Edhe njëherë për Rugovën dhe vendin e lënë bosh prej tij
Nga Blerim Latifi
Në fillim të veprimtarisë së tij politike Rugova kishte një sens të hollë të realitetit historik dhe atij aktual. Ai e dinte se shumë herë gjatë historisë ne kishim pësuar disfatë, jo se nuk kishim dashur të luftonim, por se nuk kishim miq dhe nuk njiheshin çështjet tona nga diplomacia ndërkombëtare. Dhe kjo po ndodhte edhe tani para syve të tij. Askush nuk kishte reaguar kur Millosheviqi e hoqi me dhunë autonominë e Kosovës të vitit 1974. Bota ishte pajtuar që Kosova të kthehej në statusin e saj të vitit 1945. Dy vite më pas, në Konferencën Ndërkombëtare të Hagës, Kosova sërish u nxor nga rendi i ditës. Dyert e diplomacisë ndërkombëtare gjithandej ishin të mbyllura për ne. Të çarmatosur brenda dhe pa miq jashtë, nuk kishim si të vepronim ndryshe përveçse t’i hynim rezistencës paqësore. Fillimi i një kryengritje të armatosur në këtë situatë, do të ishte fatal për shqiptarët e Kosovës. Rugova do të mbahet mend si lideri që diti të shmangë luftën në momentin më të papërshtatshëm për Kosovën dhe si lideri që nuk diti të kuptojë momentin kur lufta ishte bërë e pashmangshme dhe e domosdoshme. Shkaku i kësaj të dytës duhet kërkuar në faktin se me kalimin e kohës, lëvizja e udhëhequr prej tij, ishte rutinizuar, ishte burokratizuar, dhe nga të qënit instrument, ishte shndërruar në vetëqëllim.
Ditë më parë, në një debat telviziv, thashë se pa luftën e UÇK-së, politika e Rugovës do të përfundonte në një autonomi. Reagimet që mora ishin nga më të ashprat prej besimtarëve politikë të Rugovës dhe prej shumë militantëve të LDK-së. Reaguesit nuk kishin arritur të kuptonin dy gjëra elementare : të dallonin dëshirën nga mundësitë dhe të kuptonin logjikën e realizmit politik, i cili përbën ligjin themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kuptohet që Rugova nuk e dëshironte autonominë. Kjo as që diskutohet. Ai kërkonte dhe fliste vazhdimisht për pavarësinë, por bashkësia ndërkombëtare nuk do të bënte asnjë hap praktik në drejtim të pavarësisë, nëse ne do të vazhdonim të rrinim urtë nën sundimin e Millosheviqit. Argumenti madhor për këtë, që na u dha në atë kohë, ishte Konferenca e Dayton-it, por jehona e këtij argumenti nuk arriti dot deri tek veshët e Rugovës, tanimë i rrethuar nga burokratë të shumtë, për të cilët lëvizja paqësore ishte kthyer thjesht në një vend pune. Megjithatë, kjo jehonë arriti deri tek njerëzit e UÇK-së, të cilët, nëse jo me argumente shkencore, me intuitë e dinin se askush nuk do të shkrepte asnjë plumb për ne, nëse vetë ne do të hezitonim ta bënim të parët këtë. Dhe i pari ndër të parët prej tyre ishte Adem Jashari, në personalitetin e të cilit ishin sintetizuar dy gjëra fundamentale : të mospasurit frikë nga Serbia dhe besimi epik se çlirimi prej saj ishte i mundur dhe duhej filluar menjëherë, pa pritur ditë më të mira. Po e them besimi epik për të ritheksuar argumentin e saktë të cilin e zhvillon në librin e tij për Luftën e Kosovës, Tim Judah: Të parët që rrëmbyen armët ishin ata të cilët ishin rritur me eposin e luftërave të kaluara të të parëve të tyre kundër serbëve.
Pas luftës Rugova diti të theksojë vazhdimisht atë për të cilën njihej më së shumti : urtësinë politike dhe orientimin e palëkundur politik e kulturor të Kosovës drejt Perëndimit. Një gjë mund të thuhet me siguri : me Rugovën rrymat e rrezikshme antishqiptare të vahabizmit e salafizmit nuk do të kishin gjasa të lëshonin rrënjë në Kosovë. Vendi bosh që ai ka lënë në këtë aspekt, ende nuk është mbushur nga askush, fatkeqësisht. Dhe kjo ka shumë gjasa t’i kushtojë të ardhmes së këtij vendi.