09/11/2024

Edhe njëherë për skuthët e Partisë Demokratike!

0

Nga Enver Bytyçi

Shumë prej deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët ende nuk i janë bashkëngjit grupit parlamentar të saj dhe qëndrojnë midis Alibashbardhit dhe PD-së, nuk janë në gjendje të marrin vendimin e duhur. Nuk pozicionohen as këtej, as andej. Në këto kategori deputetësh, duke lexuar qëndrimet e tyre, shoh disa llojesh:

Së pari, llojin e atyre që përpiqen të jenë “mbajtës të fjalës”. Thanë se “kurrë nuk do t’i bashkohen Sali Berishës” dhe tani qëndrojnë në cep të skenës politike. Bëjnë “të pavarurin”! Këta nuk mundën të parashikojnë se Sali Berisha është “ortek”, nuk është individ! Për hir të së vërtetës as ne që e mbështetëm nuk e kishim besuar se ky ortek nis më 11 shjetor 2022 në stadiumin kombëtar e 18 dhjetor në referendum e pason fitoren spektakolare të 6 marsit e të 7 korrikut! Kjo kategori duhet të kuptojë se egoizmi nuk është këshillues. Duhet të shohë se Partia Demokratike tashmë ka kryetar Sali Berishën dhe duhet të pajtohet me këtë fakt. Pa kushte, pa mburrje të tjera, me një lloj reflektimi të nevojshëm.

Së dyti janë kategoria e disa deputetëve që bëjnë se qëndrojnë “mbi partitë”! Madje thonë se “shkojnë edhe pas Erion Braçes, nëse është nevoja”! Këta deputetë janë mediokër. E mediokrit janë gjithnjë kapadinj. Prandaj nuk kanë sensin e logjikës e racionales! Nuk dua të them se janë të kapur. Por mund të jetë dhe kjo arsyeja! Edhe kjo kategori ka mundësi të shkëputet nga qëndrimi që mban dhe t’i thërrasë arsyes, nëse nuk ka ngrënë ndonjë lugë çorbe të prishur.

Së treti vijnë deputetët që kanë sakrifikuar në PD, por për shkak të pozicionimit ose të ndikimit të faktorëve jashtë-qenies së tyre, vazhdojnë të jenë edhe jashtë Partisë Demokratike. Shkojnë në protëstën e Sali Berishës dhe flasin më keq së Tak Ngjela kundër saj. Duket se janë në dilemë. Kanë në ndërgjegje paradigmën, nëse duhet t’i hedhin poshtë kontributet në Partinë Demokratike, apo duhet t’i bashkohen asaj. Këta duhet që dilemën ta zgjidhin sa më shpejt, sepse koha po kalon. Koha nuk është në favor të tyre.

Së katërti, janë deputetët që duan të përfitojnë medoemos nga çvendosja e tyre. Pra, nëse afrohen me PD-në, duan të dijnë se çfarë përfitojnë. Këtyre deputetëve u duhet bërë e ditur se përfitojnë “Ndoc rrokun”! Ata duhet të kuptojnë se duhet t’ia nisin nga e para. Kanë si favor lidhjet e njohjet. Por kontributet e tyre nisin nga dita kur rikthehen. Me qëndrimin që kanë mbajtur e kanë dëmtuar Partinë Demokratike dhe opozitën. Demokratët duhet të shohin në praktikë reflektimin e tyre dhe pastaj të vendosin për ta.

Së pesti, janë tre deputetët e kupolës anti-PD, përkatësisht Basha, Alibasha dhe Bardhbasha. Këta të tre falnia Edi Ramës. Të atij janë në fund të fundit! Nuk kanë çfarë i duhen Partisë Demokratike. Nuk dua të them me këtë që të përjashtohen nga kjo parti. Po të duan të rikthehen edhe ata. Por do të përbuzen për shumë kohë. Nëse duan të krijojnë fraksionin e tyre, le ta bëjnë edhe këtë. Megjithatë ata janë të dëmshëm për PD-në dhe opozitën shqiptare! Janë krye-skuthët e saj, edhe pse një pjesë e madhe e të gjitha këtyre kategorive kanë një dozë të caktuar skuthizmi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok