meshkujt në raport me femrat, sa për qind e të ikurve kanë qenë të papunë, sa për qind e tyre, kanë qenë të punësuar, sa është numri i atyre që shpërngulen për në ShBA, a e kanë ndërmend të kthehen në vendlindje apo shkojnë për të mos u kthyer kurrë, cili është niveli arsimor i të shpërngulurve, cila është përqindja e atyre që janë me arsimim profesional, në ç’farë punësh punojnë në vendet perëndimore, sa është numri i atyre që ikin individualisht, sa është numri i atyre që ikin bashkë me familjen, sa është numri i atyre që shpërngulen duke ia ndërprerë këtu shkollimin e fëmijëve, sa prej të ikurve i lënë prindërit këtu, kujt ua lënë prindërit, a ka kush kujdeset për ta, sa prej të ikurve i kanë prindërit në Perëndim, sa prej të ikurve kanë në Perëndim ndonjë anëtar të familjes së ngushtë, a investojnë të shpërngulurit në vendlindje, sa shtëpi kanë mbetur të mbyllura …

Herë pas herë, del ndokush dhe thotë se në pesë vitet e fundit janë larguar nga vendi kaq vetë. E gjitha përfundon me kaq. Jashtë kësaj fjalie s’kemi kurrfarë analize dhe studimi të mirëfilltë. Një prej kuptimeve të fjalës shpërngulje është të shkosh dhe të mos kthehesh kurrë më. Shumë prej këtyre që shpërngulen jetojnë me shpresë se një ditë mbase do të kthehen në vendlindje. A është e realizueshme një gjë e tillë dhe sa është e realizueshme.

Dikur kurbetin e kanë quajtur plagë të rëndë. Kjo çështje është trajtuar edhe në art dhe në letërsi. Për vendlindjen kanë thënë: “Guri është i rëndë në vend të vet”, …ku balta është më e ëmbël se mjalti. Kurbeti është kënduar edhe në lirikën tonë popullore:

“Ku po shkoni ju djem të ri, kujt ia leni këtë malësi, kujt ia leni nënë e babë, vendin kujt ia keni lënë.”

Në të kaluarën, një letër e kurbetçinjve apo e të shpërngulurve ka mbërritur pas shumë muajve. Sot, në saje të zhvillimit të teknologjisë kompjuterike, informatike, digjitale apo satelitore, situata ka ndryshuar. Për pak sekonda komunikon, falas, me tët bir në cilindo skaj të rruzullit. Por, ky komunikim është virtual. Mallin e prindit s’e shuan dot biseda telefonike, qoftë edhe me imazhin e të birit në ekran.

Të lësh vendin, do të thotë të lësh gjuhën tënde, fenë tënde, traditat tua, identitetin tënd, historinë e popullit tënd. Shtrohet pyetja: Ç’u bë me prejardhjen ilire të shqiptarëve, me prejardhjen ilire të gjuhës shqipe, me lashtësinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, me autoktoninë e shqiptarëve në gadishullin ilirik, me epokën e Gjergj Kastriotit, me periudhën e Rilindjes Kombëtare, me Vlorën e 1912-ës, me epopenë e Jasharajve, me çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, me figurën e Gjergj Kastriotit, me flamurin kombëtar, me gjuhën shqipe, me arsimimin në gjuhën amtare, me bukuritë e natyrës të trojeve shqiptare?! Ç’u bë me pluralizmin politik dhe me sistemin demokratik?! Mos ndoshta kemi sistem pseudo-demokratik?! Ai që shkon, nuk çanë fort kokën me vlerat kombëtare apo me sistemin kombëtar të vlerave. Madje ka edhe të tillë që preokupimin me vlerat kombëtare e konsiderojnë demagogji.

Ikin të rinj dhe pleq, ikin njerëz të të gjitha moshave. Ikin djem e vajza, ikin të sapomartuar, ikin çifte me fëmijë të vegjël. Çifte të reja i nxjerrin fëmijët nga shkolla dhe ikin drejt Gjermanisë. Fëmijët shkollimin e vazhdojnë atje, por tanimë jo në gjuhën amtare. Këta që shkojnë, përpiqen ta ruajnë gjuhën, fenë, identitetin kombëtar, traditat. Me dhimbje duhet konstatuar se pas një kohe të caktuar, në mjedisin e ri, brezi i ri apo brezat e rinj, fillojnë të asimilohen. Duke i integruar në shoqëri, vendet e pritjes synojnë t’i asimilojnë imigrantët.

Duhet theksuar se në disa vende të Perëndimit, shqiptarët kanë organizuar arsimim në gjuhën shqipe. Ka vende ku shqiptarët kanë themeluar edhe shoqëri kulturore artistike. Ka edhe individë që krijojnë vepra letrare artistike.

Shpërngulen të rinj nga Shqipëria, nga Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga Maqedonia, nga Mali i Zi, d.m.th. nga të gjitha trojet shqiptare. Shpërngulen edhe pjesëtarë të popujve të tjerë – maqedonas, serbë, malazezë, boshnjakë. Shpërngulen edhe nga vendet që janë anëtarë të BE-së – nga Bullgaria, nga Rumania, nga Kroacia, nga vendet e Evropës Lindore që janë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s. Shkojnë në Gjermani, Zvicër, Itali, Britani të Madhe, Francë, Greqi, Austri, Danimarkë, ShBA etj. Ata që ikin thonë: “Shkojmë për një jetë më të mirë”.

Nuk duhet harruar se ka edhe gjermanë që ikin nga vendi i tyre. Po ashtu edhe italianë, anglezë etj.

Askush, askujt s’mund t’i thotë dot “mos shko”, madje as prindi. Shkojnë të rinjtë ngase këtu nuk shohin perspektivë, as për vete, as për fëmijët e tyre. Vitet e fundit ka të rinj që në vendet e Perëndimit punojnë në punë dhe në detyra të rëndësishme, në spitale, në administratë etj.

Shqiptarët që punojnë jashtë, në muajt e verës kthehen në vatrat prindërore. Ardhja e tyre paraqet ndihmë të konsiderueshme për gjallërimin e veprimtarive ekonomike në vendlindje. Me dërgesat financiare apo me remitencat, shqiptarët që punojnë jashtë i mbajnë familjet dhe prindërit në vendlindje. Dërgesat financiare të mërgimtarëve në vendlindje shfrytëzohen kryesisht për mikrovlera dhe për mikrostruktura dhe fare pak për makrovlera dhe makrostruktura.

Dikur mërgimtarët kanë punuar jashtë pa familjet e tyre. Gruan, fëmijët dhe prindërit i kanë lënë në vendlindje. Vitet e fundit ndërkaq, situata ka ndryshuar. Mërgimtarët jetojnë atje bashkë me familjet e veta. Ka shumë fëmijë mërgimtarësh që kanë lindur atje.

Një pjesë e mërgimtarëve që largohen prej trojeve shqiptare kërkojnë strehim apo azil në vendet e pritjes. Ka të tillë që marrin edhe shtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë.

A është fajtore politika për shpërnguljen e shqiptarëve? A është fajtor shteti për ikjen e të rinjve? Me këtë çështje askush s’është marrë, në asnjë cep të trojeve shqiptare.

Në të kaluarën shqiptarët shpërnguleshin si pasojë e elaborateve të Çubrilloviqit. Elaborati i tij sot, është lënë në harresë. Shqiptarët sot e shpërngulin vetveten, ikin vullnetarisht. Madje ka të tillë që u paguajnë agjencive të ndryshme për t’u mundësuar kalimin e kufijve apo të deteve.

Të mos harrojmë se atje ku shkojnë shqiptarët, ka edhe qarqe ksenofobike, njerëz dhe grupe që nuk i duan të huajt.

S’ka asnjë dyshim se shteti dhe politika janë një prej shkaqeve kryesore të ikjes së të rinjve, sidomos të ikjes së trurit. Trojet nga ku ikin të rinjtë shqiptarë kanë shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Të këtilla si janë, trojet amtare nuk u sigurojnë të rinjve një perspektivë të sigurt. Politika dhe shteti janë një prej fajtorëve të stërzgjatjes së periudhës së tranzicionit. Ndonëse nga fillimi i pluralizmit politik kanë kaluar tridhjetë vjet, trojet amtare të shqiptarëve ende ndodhen në tranzicion. Aty ku s’ka shtet ligjor, s’ka as demokraci. Aty ka korrupsion dhe nepotizëm. Aty ka sundim të jovlerave dhe të antivlerave. Aty profesionalizmit ia ka zënë vendin diletantizmi. As vlerat etike nuk çmohen sa duhet. aty kemi rrënim të sistemit të vlerave. Ikin të rinjtë për arsye se në trojet amtare të shqiptarëve çdo pore e jetës dhe e shoqërisë është politizuar dhe është partizuar. Ikin ngase sistemi arsimor dirigjohet nga politika dhe partia dhe kjo reflektohet në cilësinë e arsimit. Ikin ngase shkollat janë shndërruar në vend për punësim. Ikin ngase administrata është shndërruar në çerdhe për përthithjen e militantëve partiakë. Ikin ngase sistemi i shëndetësisë është larg për të qenë efektiv. Ikin ngase jo çdo i ri është oportunist, konformist, poltron dhe butak. Ikin ngase një kastë e shoqërisë e shfrytëzuan politikën kombëtare për t’u pasuruar brenda natës, pa kurrfarë meritash dhe në kurriz të popullit të varfër. Ikin ngase sot e kësaj dite ka rroga prej 150 deri 300 euro. Për ata që rinë mbyllur nëpër zyra, kjo duket e pabesueshme. Ikin ngase në një zyrë ku nevojiten një apo dy punonjës, rinë kot katër-pesë sish. Ikin ngase ka të tillë që rinë në shtëpi dhe marrin rroga. Ikin ngase universitetet shqiptare nuk figurojnë askund në renditjet e universiteteve të botës.

Papunësi, paga apo rroga të ulëta, dallime të mëdha sociale si në shekullin XIX, sundim i diletantizmit, i amatorizmit dhe i joprofesionalizmit, vërshim i nepotizmit, nëpërkëmbje e profesionalizmit, mosvlerësim i vlerave etike, avancim i oportunistëve, i konformistëve, i poltronëve, i butakëve, mungesë mendimi kritik, mungesë e kritikës politike, mungesë e kritikës sociale, lypës nëpër rrugë, administratë joefektive, mungesë e mediumeve të pavarura, vënia nën kontroll e mediumeve, vërshim i analistëve mercenarë, mungesë e arsimit cilësor, mungesë bibliotekash dhe librarish të mirëfillta, pseudo-manifestime kulturore, ekzibicionizëm, mungesë e shëndetësisë cilësore, korrupsion, mitë dhe ryshfet, tjetërsim i njeriut, vrasje, plagosje, rrëmbime, aksidente rrugore, vetëvrasje, shkurorëzime, dhunë në familje, përdhunime, ngacmime gjinore, shantazhe, reketime, reality programe, imoralitet, muzikë pornografike, trajtimi johuman i kafshëve të rrugës, mungesë uji të pijshëm, vërshime, përmbytje, rrugë të që nuk mirëmbahen, rrugë me gropa, papastërti, kosha të thyer hedhurinash,  ndotje e mjedisit, mungesë infrastrukture rrugore, mungesë kanalizimesh atmosferike dhe fekale, shitje dhe blerje notash, shitje dhe blerje diplomash, shitje dhe blerje titujsh akademikë, kopjim punimesh magjistrature, plagjiatë punimesh doktorate, keqpërdorime në vendkalimet kufitare, keqpërdorime në kontrollet doganore, kultivim, përdorim, shitje dhe përhapje lëndësh narkotike, trafikim qeniesh njerëzore, trafikim armësh, trafikim lëndësh narkotike, nëntokë urbane, mungesë planesh urbanistike, vërshim karrieristësh, mungesë përgjegjësie për dështimet në punë, mungesë fjale të lirë, mungesë mendimi të lirë, përpunim dhe shpëlarje truri nga qeveritarët dhe nga pushtetarët, heshtje e inteligjencies, mosfunksionim efektiv i institucioneve shkencore dhe arsimore, heshtje e shkrimtarëve dhe e krijuesve artistikë. Nuk dihet saktë ku është dallimi midis sistemit totalitarist, autoritarizmit, autokracisë, në një anë dhe pseudo demokracisë, në anën tjetër. Krejt kjo s’është, as socializëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Në këto rrethana, të rinjtë shqiptarë nuk shohin perspektivë. Ata s’kanë fuqi të përballen me rrëmbyesit e çdo porreje të shtetit. Rrjedhimisht, shpërngulen, ndërsa trojet shqiptare – shpopullohen.

Si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore, mund të ndodhë që në trojet shqiptare të vijnë të rinj nga Bangladeshi.

Në vend të statistikave politike dhe të politizuara, flasin rreshtat e gjatë para ambasadave të vendeve perëndimore, flasin autobusët që, të mbushur plot, çdo ditë nisen drejt Gjermanisë dhe Zvicrës.

Nga ikja e të rinjve, dobësohet fuqia prodhuese, riprodhuese, shtuese dhe mbrojtëse e kombit. Shpërnguljet shkaktojnë mungesë fuqie punëtore. Në pikëpamje demografike, kombi rrënohet. Numri i meshkujve që shpërngulen është më i madh se i femrave. Si rrjedhojë, kjo shkakton çekuilibër gjinor. Arat, fushat, livadhet kanë mbetur djerrinë. Më shumë se gjysma e tokave të punueshme kanë mbetur pa u punuar. As edhe me qesim falas, s’i merr dot kush. me bujqësi dhe me blegtori shumë pak njerëz merren. Punëtorë për bujqësi s’gjen dot askund. Traktorët e dikurshëm, me vite s’janë vënë në lëvizje. Nëpër bjeshkët e maleve arbërore ka kohë që s’dëgjohet blegërima e deleve dhe e kecërve. Për fyellin e bariut, të mos flasim. Numri i nxënësve nëpër bankat shkollore, nga viti në vit bie pandalshëm. Ka fshat ku në klasë të parë nuk është regjistruar as edhe një nxënës i vetëm. Pakësohet numri i nxënësve, pakësohet numri i klasave, mësues, arsimtarë, profesorë dhe pedagogë universitarë rrezikojnë të mbeten pa punë. Shkalla e ulët e lindshmërisë apo e natalitetit dhe dyndja e ditëpërditshme e popullsisë rrezikojnë qenien kombëtare, vënë në dyshim forcën prodhuese, riprodhuese, shtuese dhe mbrojtëse të kombit. Kujt do t’i flasësh për ilirët, për historinë e lavdishme, për flamurin e Gjergj Kastriotit. Të rinjtë e kanë mendjen se si të ikin sa më parë. Sipas tyre, çdo gjë jashtë kësaj nuk është veçse një romantizëm i vonuar dhe i panevojshëm. Nuk hamë ilirë dhe histori, duam jetë më të denjë. Jo që s’kemi dashur të jemi pjesë e ndryshimeve, por nuk na është mundësuar, për të mos thënë na është parandaluar.

Sido që të jetë, shpërngulja e të rinjve shqiptarë nga vatrat e veta, nga vendlindja apo nga trojet amtare, për në vendet e huaja, në asnjë variant nuk duhet të mbështetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok