21/12/2024

ECJA DREJT SË DJATHTËS – DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE

0
Thanas-Gjika-Ecja-Djathtas

Nga Frank Shkreli

Libri më i fundit i autorit të njohur me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thanas L. Gjika, titullohet, “Ecja Drejtë së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” Botimet Jozef 2021, 372 f. Në këtë libër, autori përmbledh shkrime shkencore dhe publicistikë të viteve të fundit, që synojnë përballimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste, pothuaj gjysëm shekullore të vendit, si dhe dënimin e krimeve të njërit prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar, ndërsa nenvijon edhe nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë politike në Shqipëri.

Në këtë libër, lexuesi gjen dhe vlerësime autorësh e veprash, portrete, kujtime dhe shkëmbime letrash të autorit me disa personalitete të diasporës shqiptare – kolegë e miq të tij — si Profesor Sami Repishti, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë Përvizi, Luan Rama e disa të tjerë. Njohja e tij me Lasgush Poradecin e kujtime të tjera interesante nga mosha e tij shkollore.

Edhe ky libër, në vazhdën e punimeve të vyera të mëparshme të Thanas Gjikës, përfshirë studimet historike mbi fillimet e Krishtërimit në trojet ilire, analizat politike dhe shoqërore si dhe publistikën e tij të pasur, ndihmon lexuesin e sotëm në trojet shqiptare dhe në diasporë që të kuptojë më mirë shtrembërimet e të vërtetave historike gjatë periudhës fatzezë të komunizmit. Këto shtrembërime, fatkeqsisht, mbrohen edhe sot nga një mori pseudohistorianësh dhe nostalgjikësh enveristë në nivelet më të larta shtetërore dhe akademike të Shqipërisë socialiste.

Në këtë libër, ashtu si në krijimtarinë e mëparshme të Thanas Gjikës vihet re dëshira e tij për të venë në dukje vlerat artistike dhe ideore të disa shkrimtarëve dhe publicistëve që jetojnë në atdhe dhe në diasporën shqiptare, të cilët fatkeqësisht, njihen pak ose aspak nga lexuesit shqiptarë dhe aq më pak promovohen nga institucionet zyrtare në trojet shqiptare. Mund të jetë që shumica e këtyre shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës – konsiderohen si disi “ndryshe”, “të prekur” dhe “të përndjekur”, nga ish-regjimi komunist, por edhe sepse shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar jashtë Atdheut për një kohë të gjatë dhe të cilët shpesh trajtohen si të huaj në vendin e vet. Por siç ve në dukje studjuesi Gjika në librin e botuar kohët e fundit, edhe këta kontribues, qofshin shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-francezë, shqiptaro-belgë, shqiptaro-italianë, shqiptaro-kanadezë, etj janë dhe duhej të ishin pjesë e historisë, e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, pa nënvlerësime, paragjykime, akuza e shpifje, pasi për derisa kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë shqip, janë pjesë dhe kontribues të kësaj kulture. Por, deri tani, sipas Thanas Gjikës këta krijues e studjues shqiptarë të diasporës, kryesisht vazhdojnë të jenë të refuzuar dhe të nënvlerësuar prej kulturës dhe historisë kombëtare, pjesë e të cilës këta shqiptarë me dy kombësi e ndjejnë veten se janë – pjesë e pandarë e trupit kombëtar, të kulturës, gjuhës dhe historisë së shqiptarëve – e kësaj kulture mijëra vjeçare.

Siç ka shkruar Ernest Koliqi, “Kultura asht shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk di me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë çka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasve të vet, (edhe të atyre jashtë atdheut-F.Sh) si e shohin dhe si e paraqesin në pëlhurnat e tyre botën piktorët tonë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët shqiptarë, d.m.th., ai që kurrë s’kapë në dorë nji libër shqip nuk soditë me andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuan mallet e veta në melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të Kombit…”(Ernest Koliqi, revista “Shejzat”).

Në të parin çerek të shekullit XXI, Shqipëria, Kosova dhe autoritetet përkatëse në këta dy shtete shqiptare duhet të promovojnë dhe të konsolidojnë një shoqëri gjithëpërfshirse, pa dallime politike, ideologjike, krahinore e të tjera, duke përfshir edhe forcimin tepër të nevojshëm të lidhjeve me diasporën e vjetër dhe të re shqiptare.

Fatkeqësisht, këto lidhje sot nuk ekzistojnë me shtetin amë, ashtu siç duhej të ekzistonin. Ky është, në përgjithsi, edhe një prej mesazheve kryesore i librit më të ri të autorit Thanas Gjika, titulluar: “Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie” — një përmbledhje artikujsh studimorë dhe publistikë të autorit dhe të disa kontribuesve të tjerë nga diaspora shqiptare, sidomos diaspora shqiptaro-amerikane. Me pikësynimin për dënimin, më në fund, të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për përballimin me të kaluarën komuniste dhe për nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë.

Mjaft më me ndarje e përçarje, në baza ideologjike, midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë atdheut! Shqiptarët, një grusht njerëz, brenda dhe jasht trojeve shqiptare, kanë nevojë për unitet — për një strategji mbarëkombëtare – duke përfshirë edhe ata që megjithse larg vendlindjes, përpiqen të japin kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare, pa marrë parsysh se ku jetojnë aktualisht, por të cilët, me gjithë zemër e shpirt, punojnë dhe shkruajnë për një letërsi të përbashkët kombëtare dhe veprojnë për një atdhe të vetëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok