21/12/2024

Edhe nji herë mbi politikën e jashtme të Shqipnisë

0
Romeo-Gurakuqi

Nga Romeo Gurakuqi

Në vitin 1991 menduem se Shqipnija jonë e shkundi zgjedhën komuniste dhe së bashku me ate, u largue nga endja e papërcaktueme, duke dalë në dritë për të ba pjesë në radhën e popujve të vetqeverisun, me shtet serioz, qi ka nji rrugë të  ardhme të përcaktueme kjartë.

Menduem se shpëtuem, por s’kishte pas qenë e thanun, të jetojmë në qetësi, në liri, në nji vend normal me identitet të shënuem që në lindjen e fëmijeve në tokën tonë dhe të gezojmë ma në fund, frytin e përpjekjevet të të Parvet, të cilët u flijuen për nji copë Shqipni të lirë, qytetare dhe europiane. Pak për indifference e mungese ekspertize të të huejvet ndaj këtij vendi të çuditshëm dhe me vektorë të përkundërt formativë e ma shumë për faj të atyne qi e kanë marrë peng sferën publike në këto dekada, Shqipnija ka pa pak ditë të mira dhe me shpresë orientimi të kjartë, qendrueshmërie e prosperiteti.

E sundueme prej mujsharisë, babëzisë, diletantizimit, servilizmit, demagogjisë të ngritun në kod sjelljeje dhe standard për t’u ndjekun dhe për të ba hajr në politikë dhe drejtim, horizonti i qiellit shqiptar mbeti gjithnji i errësuem, orientimi i popullit i ç’akorduem, sipas interesave të momentit të individëve qi zotnojnë, toka shqiptare nji hapësinë e lirë ku mund të luajnë si u vjen për mbarë, organizatave që s’kanë të bajnë me programin testamentar të Arbnisë.

Së fundmi, kena ardhë në ditën kur urdhnohemi mu në organin Sovran, me ba atë qi nuk e mendojmë dhe e arsyetojmë si te drejte. Madje, përmes të zgjedhunve, detyrohemi të heshtim, kushtëzohemi me traktate të përhershme, imponohemi a priori edhe në strategji dhe aleanca qi nuk ua njohim përmbajtjet dhe thelbet, ndërlikohemi në mënyrë të kushtëzuem edhe në marrëdheniet me fqinjët e drejtpërdrejtë.

Dje, të gjithë së bashku, socialistë, të vetëquajtun sovranistë dhe demokratikas të zyrtarizuem nga qeveria, pjesëtarë të nji faji të kahershëm, “arkitektë” të lanies së vendit pa binarë strategjikë, mëkatarë të lanies të rinisë pa formim kombëtarist dhe albanianist, në ditën e 554 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtarë, u përkulen pa bzá dhe duartrokiten Presidentin e Republikës së Turqisë, tek u jepte urdhnat ultimativë gjatë fjalës së rastit në Parlamentin e Shqipërisë. Nuk mund të ndodhte ndryshe: bashkarisht, dëgjuesit janë autorë të lanies së Shqipërisë pa nji strategji të zbatueshme të politikës së jashtme, pa nji kontroll të strukturuem mbi programin e organizatave të huaja kinse kulturore, pa nji autoritet të mjaftueshëm institucional, qi u lejon zotnive të Lindjes ta nënrendisin vendin e Arbënve, në një satelit të rrotullueshëm sipas interesave të tyne.

Kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk e pranojnë miqësinë dhe ndihmën e ofruar nga populli punetor dhe i urte turk, bashkëpunimin e gjithanshëm në fusha me interes reciprok të Republikës së Turqisë Qemaliste, dorën e shtrirë të mikut që sheh nga e ardhmja, duke lanë pas të kaluemen shkencërisht të pakorigjueshme. Por në asnji rast, në kodin e ekzistencës sonë shtetnore, nuk asht e shkrueme, se vendimarrja mbi Aleancën Strategjike dhe Miqësinë e Përjetshme vjen prej ndonji traktati të fshehtë të nënshkruem ndër darkat e brigjeve të Bosforit, përkundër të drejtave referendare të popullit dhe  doktrinës sonë kombëtare të hartueme prej Rilindasve. Askund ndër ne nuk asht e shënueme dhe e lejueme, qi në sferën publike të cënohet laicizmi, qoftë edhe në ligjërim; askund të kodet qi rregullojnë marrëdhaniet ndërkombëtare mes shteteve sovrane, nuk asht e shkrueme qi shtetet e huaja mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të njani- tjetrit dhe aq ma pak të vendosin kushte ultimative, afate kohore ndaj “nxanesve” politikane shqiptare.

Asht e kuptueshme qi gradualisht, me kalimin e kohës, te shekullit, ndër vendet normalizueme, modernizueme e perëndimizueme, armiqësitë e dikurshme kalohen në analet e historisë, udhëheqësit shohim nga e ardhmja, bashkëpunojnë edhe me ish shtetet sunduese, korigjojnë sjelljet, përmirësojnë klimen, duke respektue ligjet ndërkombëtare dhe paqen globale. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që caqet e reciprocitetit dhe sovranitetit të shkelen, kujdeset ndaj forcimit të unitetit të vendit të mos mbahen parasysh, interesat edhe të fqinjëve të tjerë të mos respektohen me shumë kujdes, aq ma teper qe çeshtje te diskutueshme dhe debatueshme jane ne zhvillim e siper.

32 vjet mbas britmave mbarëpopullore për Europën në Shkodër dhe Tiranë , shohim se kapluesit e sferës së drejtimit politik të vendit, ata qi zotnojnë kompetenca kushtetuese për ruajtjen e pozitës së Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar, në pajtim me qellimin qi na kanë caktue paraardhësit shteformues, Desidenca Europianiste, janë shndërrue në shkelës së premtimit dhe lajkatarë të buzëqeshun të autoritarëve të Lindjes, qi nuk kanë asgja të përbashkët me lirinë, demokracinë, laicizmin dhe republikanizmin e Ataturkut të madh, krijuesit të vertetë të Turqisë moderne, mikut të popullit shqiptar.

Për fat të keq, ende ndër ne, njilloj si në kohën kur Faik Konica nuk i duronte dot marrëzitë e të paktëve, disa, që gabimisht sot janë udhëheqës dhe aspirantë për udhëheqje, përfaqësues të sovranit, nuk e kanë të zhvillueme mjaftueshëm frymën e indipendencës arbnore, ndjenjën e detyrës dhe përgjegjesisë kombëtare, kapacitetin shtetdrejtues dhe me njëmijë mënyra duan sërish ta shndërrojnë Shqipninë në nji provincë të bindun perandorake, nji liman për ankorim, nji vend për t’u etiketue definitivisht si jo miqësorë nga fqinji ynë e drejtpërdrejtë jugor, Greqia, ku jetojnë, bijtë, bijat dhe vllaznit tone, mbi 1 milion shqiptarë të sodit të trajtuem njerëzisht atje.

Posaçërisht në nji vend si i yni, për shkak të veçantive formative, çdo vendimarrje në fushën e politikës së jashtme do të duhet të kalojnë përmes nji konsensusi të rreptë mes faktorëve kulturorë shtetformues, identifikimi i të cilëve vjen nga përfaqësia reale dhe jo nga të emnuemit e kryetarëve të partive pa anëtarë, qi shpesh herë bien viktimë e ndërhymjeve të aktorëve të jashtëm jomiqësorë, qi operojnë të lirë në vend, sipas raporteve të shërbimit tonë informativ.

Vetëm në Shqipni gjen vendimarrës në politiken e jashtme qi mendojnë, se janë të lirë për me dhanë verdikte themelore, pa respektue kufizimet dhe rregullat e përcaktueme brenda vendit nga konventat e brendshme themelvanëse të shtetit.

Politika e brendshme e një vendi të mbushun në polet e saja partiake me kurthe, intriga, urrejtje, të denja për t’u përshkrue dhe analizue nga shkrimtarët, mbasi ka ndalun integrimin e Shqipërisë në Europë, sot po ban  haptas hapa rrënimtarë drejt prishjes së konsensusit mbarëkombëtar në aspektin e politikës së jashtme.

Aspirantë të hartimit  dhe implementimit të politikës së jashtme, të rrethuar nga frika e mëkateve, të izoluar nga Europa dhe SHBA, që kushtëzon me lirinë, ligjin dhe drejtësinë, po shohin si të vetmen rrugë shpëtimi, shndërrimin e Shqipërisë si nji zgjatim të shtetit të dikurshëm sundues, duke hapun rrugën të panjohurës dhe prishjes së unitetit tonë të brendshëm. Rama dhe kinse konservatorët, mbase dojnë me e kthye Shqipërinë serish në nji gur rrokullisës në lojën e madhe të tavlles ballkanike,  por Shqipnia e jonë e ngratë, populli ynë, arbnorët, nuk kanë asnjë lidhje me frikërat e tyne, nevojat e tyne per vendstrehime dhe botkuptimet e tyne të kufizueme.

https://www.facebook.com/romeogurakuqi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok